Sunday, May 15, 2011

Bisedë në Studio 1


Arben Kallamata

Drejtuesi i emisionit: Mirëmbrëma të dashur teleshikues. Sonte kemi ftuar në studio anëtartët e Komisionit të Qendrës së Votimit Nr. 5 në Tiranë…
Një nga anëtarët: Ahem, më falni që po ndërhyj, por ne s’vijmë nga qendr Nr. 5, po nga qendra Nr. 6.
Një anëtar tjetër: Jo, ore, mos ia fut kot. Ne jemi nga qendra Nr. 4.
(Zëra që mbysin njëri-tjetrin)
Drejtuesi i emisionit: Në rregull. Le të themi qendra X e kryeqytetit. Në fund të fundit numri i qendrës s’ka shumë rëndësi. Le të fillojmë me paraqitjen e të ftuarve. Për të shmangur numërimin, po filloj nga e majta në të djathtë.
- Ahem!
Drejtuesi i emisionit: Më falni, nga e djathta në të majtë…Ose më mirë, qe këtej deri andej. Këtu kemi zotin Selaudin Hoxha, komisioner i Partisë Demokristiane; pastaj zotin Marenglen Treshi, komisioner i Partisë Demokratike, zotin Rrapo Trungu, komisioner i Partisë Republikane (të rindërtuar) dhe zonjën Parashqevi Dymbëdhjeta, komisionere e Partisë Socialiste. Mirëmbrëma dhe mirëse keni ardhur në studion tonë.
Të gjithë - Mirëmbrëma!
Drejtuesi i emisionit: Si shkoi numërimi i votave në qendrën tuaj?
Rrapo Trungu – Nuk ka mbaruar ende. Ne pranuam të vijmë në studio sepse na duhet të bëjmë një pushim nga puna e gjatë dhe e lodhshme e numërimit.
Drejtuesi i emisionit: Vërtet? Pse aq e vështirë është?
Parashqevi Dymbëdhjeta: Shumë vetë mendojnë se është punë e lehtë. Por është e tmerrshme të kesh të bësh me numërim.
Drejtuesi i emisionit – Ku qëndron vështirësia?
Marenglen Treshi – Varet nga njeriu. Për mua, njëshet dhe dhjetëshet janë të kollajshme. Por kur fillon dhe hyn te qindshet, puna ngatërrohet.
Selaudin Hoxha – Për ne si grup e keqja nisi që me numrat njëzetë dhe dyzetë.
Drejtuesi i emisionit – Si kështu?
Selaudin Hoxha – Fajin duhet ta ketë shqipja. Në vend që të thuhet dydhjetë, thuhet njëzet. Në vend që të thuhet katërdhjetë, siç i themi ne shkodranët, thuhet dyzet. Pse? Me këtë logjikë duhet të kishim edhe trezet, për gjashtëdhjetën, ose gjashtëzet, për tetëdhjetën.
Drejtuesi i emisionit – Katërzet për tetëdhjetën.
Selaudin Hoxha – E shikon si ngatërrohesh?
Rrapo Trungu – Nuk mund të thuash “dydhjet”. S’ka kuptim. E saktë do të ishte “dy dhjesin” po kjo s’di pse ta vret veshin.
Parashqevi Dymbëdhjeta – Ja, që këtu na lindën mosmarrëveshjet e para, dhe u pezullua numërimi të Hënën dhe të Martën.
Drejtuesi i Emisionit – Si e zgjidhët?
Marenglen Treshi – Na e zgjidhi Ambasador Avziu të Mërkurën. Burrë i mirë shumë.
Parashqevi Dymbëdhjeta – Po ti ku e pe që ishte burrë i mirë, apo të dha ndonjë birrë?
Marenglen Treshi – Si s’ke turp, je dhe goxha grua.
Sherr i madh. Flasin të gjithë përnjëherësh.
Drejtuesi i Emisionit: Pasi zgjidhët punën e njëzetës dhe dyzetës, besoj se punët do iu kenë vajtur vaj.
Parashqevi Dymbëdhjeta: Po ç’vaj, mo! Vaj thotë! Pastaj filloi avazi. Hymë te numërimet me qindëshe. Obobo, sa të vështira. Më keq se provimet e maturës.
Selaudin Hoxha – Pa le kur mbërritëm te mijshet. Aty u bëmë lëmsh fare dhe nuk vazhdonim dot.
Rrapo Trungu – E imagjinoni dot?! Duheshin numra me mijëshe, me qindëshe, me dhjetëshe dhe me njëshe.
Marenglen Treshi – Si përshembull “njëmijë e treqind e katërdhjetë e dyzetë e pesë…”
Rrapo Trungu – Mjaft, Marenglen se mua më zë koka kur dëgjoj fjalë të tilla.
Parashqevi Dymbëdhjeta – Aman, mos na thoni gjëra të tmerrshme tani.
Marenglen Treshi – Ose “katërmijë e dyqind e pesëdhjetë e shtatë…”
Parashqevi Dymbëdhjeta – Ika unë. Nuk vazhdoj dot. Kam alergji nga numrat.
Rrapo Trungu – Edhe unë. Kam të prera të forta në bark
Ngrihen të gjithë.
Drejtuesi i emisionit: Daleni, ore. Kemi edhe njëqind e trembëdhjetë minuta program. Ky emision po ndiqet drejtpërdrejt nga njëmilion e katërqind e pesëdhjet e gjashtë mijë e dyqind e tridhjet e tetë shikues.
Marenglen Treshi – Unë po bëja shaka, por ti qënke kriminel fare! S’paske pikë mëshire.
Largohen të gjithë nga studio.

No comments: