Po sikur ta kthejmë? Të shohim ndonjë fjalë
shqip që nuk ekziston në anglisht, për shembull.
Duke pasur parasysh që anglishtja është
gjuha më e pasur e botës dhe fjalori i zgjeruar i Oksfordit sot numëron mbi 1
milion fjalë, ndërkohë që gjuhët e tjera të mëdha llogariten te rreth 200 mijë
fjalë secila (nuk kam ndonjë të dhënë sa fjalë numëron një fjalor i plotë i
shqipes), duket si e pamundur të gjesh fjalë në shqip që nuk janë në anglisht.
Megjithatë ka terma të veçantë që përshkruajnë nocione tepër specifike për
kulturën shqiptare që nuk arrijnë të kenë të barazvlefshmin e tyre të plotë në
anglisht.
Një fjalë e tillë, e rëndomtë për ne dhe e
pakapshme për anglishtfolësit është folja ‘përtoj’.
E di që njohësit e thellë të anglishtes do
të hidhen me dhjetra sinonime, me shprehje dhe folje që i afrohen kuptimit të
foljes shqipe ‘përtoj’. Megjithatë, unë ngul këmbë në sfidën time që një e barazvlefshme
që ta ketë të gjithë ngarkesën kuptimore dhe nënkuptimore, emocionale të kësaj
foljeje të shqipes është e pamundur të gjendet në anglisht.
Në anglisht ka shprehje si ‘I don’t feel like’ që përdoren për të
treguar se dikush nuk është i gatshëm të kryejë një veprim apo një punë. Por ‘I don’t feel like’ ka kuptim edhe më të
gjerë edhe paksa më të ndryshëm. Sepse mund thuhet ‘I don’t feel like washing the dishes’ – që do të thotë nuk më vjen
për të larë enët, ose I don’t feel like
pasta – nuk më haen makaronat). Krejt ndryshe nga kuptimi i foljes përtoj.
Mund të merret edhe fjala ‘laze’. Si folje, laze ka lidhje me ‘lazy’
që në fakt është mbiemër i barazvlefshëm me mbiemrin përtac, dembel. Por folja ‘laze’ ka më tepër kuptimin që
sorrollatesh kot pa bërë ndonjë punë, se sa kuptimin e mirëfilltë të foljes
shqipe përtoj. Laze nënkupton që s’bën
asgjë, që i merr gjërat lehtë, duke u relaksuar, pra duke i lëshuar muskujt. Laze është shprehje pasiviteti,
mosveprimi.
Vini re sa fjalë i duhen kësaj karikature për të përshkruar nocionin përtoj. |
Ndërsa folja shqipe përtoj është folje e trajtës veprore. Ne përdorim një folje në veprore për të shprehur mungesën e plotë të dëshirës
për të vepruar. Nuk mjaftohemi që të themi diçka të butë, për shembull që
nuk ndihemi shumë mirë për të kryer diçka, nuk kemi vullnet për ta bërë atë, ose
na mungon dëshira, entuziazmi, energjitë, forca fizike dhe mendore për të
vepruar. Jo, jo, ne i kemi të gjitha këto, por ‘përtojmë‘, domethënë jemi krejtësisht
të vetëdijshëm se duhet ta bëjmë, se është një gjë që kërkohet ta bëjmë, se i
kemi edhe forcat, edhe mundësitë, edhe energjinë, edhe gjithçka tjetër që ta bëjmë
por nuk e bëjmë sepse ne vetë zgjedhim që të përtojmë. Të përtuarit për ne është
veprim njëqindpërqind i vetëdijshëm, i vullnetshëm, të cilin ne e kryejmë me
bindje të plotë. Folja ka një ngarkesë nënkuptimore që të jep përshtypjen sikur
ai që përton është disi krenar për përtacinë e vet. Është, si të thuash, një
privilegj, një përparësi që e kemi ndaj të tjerëve. Të përtuarit është shprehje
e krenarisë kombëtare. Është si të thuash: Juve vazhdoni punoni sa t’iu dalë
shpirti, unë për vete përtoj. Zgjedhja ime e vetëdijshme midis punës, veprimit
fizik dhe intelektual dhe të mos punuarit është që të përtoj. Të përtuarit
është një lloj aktiviteti, një lloj pune, zanati, profesioni. Profesioni –
përtac.
No comments:
Post a Comment