Martesë me përdhunuesin është ligji që Erdogani po përpiqet të kalojë në
Parlamentin turk. Nuk ka gjë më të fëlliqur. Ligji iu jep mundësi pedofilëve
dhe përdhunuesve t’i shpëtojnë burgut nëqoftëse pranojnë të martohen me
viktimat e tyre. Me një fjalë, viktimat e përdhunimit detyrohen të vazhdojnë të
përdhunohen përjetësisht nga kriminelët. Nuk ka shprehje më të qartë se kjo të
mendësisë që e sheh gruan si mall, si pronë.
Megjithatë, ky ligj nuk është as i ri, as i paparë e as i padëgjuar.
Sipas Wikipedias, martesa e dhunuesit
me viktimën e vet është parë historikisht si zgjidhje e logjikshme. Në shoqëritë
e hershme ‘virgjëria’ konsiderohej cilësi e çmuar për femrat dhe viktimat e përdhunimeve
nuk kishin shumë shanse që të martoheshin nëse e humbisnin. Për këtë arsye
ligji i detyronte përdhunuesit të martoheshin me viktimat.
Një nga referencat më të hershme gjendet në librin e Ligjit të Përtërirë
(Deuteronomy) 22 :28 – 29 të Dhiatës së Vjetër: ‘Nëse një burrë gjen një
vajzë që është e virgjër dhe e pazënë dhe e kap atë dhe shtrihet me të dhe kjo
punë merret vesh, atëherë burri që është shtrirë me të duhet t’i japë të atit të
vajzës pesëdhjetë shelekë argjendi dhe ajo duhet të bëhet gruaja e tij, sepse
ai e ka dhunuar; ai nuk mund ta divorcojë asnjëherë.’ Pra, nuk ka rëndësi që
vajza ka pranuar apo nuk ka pranuar të kryejë aktin seksual, dhe pavarësisht nëse
ajo ka apo jo dëshirë të martohet me këtë burrë, burri është i detyruar të
martohet me të dhe t’i paguajë prindërve të saj një pajë për ta zgjidhur
konfliktin.
Dhiata e Vjetër nuk e specifikon nëse akti seksual kryhet me dhunë apo
jo. Në mesjetën e krishterë europiane, një burrë mund të ‘përdhunonte’ një grua
dhe pas kësaj ajo kishte të drejtë të zgjidhte, ose ndodhej në presion për të
zgjedhur nëse do martohej apo jo me përdhunuesin, pasi pas aktit ajo
konsiderohej mall i dëmtuar dhe me mundësi shumë të pakta për t’u martuar.
Në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe të
Afrikës Veriore ligjet e martesës me përdhunuesin të vendosura fill pas fitimit
të pavarësive në mes të shekullit të njëzetë e kishin zanafillën në një përzjerje
të traditave ekzistuese arabe të zonës, ligjshmërisë islamike (shkollës
Hanafi), ligjeve Perandorake Otomane dhe ligjeve europiane (franceze dhe
Britanike). Gruaja është trajtuar historikisht si pronë e të atit. Kur përdhunohej
ajo shihej si mall i prishur, prandaj dhunuesi duhej ose të paguante dëmshpërblim
ose të pranonte të merrte gjënë e dëmtuar dhe të martohej me viktimën.
Ligjet e martesës me përdhunuesin kanë qënë të përhapura në të gjithë
botën deri në vitet 1970të. Në 1997 ligje të tilla kishin 15 vende të Amerikës
Latine, Argjentina, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala,
Hondurasi, Nikaragua, Panamaja, Peruja, Paraguaji, Republika Dominikane,
Uruguaji dhe Venezuela. Italia ka pasur ligje të ngjashme deri në vitin 1981.
Sipas një raporti të një grupi të Bankës Botërore deri në vitin 2017
ligjet e martesës së viktimës me përdhunuesin i mbanin ende 12 vende - Angola, Bahrain, Guinea Equatoriale, Eritrea,
Iraku, Jordania (e ka hequr në Gusht 2017), Lebani, Libia, Palestina,
FIlipinet, Siria, dhe Tunizia (e ka hequr në Korrik 2017)
Sulltani Erdogan po bën edhe një hap tjetër
drejt ligjeve të kohës së Kalifatit.
No comments:
Post a Comment