10 Porosite nga George Carlin
Tuesday, June 14, 2011
Bisedë në studio 4
Tym
Drejtuesi i Emisionit - Me rastin e 31 Majit, ditës Botërore të Duhanit, Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë, njoftoi se Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Turqisë, në përdorimin e duhanit. Sipas të dhënave të institutit, rreth 40 përqind e shqiptarëve thithin dhe nxjerrin tym rregullisht. Shqetësuese është veçanërisht dukuria e shtimit të femrave tymuese. Sipas tij, gratë në qytete tymosin 2.5 herë më shumë se gratë në fshatra. Për të diskutuar rreth këtij problemi të rëndësishëm kemi ftuar në studio Kryetarin e Shoqatës së Pavarur të Duhanxhinjve pa Kufi, zotin Zylyftar Çibuku. Mirëseerdhët në studio.
Zylyftar Çibuku – Mirëse ju gjeta! A mund ta ndez një duhan?
Drejtuesi i Emisionit – Më vjen keq, por në studiot televizive…
Zylyftar Çibuku (duke ndezur cigaren) – Ju falemnderit. Doni një cigare?
Drejtuesi i Emisionit – Më falni, por…
Zylyftar Çibuku – Hë ore, se s’u bë qameti. Pronarin e televizionit e kam timin. Nuk thotë gjë.
Drejtuesi i Emisionit – Meqë qënka puna kështu…(merr një cigare, e ndez dhe rehatohet). Si të duket fakti që renditemi pas Turqisë?
Zylyftar Çibuku – Të renditesh pas Turqisë është vend nderi. Populli yne ka një shprehje: Pi duhan si Turku. Turqit janë të famshëm për duhan. Duhan e kafe. Ne mendojmë se nuk do të jetë e largët dita kur, me pak përpjekje, do t’ua kalojmë edhe turqve.
Drejtuesi i Emisionit – Më fal, por ju e shihni këtë si pozitive?
Zylyftar Çibuku – Të jesh në vend të dytë ne Europë? Je në vete? Më thuaj një fushë ku ne jemi në vend të dytë ne Europë dhe ku pretendojmë seriozisht të zemë vendin e parë.
Drejtuesi i Emisionit – Hmm! Ndoshta…nuk e di…di që ne vijmë mbas Moldavisë për trafikimin e …
Zylyftar Çibuku – Moldavisë, Rumanisë, e ca të tjerëve. Të dytët nuk jemi asgjëkundi.
Drejtuesi i Emisionit – Megjithatë, duhani është negativ.
Zylyftar Çibuku – Varet si e merr. Tymosja e duhanit është liri, demokraci. Ja, ne pijmë duhan këtu në studio, ndërsa në të katër anët e botës kjo është e ndaluar.
Drejtuesi i Emisionit – Po fakti që duhani po përhapet kaq shumë te gratë qytetare, nuk iu shqetëson?
Zylyftar Çibuku – Kjo është shenjë emancipimi, zhvillimi shoqëror. Gratë dhe vajzat tona lëshojnë tym. Janë, siç i thonë në perëndim, HOT.
Drejtuesi i Emisionit – Po gratë e fshatit. Atje përqindja e përdorimit të duhanit nga gratë është shumë më e ulët.
Zylyftar Çibuku – Do t’i kthejmë edhe ato në Hot. Shoqata e Pavarur e Duhanxhinjve pa Kufi ka një plan të detajuar. Unë këtu mund t’iu them që, në vija të përgjithshme plani parashikon punën në dy drejtime – sjelljen e grave të fshatit në qytet dhe punën për emancipimin drejtpërdrejt të atyre që jetojnë në fshat.
Drejtuesi i Emisionit – Po plane të tjera, a ka Shoqata juaj?
Zylyftar Çibuku (duke ndezur edhe një cigare tjeter) – Doni edhe një cigare? Merre, mos ma kurse, se mua më vijnë qyl nga një fabrikë cigaresh. Edhe ju të kamerave, ndizeni nga nje. Ashtu. Po ju, zonja regjisore? Apo zonjushë? Merre, merre edhe nje tjetër ta kesh për pastaj. Eh, ku e kishim fjalën?
Drejtuesi i Emisionit – Po iu pyesja për planet e ardhme të Shoqatës.
Zylyftar Çibuku – Ne synojmë t’i sjellim qytetarit (dhe fshatarit) shqiptar lirinë e plotë të duhanpirjes. Si pa e kuptuar, duhani është kufizuar mjaft në disa mjedise. Shpresojmë t’i rrimarim dhe t’ua kthejmë duhanxhinjve këto mjedise.
Drejtuesi i Emisionit – Për cilat mjedise e keni fjalën?
Zylyftar Çibuku – Së pari, për autobuzët. A ju kujtohen kohët e arta kur hipje në autobuz dhe e ndizje cigaren gjithë qef? Tani s’të lë njeri. Madje, ka edhe nga ata që të shohin me inat. Pastaj, janë sallat e koncerteve, teatrove dhe kinemave.
Drejtuesi i Emisionit – Vërtet, ju synoni t’iu riktheni duhanxhinjve autobuzët dhe sallat e koncerteve? Deri këtu doni të arrini?
Zylyftar Çibuku – Edhe më tej, i dashur mik. Edhe më tej. Synimi ynë final nuk janë autobusët, por avjonët. Kur t’ua kemi kthyer qytetarëve të drejtën të tymosin nëpër avjonë, atëherë me siguri do t’ia kemi kaluar edhe Turqisë. Atëherë ka për t’i dalë tymi në të katër anët.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment