Wednesday, July 20, 2011

Pesë fjali - Pesë gafa


(...pa hyrë te përdhunimi që i bëhet gjuhës shqipe)
http://www.balkanweb.com/TV/index.php?id_categoria=48&id_ansalive=11513
Lidhja e mësipërme mund t'iu çojë te Ballkanweb, ku jepet një pjesë nga fjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë të datës 19 ose 20 Korrik, 2011. Unë bëra vetëm zbardhjen, të cilën e keni në fund të shkrimit bashkë me disa pjesë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në Pesë fjali ka Pesë gafa, përfshirë dhe shkelje të Kushtetutës.
Gafa e parë: Ndonëse nuk thuhet shprehimisht, sulmi i këtyre pesë fjalive të turbullta drejtohet kundër Aleancës Kuq e Zi dhe, posaçërisht udhëheqësit të saj Kreshnik Spahiu. Spahiu me Aleancën e tij mund të jenë ç'të duan, mund të kenë çdo fe të duan, por ata nuk janë deklaruar kurrë se veprojnë nga pozitat e ateistit. Aleanca Kuq e Zi nuk janë lëvizje ateiste. Ata janë lëvizje nacionaliste, shoviniste.
Gafa e Dytë: "...mjeranë ateistë që kanë frikë zotin ". Ateistët nuk e kanë frikë zotin. Zotin e kanë frikë ata që i besojnë zotit. Ateistët mbrojnë idenë që njerëzit duhet të jetojnë të lirë, pa frikën e zotit. Nëse Kryeministri nuk e di këtë, atëherë le të pyesë dhe ta mësojë.
Gafa e Tretë: "Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige." Kjo duket më tepër si bumerang, se sa si gafë. Pyetje: Kush e ka karrigen më të lartë shtetërore?
Gafa e Katërt: Ateistët nuk janë kundër numërimit të popullsisë në bazë të fesë dhe etnicitetit. Në fakt, nuk dihet të ketë ndonjë qëndrim të caktuar të ateistëve për këtë problem, për vetë faktin që nuk ka ndonjë organizatë të ateistëve që t'iu diktojë anëtarëve politika të caktuara. Ateizmi është mungesë besimi te ekzistenca e një qenieje të mbinatyrshme, jo platformë politike. Personalisht, duke qënë ateist, jam shprehur dhe vazhdoj të shprehem në mbështetje numërimit të popullsisë në baza fetare dhe etnike, sepse më duket që kjo është në të mirë të Shqipërisë.
Gafa e Pestë: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ndan shtetin nga feja. Nëse kryetari i shtetit shqiptar fut hundët në punët e besimit (ose mosbesimit), ai shkel kushtetutën. Kur Kryeministri, që nga karrigia e tij në krye të mbledhjes së qeverisë, fyen një pjesë të popullsisë së vendit të vet, e vogël apo e madhe qoftë kjo, për shkak të besimit (ose mosbesimit) të tyre te feja, atëherë ai ka shkelur Kushtetutën. Të shprehesh me përbuzje, urrejtje, apo përçmim për njerëzit "pa zot", për "mjeranë ateistë që kanë frikë zotin", përbën shkelje të kushtetutës, ligjit të vendit dhe një fyerje të drejtpërdrejtë të një pjese të popullsisë të cilën nuk ke asnjë të drejtë ta fyesh si politikan dhe, aq më tepër, si kryeministër.
"Këta të cilët na, në virtutin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se po shkruajtëm fenë - e di ç'janë këta? Këta janë njerëz pa zot, ju them unë, këta janë mjeranë ateistë që kanë frikë zotin. Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige. Ata përdhosin, kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë së paku lehin, kurse vetë fshehin fytyrën, kanë frikë të dalin, dhe shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla, në strofulla praktikash, konceptesh, dhe qëndrimesh ataviste primitive. Nuk them anti-kombëtare fare, se nuk mund t'i vendosësh në raport me kombin këta. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit, ndërmorën fushatën më primitive kundër kartave dhe tani na thonë se nëqoftëse shqiptarët do të kenë mundësi të shprehen për besimin, të shprehen për përkatësinë etnike, do shpërbëhet qenia jonë...." Nga fjala e Berishës në Mbledhjen e Qeverisë, 20 Korrik 2011.

Nga Kushtetuta e Republikës së Shqip[risë:
Neni 10:
———
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
Neni 24:
———
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

No comments: