Sunday, May 15, 2011

Lajthitje Ballkanike

(…dhe logjika “bjeri t’i bijem”)
Arben Kallamata
Mes rrëmujës së përgjithshme të zgjedhjeve lokale, vështirë ta ketë pasur njeri mendjen se ç’bënte Ministri bullgar i Financave Simeon Djankov në Tiranë ditën e hënë, 8 Maj, 2011. Fatmirësisht, këtë e sqaron agjencia bullgare e lajmeve “Sofia News Agency” në lajmin për takimin e tij me anëtarë të “bashkësia hitorike minoritare bullgare” në Shqipëri.
Edhe lajmi të forcon përshtypjen se asnjë qeveritar shqiptar nuk ia ka pasur ngenë Djankovit ndërkohë që ky, duke i parë shqiptarët të kthyer me kurriz dhe përkulur mbi kutitë e votimit për të numëruar votat, e ka gjetur të arsyeshme ta ndjejë veten si në shtëpinë e vet dhe të “mirëpresë përfaqësuesit e bullgarëve etnikë në Ambasadën Bullgare në Tiranë.”
Normal, do të thoshte shumëkush, me një shprehje që është bërë mjaft e modës në kushtet e mungesës së plotë të normalitetit. Megjithatë, lajmi i Agjencisë Bullgare përmend ndër të tjera se “llogaritet që në Shqipëri të jetojnë nga disa mijëra deri në disa dhjetra mijëra bullgarë etnikë nga komunitete historike, duke përfshirë këtu bullgarë të krishterë ortodoksë dhe muslimanë, kryesisht në bashkësitë e Golo Bardo-s (Gollobërdës) dhe Mala Prespa-s (Prespës së Vogël), në Shqipërinë Lindore dhe Jugëlindore.
Nuk di të them se ç’kupton zoti Djankov me termin “bashkësi historike”. Historikisht, shqiptarët dhe bullgarët kanë pasur disa pika takimi. E para ka qënë në formën e një periudhe të gjatë, mjaft të errët historikisht, pushtimi i trojeve shqiptare nga një shtet dikur i fuqishëm bullgar. Kjo duhet të ketë ndodhur diku nga thellësitë e Mesjetës, atëherë kur s’e merrte vesh i pari të dytin, para se otomanët të mbërrinin në Ballkan.
Pika e dytë e takimit është të jetuarit e të dy popujve të pushtuar nën të njëjtin shtet, atë otoman. Kjo periudhë është disi më e qartë, të paktën në kuptimin që në atë kohë popullsitë e gadishullit u bënë çorbë dhe u ngatërruan keq me njëra-tjetrën.
Pika e tretë është tepër e diskutueshme. Bullgarë e shqiptarë jetojnë në hapësirën ballkanike dhe mund të pretendohet se takohen gjeografikisht vetëm nën shtetin maqedonas. Nëse bullgarët arrijnë ta provojnë se maqedonasit janë bullgarë, atëherë mund të pranohet se shqiptarët e maqedonisë jetojnë në një shtet me bullgarët e maqedonisë (ata që më së shumti e quajnë veten maqedonas të maqedonisë.)
Por ky s’është aspak problem që bullgarët dhe ministrat e tyre të financave mund ta zgjidhin me shqiptarët, ose me Shqipërinë. ose në Tiranë. Ky është problem që duhet zgjidhur midis Sofjes dhe Shkupit. Porsa Shkupi ta pranojë që në Maqedoni jetojnë bullgarë, dhe jo maqedonas, edhe ne shqiptarët mund ta marrim në konsideratë këtë lloj realiteti.
Ndërkohë, pa e zgjidhur këtë punë me Maqedoninë, Djankov s’ka përse thotë në mes të Tiranës që fshatrat me popullsi që ne i dijmë për maqedonase (në Prespën e Vogël dhe Gollobërdë) janë fshatra me komunitete bullgare. Edhe drejtuesit e shtetit shqiptar nuk kanë përse rrijnë si të hutuar para kutive të votimit, dhe të lënë t’iu kalojnë mes shalësh deklarata të tilla.
Problemi tjetër që me deklaratën e Djankovit dhe lajmin e Sofia News Agency janë shifrat e çuditshme të llogaritjes së bullgarëve (maqedonasve) në Shqipëri: nga disa mijëra deri në disa dhjetra mijëra. E shprehur më qesim, më pa përgjegjësi nuk ka ku bëhet. Çfarë mund ta ketë penguar të thotë “nga disa dhjetra mijëra, në disa qindra mijëra”? Ose, “nga disa qindra mijra, në disa qindra milionë”?
Një budallëk i tillë, ose një mungesë e tillë përgjegjësia profesionale (qoftë për politikanin, qoftë për gazetarin) nuk do të ishte aspak shqetësuese po të mos përbënte normë në Ballkan. Kjo logjikë llogaritjeje (që s’ka asnjë lidhje me faktet, me të vërtetën), përdoret nga shovinistët në Greqi, në Serbi, në Rumani, në Maqedoni, në Bullgari. Fatkeqsisht, ajo po ka filluar të pëlqehet edhe nga shovinistët në Shqipëri.
Është llogjika “bjeri t’i bijem”. Ti jep ca shifra me hamendje, unë jap ca shifra të tjera me hamendje. Të dalë, ku të dalë. Aq e fortë është kjo prirje, saqë sot në Shqipëri po fiton terren në mënyrë të frikshme një lloj lëvizje haxhiqamilase kundër regjistrimit dhe numërimit të popullsisë. E drejtuar nga interesa të dyshimta, e mbështetur te histeria e tifozllëkut të stadiumeve të futbollit dhe masiviteti i peticioneve të nënshkruara nga turma që s’kanë idenë ç’bëjnë, ajo është praktikisht një lëvizje kundër arsyes, kundër fakteve, kundër të vërtetës. Parrulla e saj kryesore është: T’i themi ndal numërimit!
Me çfarë logjike mund t’i shërbesh kombit duke i thënë “ndal” numërimit? Si mund ta hedhësh poshtë pretendimin absurd të Djankovit për praninë e “nga disa mijëra deri në disa dhjetra mijëra” bullgarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, po nuk i numërove bullgarët e Shqipërisë dhe t’i tregosh numrin e saktë? Si mund t’i hedhësh poshtë pretendimet për praninë e 300,000 grekëve në Shqipëri po nuk i numërove grekët që jetojnë në Shqipëri dhe të thuash: Ja, kaq janë?
Nëse ne do të vazhdojmë me kokëfortësi të mbetemi një komb që s’dijmë dhe s’duam të numërojmë (as votat, as popullsinë), ata që kemi përreth do të vazhdojnë të na ngjeshin çfarëdolloj numrash që t’iu dojë qefi. Pikërisht këtë bëri Djankovi ditën e Hënë në Tiranë, teksa shtetarët, politikanët, gazetarët, dhe gjithë shqiptarët i kishin kthyer atij të prapmen, ashtu të përkulur mbi kutijat e votimit, duke u zënë me njeri-tjetrin ngaqë s’numëronin dot votat.

No comments: