Friday, January 24, 2020

Mite të provokuara

Shënime nga Artan Gjyzel Hasani mbi librin “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës
Banalizimi i Të Keqes, bërja qesharake e saj është ndonjëherë një mjet më i dobishëm sesa studimet akademike në përpjekjen për të çmitizuar Mitet e rremë. Këtë ka bërë edhe autori Arben Kallamata në romanin e tij, një prozë satirike historike që ngërthen një periudhë kohore nga Zanafilla, krijimin e dy njerëzve të parë mbi Dhe, lindjen e fesë Monoteiste dhe deri në Rënien e Perandorisë Romake.
Të gjitha këto të vendosura në një kontekst domosdoshmërisht Pellazg, miti mbi të cilin ngrihet Parëndësia jonë e Madhërishme.
Libri vjen në një epokë kur busulla pellazge e shqiptarëve, nën efektin e sharlatanizmit dhe amatorizmit bashkëkohor i “tregon” ata në qendër të botës dhe gjuhën e tyre e shpall si gjuha e parë që u fol, madje dhe simbolika e shqiponjës me duar shenjohet që nga Alaska deri në tributë e Afrikës.
Në thelb “Hijet e Muzgut” është një libër kundër mitizimit.
Arben Kallamata, mbartës i një kulture të gjerë e të thellë, në këtë libër hap diafragmën e këndvështrimit të tij duke i dhënë mundësi lexuesit, krejt pa sforcim, të shikojë botën dhe veten nën perceptime origjinale dhe arsyetime të reja. Autori provokon, shpik, sajon situata të cilat vënë në dyshim marrëdhëniet reale të shqiptarëve me veten, me tjetrin e huaj, me historinë e tyre, me veset dhe virtytet e tyre si komb.
“Hijet e Muzgut” është shkruar në një mënyrë tërheqëse.
400 faqet e librit janë fragmentuar në “kapituj” të shkurtër e të zhdërvjelltë që lexohen me po atë kërshëri me të cilën do të shihnim radiografinë pneumonike të gropës së gjoksit tonë kombëtar, nëse kjo gjë do të kishte qenë teknikisht e mundur.
Humori fin, grotesku, situatat e vazhdueshme komike dhe tragjike njëkohësisht, nxjerrin në pah mentalitetin e çuditshëm pellazg të shekullit të 21 ndër bashkëkombasit tanë që si kompensim të të qënurit krejt në hije të vlerave që ofron e sotmja moderne perëndimore, e përfytyrojnë kombin tonë si qendër të botës, gjuhëve dhe qytetërimeve.
Frazat jane ndërtuar në mënyrë të natyrshme dhe pa sforcime që synojnë artificialisht zbukurimin e tyre.
“Hijet e Muzgut” në mënyrë të guximshme dëshmon një nivel sipëran të autoironisë në nivelin kombëtar duke provokuar thellë ndjeshmërinë qesharake pellazge, herë artificiale, e më shpesh absurde të shqiptarëve të sotëm.
Loja me emrat mitike të figurave historike është një tjetër gjetje satirizuese në epokën e sotme ku shpjegimi i origjinës së fjalëve të planetit vetëm nga gjuha shqipe është bërë një zeje kolektive me përdorim gjithnjë e më të shpeshtë. Në thelb Shqipëria e sotme është një vend etimologësh dhe historianësh, dy sëmundje të natyrshme pellazgësh të ditëve tona, ngjitëse më shumë sesa gripi.
Duket sikur libri vjen me vonesë në letërsinë shqipe, por ndonjëherë për realitetet shqiptare vonesa është në fakt koha e duhur. Ne shqiptarët jemi njerëz emotivë dhe përjetimet tona në të mirë në të keqe janë të ekzagjeruara deri në kufijtë e absurdit, shpesh edhe të budallallëkut. Kompleksi i inferioritetit të vendit të vogël kurohet duke shpikur një komb të madh – pak a shumë diçka e ngjashme me trininë folklorike të dhisë, bishtit përpjetë dhe zgjebes.
Kompleksi i një kombi që në vazhdën e historisë vetëm e kanë tkurrur, copëtuar e gjymtuar është te krijimi i mitit të rremë të një populli trim e qëndrestar dhe, paskëtaj të ketë legjitimitetin të mburret me sajesën e vet trimërore duke harruar se mbijetesa nuk përbën kurrë një arsye për t’u mburrur, pasi në thelb nuk është tjetër, por arma e vetme e të dobtëve dhe të pafuqishmëve.
Shqiptarët duhet të fillojnë të riformatojnë raportet e tyre me historinë dhe vendin e tyre në histori, raportet e tyre me madhështinë dhe thjeshtësinë, me fajin dhe fajtorët, veten dhe tjetrin e huaj. Çdo çmitizim i Gënjeshtrës i shërben afrimit me të Vërtetën dhe ky afrim i bën njerëzit dhe mentalitetin e tyre Racional. Dhe pikërisht Racionaliteti është tipari që na mungon ne shqiptarëve tradicionalisht. Leximi i këtij libri të Arben Kallamatës mund të shërbejë si hap i parë në rrugëtimin tonë drejt hapjes së mendjeve tona të mbyllura nga madhështitë tona të vockla.
Një sugjerim, ndoshta në një botim të dytë titulli i librit mund të jetë ndryshe. “Hijet e Muzgut” është peshë e lehtë për një libër kaq të rëndë në brendinë e tij, pasi nuk kemi të bëjmë me një romancë apo narracion melodramatik me muzgje dashurish dhe hije kujtimesh, por me një prozë historike satirike që ngërthen mijëra vjet  brenda vetes, Zotin si personazh dhe Zanafillën e jetës, Zullumet Pellazge të vdekatarëve, Perandoritë dhe qytetërimet e famshme antike, heronjtë e filozofët e tyre, krijimin e Fesë monoteiste, luftërat e mëdha të epokave, e shumë më tepër.
Dhe së fundmi, edhe dy fjalë që marrin shkas jo nga “Hijet e Muzgut”, por nga jehona e tij në media dhe ndër lexues: Për librat e mirë duhet folur, por edhe duhet shkruar, në mënyrë që në kaosin e sotëm të botimeve dhe në epokën e grafomanisë librat e mirë të mos humbasin e të injorohen në harresë. Në Shqipëri mungon Kritika letrare si institucion, mungojnë kritikët e mirëfilltë dhe ata pak që janë shumë shpesh notojnë në ujërat e sigurta klienteliste të qokave.  
Kështu që “barra” e vënies në dukje të vlerave fatkeqësisht  na bie ne autorëve që duhet të tejkalojmë veten dhe egot personale, njohjet e mosnjohjet, simpatitë dhe antipatitë njerëzore, cmirat dhe zilitë e zakonshme mes artistëve dhe krijuesve,  dhe të kuptojmë që edhe vlerësimi realist i veprës së mirë të një autori të ri, apo të panjohur për ne në thelb bën pjesë në krijimtarinë tonë personale letrare dhe në kontributin që ne si autorë mëtojmë të japim në Letrat shqipe. E kush më mirë se vetë shkrimtarët mund të shërbente për lexuesit si guida orientuese drejt letërsisë së mirë?
Toronto, Janar 2020

No comments: