Wednesday, November 5, 2025

Kartela e Pleqërisë

Nuk jam nga ata njerëzit delikatë që preken lehtë me fjalë, veçanërisht kur flitet për moshën. Sinqerisht s’më rëndet fare t’i pranoj vitet që kam në kurriz, aq sa shpesh herë, edhe pa qenë nevoja, i referohem vetes si plak. Kjo edhe ngaqë gjithmonë kam qenë i mendimit se pleqëria është alternativa më e mirë e mundshme.

Duke qenë se çdo njeri që ka lindur edhe do të vdesë, logjikisht i bije më mirë plakesh se sa të mos plakesh, sepse të mos plakesh do të thotë të vdesësh i ri. Për më tepër që mosha e vjetër vjen me disa përparësi, ndër të cilat edhe përshtypja e përgjithshme (ndonëse shumë e gabuar) se njerëzit e moshuar janë më të mençur. Megjthatë, kjo është thjesht çështje opinioni. Unë kështu mendoj dhe e quaj veten me fat për çdo ditë që arrij të thith ajër të pastër, të shoh dritën e djellit dhe, mbi të gjitha, të shijoj praninë e njerëzve të dashur rreth meje.
Me fat edhe që kapa moshën e pensionit dhe tani po përpiqem të marr atë që shoqëria ka për detyrë të ma kthejë për kontributin që kam dhënë duke punuar dhe duke lënë mënjanë një pjesë të pagës për pension. Duke qenë se kam kontribuar me punë dhe me para në dy shoqëri (shqiptare dhe kanadeze), aplikova njëkohësisht për pension në të dy vendet. Por ndërsa procesi për të marrë në Kanada pensionet që më takojnë ishte i thjeshtë, i shpejtë (online) dhe pa asnjë ndërlikim – nuk pata nevojë të bisedoj me asnjë nëpunës administrate dhe pagesat filluan të derdhen në llogarinë bankare që dhjetorin e kaluar, sapo mbusha moshën), procesi në Shqipëri nuk ka mbaruar ende dhe s’i dihet sa do shkojë.
Nuk kam ndërmend t’i qahem njeriu për këtë, sepse të gjithë e dijnë si shkojnë punët administrative atje. Desha vetëm të merrem vetëm me një incident të vogël që ka të bëjë me taktin, njerëzillëkun, mirësjelljen.
Pas shumë përpjekjesh dhe ndërhyrjesh arrita të nxjerr miratimin për marrjen e pensionit. Ky miratim u lëshua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në doli në e-Albania me titullin “Kartelë e Pleqërisë”.
Më shqetëson titulli “Kartela e Pleqërisë”, jo për vete po për të gjithë ata që arrijnë moshën e bukur të pensionit dhe që shteti i tyre ua pështyn në fytyrë, pa u menduar fare se si tingëllon.
Emërtimi “Kartela e Pleqërisë” është fyes dhe i pasaktë. Kartela në fjalë është thjesht një dokument që të njeh të drejtën për të marrë pensionin, jo kartelë mjekësore që përcakton se i përket kësaj apo asaj moshe. Askush nuk besoj se i ka kërkuar shtetit shqiptar të përcaktojë zyrtarisht se cilit emërtim moshor i përket. Askush nuk harxhon kohën e vet online dhe nëpër zyra shtetërore për të marrë vërtetimin idiot se është plak. Qytetarët bëjnë kërkesë për të marrë pension sepse iu duhen për të jetuar paratë që shteti ua ka mbajtur gjithë jetën nga rroga. Shteti duhet t’i japë atë për të cilën bëjnë kërkesë dhe atë që iu takon. Shteti duhet t’iu jetë qytetarëve mirënjohës për kontributin e tyre dhe t’i falenderojë, t’i nderojë dhe respektojë, jo t’i fyejë ata kur dalin në pension.
Fare mirë dokumenti mund të quhej “çertificate pensioni”, ose diçka e tillë. Mund të gjendej çdo lloj formulimi tjetër për të shmangur atë fjalën aq shumë të shmangshme, të panevojshme dhe të rëndë për shumë njerëz – pleqërie.
Në vendet e qytetëruara fjala “plak” ka ndonja tridhjetë vjet që është hequr nga qarkullimi, të paktën në komunikimin zyrtar. Përdoren fjalë të tjera, më të buta, për të mos i bërë qytetarët të ndihen keq. Thonë se Shqipëria është pesëdhjetë mbrapa qytetërimit. Dhe nja njëzetë të tjera anash.

Saturday, October 18, 2025

PADIJA ËSHTË FORCË (1)

 Nga 1984 - Xhorxh Oruell, përktheu Arben Kallamata

(Uinston më në fund ka rastin të lexojë nga Libri themeltar i "Vëllazërisë". Ai është i etur t'i japë përgjigje pyetjes më të rëndësishme "Pse?" Deri tani ai di se "Si?", domethënë si vepron sistemi i diktaturës, por nuk arrin të konceptojë pse-në; ku është qëllimi i gjithë asaj egërsie. Duke qenë se kapitulli është i gjatë, mendova ta ndaj në pjesë.)

Gjatë gjithë historisë së shkruar dhe ndoshta që prej fundit të Periudhës së Neolitit bota ka qenë populluar nga tre lloj njerëzish, të Lartët, të Mesmit, dhe të Ulëtit. Brenda vetes këta kanë qenë të ndarë në mënyra nga më të ndryshmet, kanë pasur emërtime të panumërta dhe masa e secilës ndarje, si edhe qëndrimi ndaj njeritjetrit, ka qenë i ndryshëm nga periudha në periudhë: megjithatë thelbi i përbërjes shoqërore nuk ndryshonte kurrë. Madje edhe pas përmbysjeve të mëdha dhe ndryshimeve në dukje të pakthyeshme, rivendosej e njëjta skemë, si lëvizjet e një penduli që kthehet gjithmonë vetë në pikën e baraspeshës, sado që ta shtysh në një drejtim apo në tjetrin...

“Xhulia, zgjuar je?”- pyeti Uinstoni.

“Po, i dashur, po dëgjoj. Vazhdo. E mrekullueshme.”

Vazhdoi leximin:

…Të tre grupet kanë synime krejtësisht të papajtueshme me njëri-tjetrin. Të Lartët synojnë të qëndrojnë aty ku janë. Të Mesmit duan të ndërrojnë vendin me të Lartët. Ndërsa të Ulëtit, kur kanë ndonjë synim – sepse një nga tiparet më karakteristike për të Ulëtit është rraskapitja nga puna në atë masë sa që rrallëherë arrijnë të ndjehen të ndërgjegjshëm për çka ndodh përtej halleve të jetës së përditshme – është që të zhdukin të gjitha dallimet dhe të krijojnë një shoqëri ku njerëzit të jenë të gjithë të barabartë. Kështu, gjatë gjithë historisë përsëritet e stërpërsëritet një luftë që, në vija të përgjithshme, mbetet gjithmonë e njëjtë. Me sa duket, të Lartët arrijnë të mbeten të sigurt në pushtet për periudha tepër të gjata kohe, por herët a vonë vjen gjithmonë çasti kur ata humbasin ose besimin te vetja, ose aftësinë për të qeverisur me efektivitet, ose të dyja bashkë. Atëherë ata përmbysen nga të Mesmit, të cilët arrijnë t’iu shtojnë radhëve të tyre edhe të Ulëtit, të cilëve ua mbushin mendjen se po luftojnë për liri dhe drejtësi. Me ta kapur atë që synojnë, të Mesmit i braktisin menjëherë të Ulëtit atje ku kanë qenë, në rolin e tyre të përjetshëm si shërbyes, ndërsa vetë shndërrohen në të Lartë. Në të njëjtën kohë, njëri ose të dy grupet e tjerë, nxjerrin një grup tjetër të Mesëm dhe lufta ia nis përsëri nga e para. Nga të tre grupet, vetëm të Ulëtit nuk arrijnë ndonjëherë, qoftë edhe përkohësisht, ta plotësojnë synimin e tyre. Do të gënjenim po të thoshim se gjatë gjithë historisë, jeta e tyre materiale nuk ka pësuar ndryshim. Madje edhe sot, në një periudhë rënieje, një qenie mesatare njerëzore është fizikisht më mirë nga ç’ka qenë disa shekuj më parë. Megjithatë, asnjë përparim në fushën e shëndetësisë, asnjë zbutje e normave të mirësjelljes, asnjë reformë dhe asnjë revolucion nuk ka mundur ta zvogëlojë, qoftë edhe një milimetër të vetme dallimin midis grupeve. Nga këndvështrimi i të Ultëve, nuk kanë ndodhur asnjëherë ndryshime të tilla historike që të sjellin diçka më tepër se ndërrimi i emrave të zotërinjve që ata kanë mbi krye.

Andej nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë për shumë studiues u bë e qartë se skema ishte përsëritur dhe stërspërsëritur pambarimisht. Në atë kohë doli edhe shkolla e mendimtarëve që e shpjegonin historinë si proces ciklik dhe pretendonin se mund të provonin që pabarazia ishte ligj i pashmangshëm i natyrës njerëzore. Pa dyshim kjo doktrinë ka pasur gjithmonë pasuesit e vet, por mënyra se si po parashtrohej këtë herë përmbante një ndryshim thelbësor. Në të kaluarën, nevoja për shoqëri hierarkike mbetej kryesisht doktrinë e të Lartëve. Ajo predikohej nga mbretër dhe aristokratë, priftërinj, avokatë e të tjerë parazitë dhe gjithmonë zbutej me premtime për kompensime në botën imagjinare të përtej varrit. Për sa kohë që vazhdonin luftën për pushtet, të Mesmit përdornin gjithmonë shprehje të tilla si liri, drejtësi dhe vëllazëri. Ndërsa tani, për herë të parë, koncepti i vëllazërisë po goditej nga njerëz që nuk e kishin marrë ende komandën në dorë dhe që thjesht shpresonin ta bënin këtë në të ardhmen e afërt. Më parë të Mesmit organizonin revolucione nën flamurin e barazisë, për të vendosur pastaj një lloj të re tiranie sapo rrëzohej e vjetra. Tashmë grupet e reja të të Mesmëve filluan ta shpallin tiraninë pa e marrë ende pushtetin në dorë. Socializmi, teori që u shfaq në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe që përbënte hallkën e fundit të një zinxhiri teorik që shtrihej nga koha e kryengritjeve të skllevërve në antikitet, mbetej ende shumë i ndikuar nga Utopizmi i epokave të shkuara. Por të gjithë variantet e Socializmit që u shfaqën pas 1900-ës po e braktisnin gjithmonë e më shumë synimin për arritjen e lirisë dhe barazisë. Lëvizjet e reja që u shfaqën në mes të shekullit, Ingsoc-u në Oqeani, Neo-Bolshevizmi në Euroazi dhe Adhurimi i Vdekjes, siç quhet rëndom në Lindazi, synonin vetëdijshëm që të përjetësonin mungesën e lirisë dhe pabarazinë. Natyrisht, këto lëvizje të reja dilnin nga gjiri i të tjerave më të vjetra dhe u përpoqën të ruanin emrin apo bënë sikur po kopjonin ideologjitë e tyre. Megjithatë, të gjitha ato synonin të njëjtën gjë: të ndalonin çdo lloj zhvillimi dhe ta ngrinin rrjedhën e historisë në një çast të caktuar. Pra penduli i historisë do të lejohej të tundej edhe një herë dhe pastaj do të ngecej pezull. Si zakonisht, të Lartët do të përmbyseshin nga të Mesmit, të cilët do të ktheheshin vetë në të Lartë; por këtë radhë, me anë të strategjive të vetvetishme, të Lartët e rinj do të mund ta ruanin përjetësisht pozicionin e tyre.

Doktrinat e reja dolën në dritë pjesërisht si rrjedhojë e grumbullimit të njohurive historike dhe rritjes së vetëdijes historike që kishin qenë thuajse të panjohura deri përpara shekullit të nëntëmbëdhjetë. Tashmë zhvillimi ciklor i historisë ishte i qartë, ose të paktën kështu dukej; dhe meqë ishte i qartë, atëherë bëhej edhe i ndryshueshëm. Megjithatë, shkaku kryesor, arsyeja themelore, mbetej fakti që qysh në fillim të shekullit të njëzetë u arrit në përfundimin se barazia midis njerëzve ishte teknikisht e mundur. Ende pranohej gjerësisht se njerëzit nuk mund të ishin të barabartë në prirjet me të cilat kishin lindur dhe se funksionet e shoqërisë do të duhej të përcaktoheshin në mënyrë të tillë që të favorizonin disa individë në kurriz të të tjerëve; por tashmë nuk nevojiteshin më dallimet klasore apo ndryshimet e mëdha në pasuri. Në kohët e shkuara, dallimet klasore kishin qenë jo vetëm të pashmangshme, por edhe të dëshirueshme. Pabarazia ishte çmim që paguhej për të ruajtur qytetërimin. Megjithatë, me zhvillimin e mekanizimit të prodhimit, gjendja ndryshoi. Njerëzve ende iu duhej të punonin, por nuk kishin se përse të jetonin medoemos në nivele shumë të pabarabartë shoqërorë dhe ekonomikë. Për këtë arsye, nga këndvështrimi i grupeve të reja që përgatiteshin të merrnin pushtetin, barazia mes njerëzve nuk përbënte më idealin për të cilin duhej luftuar, por rrezikun që duhej shmangur. Barazia kishte qenë gjithmonë një ëndërr e bukur, qysh në kohërat primitive, atëherë kur krijimi i një shoqërie të drejtë dhe paqësore ishte praktikisht i pamundur. Për mijëra vjet rresht njerëzimi nuk hoqi dot dorë nga ëndrra për një parajsë mbi tokë ku të gjithë të jetonin në vëllazëri dhe në paqe të përjetshme, pa ligje dhe punë rraskapitëse. Nganjëherë kjo ëndërr kapte fort edhe ato grupe që praktikisht përfitonin nga ndryshimet historike. Pasardhësit e revolucioneve Franceze, Angleze apo Amerikane nganjëherë iu besonin edhe vetë parullave që hidhnin për të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës, barazinë përpara ligjit, e të tjera si këto, dhe madje shkonin deri atje sa ta lejonin veten të ndikoheshin disi prej tyre. Por andej nga dhjetëvjeçari i katërt i shekullit të njëzetë, të gjitha rrymat sunduese të mendimit politik u kthyen në autoritare. Parajsës në tokë i doli boja pikërisht në çastin historik kur u mundësua realizimi i saj. Tani, të gjitha teoritë politike, pavarësisht nga emri, po shkonin drejt hierarkisë dhe disiplinës së fortë. Kështu, si rezultat i ashpërsimit të përgjithshëm të mendësisë mbizotëruese të viteve 1930, disa praktika gati të harruara, madje edhe prej qindra vjetësh – burgimi pa gjyq, skllavërimi i robërve të luftës, ekzekutimet publike, tortura për të pranuar krime, pengjet dhe deportimet e popullsive të tëra - jo vetëm që u bënë përsëri të zakonshme, por edhe filluan të pranoheshin e të mbroheshin nga njerëz që e mbanin veten për mendimtarë përparimtarë.

(Vijon)

Tuesday, February 4, 2025

Nacionalisti Unë

Në një nga shkëmbimet e mendimeve për politikën që fatkeqsisht sikur po na imponohet me forcë kohët e fundit, dikush më quajti nacionalist. Unë po mbroja të drejtën e Kanadasë për të qenë shtet i pavarur duke shprehur mendimin se përpjekjet për ta gllabëruar atë dhe për ta kthyer në një shtet të pesëdhjetëenjëtë të SHBAve ishin monstruoze dhe qesharake. Por bashkëshqiptarit në Boston kjo ju duk nacionalizëm i papranueshëm.

Dukeqenë se unë nuk e mbaj veten për nacionalist u vura të mendoj nëse akuza ishte e bazuar ose, të paktën, a kishte të drejtë ai që e bënte që të thoshte se, sipas këndvështrimit të tij, isha i tillë. Për më tepër më doli rastësisht përpara një citim i Bertrand Rasëll: “Kur vuan nga nacionalizmi, njeriu beson se vendi i tij është më i qytetëruari dhe më njerëzori në botë, ndërsa armiqtë janë fajtor për çdo egërsi dhe kafshëri që mund të imagjinohet. Dhe meqë janë kaq të këqij dhe të egër dhe të këqij, ndërkohë që ne jemi kaq të qytetëruar dhe njerëzorë, nuk ka asnjë shkallë kafshërie apo egërsie që nuk na lejohet ta përdorim kundër tyre. Kjo është motoja e nënkuptuar e nacionalizmit.”

U përpoqa ta gjykoj veten në mënyrë sa më të paanshme sipas kritereve të kësaj thënieje dhe akuzës që më bëhej.

Së pari, unë kam dy kombësi/nacionalitete – shqiptar dhe kanadez – gjendje që më ka bërë ta shikoj nacionalizmit paksa me gjak të ftohtë. Kombësinë shqiptare e kam për shkaqe rastësore – domethënë sepse kam rastisur të lind në Shqipëri nga dy prindër shqiptarë. Veç kësaj, jam rritur dhe edukuar në Shqipëri. Por nuk ka qenë zgjedhja ime. Dashuria për dhe lidhja ime me Shqipërinë janë më së shumti emocionale, të pakontrolluara nga arsyeja. Unë e dua Shqipërinë pavarësisht se çfarë mendoj. Kombësia Kanadeze ka qënë njëqindpërqind zgjedhja ime. Vetë vendosa vetë të emigroj në Kanada; vetë pranova (në fakt kërkova) të marr pasaportën (kombësinë) kanadeze, dhe jetoj këtu që prej 28 vjetësh. Jeta ime është pak a shumë e ndarë në mes, me gjysmën e saj në Shqipëri dhe tjetrën në Kanada. Për hir të argumentit që po diskutoj dua të përmend  edhe se kam pasur rastin të jetoj dy vjet në Shtetet e Bashkuara dhe tani banoj jo më larg se 20 km në vijë të drejtë nga kufiri me këtë vend të madh.

Akuza m’u bë si nacionalist Kanadez sepse po më dukej e papranueshme ideja që Kanadaja të gllabërohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vështrim, them se akuzuesi ka pjesërisht të drejtë, sipas përkufizimit të Rasëllit. Ja arsyet:

Unë vërtet mendoj se Kanadaja është vend më i qytetëruar dhe më i zhvilluar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ndoshta një pjesë e madhe e shteteve të tjerë të botës. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara janë më të pasura ekonomikisht dhe shumë më të fuqishme ushtarakisht dhe me shumë më tepër mundësi për të bërë para. Por kjo nuk do të thotë se është aq i qytetëruar dhe i zhvilluar sa Kanadaja.

Unë mendoj se Kanadaja është një vend shumë më i mirë për të jetuar. Kanadaja është shoqëri shumë më tolerante ndaj të gjitha llojeve të pakicave – atyre me ngjyrë të ndryshme lëkure apo flokësh, atyre me aksente apo gjuhë të ndryshme, atyre me parapëlqime të ndryshme seksuale, atyre me besime ose mosbesime të ndryshme fetare, atyre që vishen tjetërlloj, hanë ushqime të padëgjuara ndonjëherë, mbajnë erëra të çuditshme dhe veshin rroba të pazakonta. Ndaj kujtdo.

Unë mendoj se Kanadaja është shoqëri shumë më zemërgjerë, që i ofron të gjithë qytetarëve të vet shërbim shëndetsor të barabartë. Nuk po them “falas”, po them “të barabartë”. Në Kanada përballë sëmundjes, ashtu si edhe përballë vdekjes, të gjithë janë të njëlloj - domethënë të gjithë kanë të drejtë të këshillohen me mjekun, të marrin mjekimin e duhur dhe ilaçet që iu nevojitet për t’u kuruar, pavarësisht nga gjendja ekonomike. A ka probleme shërbimi shëndetsor kanadez? Plot. Megjithatë, për mendimin tim, është shumë më i përparuar dhe njerëzor se një shërbim mjekësor ku trajtimi jepet sipas madhësisë së xhepit.

Kanadaja është vendi me numrin më të madh (përqindjen) të njerëzve me shkollë të lartë në botë. Ky nuk është mendimi im; është statistikë. Natyrisht, SHBA ka Harvardin, Stanfordin, MTI-në etj., që janë maja të mendimit akademik dhe shkencor. Por ato janë institucione të pakicave që mund ta përballojnë ekonomikisht studimin atje. Në Kanada kushdo mund të studiojë kudo. Shkolla nuk është falas, por nuk është as e papërballueshme. Ka programe ndihme për të gjithë ata që duan të studiojnë dhe pranimi në universitet bëhet sipas meritës, jo sipas parave.

Në Kanada nuk ka geto – as geto të varfërish, as geto të pasurish (gated communities). Në Kanada ka të pasur por ata nuk ua tundin përpara fytyrës pasurinë e tyre të varfërve. Në Kanada ka ndryshime në të ardhura, por ato nuk janë humnera të thella, të papërfytyrueshme.

Unë mendoj se, përgjithësisht në Kanada nuk i bijen gjoksit me mburrje, nuk bërtasin, nuk tundin flamuj dhe hedhin fishekziare me pompozitet, nuk mundohen t’iu imponohen të tjerëve me argumentin se janë kanadezë.

Në Kanada njerëzit nuk dalin me armë në brez, nuk mbushin sëndukët dhe kthinat e shtëpive me automatikë, flakëhedhës dhe lloj-lloj mjetesh të tjera për të marrë jetë njerëzish. Natyrisht, si në çdo vend tjetër edhe në Kanada ka kriminelë dhe vrasës, por njerëzit nuk janë të detyruar të mbajnë armë për të ruajtur familjen dhe fëmijët e tyre. Këtë punë ia lenë në dorë policisë.

Në Kanada politikanët janë të butë, të qetë, të qytetëruar. Ata luftojnë fort për karriget, por pa i kaluar kufijtë e mirësjelljes, pa e kërcënuar njëri-tjetrin me burg, pa u betuar për hakmarrje me burgje dhe dëmshpërblime. Kalimi i pushtetit nga një forcë politike në tjetrën bëhet paqësisht, me mirësjellje dhe mirëkuptim, aq sa asnjeriu nuk i shkon ndërmend të shohë në televisor si spektakël inagurimet e krerëve të shtetit. Politikanët e lartë kanadezë mund t’i shohësh rastësisht në rrugë duke vrapuar me tuta anës lumit.

Këto janë disa nga mendimet e mia për superioritetin e Kanadasë. Në bazë të këtyre mendimeve unë mora vendimin të jetoj dhe të rris pasardhësit në këtë vend. A më bëjnë këto mendime nacionalist? Përsa i përket pjesës ku unë mendoj se shoqëria kanadeze është superiore ndaj asaj amerikane, ndoshta po. Për t’iu kthyer përkufizimit të Rasëllit, në dallim nga nacionalisti i tij unë kurrsesi nuk mendoj që Kanadaja duhet të gllabërojë apo të masakrojë, t’i vërsulet apo të përvetësojë ndonjë shtet tjetër. Po ta bënte këtë Kanadaja do t’i humbiste vlerat e veta si vend i qytetëruar, të paktën në sytë e mij. (Për kuriozitet, në vitet 2000 ishujt Turks dhe Kejkos i kërkuan zyrtarisht Kanadasë që t’i pranonte si territore të tyre. Kanadaja nuk pranoi, sepse ka vlera dhe parime si vend. Më parë ajo ka refuzuar kërkesa të ngjashme nga Xhamajka (1882), Barbejdos, Bahamas, Federate e Indive Perëndimore, etj.) Kanadaja nuk dëshiron të aneksojë askënd.

Gjithashtu, pavarësisht deklaratave të papërgjegjshme të një politikani amerikan, unë admiroj shumë anë të shoqërisë amerikane dhe njerëzve që jetojnë atje: shpirtin e tyre liridashës, kulturën e përparuar, idetë gjeniale dhe shpikjet, shkencën që i ka paraprirë në dhjetëvjeçarë botës, letërsinë e niveleve nga më të lartat, muzikën e shkëlqyer, sportet. Por jo paratë. Unë nuk admiroj paratë.

Prej kohësh kisha vendosur të mos merresha, të paktën në fejsbuk, me Trampin. Në fushatën dhe presidencën e tij të pare isha shumë aktiv, sepse e shikoja si një rrezik për demokracinë në vendin më demokratik të botës. Por shprehja e mendimit tim të hapur më vuri në armiqësi me shumë miq të mij që ishin dhe janë përkrahës të flaktë të tij. Në këtë rast unë mendova që miqësitë personale janë më të rëndësishëm se sa mendimet për një politikan. Gjithashtu, iu dhashë të drejtë edhe atyre që argumentonin se nuk ishte puna ime të diskutoja se kush zgjidhej në një shtet tjetër. Prandaj për rreth katër-pesë vjet thuajse nuk u mora fare në këtë temë. Madje as kur ai u rikthye në pushtet dhe po bëhej e qartë se demokracia në SHBA po merrte tatëpjetën përfundimtare. Por muajin e kaluar ai goditi drejtpërdrejt vendin ku unë jetoj, ku rriten fëmijët dhe mbesat e mia. Ashtu si 40 milionë kanadezë të tjerë (me përjashtime të rralla) unë u ndjeva i kërcënuar dhe shpreha mendimin tim ndaj këtij agresioni. Shenjë e nacionalizmit? Gjykojeni vetë. 

Sunday, January 12, 2025

E vërteta mbi përrallëtarët.

(Shënime mbi librin “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”                                                 të Ardian Vehbiut)

Sapo ktheva faqen e fundit të "Përallëtarët e gjuhës shqipe" të Ardian Vehbiut. Duke lexuar mendja më kishte çuar shpesh diku në fillim të viteve 70të, kohëra kur në shtëpi nuk kishte hyrë ende televizori dhe derisa të vinte ora e gjumit mbrëmjet i kalonim kryesisht duke lexuar dhe komentuar për ato që lexonim. Më ka mbetur në mendje një natë kur im atë na lexonte pjesë nga një libër i botuar dikur në vitet 30-të ku autori bënte humor me atë që Vehbiu sot e quan "turbo albanologji" dhe me dikë që e shpjegonte, për shembull, prejardhjen e toponimit "Thermopile" me shqipen e sotme. Shkruante se në betejën e famshme kishte marrë pjesë edhe një grup ushtarësh shqiptarë nga Korça dhe në britmat e luftës mbizotëronte thirrja: “There more Pilo!” Ergo - Thermopile.

Ndoshta prej asaj kohe, por edhe për arsye të shkollimit tim të mëvonshëm dhe një kurreshtjeje për gjuhësinë, i kam ndjekur me ëndje dhe humor përpjekjet amatoreske për të shpjeguar përmes shqipes fjalë dhe emra nga gjuhë e kultura të tjera dhe për ta shpallur shqipen gjuhën më të vjetër në botë dhe shqiptarët kombin më të lashtë në planet. Përralla të tilla i kam trajtuar me sarkazëm te dy librat e mij të parë, Kronikë Bastardësh dhe Hijet e Muzgut, siç kam bërë humor edhe në fejbuk me përpjekjet për t’i nxjerrë me origjinë shqiptare të gjithë figurat e shquar të njerëzimit. Megjithatë, përmasat e budallallëkut i kanë kaluar me kohë të gjitha caqet dhe humori ndoshta nuk mjafton.

Përhapja e televizioneve private dhe më vonë e rrjeteve sociale i dha albanologjisë “patriotike” aq shumë hapësirë veprimi sa shpejt u bë e qartë se nuk kishe më të bëje me atë babushin gjysmë të lajthitur që "emergency" e shpjegonte me shqipen "e-merr-e-gjen-si" (domethënë që makina e urgjencës mjekësore të vjen dhe të merr ashtu si të gjen), por me mashtrues profesionistë që sa vinin e bëheshin më agresivë. Sot amatorizmi, sharlatanizmi dhe budallallëku kanë veshur petkun e erudicionit, kanë vënë përpara mburojën kuq-e-zi të nacionalizmit dhe, falë përkrahjes së medias, kanë mundur të rreshtojnë pas vetes një numër aq të madh syleshësh saqë humori dhe sarkazma ndihen të pafuqishme.

Prandaj nevojiten libra si "Përrallëtarët..." i Vehbiut.

“Përrallëtarët e gjuhës shqipe” (Shtëpia botuese Naimi, 2024) është libër i nevojshëm për t’iu përballur me fakte e të vërteta shkencore albanologjisë fallco jo sepse mungojnë studimet serioze në këtë fushë, por sepse ato, si gjithçka shkencore, janë një lloj letërsie e pakapshme nga publiku i gjerë. Të cituara gjerësisht nga Vehbiu, studimet e Çabejt, Topallit, Demirajt, Joklit në fushën e prejardhjes dhe historisë së shqipes përfaqësojnë arritjet më të mira të shkencës albanologjike, që vuajnë fatin e shkencës në përgjithësi, domethënë janë të vështira për t’u lexuar e kuptuar nga publiku i gjerë. Mungesa e kanaleve të komunikimit me masat është problem i vjetër shkencës në përgjithësi, por është bërë veçanërisht i mprehtë në kohë si e tanishmja kur debatin shoqëror, kulturor dhe shkencor e kontrollon mediokriteti.

Në ditët që jetojmë çdo i paditur ka në dorë një tastjerë dhe një ekran celulari, një platformë ku shpreh mendimin ose mungesën e tij dhe gjen përkrahje e shumëfishon zërin për çfarëdolloj idiotësie. Mediokriteti i ka shpallur luftë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës mendimit elitar, racional dhe shkencor. Lufta kundër elitave, e keqpërdorur si slogan populist në politikë, është kthyer në obesesion për një masë të madhe njerëzish që s’kanë kohë të mendojnë dhe në fushë përfitimi për sharlatanët e të gjitha ngjyrave dhe profesioneve.

Nga natyra shkencëtarët janë njerëz të heshtur, të përkushtuar në punën e tyre. Ata nuk janë shumë elokuentë, nuk e shkojnë kohën me rrjete sociale dhe programe televizive, nuk e ndjejnë të nevojshme të jenë karizmatikë dhe të fitojnë popullaritet dhe nuk shqetësohen për imazhin. Të bezdisur nga propaganda, ata komunikojnë me terma të ndërlikuar, me zhargone të vështirë profesionalë. Objektivisht, midis tyre dhe lexuesit të gjerë krijohet hendek.

Deri përpara përmbytjes që i shkaktoi medias së komunikimit përhapja e Internetit, shtypi i përditshëm perëndimor përpiqej ta bënte të kapërcyeshëm këtë hendek me anë të urave të krijuara nga njerëz të specializuar që quheshin gazetarë shkencorë (science writers). Çdo gazetë e madhe serioze e kishte një redaksi të veçantë për shkrimet shkencore. Njerëz me profil shkencor por me aftësi komunikuese dhe përgjegjësi profesionale i sillnin (dhe vazhdojnë t’i sjellin) lexuesit të gjerë në gjuhë të thjeshtuar, të kuptueshme, të rejat dhe debatet më të fundit të shkencës. Kushdo që ishte i interesuar mund të informohej saktësisht në fusha ku as që mund të mendohej se hynte ndonjë interes politik apo ideologjik.

Por jo tani. Tani shtypi është mbytur dhe mbuluar nga ujërat e turbullta të rrjeteve sociale. Për qëllimet e politikës, gazetaria serioze është përbaltur dhe njësuar me tabloidet dhe mashtrimet e rëndomta, duke e bërë thuajse të pamundur të besohet fjala e një gazetari, qoftë edhe kur shkruan për shkencë. E vërteta ka rënë në dorë të mediokritetit dhe papërgjegjësisë.

Në Shqipëri kanalet televizive private nuk kanë as kohë as nxitje financiare të merren me të vërtetën shkencore. Më shumë se pasqyrimi serioz i arritjeve shkencore atyre iu intereson sensacioni argëtues, ajo që tërheq vëmendjen e çastit për publikun. Është më fitimprurëse të ftosh në emision një sharlatan që shpjegon se si toka është e sheshtë, si gjurmët e avujve që lëshojnë avjonët janë helme që shpërndan iluminati për të zvogëluar popullsinë, si një grup konspiracionistësh punojnë natë e ditë për të zhdukur brenda vitit 2024 banorët e planetit mbi 65 vjeç (kjo thuhej në 2020-tën), pra është më fitimprurëse të merresh me fishekzare se sa të diskutosh të vërteta shkencore.

Në këtë klimë, ose më saktë duke krijuar këtë klimë mbinë ekraneve dhe zunë vend në diskursin kulturor edhe ata që Vehbiu i quan “turbo-albanologë”, gjuhëtarët nacionalistë, pseudo shkencëtarët e historisë së shqipes, pellazgollogët e patentuar, përrallëtarët. Tashmë ata nuk janë më ai dërrasëmangëti simpatik, që tregonte gjëra për të qeshur në emisionet e Arjan Çanit. Ata janë shndërruar në specialistë, në të ftuar të rregullt, të cilëve iu merret mendimi seriozisht.

Nëse ka një shpresë për ta ndalur idiotësinë e pseudo-albanologjisë ajo qëndron te libra si “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”. Në rolin e një “science writer” Ardian Vehbiu di të kombinojë bindshëm njohuritë e thella për fushën e gjuhësisë me përvojën e tij mediatike dhe të japë një libër të kuptueshëm për të gjithë. Duke luajtur rolin e urës lidhëse midis shkencës dhe publikut të gjerë, ai zbërthen qetë e me durim deri në detaje dhe në mënyrë shkencore tymnajën e gënjeshtërt që mbështjell tezën e pakuptimtë të gjuhës më të vjetër të botës dhe shpjegon bindshëm se sa të gabuara dhe të papranueshme shkencërisht dhe logjikisht janë përpjekjet foshnjore për të zbërthyer gjuhë të gjalla e të vdekura përmes rrokëzimit në shqip.

Do ta rekomandoja “Përrallëtarët…” si lexim të detyrueshëm në të gjitha katedrat e gjuhësisë, për ata që i futen seriozisht studimit të shqipes, por sidomos për ata që e studiojnë përciptazi atë. Madje do të ishte një lexim i rekomandueshëm edhe për studentët e shkollave të mesme. Ndërsa fytyrat televizive që marrin guximin dhe ftojnë specialistë të gjuhës në emisionet e tyre duhet ta kenë studiuar në detaje.  

Së fundi dy fjalë për patriotizmin. 

Turbo-albanologët kanë marrë flamurin e nacionalizmit shqiptar duke shpallur si anti-shqiptar dhe të shitur te serbi e te greku të gjithë Akademinë e Shkencave dhe çdo njeri që përpiqet t’i bëjë pak thirrje arsyes dhe të ndalë sado pak fantazitë e tyre anti-shkencore. Është shumë e kollajshme të rrahësh gjoksin si patriot dhe të bërtasësh lartë e poshtë se e do atdheun më shumë se të tjerët dhe se kushdo që nuk pajtohet me ty është tradhëtar. Më e vështirë është të punosh për të mirën e përgjithshme, të përpiqesh për të vërtetën, t’ia duash të mirën popullit tënd duke bërë ç’është e mundur që ai të jetë sa më i denjë, sa më i kulturuar, sa më i shkolluar dhe sa më i ndriçuar. E ashtuquajtura lashtësi as ia shton dhe as ia ul vlera gjuhës shqipes. Argumenti se po përdor një gjuhë të stërlashtë nuk të jep asnjë përparësi në krahasim me të tjerët. Prejardhja nga ilirët, pellazgët, etruskët apo çdo lloj popullsie parahistorike nuk ka pikë ndikimi në prestigjin e një populli. Mburrja boshe, pa prova shkencore, i ka vënë shumë bashkatdhetarë në pozita qesharake ndaj të huajve duke ia ulur prestigjin vendit. Shqipërinë nuk e do më shumë ai që bërtet lart e poshtë me qeleshen e bardhë të ngjeshur kokës. As ai që tund si i çmendur flamurin kuq e zi në stadium. Shqipërinë e do më shumë dhe e nderon ai që punon dhe ndihmon për përparimin e shqiptarëve, për përparimin ekonomik, kulturor dhe shkencor, duke përfshirë këtu edhe përparimin e shkencës së vërtetë albanologjike.