Sunday, July 24, 2011

Bisedë në Studio 6


Drejtuesi i Emisionit: Mirëmbrëma të nderuar shikues. Po fillojmë emisionin "Bisedë në Studio" të cilin, si zakonisht, ia kushojmë ngjarjes më të rëndësishme të ditës. Siç dihet, ngjarja politike që mbizotëron sot opinionin publik të vendit dhe atë ndërkombëtar është pikërisht Pordha që lëshoi Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë në sallën e Parlamentit Europian në Bruksel. Për të diskutuar rreth Pordhës dhe impaktit të saj kemi ftuar në studio zotin Niko Farmaqi - përfaqësues i zyrës së shtypit në Ministrinë e Jashtme; zonjën Kristina Plasja - analiste mediatike; dhe zotin Nuri Barkqelbti, kryetar i lëvizjes së njohur "Aleanca Futja Pordhës Gri Sallatë". Për arësye që kuptohen, fjala "pordhë" do të konsiderohet normale dhe nuk do të censurohet në këtë emision. Pra, do të jetë e pranishme me shumicë. Të nderuar miq të ftuar, mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur të në studio.
Të gjithë: Mirëmbrëma dhe mirë se të gjetëm!
Drejtuesi i Emisionit: Përpara se t'iu drejtohem me pyetje, do të desha ta nisnim emisionin me një kronikë të shkurtër të ngjarjes së Brukselit, të cilën do ta ndjekim njëkohësisht me komentimin që i bën ekspertja e pordhëve në media, zonja Kristina Plasja. Le ta ndjekim.
Kristina Plasja (ndërsa në ekran çfaqet salla e Parlamentit Europian në Bruksel): - Siç e shikoni, të nderuar shikues, salla e Parlamentit Europian është mbushur relativisht plot me europarlamentarë. Ja tani, kamera është fokusuar të delegacioni shqiptar, i përbërë nga dy ministra, Ministri i Jashtëm dhe Ministrja e Integrimit. E pashpjegueshme është se si nuk ndodhen pranë tyre referentët apo drejtorët e drejtorive të MPJ. Ndiqni me vemendje se si kamera fokusohet te përfaqësuesi shqiptar. Vini re fytyrën e Ministrit të Jashtëm. Ky është pikërisht çasti përpara ngjarjes. Vini re edhe se si Ministri i Jashtëm anohet pak nga e majta - gjë që do të thotë që pordha do të dalë djathtas. Ja, pikërisht tani - ju lutem ngadalsoheni pak xhiron e transmetimit - tani ndodh lëshimi i pordhës. Shikoni në të majtë të ekranit, në vijë të drejtë me rreshtin ku ndodhet delegacioni shqiptar, është duke kaluar rastësisht eurodeputetja Doris Shum. Ndiqeni me vemendje se si e humbet ajo ekujlibrin nga impakti i pordhës, si përpiqet të mbahet pas karigeve, dhe si rrëzohet përdhe, pa ndjenja. Tani, ju lutem, vini re se si reagon pjesa tjetër e sallës. Eurodeputetët lënë sallën të lemerisur.
Niko Farmaqi: Pra ju po insinuoni se rrëzimi i eurodeputetes Doris Shum dhe lëvizja drejt daljes e eurodeputetëve të tjerë ka lidhje të drejtpërdrejtë me Pordhën e Ministrit?
Kristina Plasja: Unë nuk po insinuoj asgjë. Unë po interpretoj pamjen filmike. Por, le ta shohim edhe një herë videon, kësaj rradhe duke futur edhe efektin infra-ruzh. Për të sqaruar teleshikuesit, kamerat elektronike moderne kanë aftësi që ta kthejnë pamjen filmike në pamje me elementë rrezesh ultra të kuqe, të cilat tregojnë në ekran edhe detaje që s'arrin t'i kapë syri i thjeshtë i njeriut. Përsëri jemi në të njëjtën sallë, por me pamjen infra-ruzh. I dalloni tani siluetat e Ministrit të Jashtëm dhe Ministres së Integrimit? E vini re lëvizjen pak majtas të trupit të Ministrit? Shikoni pak se si në pjesën ku prapanicat e Ministrit prekin ndenjësen krijohet një si hapësirë. Ja dhe shpërthimi, pikërisht aty. Vini re si përhapet vala goditëse. Për efekt studimi, e kemi ngadalsuar lëvizjen njëmijëedyqindepesëdhjeteshtatë herë. Shikoni çastin kur vala goditëse - kryesisht rezonancë zanore dhe ndryshim në presionin e ajrit - godet eurodeputeten Doris Shum dhe e përplas përtokë.
Drejtuesi i Emisionit: E mahnitshme!
Kristina Plasja: Prisni, s'ka mbaruar. Infra-ruzh është në gjendje të kapë edhe goditjen biologjike. Vini re me vëmendje tani valën e dytë, e cila ka dalë njëkohësisht me të parën, por që përhapet pak më ngadalë. Vala e dytë është era. Efekti duket shkatërrues, destruktiv. Shikoni me sa intensitet përhapet vala e erës në të gjithë sallën, duke i detyruar eurodeputetët të largohen në panik. Ja, kjo është ngjarja. Atë mund ta komentoni si të doni.
Niko Farmaqi: Më falni, por videoja që ju transmetuat nuk ka zë. Si mund ta vërtetoni ju, dhe partnerët tuaj europianë që Ministri i Jashtëm lëshoi pordhë, dhe jo fëndë? Në një deklaratë që lëshuam për shtypin ne si Ministri e Jashtme sot në mëngjes pikërisht këtë theksonim: Ministri i Jashtëm ka lëshuar fëndë. Nuk bëhet fjalë për pordhë.
Drejtuesi i Emisionit: Shumë interesant ky zhvillim! Të presim si do të reagojë shtypi botëror pas deklaratës së fundit të Ministrisë së Jashtme. Sepse, duhet pranuar që, deri tani qëndrimi i medias ndrërkombëtare, veçanërisht asaj europiane, nuk ka qënë edhe aq dashamirës. Gazeta e njohur gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dilte me titullin: "Pordhët e diplomacisë shqiptare kutërbojnë Europën e Bashkuar"; gazeta Vanguarda Obrera shpërthen: "Ministri i Jashtëm Shqiptar kishte ngrënë fasule dhe hudhra"; Il Manifesto shtron pyetjen: "Çfarë i bën pordhët e shqiptarëve kaq të padurueshme?!", e kështu me rradhë. E vetmja gazetë që mbante qëndrim pak a shumë të paanshëm ishte tabloidi anglez "The Fart", pronë e manjatit të medias Rupert Mërdok, e cila i kushon ngjarjes një numër special.
Nuri Barkqelbti: Më falni që po ndërhyj, por ne shqiptarët nuk kemi pse turpërohemi nga pordhët. Përkundrazi, qeveritarët tanë kanë për detyrë t'i tregojnë Europës dhe kujtdo në botë që jemi popull me pordhë. Europa na ka borxhe të mëdha ne si komb, prandaj duhet të na i durojë pordhët.
Kristina Plasja: Ndoshta keni të drejtë. Megjithatë, s'duhet harruar që pordhët e mëdha grisin brekët e reja.
Nuri Barkqelbti: Oh, ky është mentalitet i vjetër, që kur njerzit përdornin brekë bezeje, të cilat s'ishin aspak elastike. Ky problem nuk ekziston më. Përkundrazi, në mbështetje të gjestit të Ministrit të Jashtëm dhe për të treguar se ne s'kemi asgjë kundra qeverisë, lëvizja jonë mbarëkombëtare Aleanca Futja Pordhës Gri Sallatë ka vendosur të ndërmarrë nismën e re: Një Shqiptar, Një Pordhë. Mendojmë që këtë nismë do ta përkrahin të gjithë shqiptarët e vërtetë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Turqi, Bullgari, Mal të Zi, Rumani, Hungari, Rusi...
Niko Farmaqi: Megjithatë, ne si Ministri ngulin këmbë që Ministri lëshoi fëndë, jo pordhë.
Kristina Plasja: Ndoshta kjo ëshë më keq. Populli thotë: pordhët janë gazmore, fenat janë mizore.
Drejtuesi i Emisionit: Me sa duket, zonja Plasja paskeni dijeni të thella mbi folklorin e gazrave.
Kristina Plasja: Natyrisht që kam. Unë s'mund të vija në bisedën tuaj në studio e papërgatitur ose, si i thonë, t'ia fusja pordhës kot.
Niko Farmaqi: Pirdh o prift në Prill, i thonë kësaj.
Kristina Plasja: Ajo shprehje nuk ka shumë kuptim. Situatës do t'i shkonte më tepër: Pirdh se lirohesh. Megjithatë, le t'i kthehemi pretendimit tuaj, si Ministri, që gazi i lëshuar nga Ministri nuk ishte pordhë, por fëndë. Ndiqeni me vëmendje videon (regjija, ju lutem). Shikoni se si anohet nga e majta Ministri. Po të ishte për fëndë, s'do të kishte nevojë të anohej. Shikoni presionin e ajrit në pamjet në infraruzhë; rrathët koncentrikë që krijon goditja zanore. Padiskutim që është pordhë.
Niko Farmaqi: Të pretendosh që është pordhë dhe jo fëndë më duket qëndrim anti-kombëtar. Kjo e dëmton rëndë integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane.
Kristina Plasja: Integrimin e dëmton pordha e Ministrit, jo pretendimi im. Shikoni edhe reagimin e Ministres së Integrimit fill pas lëshimit të pordhës. Ndiqeni buzëqeshjen e saj. Shikoni dhe diçka tjetër, që transmetohet për herë të parë sot: Ministrja e Integrimit i bën "qe palla" Ministrit të Jashtëm. Po këtë si e komentoni?
Niko Farmaqi: Me siguri që stacionet televizive kanë manipuluar pamjet filmike.
Kristina Plasja: Po për thashethemin që është përhapur sot në Bruksel, sipas të cilit Ministri me Ministren prej dy ditësh po luanin lojën "Kush pjerdh ose gromësin më shumë?" Një pordhë llogaritej dy pikë, një gromësirë një pikë. Thuhet se në momentin kur shpërtheu pordha, Ministrja e Integrimit ishte gjashtë pikë para.
Nuri Balkqelbti: Duke pjerdhur në mes të Parlamentit Europian, Ministri ynë i jashtëm i deklaroi botës se ne s'pjerdhim për njeri. Kjo është gjeniale. T'i thuash tjetrit "As që pjerdh fare", duke pjerdhur.
Kristina Plasja: Po kur s'pjerdhin për Europën, përse shkojnë në Parlamentin Europian?
Nuri Barkqelbti: Kot moj, për pordhë.
Kristina Plasja: Muhabeti me pordhë, pordha me karar.
Drejtuesi i Emisionit: Kush e hoqi tapën, se po vjen erë të keqe këtu.
Të gjithë kthejnë kokën nga Niko Farmaqi.
Niko Farmaqi: Çfarë? Pse u kthyet nga unë? Dëgjuat gjë ju? Keni fakte?
Drejtuesi i Emisionit: Jo. Megjithatë ju të Ministrisë së Jashtme e keni të ligjëruar fëndën, më duket.
Kristina Plasja: Unë po iki. S'u rrika këtu. Mirupafshim dhe faleminderit për ftesën. (Ngrihet dhe largohet duke mbajtur hundën me dorë).
Drejtuesi i Emisionit: Edhe unë mendoj që problemet dolëm. Ndoshta në ndonjë emision të ardhshëm do të bisedojmë më specifikisht për fëndat. Te nderuar teleshikues, feleminderit për vëmendjen. Natën e mirë dhe mirupafshim. Dhe, po të kini ndonjë siklet, pirdhni pa dert, se iu bën mirë. Për më tepër, siç doli sot, pordha është shprehje e karakterit kombëtar, shprehje e krenarisë kombëtare.

Wednesday, July 20, 2011

Pesë fjali - Pesë gafa


(...pa hyrë te përdhunimi që i bëhet gjuhës shqipe)
http://www.balkanweb.com/TV/index.php?id_categoria=48&id_ansalive=11513
Lidhja e mësipërme mund t'iu çojë te Ballkanweb, ku jepet një pjesë nga fjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë të datës 19 ose 20 Korrik, 2011. Unë bëra vetëm zbardhjen, të cilën e keni në fund të shkrimit bashkë me disa pjesë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në Pesë fjali ka Pesë gafa, përfshirë dhe shkelje të Kushtetutës.
Gafa e parë: Ndonëse nuk thuhet shprehimisht, sulmi i këtyre pesë fjalive të turbullta drejtohet kundër Aleancës Kuq e Zi dhe, posaçërisht udhëheqësit të saj Kreshnik Spahiu. Spahiu me Aleancën e tij mund të jenë ç'të duan, mund të kenë çdo fe të duan, por ata nuk janë deklaruar kurrë se veprojnë nga pozitat e ateistit. Aleanca Kuq e Zi nuk janë lëvizje ateiste. Ata janë lëvizje nacionaliste, shoviniste.
Gafa e Dytë: "...mjeranë ateistë që kanë frikë zotin ". Ateistët nuk e kanë frikë zotin. Zotin e kanë frikë ata që i besojnë zotit. Ateistët mbrojnë idenë që njerëzit duhet të jetojnë të lirë, pa frikën e zotit. Nëse Kryeministri nuk e di këtë, atëherë le të pyesë dhe ta mësojë.
Gafa e Tretë: "Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige." Kjo duket më tepër si bumerang, se sa si gafë. Pyetje: Kush e ka karrigen më të lartë shtetërore?
Gafa e Katërt: Ateistët nuk janë kundër numërimit të popullsisë në bazë të fesë dhe etnicitetit. Në fakt, nuk dihet të ketë ndonjë qëndrim të caktuar të ateistëve për këtë problem, për vetë faktin që nuk ka ndonjë organizatë të ateistëve që t'iu diktojë anëtarëve politika të caktuara. Ateizmi është mungesë besimi te ekzistenca e një qenieje të mbinatyrshme, jo platformë politike. Personalisht, duke qënë ateist, jam shprehur dhe vazhdoj të shprehem në mbështetje numërimit të popullsisë në baza fetare dhe etnike, sepse më duket që kjo është në të mirë të Shqipërisë.
Gafa e Pestë: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ndan shtetin nga feja. Nëse kryetari i shtetit shqiptar fut hundët në punët e besimit (ose mosbesimit), ai shkel kushtetutën. Kur Kryeministri, që nga karrigia e tij në krye të mbledhjes së qeverisë, fyen një pjesë të popullsisë së vendit të vet, e vogël apo e madhe qoftë kjo, për shkak të besimit (ose mosbesimit) të tyre te feja, atëherë ai ka shkelur Kushtetutën. Të shprehesh me përbuzje, urrejtje, apo përçmim për njerëzit "pa zot", për "mjeranë ateistë që kanë frikë zotin", përbën shkelje të kushtetutës, ligjit të vendit dhe një fyerje të drejtpërdrejtë të një pjese të popullsisë të cilën nuk ke asnjë të drejtë ta fyesh si politikan dhe, aq më tepër, si kryeministër.
"Këta të cilët na, në virtutin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se po shkruajtëm fenë - e di ç'janë këta? Këta janë njerëz pa zot, ju them unë, këta janë mjeranë ateistë që kanë frikë zotin. Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige. Ata përdhosin, kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë së paku lehin, kurse vetë fshehin fytyrën, kanë frikë të dalin, dhe shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla, në strofulla praktikash, konceptesh, dhe qëndrimesh ataviste primitive. Nuk them anti-kombëtare fare, se nuk mund t'i vendosësh në raport me kombin këta. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit, ndërmorën fushatën më primitive kundër kartave dhe tani na thonë se nëqoftëse shqiptarët do të kenë mundësi të shprehen për besimin, të shprehen për përkatësinë etnike, do shpërbëhet qenia jonë...." Nga fjala e Berishës në Mbledhjen e Qeverisë, 20 Korrik 2011.

Nga Kushtetuta e Republikës së Shqip[risë:
Neni 10:
———
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
Neni 24:
———
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Saturday, July 9, 2011

Kompleks Shtatorial

Vëmendjen e shtypit dhe opinionit publik ndërkombëtar e kanë tërhequr së tepërmi përpjekjet e shqiptarëve për të nderuar dhe respektuar figurat e shquara botërore që kanë dhënë ndihmesë në zhvillimin e kombit, përmbysjen e komunizmit dhe kalimin me sukses të fazës së tranzicionit. Me gëzim dhe enthusiazëm u prit në të gjithë Amerikën e Veriut lajmi që Bashkija e qytetit të Ndroqit do të ngrerë shtatoret e dy figurave historike botërore, ish-Presidentit amerikan Bill Klinton dhe ish-Drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kahn. Kompleksi shtatorial Klinton-Kahn do të vendoset në sheshin kryesor të Ndroqit.
Për realizimin e veprës së artit Bashkija e Ndroqit shpalli tenderin që u fitua nga skulptorët Vasfi Kodoshi dhe Izet Qorri.
“Shtatoret do të jenë 3 metra e 16 centimetra të larta,” u shpreh për shtypin ndërkombëtar Vasfi Kodoshi. “Vepra do të realizohet në bronz të derdhur.”
Kompleksi shtatorial ka për qëllim përjetësimin e ndihmesës që i kanë dhënë jo vetëm Shqipërisë, por edhe gjithë botës këto dy figura të mëdha.
Duke gjykuar nga modelet në studio që gazetarët ndërkombëtarë u lejuan të shohin, liderët botërorë do të paraqiten mes e lart me xhaketa dhe kollare, ndërsa mes e poshtë cullak.
“E kemi menduar si një ndërthurje integrale të skulpturës klasike greko-romake, ku njeriu paraqitej i zhveshur, duke shpalosur forcën dhe bukurine fizike mashkullore, apo femërore, sipas rastit, me perceptimin modern, ku figurat dalin si burra shteti, duke përballuar stuhitë e politikës moderne. Ndërkohë, ne duam të thyejmë edhe klishetë e vendosura në shekuj, ku njerëzit, sa herë paraqiten gjysmë nudo, jepen të veshur mez e poshtë. Ne duam ta vëmë klasiken sa më pranë themelit, dhe modernen sa më lart.”
Ideja e përzjerjes së dy stileve skulpturore ka gjetur mbështetje të plotë, veçanërisht te kritikët anglezë të artit, të cilët e komentojnë këtë si një paraqitje gjeniale të ndërthurjes së tipareve evolucionare të zhvillimit dhe rikthimit nga dhe në homo erectus në dhe nga homo sapiens, çka shpreh edhe esencën e këtyre dy figurave botërore.
“Kompleksi shtatorial,” shpjegon në konfidencë një nëpunës i Bashkisë së Ndroqit që nuk pranon të identifikohet, “synon edhe në tërheqjen e sa më shumë turistëve. Këtë kompleks shtatorjal unikal në botë parashikohet ta vizitojnë entuziastë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke ndihmuar në zhvillimin e industrisë hospitalore në Ndroq.”
Të dy skulptorë po debatojnë dhe nuk kanë arritur ende të bijen në ujdi në lidhje me disa detaje të shtatoreve. Një prej këtyre detajeve është pozicioni i burrave të shtetit – a do të jenë përballë njëri-tjetrit, njëri mbas tjetrit, apo kthyer me kurriz nga njëri tjetri. Në këtë pikë po fiton terren ideja e fundit, me burrat duke parë, si shqiponja dy krenare, në dy drejtime të kundërta.
Një tjetër detaj mësohet të jetë përfshirje e purove në kompleksin shtatorial. Ndërsa artistët pajtohen se elementi i puros është i domosdoshëm, ata janë ende të paqartë në lidhje me numrin e purove dhe vendin ku do të paraqiten – në duart e figurave, në gojë apo diku tjetër, paralel me elementë të tjerë figurativisht të ngjashëm të veprës së artit.
Parashikohet që ky detaj të mbetet enigmë deri ditën e shpalosjes së shtatores.

Thursday, July 7, 2011

Bisedë në Studio 5


Drejtuesi i Emisionit: Mirëdita të nderuar shikues. Duke pasur parasysh të dhënat e fundit të Ministrisë së Punës dhe Institutit Kombëtar të Statistikave, vendosëm që bisedën tonë ta zhvendosim në orët e vona të paradites, kohë kur shumica e njerëzve janë zgjuar nga gjumi dhe vërtiten në shtëpi. Sipas studimit të MP-së dhe INSTAT-it, shqiptarët punojnë mesatarisht 4 orë në ditë, ndërkohë që flenë mesatarisht 9 orë. Dhe kjo duhet të jetë për ata që punojnë. Sipas këtij studimi, 70 përqind e grave nuk punojne (me pagesë), pra janë shtëpiake, ndërkohë që 40 perqind e burrave rrijnë në shtëpi. Studimi ka edhe shifra të tjera interesante, të cilat do t'i diskutojmë në vijim të bisedës. Por, fillimisht le të paraqesim të ftuarit në studio: Zoti Nuro Shkëmbi, Drejtor i Drejtorisë së Kafeneve dhe Lokaleve në Ministrinë e Punës; Zonjusha X, Projekt Manaxhere në INSTAT; Zotin Perlat Rikoti, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Burrave; dhe Zonjusha Dorina Flaka, Nënkryetare e Shoqatës Gratë pa Kufi. Së pari, një sqarim të vogël - Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Statistikave është vënë në shënjestër të sulmeve nga grupe patriotike që deklarohen kundër numërimit. Kjo ka bërë që punonjësit e INSTAT, të cilët merren vetëm me numërime, të dalin në ilegalitet. Zonjushës X nuk do t'ia përmendim emrin, nuk do t'i shfaqim fytyrën dhe do ta lejojmë ta deformojë pak zërin, për arsye sigurie. Atëherë le të fillojmë: Mirëmëngjes të gjithëve.
Të gjithë: Mirëmëngjes.
Drejtuesi i Emisionit: Do të desha ta filloj bisedën e sotme me një pyetje drejtuar zotit Shkëmbi. Si e shihni ju, si Ministri faktin që 70 perqind e grave dhe 40 perqind e burrave shqiptarë nuk punojnë?
Nuro Shkëmbi: E shoh si problematik. Shumë problematik, do të thosha. Në një kohë kur 70 përqind e grave dhe 40 përqind e burrave nuk punojnë, ne na rezulton se kafenetë dhe lokalet frekuentohen në 70 përqind nga burra dhe 30 përqind nga gra. Kjo është vërtet shqetësuese. Gratë duhet të dalin nga shtëpia dhe të vijnë më shpesh në lokale, sepse e kanë kohën me bollëk. Ne duhet të luftojmë me programe qeveritare që në lokale të ketë një numër të barabartë burrash dhe grash.
Perlat Rikoti: Më falni që po ndërhyj, por mua më duket se nuk qëndron aty shqetësimi. Problemi kryesor është pjesmarrja e njerëzve në punë. Burrat po stërmundohen. Kjo pabarazi është e tmerrshme - diskriminim i paparë. Shoqata jonë nuk do të rreshtë së luftuari që të arrijë ditën kur edhe nga burrat do të punojnë vetëm 40 përqind.
Zonjusha X (me zë të ndryshuar si zë burri): Problemi, them unë, qëndron te paga, e cila është 35 përqind më e lartë për burrat.
Perlat Rikoti: LOL!
Zonjusha X: LOL?! Përse LOL? Ç'ka këtu për të qeshur?
Perlat Rikoti: Hej, kokë - sado që të fitojnë burrat, paratë përfundojnë në xhepin e grave.
Dorina Flaka - Nuk është e thënë. Shumë burra nuk e çojnë rrogën në shtëpi.
Perlat Rikoti: Kjo s'do të thotë se nuk iu përfundon rroga në xhepin e grave. Nuk iu përfundon ne xhepin e bashkëshorteve, por iu përfundon në xhepin e ndonjë gruaje tjetër. Po ta marrësh si total, rroga e fituar nga burrat me mund e me djersë, me gati katër orë punë të palodhur në ditë, përfundon në xhep të grave. Gratë, si specie, dalin gjithmonë më të fituara.
Zonjusha X (me zë burri): Ua mami ç'farë thotë ky!
Dorina Flaka: Gratë nuk janë specie.
Nuro Shkëmbi: Unë them që INSTAT duhet të bëjë edhe një studim të detajuar se kush e fut më shpesh dorën në xhep kur vjen puna për të paguar në lokal. Vë bast që do të dalin më shumë burrat - me diferencë të madhe.
Drejtuesi i Emisionit: Si do ta komentonit faktin që, sipas studimit, 95 përqind e grave bëjnë punë shtëpiake, ndërsa nga burrat punë shtëpiake bëjnë vetëm 39 përqind?
Perlat Rikoti: Vërtet? Vetëm 95 përqind e grave?! Kjo qënka vërtet shqetësuese. Po 5 përqind që mbeten, ç'bëjnë? A i ka hyrë studimi këtij problemi?
Nuro Shkëmbi: Ato zbavitin 61 përqind të burrave që nuk bëjnë punë shtëpie - Hihihi! Hahaha! Huhuhu!
Perlat Rikoti: LOL!
Dorina Flaka: Ah, si s'keni turp!
Zonjusha X (me zë edhe më të trashë): Ua mami, këta po e bëjnë baltë fare.
Donika Flaka: Mua më duket vërtet shqetësuese dhe aspak për të qeshur. Eshtë turp që vetëm 39 përqind e burrave bëjnë punë shtëpie.
Perlat Rikoti: Po pse ore, ku ta gjejnë fuqinë ata?! Iu bije bretku 4 orë në punë. Duhet të bëjnë edhe punë shtëpie. Gratë e kanë kohën me bollëk.
Dorina Flaka: Nuk është fare e vërtetë, zoti Rikoti. Gratë e sotme e kanë kohën të mbushur me veprimtari. Ti s'e di se sa kohë i merr gruas së sotme përgatitja për të dalë në pazar. Sa kohë i merr vetë pazari, manikyr, pedikyr, sallon flokësh, masazh, etj.
Drejtuesi i Emisionit: Sipas Studimit të INSTAT, meshkujt shqiptarë kanë shumë më tepër kohë të lirë se sa meshkujt norvegjezë.
Perlat Rikoti: Mos na ngatërro me norvegjezët tani. Ç'na duhet ne ç'bëjnë norvegjezët.
Dorina Flaka: Na duhet që ç'ke me të. Duke parë nga Norvegjia do hyjmë në Europë.
Drejtuesi i Emisionit: Meshkujt norvegjezë i ndajnë punët e shtëpisë 50 përqind me 50 përqind me gratë. Ndërsa meshkujt italianë punojnë në shtëpi më shumë se gratë.
Perlat Rikoti: Ej, kokë, janë gra italiane ato. I ke parë në televizor? Për ato lë punët e shtetit pa bërë Berluskoni, që është kryeministër, jo të mos e lërë italiani i thjeshtë. Silli këtu gratë italiane, ta shohësh se si i bëjnë meshkujt shqiptarë të gjitha punët e shtëpisë.
Dorina Flaka: Ide e shkëlqyer. Dhe ndërkohë na dërgoni të gjitha ne grave shqiptare në Itali, te meshkujt italianë.
Perlat Rikoti: LOL!
Nuri Shkëmbi: Se pak gra shqiptare kemi dërguar ne te meshkujt italianë...
Zonjusha X (me zë normal të trashë) - Ua mami, këta të gjitha i lidhkan me seksin!
Nuri Shkëmbi: Me seksin?! Kush po flet për seks?
Perlat Rikoti: Gjithë biseda për seks është, apo jo?
Drejtuesi i Emisionit: Në një farë kuptimi...
Zonjusha X: Unë kujtova se do të flisnim për punën.
Dorina Flaka: Çfarë pune, moj. Puna e punës së asaj punës. Kush po punon sot? Kupton ti që vetëm 60 përqind e burrave punojnë katër orë në ditë?! Gjen dot popull më dembel ti? Asnjeri s'punon. Të gjithë e kanë mendjen te seksi.
Nuri Shkëmbi: Edhe te gjumi - mesatarisht 9 orë në ditë. Popull latant.
Drejtuesi i Emisionit: Mendoj se problemet dolën, prandaj le ta mbyllim këtu bisedën në studio. Të nderuar shikues, mirupafshim në biseda të tjera për probleme të mprehta shoqërore të kombit. Kalofshi një ditë të mirë dhe të rehatshme. Besoj se e kuptoni ku e ngas fjalën.