Në të gdhirë të datës 4 dhjetor 2024, përpara njërës prej
hyrjeve të Hilton në Manhatan një person që u përshkrua si “mashkull, i bardhë,
me maskë” shtiu tre herë me një pistoletë duke vrarë 50 vjeçarin Brajën
Tompson, kreun e kompanisë amerikane të siguracioneve UnitedHealthcare. Vrasësi
u largua nga vendi i krimit duke lënë pas vetëm imazhin e një njeriu të maskuar
dhe tre gëzhoja plumbash në të cilat ishin gdhendur fjalët “delay”, “deny”, “depose”
– “vono”, “moho”, “elimino”, që i bënin jehonë motos famëkeqe të kompanive të
sigurimeve (delay-deny-defend, d.m.th. vono, moho, mbrohu) si përpjekje për të
mos paguar kërkesat e klientëve për shpërblim siguracioni. Shtangia nga akti i dhunshëm
ia la shpejt vendin një vale të gjerë zemërimi të shprehur përgjithësisht në
median shoqërore ndaj kompanive të sigurimeve që njihen si grumbulluese
gjigande fitimesh, përgjithësisht duke u përpjekur për të paguar një numër sa
më të vogël kërkesash dhe duke lënë shpesh herë në baltë klientët e tyre.
Ndjenjat publikut të gjerë nuk kishin si të mos nxiteshin edhe nga fakti që
Brajën Tompson, kreu i kompanisë që tërheq të ardhura nga sigurimi i 46 milionë
amerikanëve merrte një rrogë vjetore prej 10 milionë dollarësh, ndërkohë që
atentatori i tij ishte një djalosh simpatik 26 vjeçar, që kishte kryer si “valedictorian”
një shkollë private në Baltimore dhe përfunduar cum laude shkollën Inxhinjerike
të Universitetit të Pensilvanisë, i cili e bënte fare të qartë se motivi për
veprimin e tij eksterm ishte mosaprovimi i politikave të vonimit, mohimit dhe eliminimit
të kërkesave të qytetarëve për të marrë nga kompania e sigurimeve shëndetsore atë
çka iu takonte.
Për pesë ditë njerëzit prisnin me kurreshtje se si do të
shkonte fati i atentatorit. Më së fundi, ai u identifikua dhe arrestua në një
restorant McDonald’s në Altuna, Pensilvani, pas telefonatës së një punonjësi të
atjeshëm. Manxhone akuzohet për një serë krimesh, ndër të cilat bije në sy Vrasje
e shkallës së pare (vrasje në vijim të një akti terrorizmi sipas përcaktimit të
Ligjit të Anti-Terrorizmit të vitit 2001). Nëse merren parasysh nga juria ato
mund të çojnë deri në dënim me vdekje.
Kapja dhe akuzat për terrorizëm i dhanë edhe një shtytje
tjetër diskutimit të ngjarjes dhe personazheve nga kanalet konvencionale të
medias, rrjetet e mëdha televizive dhe gazetat. Por shtytjen më të madhe ia dhanë
medias shoqërore, tik-tokut, fejsbukut, instagramit, etj. ku Luixhi Manxhone ka
marrë statusin e Robin Hudit.
Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë është sot një nga problemet
më të mprehta të shoqërisë. Në vitin 2024 në Shtetet e Bashkuara dhjetë përqind
të popullsisë kontrollojnë mbi dy të tretat e pasurisë kombëtare, ndërkohë që
gjysma, pesëdhjetë përqind, kanë në duar vetëm 2.5 përqind të pasurisë së
përgjithshme. E ndërsa të pasurit gjejnë mënyra për të kontrolluar politikën në
favor të tyre dhe për t’u pasuruar edhe më tej, pjesa më e madhe e popullsisë e
sheh çdo ditë e më shumë veten të pafuqishëm dhe pa rrugëdalje. Gjendja, sipas fjalëve
të Manxhones kur po transportohej nga policia është: “…krejtësisht fyese për
inteligjencën e popullit amerikan dhe për përvojën e jetës së tyre.”
A është Luixhi Manxhone rrugëdalje, apo thjesht shfryrje
kolektive inati?!