(thotë Ambasadori i Shqipërisë në Britani për shtetasit shqiptarë)
Nëse doni të kuptoni mirëfilli shprehjen “O sa siklet me qënë
shqiptar!” shikoni videon e bashkëngjitur. Komiteti i Punëve të Brendëshme i Parlamentit
Britanik ka organizuar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e
Bashkuar Qirjako Qirko. Situata është kjo: Sipas Ministrisë së Brendëshme
britanike, 35 përqind e 44 mijë njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme
Kanalin Anglez janë shtetas shqiptarë. Për britanikët ky është problem shqetësues.
Ata kanë ftuar ambasadorin shqiptar për të diskutuar gjendjen së bashku.
Video fillon me fundin e fjalës së Ambasadorit i cili, sipas
kontekstit, duhet të ketë shprehur idenë që Shqipëria është një vend mikpritës
që pret krahëhapur turistë nga gjithë bota, duke përfshirë edhe nga Britania e
Madhe, ide që padyshim nuk ka asnjë lidhje me temën e takimit. Më pas, ndërhyn Lee
Anderson Anëtar i Parlamentit Britanik i cili shtron një pyetje të thjeshtë: “Për
të udhëtuar nga Shqipëria në Londër mjafton të blesh një biletë me Wizair që
kushton jo më shumë se 28 pound. Udhëtimi me avjon zgjat tre orë. Përse
shqiptarët parapëlqejnë të paguajnë mijëra paund stërlina për të hyrë
ilegalisht me gomone në Britani, në udhëtime të rrezikshme që zgjasin nga 16 orë,
kur mund të udhëtojnë rehat me avjon?”
Ambasadori nuk e kupton pyetjen dhe kërkon t’ia përsërisin.
Anëtari i parlamentit britanik ia përsërit. Ambasadori përtypet.
Nuk e di përgjigjen. Në fakt, ambasadori nuk di asnjë përgjigje. Në një video të
shkurtër prej katër minutash ai thotë disa herë nuk e di, si një nxënës i keq që
nuk është përgatitur për provim.
Natyrisht, ambasadori shqiptar ka ditur të përsërisë si
papagall përrallën e mikpritjes shqiptare, të parajsës turistike shiptare, të
arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare. Por, kur vjen puna për të diskutuar
për problemin e shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në një vend të huaj, pra
problemin për të cilin po merr pjesë në takim, ai nuk di të thotë asgjë.
Më në fund Lee Anderson detyrohet të thotë: “Ju nuk dini edhe
aq shumë gjëra ambasador, apo jo? A nuk e ndjeni që Shqipëria duhet të japë
kontributin e vet për rëndesën që po i sjellin taksapaguesve britanikë shtetasit
ilegalë shqiptarë?”
Këtu ambasadori shqiptar ndjen një rrezik të madh – ndjen rrezikun
që qeverisë së tij, shefit të tij, mund t’i faturohen shpenzimet e veprimeve të
paligjshme të shtetasve të tij. Prandaj, me një gjest sa spektakular aq edhe të
turpshëm ai mohon çdo lidhje me shtetasit shqiptarë. “Jo,” thotë ai pa i bërë
syri tërr. “Ata nuk janë përgjegjësi e shtetit shqiptar.” Pra ambasadori i Shqipërisë
i braktis menjëherë shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit e tij që kërkojnë
strehim në Britani, lëshon ata fare lirë, pa pare, thjesht i bën hasha, duke mohuar
çdo lidhje me ta. Fap-fap, i lan duart prej tyre.
Ja, kjo është gjendja ku ndodhemi. Një shtet që përfaqësohet
në një nga vendet më të rëndësishëm të botës me një ambasador që nuk ia ka idenë
se çfarë ndodh, që është i painformuar, që nuk di të shpjegohet, që nuk di të
sqarojë dhe që, për të shpëtuar prapanicën e vet shet pa hezitim bashkëkombësit,
ata bashkëkombas që janë braktisur një herë nga qeveria në vendin e tyre dhe që
e ka për detyrë, ose më saktë paguhet që t’iu dalë për zot.
Video të lë pa fjalë. Më e pakta që mund të ndodhte pas kësaj do të ishte dorëheqja ose shkarkimi i menjëhershëm i Ambasadorit. Ndoshta duhet të kërkojë dorëheqjen edhe Ministrja e Punëve të Jashtëme. Sepse është vërtet turp për të ashtuquajturën diplomaci shqiptare dhe të ashtuquajturin shtet shqiptar.
No comments:
Post a Comment