(Një vështrim pak më i hollësishëm i propozimit të Kadaresë)
Arben Kallamata
Kërkesa që Kadare i bëri publikisht Bashës për t’u tërhequr nga gara për Bashkinë e Tiranës u përshëndet, siç pritej, me britma tipike tifozash – përkrahësit e Bashës e vërshëllyen si një ndërhyrje të papranueshme, ndërsa përkrahësit e Ramës e brohoritën si penallti në favor të kandidatit të tyre. Me siguri Kadare nuk është habitur aspak nga reagimi – ai e shpreh fare hapur në letër që e ka fare të qartë si do të pritet propozimi i tij. Megjithatë, edhe pse e ka ditur reagimin, Kadare e ka shkruar letrën dhe publikuar atë. Kjo tregon që ai shkruan për ata që dijnë të lexojnë.
Pse zgjodhi Kadare Bashën, dhe jo Ramën? Tifozët e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: ngaqë Kadare është i majtë. Jo, Kadare nuk është i majtë, dhe nuk besoj se ka ndonjë simpati as për Ramën, dhe as për tifozët e tij. Po atëherë?
Po ta mendosh hollë, tërheqja e Bashës në të mirë të të gjithëve, absolutisht të të gjithëve. Është nga ato që në anglisht iu thonë “win - win situation”.
Së pari, fiton Shqipëria dhe shqiptarët, pasi zgjidhet një situatë absurde, e turpshme, e pafalshme, idiote. Shmangen protestat dhe ekstremizmi që është gati të vërshojë rrugëve sa herë që ka situatat të tilla. Ftohen gjakrat e nxehta dhe i tregohet botës se edhe ne dijmë të arrijmë mirëkuptim. Bëhet një hap i madh dhe i sigurt drejt integrimit.
Së dyti, fiton demokracia, pasi futet në kulturë një element i ri. Në kushtet e ndarjes 50 / 50 të votave, kushdo që mund të jetë përpara, do të arrinte një fitore shumë të sikletshme.
Së treti, fitojnë lojtarët kryesorë të kësaj gare.
Fituesi kryesor, pa dyshim, do të ishte Berisha. Politikisht, Berishës i leverdis shumë më tepër që Rama të mbetet kryetar bashkije, se sa të mos mbetet. Rama i hyri zgjedhjeve lokale duke i paraqitur ato si një fushatë kombëtare për t’i treguar vendin Berishës, si një referendum popullor kundër tij. Faktikisht, në këndvështrimin e referendumit, ai e ka humbur plotësisht. Rama ka luajtur politikisht keq, fiton apo nuk fiton. Ai do të dalë krejt i diskretituar nga kjo fushatë. As roli i inatçorit që konteston zgjedhjet me protesta nuk ka për t’i sjellë ndonjë përfitim.
Për Berishën, Rama mbetet kryetari më i volitshëm i Partisë Socialiste, pasi ai nuk duket të ketë ambicie për pushtet qëndror. Për të ka rëndësi marrja e Bashkisë së Tiranës. Këtë e vërtetoi në zgjedhjet qendrore, kur nuk pranoi të dorëhiqej nga Bashkia para se t’i hynte betejës për të marrë pushtetin. Këtë e vërtetoi edhe këtë vit, kur i dha zgjedhjeve lokale tonin e zgjedhjeve qendrore. Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në repart sulmi që ai e përdor për të marrë Bashkinë e Tiranës. Një ulje e tillë e ambicieve të rivalit kryesor politik është dhuratë nga qielli për Berishën.
Nëse Rama fiton (aq më tepër me ndihmën e zemërgjerësisë së Bashës), ai mbetet kryetar partie dhe Kryetar Bashkie. Krejtësisht i diskretituar, pa asnjë të drejtë morale për të synuar pushtetin qendror - i dhjerë por krenar.
Nëse nuk fiton Rama por Basha, atëherë socialistët duhet të jenë patjetër të detyruar të ndërrojnë kryetarin e partisë. Pra të heqin Ramën, që është aset për Berishën, dhe të zgjedhin një tjetër. Ky tjetri do të kërkojë të marrë në dorë pushtetin qendror. Natyrisht, Berisha do të preferonte Ramën, të cilin e mban kollaj larg postit të Kryeministrit duke e ëmbëlsuar me Bashkinë e Tiranës, ndaj dikujt tjetër, kushdo qoftë ky.
Fitues, sipas hesapit të tij, do të ishte edhe Rama. Rama kërkon të jetë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Po ia dhuroi Basha, ai do të jetë më se i lumtur, dhe do të heqë dorë nga protestat, duke lëpirë gjithë qef kockën që i është dhënë.
Veçanërisht Basha vetë do të dilte i fituar nëse tërhiqej nga pretendimi për Bashkinë. Ai do të dilte moralisht fitimtar, sidomos nëse do të ndërmerrte gjestin e “dhurimit” të fitores kundërshtarit në kushtet e barazimit. Një veprim i tillë do t’i grumbullonte Bashës kapital të pallogaritshëm politik. Basha është i ri dhe do të dijë se si ta përdorë këtë kapital në të ardhmen.
Së fundi, fitues do të dilnin edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët vazhdojnë të diskretitohen çdo ditë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Deri tani, ata kanë vërtetuar që iu mungon plotësisht integriteti, shtylla kurrizore, ndershmëria, pavarësia, përgjegjësia qytetare dhe çdo tipar tjetër njerëzor. Tërheqja e Bashës nuk mund t’ua kthejë atyre këto tipare të humbura, por të paktën do t’i bëjë të harrohen se kush janë.
Kadare e ka menduar propozimin e tij kryesisht në planin e gjerë moral. Por, edhe në planin e leverdive dhe përllogaritjeve individuale, propozimi mbetet jashtëzakonisht i logjikshëm dhe praktik.
No comments:
Post a Comment