Drejtuesi i Emisionit: “Pas alarmit të dhënë nga Guardia di Finanzia në Itali për gjetjen e një sasia shqetësuese qesesh plastike, grupi ynë i xhirimit shkoi përgjatë bregdetit shqiptar për të parë gjendjen. Siç e shihni edhe nga pamjet filmike, gjetëm turma të mëdha njerëzish që hidhnin në det qese të mbushura me numra. Gazetarët tanë mësuan se hedhja e numrave në det është aksion mbarëkombëtar i Lëvizjes “T’i Themi Ndal Numërimit!”.
Të ftuar sot në studio kemi kryetarin e lëvizjes “T’i Themi Ndal Numërimit!”, zotin
Gjergj Elez Spahia. Mirëmbrëma!”
Gjergj Elez Spahia: “Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën!”
Drejtuesi i Emisionit: “A mund të na thoni ç’po ndodh në bregun tonë të Adriatikut?”
Gjergj Elez Spahia: Ajo që po ndodh sot në bregun tonë të Adriatikut është vetëm një ndër aksionet mbarëkombëtare të “Lëvizjes T’i Themi Ndal Numërimit!”, që ka për qëllim ta zhdukë vesin e keq të numërimit në Shqipëri.”
Drejtuesi i Emisionit: “Po pse pikërisht numërimin?”
Gjergj Elez Spahia: “Sespse numërimi paraqet rrezik për kombin shqiptar. Shqiptarët nuk i honepsin numrat. Shumë prej tyre kanë alergji me pasoja serioze që variojnë nga dhimbjet e kokës, prerjet e barkut, deri te agresivitetit shoqëror. Jo rastësisht, pas çdo votimi tek ne ka protesta të fuqishme dhe akte dhune.”
Drejtuesi i Emisionit: “Po në kohën e diktaturës, pse s’kishte akte të tilla?”
Gjergj Elez Spahia: “Në kohën e komunizmit nuk kishte akte të tilla, pasi numërimi përdorej me shumë kriter, vetëm kur ishte e domosdoshme. Në raste zgjedhjesh nuk të binte njeri në qafë me numra. Njerëzit votonin, por asnjë nuk i numëronte votat. Përdorej vetëm numër: 99.9 përqind. I ndarë në gjithë atë popullsi, kjo nuk shkaktonte asnjë pasojë. Ndërsa tani numërimi po çorodit dynjanë. Sa herë ka zgjedhje, dhe na duhet të numërojmë, ne lëmë kokrrën e namit.”
Drejtuesi i Emisionit: “Sipas jush, komunistët nuk numëronin?”
Gjergj Elez Spahia: “Jo, komunistët nuk numëronin as të vdekurit, as të vrarët. Këtë e bënë të qartë që kur erdhën në pushtet. Kur përgatiteshin të shkonin në Konferencën e Paqes në Paris, shokun Enver e pyetën: 'A t'i numërojmë sa dëshmorë kanë rënë gjatë luftës?' 'Jeni në vete?' iu përgjegj udhëheqësi. 'Sa kilometra katrore është Shqipëria?’ ‘Njëzetetetëmijë,ë i thanë. ‘Vini nga një në çdo kilometër, që të tregojmë se kemi bërë rezistencë me gjak pëllëmbë për pëllëmbë.' Dhe kështu u bë. Kësaj i them zgjidhje unë. Zgjidhje që vë mbi të gjitha interesat e popullit. Avazet e numërimit rifilluan vetëm pas viteve '90të.”
Drejtuesi i Emisionit: "A ishte vëtëm komunizmi shqiptar kundër numërimit, apo gjithë komunizmi botëror?”
Gjergj Elez Spahia: "Të gjithë! Komunizmi dhe numrat s’para shkojnë mirë. Ja, si e shpjegoni ju që Revolucioni i Tetorit ka ndodhur në Nëntor? Thjesht ngaqë janë ngatërruar muajt që përmbajnë numra. Po te kishte ndodhur në Qershor (muaj pa numra), asnjeri s’do ta kishte ngatërruar me Korrikun."
Drejtuesi i Emisionit: “E mahnitshme!”
Gjergj Elez Spahia: “Por kjo s’është e lidhur vetëm me komunizmin. Numërimi, ose mos-numërimi është pjesë e strategjisë kombëtare për mbijetesë. Ne nuk mund të numërojmë në një kohë kur as fqinjët tanë që nuk na e duan të mirën nuk numërojnë. Mosnumërimit nuk mund t’i përgjigjesh me numërim, por me mosnumërim. Prandaj edhe ne vendosëm të ngremë lëvizjen patriotike “T’i Themi Ndal Numërimit!”
Drejtuesi i Emisionit: “Si ka ecur deri tani lëvizja?”
Gjergj Elez Spahia: “Lëvizja është përqafuar fort nga populli. Mjaft fort. Veçanërisht aksioni i fundit i heqjes qafe të numrave është pritur me enthusiazëm të papërshkruar. Siç e shikoni nga pamjet filmike vullnetarë të shumtë nga të katër anët kanë ardhur për të mbushur qese me numra dhe për t’i hedhur në det.”
Drejtuesi i Emisionit: “Grupit tonë të xhirimit i ra në sy numri i madh i njerëzve që përkrahin lëvizjen tuaj. Si arritët ta bëni këtë? Si e bindët popullin të hiqte dorë nga numrat?”
Gjergj Elez Spahia: “Fare thjeshtë. Ne e shtrojmë çështjen kështu: ‘Kush i thotë ndal numërimit, është shqiptar, patriot, nacionalist. Kush vazhdon me numërimin, është antikombëtar, i shitur te fqinjët ose i paguar prej tyre.’”
Drejtuesi i Emisionit: “Po nuk patët vështirësi në fillim?”
Gjergj Elez Spahia: “Natyrisht që patëm. Por ne u treguam të zgjuar. E nisëm nga stadiumet, në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit. Pritëm sa të kalonte ekipi ynë në avantazh, pastaj dolëm para tifozëve dhe iu thamë: ‘Doni të vazhdoni numërimin apo t'i themi ndal numërimit?’ Të gjithë donin rezultati të mbetej në favorin tonë, prandaj filluan të bërtisnin njëzëri: “T’i themi ndal numërimit!”. Tifozët e futbollit u bënë aktivistët më të zëshëm të lëvizjes.”
Drejtuesi i Emisionit (me djallëzi): “Sa vullnetarë kanë dalë?”
Gjergj Elez Spahia (pa e ngrënë atë kokërr ulliri): “Natyrisht, ne nuk i numërojmë njerëzit tanë. Dhe as që kemi ndërmend t’i numërojmë. Le që, edhe sikur të duam t’i numërojmë, tani s’kanë mbetur edhe shumë numra. Mendojmë që brenda një kohe të shkurtër t’i lajmë duart përfundimisht nga numrat. Mënyra më e efektshme për t’i thënë ndal numërimit është që të heqësh qafe numrat.”
Drejtuesi i Emisionit: “Si do t’ia bëni pastaj?”
Gjergj Elez Spahia: “Ka metoda të tjera. Ne do të përpiqemi të përdorim në shkallë të gjerë njërën prej tyre dhe jemi të bindur se do t’ia dalim për bukuri.”
Drejtuesi i Emisionit: “Vërtet?! Ç’është kjo metodë?!”
Gjergj Elez Spahia: “Hë për hë nuk jam i autorizuar nga kryesia e lëvizjes “T’i Themi Ndal Numërimit!” që të jap hollësi. Metoda nuk është e re. Ajo është përdorur gjerësisht jo vetëm te ne, por në të gjithë Ballkanin. Megjithatë, për të mos iu lënë të ktheheni duarbosh, po iu them vetëm emrin e saj. Quhet metoda “QESIM”.
Drejtuesi i Emisionit: “Ju falemnderit për bisedën. Përpara se të ndahemi, le të ndjekim edhe disa pamje filmike.”
Në ekran çfaqet Kryetari i Lëvizjes “T’i themi Ndal Numërimit!” duke iu afruar një grupi njerëzish që shtyjnë me mundim drejt detit një qese të madhe të zezë.
Gjergj Elez Spahia (duke folur për kamerën): “Kjo qese duket shumë e rëndë. Me siguri është mbushur me numra me shumë shifra. Le t’i përshëndesim vullnetarët: “T’i Themi Ndal Numërimit!” o trima!”
“T’i Themi Ndal Numërimit, patsh, o Kryetar,” përgjigjen vullnetarët dhe e shtojnë ethusiazmin në punë
No comments:
Post a Comment