Vëmendjen e shtypit dhe opinionit publik ndërkombëtar e kanë tërhequr së tepërmi përpjekjet e shqiptarëve për të nderuar dhe respektuar figurat e shquara botërore që kanë dhënë ndihmesë në zhvillimin e kombit, përmbysjen e komunizmit dhe kalimin me sukses të fazës së tranzicionit. Me gëzim dhe enthusiazëm u prit në të gjithë Amerikën e Veriut lajmi që Bashkija e qytetit të Ndroqit do të ngrerë shtatoret e dy figurave historike botërore, ish-Presidentit amerikan Bill Klinton dhe ish-Drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kahn. Kompleksi shtatorial Klinton-Kahn do të vendoset në sheshin kryesor të Ndroqit.
Për realizimin e veprës së artit Bashkija e Ndroqit shpalli tenderin që u fitua nga skulptorët Vasfi Kodoshi dhe Izet Qorri.
“Shtatoret do të jenë 3 metra e 16 centimetra të larta,” u shpreh për shtypin ndërkombëtar Vasfi Kodoshi. “Vepra do të realizohet në bronz të derdhur.”
Kompleksi shtatorial ka për qëllim përjetësimin e ndihmesës që i kanë dhënë jo vetëm Shqipërisë, por edhe gjithë botës këto dy figura të mëdha.
Duke gjykuar nga modelet në studio që gazetarët ndërkombëtarë u lejuan të shohin, liderët botërorë do të paraqiten mes e lart me xhaketa dhe kollare, ndërsa mes e poshtë cullak.
“E kemi menduar si një ndërthurje integrale të skulpturës klasike greko-romake, ku njeriu paraqitej i zhveshur, duke shpalosur forcën dhe bukurine fizike mashkullore, apo femërore, sipas rastit, me perceptimin modern, ku figurat dalin si burra shteti, duke përballuar stuhitë e politikës moderne. Ndërkohë, ne duam të thyejmë edhe klishetë e vendosura në shekuj, ku njerëzit, sa herë paraqiten gjysmë nudo, jepen të veshur mez e poshtë. Ne duam ta vëmë klasiken sa më pranë themelit, dhe modernen sa më lart.”
Ideja e përzjerjes së dy stileve skulpturore ka gjetur mbështetje të plotë, veçanërisht te kritikët anglezë të artit, të cilët e komentojnë këtë si një paraqitje gjeniale të ndërthurjes së tipareve evolucionare të zhvillimit dhe rikthimit nga dhe në homo erectus në dhe nga homo sapiens, çka shpreh edhe esencën e këtyre dy figurave botërore.
“Kompleksi shtatorial,” shpjegon në konfidencë një nëpunës i Bashkisë së Ndroqit që nuk pranon të identifikohet, “synon edhe në tërheqjen e sa më shumë turistëve. Këtë kompleks shtatorjal unikal në botë parashikohet ta vizitojnë entuziastë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke ndihmuar në zhvillimin e industrisë hospitalore në Ndroq.”
Të dy skulptorë po debatojnë dhe nuk kanë arritur ende të bijen në ujdi në lidhje me disa detaje të shtatoreve. Një prej këtyre detajeve është pozicioni i burrave të shtetit – a do të jenë përballë njëri-tjetrit, njëri mbas tjetrit, apo kthyer me kurriz nga njëri tjetri. Në këtë pikë po fiton terren ideja e fundit, me burrat duke parë, si shqiponja dy krenare, në dy drejtime të kundërta.
Një tjetër detaj mësohet të jetë përfshirje e purove në kompleksin shtatorial. Ndërsa artistët pajtohen se elementi i puros është i domosdoshëm, ata janë ende të paqartë në lidhje me numrin e purove dhe vendin ku do të paraqiten – në duart e figurave, në gojë apo diku tjetër, paralel me elementë të tjerë figurativisht të ngjashëm të veprës së artit.
Parashikohet që ky detaj të mbetet enigmë deri ditën e shpalosjes së shtatores.
No comments:
Post a Comment