Nga 1984 - Xhorxh Oruell, përktheu Arben Kallamata
(Uinston më në fund ka rastin të lexojë nga Libri themeltar i "Vëllazërisë". Ai është i etur t'i japë përgjigje pyetjes më të rëndësishme "Pse?" Deri tani ai di se "Si?", domethënë si vepron sistemi i diktaturës, por nuk arrin të konceptojë pse-në; ku është qëllimi i gjithë asaj egërsie. Duke qenë se kapitulli është i gjatë, mendova ta ndaj në pjesë.)Gjatë gjithë historisë së shkruar dhe ndoshta që prej fundit të Periudhës së Neolitit bota ka qenë populluar nga tre lloj njerëzish, të Lartët, të Mesmit, dhe të Ulëtit. Brenda vetes këta kanë qenë të ndarë në mënyra nga më të ndryshmet, kanë pasur emërtime të panumërta dhe masa e secilës ndarje, si edhe qëndrimi ndaj njeritjetrit, ka qenë i ndryshëm nga periudha në periudhë: megjithatë thelbi i përbërjes shoqërore nuk ndryshonte kurrë. Madje edhe pas përmbysjeve të mëdha dhe ndryshimeve në dukje të pakthyeshme, rivendosej e njëjta skemë, si lëvizjet e një penduli që kthehet gjithmonë vetë në pikën e baraspeshës, sado që ta shtysh në një drejtim apo në tjetrin...
“Xhulia, zgjuar je?”- pyeti Uinstoni.
“Po, i dashur, po dëgjoj. Vazhdo. E mrekullueshme.”
Vazhdoi leximin:
…Të tre grupet kanë synime krejtësisht të papajtueshme me njëri-tjetrin. Të Lartët synojnë të qëndrojnë aty ku janë. Të Mesmit duan të ndërrojnë vendin me të Lartët. Ndërsa të Ulëtit, kur kanë ndonjë synim – sepse një nga tiparet më karakteristike për të Ulëtit është rraskapitja nga puna në atë masë sa që rrallëherë arrijnë të ndjehen të ndërgjegjshëm për çka ndodh përtej halleve të jetës së përditshme – është që të zhdukin të gjitha dallimet dhe të krijojnë një shoqëri ku njerëzit të jenë të gjithë të barabartë. Kështu, gjatë gjithë historisë përsëritet e stërpërsëritet një luftë që, në vija të përgjithshme, mbetet gjithmonë e njëjtë. Me sa duket, të Lartët arrijnë të mbeten të sigurt në pushtet për periudha tepër të gjata kohe, por herët a vonë vjen gjithmonë çasti kur ata humbasin ose besimin te vetja, ose aftësinë për të qeverisur me efektivitet, ose të dyja bashkë. Atëherë ata përmbysen nga të Mesmit, të cilët arrijnë t’iu shtojnë radhëve të tyre edhe të Ulëtit, të cilëve ua mbushin mendjen se po luftojnë për liri dhe drejtësi. Me ta kapur atë që synojnë, të Mesmit i braktisin menjëherë të Ulëtit atje ku kanë qenë, në rolin e tyre të përjetshëm si shërbyes, ndërsa vetë shndërrohen në të Lartë. Në të njëjtën kohë, njëri ose të dy grupet e tjerë, nxjerrin një grup tjetër të Mesëm dhe lufta ia nis përsëri nga e para. Nga të tre grupet, vetëm të Ulëtit nuk arrijnë ndonjëherë, qoftë edhe përkohësisht, ta plotësojnë synimin e tyre. Do të gënjenim po të thoshim se gjatë gjithë historisë, jeta e tyre materiale nuk ka pësuar ndryshim. Madje edhe sot, në një periudhë rënieje, një qenie mesatare njerëzore është fizikisht më mirë nga ç’ka qenë disa shekuj më parë. Megjithatë, asnjë përparim në fushën e shëndetësisë, asnjë zbutje e normave të mirësjelljes, asnjë reformë dhe asnjë revolucion nuk ka mundur ta zvogëlojë, qoftë edhe një milimetër të vetme dallimin midis grupeve. Nga këndvështrimi i të Ultëve, nuk kanë ndodhur asnjëherë ndryshime të tilla historike që të sjellin diçka më tepër se ndërrimi i emrave të zotërinjve që ata kanë mbi krye.
Andej nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë për shumë studiues u bë e qartë se skema ishte përsëritur dhe stërspërsëritur pambarimisht. Në atë kohë doli edhe shkolla e mendimtarëve që e shpjegonin historinë si proces ciklik dhe pretendonin se mund të provonin që pabarazia ishte ligj i pashmangshëm i natyrës njerëzore. Pa dyshim kjo doktrinë ka pasur gjithmonë pasuesit e vet, por mënyra se si po parashtrohej këtë herë përmbante një ndryshim thelbësor. Në të kaluarën, nevoja për shoqëri hierarkike mbetej kryesisht doktrinë e të Lartëve. Ajo predikohej nga mbretër dhe aristokratë, priftërinj, avokatë e të tjerë parazitë dhe gjithmonë zbutej me premtime për kompensime në botën imagjinare të përtej varrit. Për sa kohë që vazhdonin luftën për pushtet, të Mesmit përdornin gjithmonë shprehje të tilla si liri, drejtësi dhe vëllazëri. Ndërsa tani, për herë të parë, koncepti i vëllazërisë po goditej nga njerëz që nuk e kishin marrë ende komandën në dorë dhe që thjesht shpresonin ta bënin këtë në të ardhmen e afërt. Më parë të Mesmit organizonin revolucione nën flamurin e barazisë, për të vendosur pastaj një lloj të re tiranie sapo rrëzohej e vjetra. Tashmë grupet e reja të të Mesmëve filluan ta shpallin tiraninë pa e marrë ende pushtetin në dorë. Socializmi, teori që u shfaq në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe që përbënte hallkën e fundit të një zinxhiri teorik që shtrihej nga koha e kryengritjeve të skllevërve në antikitet, mbetej ende shumë i ndikuar nga Utopizmi i epokave të shkuara. Por të gjithë variantet e Socializmit që u shfaqën pas 1900-ës po e braktisnin gjithmonë e më shumë synimin për arritjen e lirisë dhe barazisë. Lëvizjet e reja që u shfaqën në mes të shekullit, Ingsoc-u në Oqeani, Neo-Bolshevizmi në Euroazi dhe Adhurimi i Vdekjes, siç quhet rëndom në Lindazi, synonin vetëdijshëm që të përjetësonin mungesën e lirisë dhe pabarazinë. Natyrisht, këto lëvizje të reja dilnin nga gjiri i të tjerave më të vjetra dhe u përpoqën të ruanin emrin apo bënë sikur po kopjonin ideologjitë e tyre. Megjithatë, të gjitha ato synonin të njëjtën gjë: të ndalonin çdo lloj zhvillimi dhe ta ngrinin rrjedhën e historisë në një çast të caktuar. Pra penduli i historisë do të lejohej të tundej edhe një herë dhe pastaj do të ngecej pezull. Si zakonisht, të Lartët do të përmbyseshin nga të Mesmit, të cilët do të ktheheshin vetë në të Lartë; por këtë radhë, me anë të strategjive të vetvetishme, të Lartët e rinj do të mund ta ruanin përjetësisht pozicionin e tyre.
Doktrinat e reja dolën në dritë pjesërisht si rrjedhojë e grumbullimit të njohurive historike dhe rritjes së vetëdijes historike që kishin qenë thuajse të panjohura deri përpara shekullit të nëntëmbëdhjetë. Tashmë zhvillimi ciklor i historisë ishte i qartë, ose të paktën kështu dukej; dhe meqë ishte i qartë, atëherë bëhej edhe i ndryshueshëm. Megjithatë, shkaku kryesor, arsyeja themelore, mbetej fakti që qysh në fillim të shekullit të njëzetë u arrit në përfundimin se barazia midis njerëzve ishte teknikisht e mundur. Ende pranohej gjerësisht se njerëzit nuk mund të ishin të barabartë në prirjet me të cilat kishin lindur dhe se funksionet e shoqërisë do të duhej të përcaktoheshin në mënyrë të tillë që të favorizonin disa individë në kurriz të të tjerëve; por tashmë nuk nevojiteshin më dallimet klasore apo ndryshimet e mëdha në pasuri. Në kohët e shkuara, dallimet klasore kishin qenë jo vetëm të pashmangshme, por edhe të dëshirueshme. Pabarazia ishte çmim që paguhej për të ruajtur qytetërimin. Megjithatë, me zhvillimin e mekanizimit të prodhimit, gjendja ndryshoi. Njerëzve ende iu duhej të punonin, por nuk kishin se përse të jetonin medoemos në nivele shumë të pabarabartë shoqërorë dhe ekonomikë. Për këtë arsye, nga këndvështrimi i grupeve të reja që përgatiteshin të merrnin pushtetin, barazia mes njerëzve nuk përbënte më idealin për të cilin duhej luftuar, por rrezikun që duhej shmangur. Barazia kishte qenë gjithmonë një ëndërr e bukur, qysh në kohërat primitive, atëherë kur krijimi i një shoqërie të drejtë dhe paqësore ishte praktikisht i pamundur. Për mijëra vjet rresht njerëzimi nuk hoqi dot dorë nga ëndrra për një parajsë mbi tokë ku të gjithë të jetonin në vëllazëri dhe në paqe të përjetshme, pa ligje dhe punë rraskapitëse. Nganjëherë kjo ëndërr kapte fort edhe ato grupe që praktikisht përfitonin nga ndryshimet historike. Pasardhësit e revolucioneve Franceze, Angleze apo Amerikane nganjëherë iu besonin edhe vetë parullave që hidhnin për të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës, barazinë përpara ligjit, e të tjera si këto, dhe madje shkonin deri atje sa ta lejonin veten të ndikoheshin disi prej tyre. Por andej nga dhjetëvjeçari i katërt i shekullit të njëzetë, të gjitha rrymat sunduese të mendimit politik u kthyen në autoritare. Parajsës në tokë i doli boja pikërisht në çastin historik kur u mundësua realizimi i saj. Tani, të gjitha teoritë politike, pavarësisht nga emri, po shkonin drejt hierarkisë dhe disiplinës së fortë. Kështu, si rezultat i ashpërsimit të përgjithshëm të mendësisë mbizotëruese të viteve 1930, disa praktika gati të harruara, madje edhe prej qindra vjetësh – burgimi pa gjyq, skllavërimi i robërve të luftës, ekzekutimet publike, tortura për të pranuar krime, pengjet dhe deportimet e popullsive të tëra - jo vetëm që u bënë përsëri të zakonshme, por edhe filluan të pranoheshin e të mbroheshin nga njerëz që e mbanin veten për mendimtarë përparimtarë.
(Vijon)
No comments:
Post a Comment