Monday, May 23, 2011

Bisedë në Studio 3

Arben Kallamata
Drejtuesi i Emisionit: Mirëmbrëma të dashur teleshikues. Siç e dini, i gjithë vendi është përfshirë nga kriza e numrave. Veçanërisht i mprehtë është bërë problemi i numërimit në lidhje me votimin për Kryetarin e Bashkisë të kryeqytetit. Megjithëse rezultati tanimë është dhënë, ai u nxorr në bazë të numërimit, dhe kjo nuk është e mjaftueshme për t’ua mbushur mendjen njerëzve. Metoda e numërimit është tashmë krejtësisht e diskretituar, dhe përpara kombit del detyrë urgjente e gjetjes së një metode tjetër. Në këtë gjendje është shpresëdhënës fakti që ka mendje novatore që mendojnë për risi – për reformim të plotë të sistemit të votimit, duke shmangur numërimin. Pikërisht për të na folur për dy metodat e fundit, kemi ftuar në studio zotin Koço Kandari dhe zonjën Matilda Kuti. Mirëmbrëma dhe mirëse keni ardhur në studion tonë.
Të dy të ftuarit njëzëri: Mirëmbrëma dhe falemnderit për ftesën.
Drejtuesi i Emisionit: Le ta nisim me ju, zoti Koqo.
Koço Kandari: Koço.
Drejtuesi i Emisionit: Më falni. Unë jam me origjinë nga Shkodra dhe e ngatërroj shpesh “ç” me “q”. Mund t’iu thërras zoti Koçe?
Koço Kandari: Jo, mund të më thërrisni vetëm Zoti Koço. Kaq të vështirë e keni?
Drejtuesi i Emisionit: Do të përpiqem. Pra, zoti Ko...çço, le t’i kthehemi thelbit të bisedës. Cila është metoda që propozoni ju për llogaritjen e votave të hedhura për kandidatët për Kryetar Bashkije në Tiranë?
Koço Kandari: Shumë e thjeshtë. Meqë numërimi nuk funksionon dhe rezultati i nxjerrë nga KQZ nuk ia mbush mendjen njeriu, unë propozoj që t’i peshojmë. T’i vemë në kandar. I ndajmë, votat e njërit kandidat nga njëra anë, votat e kandidatit tjetër nga ana tjetër. Andej nga anon koqja e kandarit, andej shkon edhe fitorja. Kandari s’të rren.
Drejtuesi i Emisionit: Fantastike. Si s’i kishte shkuar njeriu ndërmend më parë për këtë metodë. E thjeshtë dhe e efektshme.
Matilda Kuti: Nuk është keq. Vetëm se lë shteg për manipulime.
Koço Kandari: Si mund të manipulosh me kandarin? Kandari ri më drejt nga të gjithë.
Matilda Kuti: Natyrisht që manipulohet me kandarin. Manipulim do të thotë përdorim dore. Kush nuk e përdor dorën në kandar? Mund të manipulosh edhe me fletët e votave. Për shembull, nëse dikush i njom votat e njërit kandidat, ato mund të peshojnë më shumë.
Koço Kandari: Atëherë, ta bëjmë me ligj, që të mos lejohet futja e ujit në qendrat e votimit.
Drejtuesi i Emisionit: Këtë mund ta bësh. Megjithatë, vështirë t’i kontrollosh ata që duan të bëjnë manipulime dhe që mund t’i pshurrin votat.
Matilda Kuti: Pikërisht. Del pastaj që fiton pikërisht ai që i ka votat më të pshurrura.
Drejtuesi i Emisionit: Po ju, zonja Matilda, çfarë propozoni.
Matilda Kuti: Unë propozoj që të fitojë ai që e ka më të gjatë.
Drejtuesi i Emisionit dhe Koço Kandari duke kërcyer nga ndenjëset: Si? Ç’do të thotë kjo?
Matilda Kuti: Mos u shqetësoni dhe mos u keqkuptoni. Propozimi im ka të bëjë thjesht me gjatësinë. Ua nxjerr jashtë të dy kandidatëve dhe i ve përkrah njëri-tjetrit për t’ua parë se kujt i shkon më gjatë.
Drejtuesi i Emisionit: Dhe ju mendoni vërtet që kandidati që e ka më të gjatë e meriton të zgjidhet Kryetar i Bashkisë?
Matilda Kuti: Pa dyshim. Sa më të gjatë, aq më të mirë. Keni dëgjuar kur thonë që gjatësia s’ka rëndësi? Përralla me mbret. Për mua gjatësia është tepër e rëndësishme.
Koço Kandari: Më falni, po unë s’po kuptoj asgjë. Për çfarë gjatësie po flitet këtu?
Drejtuesi i Emisionit: Po hë, o Koqo, se po flasim për gjatësinë e...
Matilda Kuti: Për gjatësinë e votave.
Drejtuesi i Emisionit: Të votave?! Si të votave? Unë kujtova se...
Matilda Kuti: Patjetër që të votave. Ua nxjerr votat nga kutija kandidatëve dhe i shtron në rradhë, njëra pas tjetrës, për gjatësi, deri sa të shkojnë. Krijon dy rreshta të gjatë. Kandidati që e ka më të gjatë fiton.
Drejtuesi i Emisionit: Unë them që Edi Rama e ka më të gjatë.
Matilda Kuti: Nuk i dihet. Nga fotot që e qarkulluara në internet s’të mbushet shumë mendja.
Koço Kandari: Prapë po më hutoni, a po flisni për gjatësinë e votave apo për...
Drejtuesi i Emisionit: Siç e shikoni të dashur shikues, kemi dy propozime mjaft interesante. Që të dyja paraqesin nga një metodë origjinale për zëvendësimin e numërimit. Të dyja propozimet i janë bërë KQZ dhe Parlamentit shqiptar, por çështja ka ngecur, pasi nuk dihet se cili nga këta të dy do të zgjidhet. Mendohet që zgjedhja e propozimit më të përshtatshëm të bëhet me anë të një votimi. Pyetja është, ç’do të bëjmë nëse për këto propozime votohet 50/50?! Përgjigjen ia leme teleshikuesve ta mendojnë.
Duke falenderuar të ftuarit në bisedën tonë, natën e mirë dhe mirupafshim.

No comments: