Tuesday, January 10, 2023

S’ka kuptim

Ç'kuptim ka të mburresh për lashtësinë e gjuhës shqipe, kur e përdhos atë në çdo çast duke e keqpërdorur?

Ç'kuptim ka të vërtetosh që je populli më i vjetër i Ballkanit, kur gjysmën e njerëzve i ke të shpërndarë si zogjtë e qyqes nëpër botë?

Ç'kuptim ka t’i vesh qeleshe mbi kokë Homerit, kur rreth teje vërtiten gjysmë zhveshur lypës të uritur?

Ç'kuptim ka të bërtasësh se je krenar që je shqiptar, kur në Romë, Athinë, Londër e Paris ecën me kokën ulur?

Ç'kuptim ka të mbushësh sytë me lot për gjyshen arbëreshe të Deni DeVitos, kur nënën tënde të vetmuar e rrahin në shtëpinë e pleqve?

Ç'kuptim ka të kërkosh rrënjët arvanitase të Irenë Papas kur para syve të tu shkulin nga themelet teatrin kombëtar dhe ti nuk lëviz dot as gishtin?

Ç'kuptim ka t’i kërkosh drejtësi një politikani të korruptuar nga mitingu i kopjes së tij të klonuar?

Ç'kuptim ka të revoltohesh për padrejtësi shoqërore kur s’le rast pa vjellë vrer ndaj kujtdo që është ndryshe prej teje?

Ç'kuptim ka të rrahësh gjoksin për mikpritjen shqiptare kur ke vite që s'fton e s'qas njeri në shtëpi dhe kur çmimet e hoteleve dhe restoranteve i ngre në qiell?

Ç'kuptim ka ta mbash veten racë superiore kur në kurriz ke të freskëta shenjat e kamzhikëve të racizmit?

Nuk ka kurrfarë kuptimi ti kërkosh gjërat aty ku s'janë.

Ndoshta do të kishte më tepër kuptim sikur ta shfryje pak tollumbacen që mban mbi supe dhe të uleshe disi më poshtë,  sa të të preknin këmbët në tokë.

Të përiqeshe ta flisje dhe shkruaje shqipen më pastër e më qartë. 

Të mundoheshe ta edukoje djalin dhe vajzën duke i dhënë shembullin e pastërtisë morale, ndershmërisë,  dhembsurisë për të tjerët dhe nevojës për të qënë i drejtë.

Të hiqje dorë nga vemjet politike që kanë tridhjetë vjet që e kanë mbërthyer vendin për gryke dhe të kërkoje me urtësi dhe përgjegjësi qytetare rrugëzgjidhje të reja.

Të prisje ndonjë biletë koncerti, teatri, apo filmi për t’i dhënë një dorë talenteve të vendit. 

Të lexoje ndonjë libër nga fillimi në fund. 

Të punoje me ndershmëri, pa vjedhur, pa dhënë e marrë rryshfet. 

Të toleroje mendimin e tjetrit dhe të pranoje idenë që edhe ai që e sheh botën ndryshe nga ti mund të ketë një farë të drejte. 

E di që do thuash se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë përballë gjithë atij llumi që na ka mbytur përreth, por mos harro se ti je e vetmja shpresë e mbetur.  Gjithçka fillon nga ti, nga unë.


Wednesday, January 4, 2023

“Nuk janë përgjegjësia jonë“

(thotë Ambasadori i Shqipërisë në Britani për shtetasit shqiptarë)

Nëse doni të kuptoni mirëfilli shprehjen “O sa siklet me qënë shqiptar!” shikoni videon e bashkëngjitur. Komiteti i Punëve të Brendëshme i Parlamentit Britanik ka organizuar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko. Situata është kjo: Sipas Ministrisë së Brendëshme britanike, 35 përqind e 44 mijë njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez janë shtetas shqiptarë. Për britanikët ky është problem shqetësues. Ata kanë ftuar ambasadorin shqiptar për të diskutuar gjendjen së bashku.

Video fillon me fundin e fjalës së Ambasadorit i cili, sipas kontekstit, duhet të ketë shprehur idenë që Shqipëria është një vend mikpritës që pret krahëhapur turistë nga gjithë bota, duke përfshirë edhe nga Britania e Madhe, ide që padyshim nuk ka asnjë lidhje me temën e takimit. Më pas, ndërhyn Lee Anderson Anëtar i Parlamentit Britanik i cili shtron një pyetje të thjeshtë: “Për të udhëtuar nga Shqipëria në Londër mjafton të blesh një biletë me Wizair që kushton jo më shumë se 28 pound. Udhëtimi me avjon zgjat tre orë. Përse shqiptarët parapëlqejnë të paguajnë mijëra paund stërlina për të hyrë ilegalisht me gomone në Britani, në udhëtime të rrezikshme që zgjasin nga 16 orë, kur mund të udhëtojnë rehat me avjon?”

Ambasadori nuk e kupton pyetjen dhe kërkon t’ia përsërisin.

Anëtari i parlamentit britanik ia përsërit. Ambasadori përtypet. Nuk e di përgjigjen. Në fakt, ambasadori nuk di asnjë përgjigje. Në një video të shkurtër prej katër minutash ai thotë disa herë nuk e di, si një nxënës i keq që nuk është përgatitur për provim.

Natyrisht, ambasadori shqiptar ka ditur të përsërisë si papagall përrallën e mikpritjes shqiptare, të parajsës turistike shiptare, të arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare. Por, kur vjen puna për të diskutuar për problemin e shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në një vend të huaj, pra problemin për të cilin po merr pjesë në takim, ai nuk di të thotë asgjë.

Më në fund Lee Anderson detyrohet të thotë: “Ju nuk dini edhe aq shumë gjëra ambasador, apo jo? A nuk e ndjeni që Shqipëria duhet të japë kontributin e vet për rëndesën që po i sjellin taksapaguesve britanikë shtetasit ilegalë shqiptarë?”

Këtu ambasadori shqiptar ndjen një rrezik të madh – ndjen rrezikun që qeverisë së tij, shefit të tij, mund t’i faturohen shpenzimet e veprimeve të paligjshme të shtetasve të tij. Prandaj, me një gjest sa spektakular aq edhe të turpshëm ai mohon çdo lidhje me shtetasit shqiptarë. “Jo,” thotë ai pa i bërë syri tërr. “Ata nuk janë përgjegjësi e shtetit shqiptar.” Pra ambasadori i Shqipërisë i braktis menjëherë shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit e tij që kërkojnë strehim në Britani, lëshon ata fare lirë, pa pare, thjesht i bën hasha, duke mohuar çdo lidhje me ta. Fap-fap, i lan duart prej tyre.

Ja, kjo është gjendja ku ndodhemi. Një shtet që përfaqësohet në një nga vendet më të rëndësishëm të botës me një ambasador që nuk ia ka idenë se çfarë ndodh, që është i painformuar, që nuk di të shpjegohet, që nuk di të sqarojë dhe që, për të shpëtuar prapanicën e vet shet pa hezitim bashkëkombësit, ata bashkëkombas që janë braktisur një herë nga qeveria në vendin e tyre dhe që e ka për detyrë, ose më saktë paguhet që t’iu dalë për zot.

Video të lë pa fjalë. Më e pakta që mund të ndodhte pas kësaj do të ishte dorëheqja ose shkarkimi i menjëhershëm i Ambasadorit. Ndoshta duhet të kërkojë dorëheqjen edhe Ministrja e Punëve të Jashtëme. Sepse është vërtet turp për të ashtuquajturën diplomaci shqiptare dhe të ashtuquajturin shtet shqiptar.