Monday, December 2, 2019

Hiqni Tao-Taot!


Nuk di nëse iu ka rënë rasti ta ndiqni intervistën e ingjineres Luljeta Bozo në TV Klan. Nëse jo, do t’ua rekomandoja ta gjenit dhe ta dëgjonit me vëmendje. Sepse, më shumë se çdo gjë tjetër, mënyra e saktë e të shprehurit e kësaj zonje nxorri në pah shkakun kryesor të tragjedisë që po përjetojmë sot. Nuk e kam fjalën thjesht për tragjedinë e rrënimit të atyre ngrehinave por, mbi të gjitha, humbjen e atyre jetëve të shtrenjta. Po shkruaj për atë tragjedinë tjetër, për atë ndërtesën tjetër të kalbur që pritet të bjerë ose që thuhet se ka kohë që ka rënë, ndërtesën që e quajmë shteti shqiptar.
Shteti ynë ngrihet mbi themele të injorancës dhe mbështetet në njerëz të paaftë. Duke ndjekur precedentin e rrezikshëm dhe me pasoja katastrofike të diktaturës komuniste, ku paaftësia për të bërë punë ishte kriter bazë përzgjedhjeje pasi përshtatej me kërkesën besnikëri ndaj diktatorit, shteti dhe një pjesë e mirë e shoqërisë së tanishme shqiptare janë kthyer në një çerdhe llafollogësh kokëboshë që s’dijnë të bëjnë asgjë për të qënë.
Le ta lemë mënjanë politikën dhe përkatësitë partiake. Le t’i shohim gjërat jashtë tyre, nëse mundemi.
Qeveria drejtohet nga një piktor/basketbollist i specializuar vetëm për të bërë - me fjalorin e tij – gam-gam. Në krye të shtetit është një peshë-ngritës në cv e të cilit nuk ka kontribut tjetër veç dërdëllisjeve politike. Ish kryeministri është mjek, ndërsa kryetari i opozitës jurist. Kryetari i Parlamentit është ish-sekretar rrethi i PPSHsë (marrë drejtpërdrejt na palca e të paaftëve), ndërsa Kryetari i Bashkisë më të rëndësishme të vendit, bashkisë së Tiranës, është pa shkollë, injorant. Këta janë “kokat” drejtuese të politikës shqiptare, ata që supozohet të qeverisin, që nuk dijnë fare të qeverisin, dhe që për të mbuluar mosdijen dhe paaftësinë e tyre, e degdisin diskursin politik në tema pa pikë rëndësie për jetën e qytetarëve. Këtë diskurs absurd e mban gjallë një media e bazuar në analistë të fryrë, gjithaq të paaftë, që hiqen sikur dijnë nga të gjitha, që nga gjeopolitika e Shteteve të Bashkuara, e deri te ndërzimi artificial i derrave.
Kur ra komunizmi shqiptarët u ndodhën përballë domosdoshmërisë së zëvendësimit të një shteti që nuk funksiononte (për shkakë të sistemit dhe të paaftësisë së atyre që e drejtonin) me diçka që funksiononte. Ne përmbysëm sistemin dhe u përpoqëm të zëvendësonim “Tao-Taot” me njerëz të aftë. Ndonëse president u vu një mjek-llafollog, kryeministri i parë ishte ingjiner/arkitekt, ndërsa ministrat ishin të shkolluar, ekonomistë, ingjinerë, mjekë - sipas dikastereve përkatëse. Krytarët e parë të bashkisë së Tiranës ishin ingjinerë. Ata që drejtonin shtetin në gjysmën e parë të viteve 90të vinin nga një sistem tjetër, pa përvojë në drejtim dhe nuk mund të pritej që të ishin njerëzit më efektivë. Midis tyre pati edhe arrivistë dhe të korruptuar. Por ishin njerëz të arsimuar në fushat e tyre, njerëz me një farë niveli.
Pastaj erdhi 1997ta dhe ne kapëm pushkën për t’i rënë vetes. Jo në këmbë, që ta plagosnim pak dhe pastaj të rimëkëmbeshim. I ramë në tru. Nuk di se kujt i vajti ndërmend ideja ‘gjaniale’ që kushdo, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës kushdo, mund të vihej në krye të shtetit dhe të qeveriste. Në librin e tij “Psikologji Shqiptare” Ylli Pango ka një pasazh të bukur në kapitullin “Kush e Komandon Shqipërinë“. Po e citoj:
 Ese: Burra shteti me short.
Episodi 1 - I ra një telefon dikujt, një mesoburri, që ishte lodhur disi nga puna e zyrave, e që e kishte ndarë mendjen të bënte pushim deri në pleqëri. Si shok kishte zgjedhur tavllën. Luante e mërzente kësisoj, rrëzë malit diku në një qytet larg qendrës, kur i ra ai telefon e dikush i tha: “Kam një lajm për ty, por e di që fjala e parë që do më thuash do të jetë se ‘jam i luajtur …’” “Thuaje, thuaje”, i tha ky me zë të dredhur. “Ja po ta them: Duhet të vish në kryeqytet se do të të bëjnë kryetar qeverie. “Pate të drejtë në fillim”, ia priti ky. “Ti ke luajtur” … Po pastaj i kujtoi vetes me dashamirësi, se ishte burrë i zoti dhe “se s’kishin farë gjëje më shumë ata të tjerët që e kishin bërë më parë atë punë …” Kësisoj u nis për ku i thanë dhe po atë natë u bë kryeqeveritar. (Ylli Pango, Psikologji Shqiptare).
Kështu u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë, Bashkim Fino. 1997ta ishte viti i llumit dhe vendimet i merrte llumi. Në krye të llumit zgjidhej llumi. Gjithçka që pasoi ishte llum, ose e fëlliqur nga llumi. Për fat të keq, që nga ajo kohë ne s’e morëm dot veten. Ekonomisti Nano që u vu Kryeministër pas Finos ishte i aftë, por tepër i zënë me punët e kazinove për të bërë ndonjë gjë për të qënë. Të tjerët pas tij, Majko, Meta, Berisha, Rama e provuan veten si gam-gamistë profesionistë, të gjithë të fokusuar në përjetësimin e pushtetit dhe pa asnjë konsideratë në ndërtimin për të qënë të godinës së shtetit dhe godinave ku do jetonin njerëzit. Asnjëri nuk çfaqi aftësi drejtuese mbi nivelin e Bashkim Finos. Prandaj edhe shteti u bë rrokopujë, ndërsa qytetet u mbushën me shumëkatëshe të shëmtuara, me shtesa katesh të pasigurta, me struktura të dyshimta, me çarqe minjsh që i mbajnë përjashta këto ditë qytetarët e llahtarisur.
Shqipëria është një vend që aktualisht ka rreth 2.5 milionë banorë. Toronto, Kanada është një qytet që, pa rrethinat, ka rreth 2.5 milionë banorë. Toronto konsiderohet si qytet jo shumë i madh. Në botë ka qytete me 20 milionë banorë. Për të drejtuar një qytet me 2.5 milionë banorë nuk ka nevojë për struktura të ndërlikuara, nuk ka nevojë për politikë të madhe, nuk ka nevojë për teori politike. Nevojitet vetëm një këshill dhe një kryetar në krye të një bashkije që funksionon. Këshilli bashkiak i Tiranës ka 61 anëtarë, ndërsa parlamenti shqiptar ka 140 anëtarë. Këtyre iu shtohen ministritë dhe një mori agjencish e drejtorish qeveritare. Këshilli bashkiak i Torontos ka vetëm 25 anëtarë. Por e gjithë struktura e Bashkisë së Torontos është një organizëm i krijuar për të kryer punë, jo për të bërë fjalë. Askush nuk merret me politikë të madhe. Të gjithë merren me punë konkrete.
Shqipërisë i duhet diçka e ngjashme. Një vend aq i vogël nuk ka nevojë të shpikë kushtetuta dhe nene të ndërlikuara; as për sisteme gjyqësore të ndërlikuara dhe formula zgjidhjesh politike origjinale, për fjalë bombastike, për teori. Ai vend ka thjesht nevojë për teknicienë, për ingjinerë dhe ekonomistë, për mjekë, organizatorë, për njerëz të shkolluar dhe jo për llafollogë që i bijen fyellit gjithë ditën.
Sot për sot ka nevojë për një qeveri teknike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Në planin afatgjatë i duhet të heqë dorë nga të paaftët, të pashkolluarit dhe të gjithë ata që marrin përsipër punë që s’iu takojnë.



No comments: