Thursday, June 30, 2011

“Një komb një pasaportë”

Aleanca Kuq e Zi i kërkon parlamentit ndryshimin e “menjëhershëm” të Kushtetutës në dispozitat për dhënien e shtetësisë shqiptare dhe “kërkon me forcë“ dhënien e pasaportave shqiptare për çdo qytetar me origjinë dhe kombësi shqiptare kudo që jeton si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Serbi apo në diasporë.
Lëvizja e fundit është një tërheqje taktike e Aleancës nga politika e saj e mosnumërimit. Të paktën, Aleanca pranon numërimin deri në “një”, gjë që duket edhe në kërkesën për ndryshimin e “menjëhershëm” të pasaportës, si edhe në politiken e re Një komb, Një pasaportë - numri një përsëritet një-një-një herë.
Në kërkesën e saj Aleanca, si pjellë e mendjeve më të ndritura ligjore të vendit, bazohet në të drejtën ligjore ndërkombëtare për ndryshimin e kushtetutave me peticione organizatash, gjë që përbën bazën e demokracisë. Gjithashtu, kërkesa e Aleancës për pajisjen me pasaportë shqiptare të qytetarëve të kombësisë shqiptare në Greqi i bashkëngjitet logjikisht kërkesës së Aleancës për mosnjohjen (mosnumërimin) pasaportave greke lëshuar qytetarëve me kombësi greke në Shqipëri. Kërkesa bazohet në parimin themelore të shovinizmit ndërballkanik, sipas të cilit e drejta ime quhet kombëtare, e drejta jote quhet shoviniste, prandaj unë kam me shumë të drejtë se ti.
Pasi të ndryshohet Kushtetuta si rezultat i peticionit, Aleanca ka ndërmend të nxjerrë edhe një peticion tjetër për të pajisur me pasaportë kombëtare shqiptare në retrospekt të gjithë qytetarët e botës (të gjallë e të vdekur) që mendohet të kenë qënë shqiptarë. Po përgatitet një listë e detajuar dhe janë porositur pasaporta shqiptare për vlonjatin Aleksandër i Maqedonisë, dardanin Kostandini i Madh, astronautin Alen Shepard, fizikantin Albert Ajnshtajn, aktorin Roberto Deniro, futbollistët Ziko, Maradona, Zidan, Krojf, dhe gjithë ekipin kombëtar të Spanjës, përmetarin Majkëll Xhekson, 26 Papë të Vatikanit, Presidentët amerikanë Xheferson, Washington, Bush (i vogli, se të madhit nuk i takon), shkrimtarët Ernest Heminguei dhe Luan Tolstoi, dy nga gratë e Henrikut të Tetë, Mao Ce Dunin, Princeshën Diana dhe, natyrisht, Kate Midleton. Po gërmohet për t’i gjetur ndonjë gjë Madonës dhe Justin Biberit.
Aleanca Kuq e Zi propozon gjithashtu që qeveria shqiptare të krijojë edhe Ministrinë e Pasaportave, e cila do të merret kryesisht me gjetjen e njerëzve që iu takon pasaporta shqiptare dhe lëshimin e këtyre pasaportave për ta.
Dhënia e pasaportave do të sigurojë supremacinë shqiptare në Ballkan dhe Euroë dhe do të zgjidhë shumë nga problemet e shoqërisë së sotme shqiptare, duke përfshirë edhe paaftësinë për të numëruar votat.
Agjencia e lajmeve AK

No comments: