10 Porosite nga George Carlin
Thursday, July 7, 2011
Bisedë në Studio 5
Drejtuesi i Emisionit: Mirëdita të nderuar shikues. Duke pasur parasysh të dhënat e fundit të Ministrisë së Punës dhe Institutit Kombëtar të Statistikave, vendosëm që bisedën tonë ta zhvendosim në orët e vona të paradites, kohë kur shumica e njerëzve janë zgjuar nga gjumi dhe vërtiten në shtëpi. Sipas studimit të MP-së dhe INSTAT-it, shqiptarët punojnë mesatarisht 4 orë në ditë, ndërkohë që flenë mesatarisht 9 orë. Dhe kjo duhet të jetë për ata që punojnë. Sipas këtij studimi, 70 përqind e grave nuk punojne (me pagesë), pra janë shtëpiake, ndërkohë që 40 perqind e burrave rrijnë në shtëpi. Studimi ka edhe shifra të tjera interesante, të cilat do t'i diskutojmë në vijim të bisedës. Por, fillimisht le të paraqesim të ftuarit në studio: Zoti Nuro Shkëmbi, Drejtor i Drejtorisë së Kafeneve dhe Lokaleve në Ministrinë e Punës; Zonjusha X, Projekt Manaxhere në INSTAT; Zotin Perlat Rikoti, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Burrave; dhe Zonjusha Dorina Flaka, Nënkryetare e Shoqatës Gratë pa Kufi. Së pari, një sqarim të vogël - Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Statistikave është vënë në shënjestër të sulmeve nga grupe patriotike që deklarohen kundër numërimit. Kjo ka bërë që punonjësit e INSTAT, të cilët merren vetëm me numërime, të dalin në ilegalitet. Zonjushës X nuk do t'ia përmendim emrin, nuk do t'i shfaqim fytyrën dhe do ta lejojmë ta deformojë pak zërin, për arsye sigurie. Atëherë le të fillojmë: Mirëmëngjes të gjithëve.
Të gjithë: Mirëmëngjes.
Drejtuesi i Emisionit: Do të desha ta filloj bisedën e sotme me një pyetje drejtuar zotit Shkëmbi. Si e shihni ju, si Ministri faktin që 70 perqind e grave dhe 40 perqind e burrave shqiptarë nuk punojnë?
Nuro Shkëmbi: E shoh si problematik. Shumë problematik, do të thosha. Në një kohë kur 70 përqind e grave dhe 40 përqind e burrave nuk punojnë, ne na rezulton se kafenetë dhe lokalet frekuentohen në 70 përqind nga burra dhe 30 përqind nga gra. Kjo është vërtet shqetësuese. Gratë duhet të dalin nga shtëpia dhe të vijnë më shpesh në lokale, sepse e kanë kohën me bollëk. Ne duhet të luftojmë me programe qeveritare që në lokale të ketë një numër të barabartë burrash dhe grash.
Perlat Rikoti: Më falni që po ndërhyj, por mua më duket se nuk qëndron aty shqetësimi. Problemi kryesor është pjesmarrja e njerëzve në punë. Burrat po stërmundohen. Kjo pabarazi është e tmerrshme - diskriminim i paparë. Shoqata jonë nuk do të rreshtë së luftuari që të arrijë ditën kur edhe nga burrat do të punojnë vetëm 40 përqind.
Zonjusha X (me zë të ndryshuar si zë burri): Problemi, them unë, qëndron te paga, e cila është 35 përqind më e lartë për burrat.
Perlat Rikoti: LOL!
Zonjusha X: LOL?! Përse LOL? Ç'ka këtu për të qeshur?
Perlat Rikoti: Hej, kokë - sado që të fitojnë burrat, paratë përfundojnë në xhepin e grave.
Dorina Flaka - Nuk është e thënë. Shumë burra nuk e çojnë rrogën në shtëpi.
Perlat Rikoti: Kjo s'do të thotë se nuk iu përfundon rroga në xhepin e grave. Nuk iu përfundon ne xhepin e bashkëshorteve, por iu përfundon në xhepin e ndonjë gruaje tjetër. Po ta marrësh si total, rroga e fituar nga burrat me mund e me djersë, me gati katër orë punë të palodhur në ditë, përfundon në xhep të grave. Gratë, si specie, dalin gjithmonë më të fituara.
Zonjusha X (me zë burri): Ua mami ç'farë thotë ky!
Dorina Flaka: Gratë nuk janë specie.
Nuro Shkëmbi: Unë them që INSTAT duhet të bëjë edhe një studim të detajuar se kush e fut më shpesh dorën në xhep kur vjen puna për të paguar në lokal. Vë bast që do të dalin më shumë burrat - me diferencë të madhe.
Drejtuesi i Emisionit: Si do ta komentonit faktin që, sipas studimit, 95 përqind e grave bëjnë punë shtëpiake, ndërsa nga burrat punë shtëpiake bëjnë vetëm 39 përqind?
Perlat Rikoti: Vërtet? Vetëm 95 përqind e grave?! Kjo qënka vërtet shqetësuese. Po 5 përqind që mbeten, ç'bëjnë? A i ka hyrë studimi këtij problemi?
Nuro Shkëmbi: Ato zbavitin 61 përqind të burrave që nuk bëjnë punë shtëpie - Hihihi! Hahaha! Huhuhu!
Perlat Rikoti: LOL!
Dorina Flaka: Ah, si s'keni turp!
Zonjusha X (me zë edhe më të trashë): Ua mami, këta po e bëjnë baltë fare.
Donika Flaka: Mua më duket vërtet shqetësuese dhe aspak për të qeshur. Eshtë turp që vetëm 39 përqind e burrave bëjnë punë shtëpie.
Perlat Rikoti: Po pse ore, ku ta gjejnë fuqinë ata?! Iu bije bretku 4 orë në punë. Duhet të bëjnë edhe punë shtëpie. Gratë e kanë kohën me bollëk.
Dorina Flaka: Nuk është fare e vërtetë, zoti Rikoti. Gratë e sotme e kanë kohën të mbushur me veprimtari. Ti s'e di se sa kohë i merr gruas së sotme përgatitja për të dalë në pazar. Sa kohë i merr vetë pazari, manikyr, pedikyr, sallon flokësh, masazh, etj.
Drejtuesi i Emisionit: Sipas Studimit të INSTAT, meshkujt shqiptarë kanë shumë më tepër kohë të lirë se sa meshkujt norvegjezë.
Perlat Rikoti: Mos na ngatërro me norvegjezët tani. Ç'na duhet ne ç'bëjnë norvegjezët.
Dorina Flaka: Na duhet që ç'ke me të. Duke parë nga Norvegjia do hyjmë në Europë.
Drejtuesi i Emisionit: Meshkujt norvegjezë i ndajnë punët e shtëpisë 50 përqind me 50 përqind me gratë. Ndërsa meshkujt italianë punojnë në shtëpi më shumë se gratë.
Perlat Rikoti: Ej, kokë, janë gra italiane ato. I ke parë në televizor? Për ato lë punët e shtetit pa bërë Berluskoni, që është kryeministër, jo të mos e lërë italiani i thjeshtë. Silli këtu gratë italiane, ta shohësh se si i bëjnë meshkujt shqiptarë të gjitha punët e shtëpisë.
Dorina Flaka: Ide e shkëlqyer. Dhe ndërkohë na dërgoni të gjitha ne grave shqiptare në Itali, te meshkujt italianë.
Perlat Rikoti: LOL!
Nuri Shkëmbi: Se pak gra shqiptare kemi dërguar ne te meshkujt italianë...
Zonjusha X (me zë normal të trashë) - Ua mami, këta të gjitha i lidhkan me seksin!
Nuri Shkëmbi: Me seksin?! Kush po flet për seks?
Perlat Rikoti: Gjithë biseda për seks është, apo jo?
Drejtuesi i Emisionit: Në një farë kuptimi...
Zonjusha X: Unë kujtova se do të flisnim për punën.
Dorina Flaka: Çfarë pune, moj. Puna e punës së asaj punës. Kush po punon sot? Kupton ti që vetëm 60 përqind e burrave punojnë katër orë në ditë?! Gjen dot popull më dembel ti? Asnjeri s'punon. Të gjithë e kanë mendjen te seksi.
Nuri Shkëmbi: Edhe te gjumi - mesatarisht 9 orë në ditë. Popull latant.
Drejtuesi i Emisionit: Mendoj se problemet dolën, prandaj le ta mbyllim këtu bisedën në studio. Të nderuar shikues, mirupafshim në biseda të tjera për probleme të mprehta shoqërore të kombit. Kalofshi një ditë të mirë dhe të rehatshme. Besoj se e kuptoni ku e ngas fjalën.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment