Kjo
fotografi ka disa vjet që qarkullon në internet duke mahnitur shumë njerëz me
aktin e heshtur, por thellësisht të guximshëm të mospajtimit me shumicën.
Padyshim, në atë foto mund të ketë edhe shumë të tjerë që nuk e kanë përkrahur,
ose nuk e kanë dashur regjimin nazist, por veprimi, ose mosveprimi i atij burri
që qëndron duarkryq teksa të tjerët shprehin besnikërinë është i rrallë. Veçanërisht
po të kihet parasysh që përballë këtyre njerëzve që përshëndesin me dorën e
shtrirë ndodhet vetë Hitleri.
August Landmesser |
I pabinduri
quhet August Landmesser. Fotoja është marrë në 13 Qershor 1936 në kantjerin
detar Blohm + Voss ku ai punonte dhe ku, krejt papritur u çfaq për vizitë vetë
Fyrheri. Mesa duket Landmesser nuk ka mundur ta detyrojë veten të ngrerë dorën
lart për të përshëndetur një njeri që në atë kohë ai nuk e honepste.
Historia e
August Landmesserit është vërtet interesante. Fillimisht, duke dashur të ecte në
karrierë ai u regjistrua në rradhët e Partisë Naziste. Por më vonë, ai ra në
dashuri me Irma Eckler një vajzë çifute dhe shumë shpejt e kuptoi se duhej të
zgjidhte midis dashurisë dhe partisë. Fotoja tregon se ai ka zgjedhur të parën.
Fejesa i solli përjashtimin nga partia. Ata u martuan dhe lindën një vajzë. Në
1937 u përpoqën familjarisht të kalonin në Danimarkë, por nuk mundën, sepse u kapën
në kufi. August Landmasser u akuzua për shnderim të racës dhe u fut në burg për
një periudhë të shkurtër. Më vonë ata u përpoqën përsëri të dilnin nga
Gjermania, dhe përsëri u kapën. Irma u dërgua sa në një burg, në një kamp përqëndrimi,
ku edhe lindi vajzën e tyre të dytë. Të dyja vajzat u morën nga shteti dhe iu
dhanë për t’i rritur dhe edukuar familje të tjera. Irma vdiq në vitin 1942 në
dhomat e gazit në Bernburg. August Landmesser u lirua nga burgu në 1941, por më
vonë, kur Gjermania naziste ishte keq për trupa ushtarësh, u mobilizua me forcë
në një njësi ish-të burgosurish dhe u dërgua në Kroaci. Aty u vra katër muaj
para mbarimit të luftës.
Irma Eckler |
Një histori
e dhimbshme ndër shumë të tjera të ngjashme. Megjithatë, nuk mund të mos
admirosh forcën e karakterit të këtij njeriu të thjeshtë i cili nuk ia nënshtroi
diktaturës dashurinë.
Nuk di ç’paralele
mund të bëhen me ne shqiptarët. Përpara disa ditësh hodha për diskutim në një
status idenë e nënshtrimit tonë kolektiv në diktaturë. Ne i kemi pasur jashtëzakonisht
të paktë zërat kundërshtarë, qoftë edhe të këtij karakteri, të qëndrimit të
heshtur e duarkryq kur të tjerët përshëndesnin me zell. Statusi gjeti mbështetje,
siç pati edhe shumë reagime e shumë rrahje gjoksi, por ndonjë August Landmesser
nuk u çfaq gjëkundi. E keqja është që ata njerëzit që dikur përshëndesnin me
dorën lart ose me grushtin pranë ballit, tani kanë ngritur gishtin tregues për
t’ia tundur para syve në mënyrë akuzuese njëri-tjetrit. Këta janë trimat që akërrehen dhe ulërasin
30 vjet pasi ka mbaruar davaja.
Megjithatë, nesër është Shën Valentini dhe unë
shpresoj që këto rreshta të lexohen si një histori që flet për fitoren e
dashurisë mbi nënshtrimin ndaj diktaturës. Në fund të fundit, diktaturat dhe
dashuria nuk kanë shkuar kurrë mirë me njëra-tjetrën.