Wednesday, February 24, 2016

Abrahami – Themeli i Feve Abrahamike




Abrahami ose Ibrahimi mbahet si baza e monoteizmit, formës së besimit te një zot i vetëm që ndiqet sot nga dy të tretat e popullsisë së globit, ose rreth katër miliardë njerëz. E lindur të paktën katërmijë vjet më parë legjenda e Abrahamit vazhdon të mos vihet në dyshim nga besimtarët e të tre feve, Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit. I intriguar nga qëndrueshmëria e kësal legjende u vura të lexoj varjantin që jep Bibla (Testamenti i Vjetër), duke u përqëndruar te morali i saj, si i vetmi element që mund të mbajë gjallë një përrallë kaq të vjetër dhe ta vërë atë në themel të tre besimeve që pretendojnë të jenë historikisht si baza të moralit për pjesën më të madhe të popullsisë së globit.
Abrahami, i vetmi dëshmitar i bisedave të tij me Zotin
Abrami lindi në vitin 1948 pas krijimit të botës, ose ndryshe diku nga viti 1813 para erës së re. Nuk dihet shumë për fëmijërinë e tij, por duhet të ketë filluar të komunikojë me Zotin kur i erdhi koha për t’u martuar. Abrami iu shpreh familiarëve të tij se Zoti e kishte zgjedhur që të bëhej pro-gjenitor, domethënë fillues i popujve dhe për këtë duhej të martohej me gjysmë motrën e tij, Sarën.
I vetmi person që dëshmon për bisedën midis Abramit dhe Zotit është vetë Abrami.
Nuk ka asnjë burim tjetër që ta mbështesë vërtetësinë e kësaj bisede, si edhe të gjitha bisedave të tij të mëtejshme me Zotin. Në këtë rast, për çdo mendje me aftësi normale gjykuese ka tre mundësi:
1.       Abrami gënjen dhe i ka shpikur bisedat me Zotin për interesin e tij.
2.       Abrami është i skizofren dhe dëgjon zëra në kokë, të cilat i mendon se duhet të jenë zëri i Zotit.
3.       Zoti vërtet ekziston dhe ka zgjedhur që të komunikojë me Abramin duke u lidhur drejtpërdrejt me trurin e tij.
Për hir të argumentit dhe për t’iu dhënë besimtarëve përparësinë e dyshimit, le t’i hedhim poshtë dy mundësitë e para dhe të kalojmë te e treta. Zoti vërtet ekziston dhe ka zgjedhur të komunikojë drejtpërdrejt me trurin e Abramit.
Pyetja e parë: Përse e këshillon Zoti Abramin që të martohet me Sarën, gjysmë motrën e tij? A është e moralshme kjo zgjedhje? A e dënon Zoti i feve abrahamike incestin, apo është pro-incestit? A e dënojnë fetë monoteiste (Abramike) incestin apo janë pro saj? Nëqoftëse janë kundër, atëherë përse nuk e shpallin hapur si të papranueshme këtë marrëveshje të Zotit me Abramin? Dikush mund të hidhet e të thotë që kjo histori ka ndodhur pesëmijë vjet më parë dhe kohët e zakonet kanë ndryshuar. Për njerëzit po. Jo për Zotin, i cili është universal dhe jashtë-kohor.
Pyetja e dytë: Përse Zoti zgjodhi pikërisht Sarën për ta bërë Abramin pro-gjenitor, kur ai e dinte që ajo ishte shterpë?
Pyetja e tretë: (kjo pyetje merr një përgjigje që do të kundërshtohet më vonë): Përse zgjodhi zoti pikërisht Abramin, dhe jo njeri tjetër? Përgjigja që japin librat ‘e shenjtë‘ : Abrami ishte tepër i përkushtuar ndaj Zotit. Atëherë le ta ruajmë këtë përgjigje për më vonë.
Pasi martohet me Sarën, të motrën, dhe mëson se ajo nuk lind fëmijë, Abrami pret derisa bëhet 75 vjeç për të marrë një tjetër këshillë nga Zoti. Ky i thotë : Bashkë me Sarën, babanë, vëllanë dhe nipin, shko te toka e Kanaanit dhe merrja atë tokë, sepse që aty do të fillosh të popullosh botën.
Rrugës për t'i rrëmbyer tokat Kanaanit
Pra, këshilla e dytë e Zotit për Abramin, pas asaj që ky të martohet me gjysmë-motrën shterpë, është që të shkojë te tokat e dikujt tjetër dhe t’ia rrëmbejë atij ato toka. Çfarë këshille është kjo dhe çfarë morali mund të nxirret prej saj? Është e lejueshme të grabisësh tokat të tjerëve? Çfarë Zoti është ky që sanksionon si të ligjshme grabitjen e tokave?
Abrami me të tijtë ia rrëmbejnë tokat Kanaanit dhe jetojnë atje për disa vjet, derisa fillon të bëjë thatësirë dhe iu ndërpritet prodhimi bujqësor. Atëherë Zoti i jep një këshillë tjetër, edhe më të çuditshme se dy të parat:
Merr Sarën dhe nisu për në Egjipt. Atje përpiqu ta bindësh Faraonin që të bëjë seks me Sarën. Si shpërblim Faraoni do të të japë ty pasuri. Mos i thuaj Faraonit që je burri i Sarës, por që je vëllai i saj.
Duke i ofruar seksin e motrës/gruas Faraonit
Kjo është, padyshim, këshilla më perverte, të paktën deri në këtë fazë të përrallës. Domethënë, mere gruan dhe fute në prostitucion; gënje për lidhjen tënde të vërtetë me të se kështu do të pasurohesh. Prostitucioni, kodoshllëku dhe gënjeshtra dalin si praktika të këshilluara nga Zoti i besimeve Abrahamike. Apo jo?
Këtu ka edhe ca gjëra të vështira për t’u pranuar nga logjika e ftohtë, e shkëputur nga besimi i verbër – në kohën kur Sara i merr mendjen Faraonit me bukurinë dhe hiret e saj seksuale, ajo është 70 vjeç (vetë Abrami është një kodosh 79 vjeçar). Nga të gjitha të dhënat e shkencës rezulton që jetëgjatësia e njeriut ka ardhur në rritje dhe është tepër e vështirë të mendohet që një grua që ka jetuar ketërmijë vjet më parë të ketë pasur charm seksual në moshën 70 vjeçare. Megjithatë, historia e Abramit është e mbushur me njerëz që jetojnë nga 175 (Abrami vetë) deri në 250 (i ati) dhe kjo meret si e meriqënë nga të besimtarët e të treja feve. Përsëri, për t’iu dhënë besimtarëve përparësinë e dyshimit, do ta pranojmë (me zorr të madh) se 70 vjeç nuk duhet të ketë qënë ndonjë moshë kushedi se çfarë. E përsëri, është tej çdo përfytyrimi që një Faraon, me pushtetin dhe fuqinë e pakufizuar të Perandorit më të fuqishëm të kohës, të jetë marrosur pas një fshatareje 70 vjeçare që vinte nga largësitë e tokave të Kanaanit, ndërkohë që oborrin perandorak duhet ta ketë pasur plot me vajza të reja, gra e konkubina.  
Historia vazhdon në mënyrë të çuditshme me Faraonin që e merr me mend se Sara duhet të jetë e martuar vetëm duke gjykuar nga gjashtë vjet thatësirë që mbajti në Egjipt. Pra, prishet me bukuroshkën 75 vjeçare Sara vetëm kur bindet për gjendjen e saj civile. Ai e dëbon Sarën dhe Abramin për në tokat e Kanaanit, ku ata kthehen pasi kanë marrë me vete shpërblimin për prostituimin e Sarës: gomerë, gamilje, shërbëtorë e shërbëtore.
Sara shtyn Hagarin të bëjë seks me Abrahamin
Abramit do t’i duhet të mbushë 86 vjeç që të kujtohet se s’ka fëmijë dhe t’i kërkojë përsëri këshillë Zotit. Në parantezë, nëse ka një vlerë të vetme kjo përrallë, ajo është konsistenca në ravijëzimin e personazhit të Zotit. Ai gjithmonë, në çdo situatë, gjen zgjidhjen më të pamoralshme të mundshme. Në vazhdën e këshillave perverti ai i kërkon Abramit të bëjë seks me Hagarin, një nga shërbëtoret që ky ka sjellë nga Egjipti. Kini parasysh, bëhet fjalë për fetë Abrahamike, të cilat e konsiderojnë të shenjtë martesën, ndërsa shkeljen e kurorës një nga krimet më të pafalshme. Zoti i kësaj feje, për çudi, jep këshilla krejt të kundërta me moralin që predikojnë pasuesit e tij. Sidoqoftë, Abrami nuk ia bën fjalën dy dhe i kërcen Hagarit, të cilën e lë shtatzanë. Hagari lind Ismailin. Abrami bëhet me djalë.
Katërmbëdhjetë më vonë Abrami 99 vjeçar kujtohet se Ismaili nuk është fëmijë krejtësisht i ligjshëm (megjithë është lindur me këshillën e Zotit) prandaj i drejtohet përsëri Zotit duke i kërkuar një pasardhës të ligjshëm. Pra, ai që u martua me të motrën, ai që i rrëmbeu tokat Kanaanit, që ia lëshoi të motrën/gruan Faraonit për ca qè dhe gomerë, që s’ngurroi t’i kërcente shërbëtores, tani bëhej merak që djalin e vetëm e kishte të paligjshëm. Për çudi, Zoti e sheh shqetësimin e tij krejtësisht të arsyeshëm dhe e pranon që Ismaili është fëmijë i paligjshëm. Këty dalin njëmijë pyetje për ligjshmërinë dhe për njohjen nga Zoti të ligjeve të Zotit. Nëqoftëse lindja e Ismailit ishte e paligjshme, përse e autorizoi Zoti? A pendohet ndonjëherë Zoti për ato që bën? A është Zoti i pagabueshëm? Kush e përcakton ligjshmërinë e një veprimi, nëqoftëse gabon Zoti? Pyetjet mund të vazhdojnë pa fund.
Por le të vazhdojmë me përrallën. Zoti e pranon gabimin dhe i premton që do ta ndihmojë që, jo vetëm ta lërë shtatzanë Sarën, shterpën 90 vjeçare, por edhe që ta ndërrojë emrin nga Abram në Abraham, që do të thotë pro-gjenitor. Ku ka zot, ka dhe mrekulli. 90 vjeçarja Sarë mbarset dhe lind Isakun. Mbarsësi ishte 100 vjeç. Se përse nuk e bëri më parë Zoti këtë mrekulli nuk dihet. Se përse priti ai që Sara të shkërdhehej gjashtë vjet rresht në Egjipt me Faraonin, që Abrami të lindte fëmijë të paligjshëm me Agarin, që fëmija të rritej dhe të merrte vesh ç’bëhej, para se të deklarohej i paligjshëm dhe të dëbohej, këtë nuk e sqaron asnjë libër. Librat e shenjtë vetëm sqarojnë që Zoti e ndihmoi Abrahamin 99 vjeçar të mbarste Sarën 90 vjeçare.
Mbas nja 10 – 15 vjetësh ndodh gjëja më e çuditshme. Ju kujtohet ajo pyetja e tretë nga fillimi i shkrimit? Përse Zoti zgjodhi pikërisht Abrahamin për ta bërë progjenitor? Sepse ai ishte tepër i përkushtuar ndaj tij? E pra, me sa duket, nuk ka qënë i përkushtuar sa duhet. Zoti, që e ka drejtuar Abrahamin në gjithë ato perversitete, nuk është edhe aq i bindur te besnikëria e tij, prandaj kërkon ta verë përballë një prove tjetër. Nga intensiteti, nga morali, ose më saktë mungesa e tij, nga shkalla e kafshërisë dhe ligësisë kjo provë ia kalon të gjitha të tjerave të mara së bashku: Zoti i kërkon Abrahamit të sakrifikojë djalin e tij të vetëm. Për çudi, ky as që e bën të gjatë fare. Merr djalin dhe e çon në majë të malit për ta therrur si bèrr.
Çfarë krijese e pashpirt mund t’i kërkojë një prindi të therrë të birin? Me çfarë norme morale kërkohet kryerja e këtij krimi? Çfarë prindi i lajthitur, i papërgjegjshëm, egoist, zemërgur, mund të pranojë të therë me dorën e vet të birin për t’i shprehur besnikërinë një krijese të cilën nuk e ka parë asnjëherë por që, më së shumti e ka dëgjuar në kokën e tij. Nuk e di se nga cili këndvështrim shpjegohet kjo histori që i bën besimtarët ta adhurojnë Abrahamin. Ngado që ta kthesh, pa e spërdredhur dhe ndryshuar, ajo është makabre. E kuptoj se si një përrallë e tillë mund të ketë qënë e pranueshme për njerëzit gjysmë të egër të Lindjes së Mesme katërmijë vjet të shkuara. Nuk e kuptoj se si pranohet sot.  
Një plak 115 vjeçar duke therrur të birin
Abrahami ngre dorën për t'i ngulur thikën në fyt të birit. Zoti, që gjithë kohën i ka dalë për muhabet në kokë Abrahamit, në rastin e fundit nuk i del vetë, as me figurë dhe as me zë, por i dërgon një ëngjëll, i cili ndërhyn dhe nuk e lë të vrasë djalin, por i ofron nje dash. Sepse, sido që të vijë puna, me djalë apo me kafshë, Zoti e do një sakrificë.  Ndërkohë, për besnikërinë e shprehur, Abramit i premtohet jetë e gjatë dhe e qetë, martesa me njërën nga konkubinet e tij (Zoti nuk e kundërshton mbajtjen e konkubineve) dhe fëmijë të shumtë para se të vdesë – të cilët, nuk dihet se përse, tanimë konsiderohen si të ligjshëm. Kështu fillon edhe implementimi i misionit progjenitor.
Gjëja më e çuditshme është që, për mijëra vjet, me miliona dhe miliarda njerëz e kanë dëgjuar këtë histori pa vënë në dyshim as gjendjen mendore të Abramit që dëgjon zëra në kokë, as shkallën e sinqeritetit të tij (ai fare mirë mund të ketë qënë një mashtrues i rëndomtë) dhe as vlerat morale të një perëndie që kërkon dhe pajtohet me incestin, prostitucionin, gënjeshtrën, vjedhjen e pasurisë, marrëdhëniet seksuale jashtë martese, shfrytëzimin e shërbëtorëve për seks, mbajtjen e konkubinave, trajtimin e grave si plaçkë dhe mjete fitimi, dhe deri te vrasja e fëmijës nga prindi. 
Asnjë nga këto nuk vihet në dyshim. Vetëm një element është vënë në dyshim. Diku nja dymijë e ca vjet pasi ka qarkulluar kjo histori midis hebrejve dhe të krishterëve, del një besim i ri, Islami, që ve në dyshim – jo ato që përmenden më lart, por emrin e fëmijës që do të sakrifikohej. Hebrejtë dhe të krishterët mendojnë se Abrahamit i është kërkuar të sakrifikojë Isakun. Megjithatë, teknikisht, kur Zoti i kërkon Abrahamit të sakrifikojë djalin e tij të vetëm, ky duhet të ketë pasur vetëm një djalë, jo dy. Pra kërkesa për sakrificë, sipas muslimanëve, është bërë përpara se të lindë Isaku dhe djali që ka qënë gati të sakrifikohej ka qënë Ismaili. Ndërsa të krishterët ngulin këmbë që vetëm Isaku konsiderohej djalë i ligjshëm. Këtu ndahen ideologjikisht të dy fetë. Për këtë pikë besimtarët e kanë therrur njëri tjetrin në shekuj, dhe janë gati të vazhdojnë të therren. A s’duket të jetë ky detaj mjeti për të larguar vëmendjen nga thelbi i gjithë këtij miti – imoraliteti i tij i papërfytyrueshëm?

No comments: