Një
intervistë e botuar në Koha Jonë mban titullin përshkrues “Akademiku Apollon
Baçe: Akili, Pirro dhe Aleksandri i Madh janë paraardhës të shqiptarëve. Grekët
na vodhën historinë.” Titulli është gati po aq i gjatë sa krejt intervista, të
cilën ndoshta s’ka nevojë fare ta lexosh, pasi s’thotë asgjë më tepër. Por nuk është
ky problemi. Problemi është që një akademik merret me përralla, me fantazi, me
letërsi artistike dhe lëshon përcaktime amatoreske, duke hapur thesin dhe duke
ftuar gjithfarëlloj entuziastësh nacionalistë që të hiqen si akademikë. Niveli i diskutimit nuk ndryshon shumë.
Natyrisht,
nuk ka asgjë të keqe që një akademik të merret me letërsinë artistike, me përralla
dhe me legjenda. Edhe këto janë fusha studimi të specializuar. Por kur akademiku
përpiqet t’i kalojë përrallat si të vërteta historike ndryshon puna. Në këtë
rast lind pyetja: A ka fakte shkencore Akademiku Apollon Baçe për ta mbështetur
teorinë e tij që Akili është shqiptar dhe grekët na e kanë grabitur, apo ia fut
qesim? Nëse do të kishte të dhëna shkencore atëherë nuk do të ishte keq që, si
akademik, t’i paraqiste ato. Do të përbënin me të vërtetë një nga zbulimet më të
rëndësishme të historike të kohës. Nëse s’ka të dhëna shkencore, faktike, atëherë
mund të dalim në përfundimin se flet dhe shkruan qesim.
Shkollimi i Akilit - Eugene Delacroix, 1862 |
Akili është
personazh i një legjende, i një përralle të lashtë popullore të krijuar të paktën
tremijë vjet më parë. Eshtë personazh imagjinar, i lindur nga Nereida Thetis dhe
Mbreti Peleus i Myrmidonëve. A e di vallë Akademiku Apollon Baçe se çfarë janë
Nereidat? Janë krijesa imagjinare, gjysmë perëndi, si Zanat e maleve, por më
saktë, Zana të detit. Janë disa motra gjysmëperëndi që shoqërojnë Perëndinë e
Detit Poseidon. Kjo është nëna e Akilit, që Akademiku Apollon Baçe pretendon që
është shqiptar dhe jo grek. Nuk di ç’mendim ka Akademiku Apollon Baçe për nënshtetësinë
a mësuesit të Akilit, Centaurit Chiron. A
është Centauri Chiron shqiptar, apo grek?
Thetis duke zhytur Akilin ne ujrat e Shkumbinit?! |
Kushdo që
ka të paktën disa njohuri bazë amatore për mitologjinë greke, ose që merr
mundimin të shfletojë ndonjë libër apo të hapë ndonjë faqe Interneti mund të mësojë
se, duke dashur ta bëjë Akilin të pavdekshëm, Thetis e zhyti atë në ujrat e
lumit Styx duke e mbajtur prej thembrës, e vetmja pjesë e trupit që nuk iu lag
dhe i mbeti e vdekshme. Shqiptarit, jo grekut Akil, sipas Akademikut Apollon.
Personazhi imagjinar
i Akilit lidhet me luftën e Trojës që datohet diku në shekullin e 12-13 para erës
sonë, një periudhë në të cilën një Akademik që fut hundët në histori duhet ta
dijë mirë që nuk ekzistonin as grekë dhe as shqiptarë. Ekziston një koncept i
papërcaktuar qartë për qytetërimin e lashtë grek, koncept i krijuar në kohët modern
nga studiues modernë. Përveç lidhjes gjeografike dhe emocionale ai ka shumë pak
të përbashkët me kombin e sotëm grek apo me kombin e sotëm shqiptar. Më tepër është
ideja e një kulture me pika të përbashkëta, siç mund të kemi sot idenë e kulturës
perëndimore, apo kulturës arabe, etj. në të cilën përfshiheshin një mori popullsish,
administrimesh politike dhe organizimesh shoqërore që ndryshonin vazhdimisht
formë dhe përmbajtje. Koncepti i kombeve grekë dhe shqiptarë ka lindur shumë më
vonë se mitologjia greke, madje shumë më vonë edhe se Aleksandri i Madh apo
Pirroja i Epirit.
Akuzat e
tipit “ata na vodhën neve’ janë thjesht emocionale e nuk kanë asnjë të vërtetë
shkencore. Ato i shkojnë më tepër për shtat propagandistëve nacionalistë dhe
organizatorëve të turmave të tifozëve nëpër stadium se sa studiuesve seriozë që
e quajnë vete akademikë. Mirëpo këtu qëndron edhe një nga problemet që kemi ne –
te paaftësia për të bërë dallimin midis specialistit dhe amatorit. Akademikët bijen në nivelin e amatorëve dhe
amatorët ulërijnë sikur janë të gjithë akademikë. Përfundimi është që asnjeri
nuk na merr serizisht për ato që themi dhe ne vazhdojmë t’iu bijem ca avazeve
boshe që i bëjnë të huajt të buzëqeshin me ëndje, me dashamirësi, por me asgjë
më tepër.
No comments:
Post a Comment