Kryetari i
opozitës zyrtare në Parlamentin kanadez, Konservatori Andrew Scheer dha dje dorëheqjen
duke paraqitur si shkak presionin e madh që i ka dhënë detyra jetës së tij
familjare. Mendohet që dorëheqja, ndonëse nuk është rezultat i drejtpërdrejtë,
ka lidhje edhe me pakënaqësinë e bazës së Partisë Konservatore në lidhje me përdorimin
nga ana e Scheer të fondeve të partisë për të paguar shkollën private të fëmijëve
të tij. Mendohet, gjithashtu, se ka lidhje edhe me humbjen e partisë së tij në
zgjedhjet e fundit.
Ja disa mësime
nga dorëheqja e tij.
Mësimi i
Parë : Politikanët në vendet demokratike japin dorëheqje. Nuk kapen pas pushtetit
me kthetra të mbërthyera fort, si vdekja.
Scheer u zgjodh
kryetar i Partisë Konservatore në 2017. Kur u desh të lëvizte me gjithë
familjen në Ottawa ku do të funksiononte si deputet dhe kryetar partie,
drejtuesit e Partisë Konservatore i ofruan ta ndihmonin me sistemimin dhe me
vendosjen e fëmijëve në shkollë. Scheer ka pesë fëmijë. Shkollat private në
Kanada janë relativisht të shtrenjta. Partia Konservatore kishte një fond për
ndihmën ndaj kryetarit. Scheer pranoi. Veprimi i tij nga disa konsiderohet normal,
nga të tjerë, etikisht i papranueshëm. Nuk bëhet fjalë për veprim të paligjshëm.
Mësimi i dytë: Nuk është
e nevojshme të kesh vrarë njeri, apo të kapesh me presh në duar duke vjedhur,
duke dhënë rrushfet, duke kurvëruar apo duke shantazhuar që të japësh dorëheqjen.
Dorëheqja jepet edhe për shkaqe etike.
Mësimi i tretë: Dorëheqjen
e Scheer e kërkuan anëtarët e partisë së tij, jo anëtarët e partive kundërshtare.
Anëtarët e thjeshtë iu kërkojnë drejtuesve të partisë së tyre pastërti dhe
transparencë në drejtim.
Mësimi i katërt:
Kryetari i Partisë më të madhe opozitare në Kanada, ai që kishte shanse të bëhej
kryeministër i vendit në zgjedhjet e një muaji më parë, njeriu që kishte shërbyer
për shumë vite si Kryetar i Parlamentit nuk është aq i pasur sa të përballojë
vetë shkollë private për fëmijët e tij. Pra nuk është oligark. Eshtë thjesht një
politikan me rrogë normale.
Mësimi i pestë: Lajmi
i dorëheqjes së Scheer nuk i mbyti ekranet televizive. Ngjarja nuk u trajtua as si bombë dhe as si
ndonjë gjëmë e paparë.
Mësimi i
gjashtë : Partia kundërshtare nuk u hodh përpjetë nga gëzimi. Kryetari i
partisë në pushtet, kundërshtari i drejtpërdrejtë i Scheer, Kryeministri Justin
Trudeau nuk përfitoi nga rasti për ta sulmuar personalisht Scheer dhe për ta përbaltur
atë. Përkundrazi, ai deklaroi se Scheer kishte dhënë një ndihmesë të rëndësishme
në punën e Parlamentit kanadez dhe në zhvillimin e procesit demokratik në vend.
Dy muaj më parë, gjatë procesit të zgjedhjeve, ata i ishin vërsulur njëri-tjetrin
në debate të hapura televizive. Tani, pas zgjedhjeve, ata punonin secili në
detyrën e vet dhe nuk kishin asnjë arsye që të tregoheshin armiqësorë në jetën
personale.
Përmbledhje e gjashtë
mësimeve për politikanët shqiptarë: Jepni dorëheqjen, o njerëz!
No comments:
Post a Comment