Ti je duke diskutuar në tryezë, në facebook, në debat televiziv, në gazetë. Ke sjellë argumenta, ndihesh i sigurt, madje të duket edhe sikur e ke vënë disi përpara dhe po e mposht kundërshtarin kur, fap, ai të nxjerr Boshtin.
Ti mbetesh pa fjalë, pa asnjë kundër-argument, pa asnjë shteg
nga të shpëtosh. Sepse kur tjetri të nxjerr boshtin duhet të dorëzohesh. Boshti
është i pakundërshtueshëm.
Një nga boshtet e hershëm ka qënë ai Romë-Berlin-Tokjo. Po të
të sulmonin me boshtin Romë-Berlin-Tokjo fill pas Luftës së Dytë Botërore ishe
i mbaruar, ose përfundoje në litar, ose në burgim pa afat
Më vonë dolën boshte të tjerë, boshti Moskë-Beograd, ai
anglo-amerikan. Ose të tjerë që s’kishin fare lidhje me kryeqytete apo me gjeografinë,
boshti imperialisto-revizionist, boshti social-imperialist.
Sot boshti mund të jetë i çfarëdollojshëm, etno-ideologjik (sllavo-komunist),
etno-fetar (sllavo-ortodoks), ose thjesht nacionalist (greko-serb). Mund të jetë
i jashtëm, por edhe i brendshëm, si për shembull boshti vllaho-ortodoks. Në
vartësi nga përdoruesi, boshti mund të jetë i majtë ose i djathtë. Veçanërisht
parapëlqehen boshtet ndërkombëtare: soroist, trampist, liberal, konservator.
Kur të sulmojnë me bosht është e pamundur të mbrohesh, me përjashtim të rasteve kur ke gati edhe ti boshtin e kundërt. Atëherë kemi kryqëzim boshtesh dhe beteja mund të shkojë pa fund, por gjithmonë përfundon me barazim.
Kur përdor boshtin si argument nuk ke nevojë as të dish shumë,
as të mendohesh shumë, dhe as të kërkosh shumë. Mjafton të mbash mend emrin e
boshtit. Boshti nuk është nga ato armët e ndërlikuara që duhet t’i kalibrosh
mirë, apo t’i drejtosh si duhet. Nuk ka nevojë as të rrafshosh thepin me shqekëzën.
Nuk të hyjnë në punë as fjalët e ndërlikuara, as konstruktet e vështira
gramatikore, as drejtshkrimi, as shenjat e pikësimit. Mjafton ta kapësh
boshtin, të mbyllësh sytë dhe ta lëshosh: islamofob, homofob, marksist,
fashist, racist. Boshtin e përdorin me të njëjtin efekt edhe profesionistë të
shquar, që kanë vite që mbushin faqe gazetash dhe botojnë libra, edhe amatorë
enthuziastë që mezi njohin gërmat në tastierat e celularëve, edhe kushdo në mes
të tyre që përton të mendojë. Nganjëherë mund të marrësh edhe boshtin e dikujt
tjetër dhe t’ia përplasësh tjetrit në fytyrë. Ky quhet bosht-citim, ose
citim-bosht, si të duash.
Nuk ka rëndësi forma. Rëndësi ka të dish që kur mbetesh keq
dhe s’sheh tjetër rrugëdalje, gjuaji tjetrit me bosht. E ke të sigurt që do ta
hedhësh pa frymë në tokë.
No comments:
Post a Comment