Mësohet se
një numër rekord futbollistësh janë anëtarësuar në Partinë Komuniste
Marksiste-Leniniste Black Lives Matter. Ekipe dhe liga të tëra në Angli,
Gjermani, Shtetet e Bashkuara e më gjerë po i bashkohen ‘en-mase’ grupimit të
ri politik që synon ndërrimin e rendit shoqëror botëror.
“Kur u
njoha me parimet ideologjike të marksizmit që qëndrojnë në bazë të programit të
Partisë BLM nuk mund t’i bëja dot ballë tundimit për të dhënë sa më parë edhe unë
ndihmesën time,’ shpjegon futbollisti francez i Manchester United Paul Pogba, që
ndihet i pakënaqur me rrogën e tij mizerabël prej 313,000 dollarë amerikanë ose
274,000 euro në javë. “Përse të mos paguhemi të gjithë futbollistët njëlloj?’,
pyet ai i revoltuar duke pasur parasysh rrogat maramendëse të lojtarëve të tjerë
në ligat e Ballkanit perëndimor.
Futbollisti
polak i Bajernit të Munihut Robert Lewandowski i cili fiton vetëm 15 milion
dollarë në vit dhe llogaritet të ketë grumbulluar jo më shumë se 45 milion
dollarë gjatë gjithë jetës së tij duke u rropatur fushave të futbollit shpjegon
se është nisur nga motive të tjera për t’iu bashkuar revolucionit komunist
marksist-leninist ndërkombëtar:
“Mua nuk më tërheq
barazia,’ thotë ai. ‘Por kur mora vesh se miliarderi Xhorxh Soros po dhuronte
250 milion dollarë nga paratë e tij për t’ia shpërndarë në mënyrë të barabartë 26
milion pjesmarrësve të partisë në të gjithë botën nuk mund të mos pranoja të anëtarësohesha.
Unë jam gati të heq dorë nga të gjitha që kam fituar deri më sot në mënyrë që të
marr pjesën që më takon nga pasuria që po shpërndan Sorosi.”
“Për mua është thjesht
problem politik,” sqaron futbollisti i Liverpulit Mohamed Sala, “Përderisa
marksizmi është e vetmja mënyrë për të rrëzuar Presidentin Trump, unë do ta përqafoj
atë sikur ta di që i humb të gjitha, duke përfshirë edhe titullin Kampion që
sapo fituam.”
Analisto-Akademiku Tërmet
Syçi nga Universiteti i Xhyrës në Shqipëri shpjegon se ideologjia marksiste është
bërë çuditërisht shumë tërheqëse dhe ka infektuar një numër të madh futbollistësh
dhe sportistësh të fushave të tjera, si edhe shumë njerëz të tjerë të famshëm në
të gjithë botën, por veçanërisht në në SHBA. Basketbollisti Lebron Xheims që
mezi mban shpirtin gjallë me ato 37 milion dollarë të qelbura që fiton në vit,
çifti Alex Rodriguez dhe Jennifer Lopez, Beyonce dhe Madonna, Drake, Taylor
Swift, Joaquin Phoenix, Michael Jordan, Leonardo DiCaprio, Lady Gaga dhe shumë
të tjerë po bëhen gati të grisin llogaritë bankare dhe t’iu përvishen kodrave
dhe maleve për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat.
“Janë çmendur të gjithë,”
thotë Syçi duke vënë duart në kokë. “As unë s’di ta shpjegoj se si janë
infektuar nga ajo ideologji e rrezikshme. Unë e kuptoj që qëllimi është që të
rrëzohet Presidenti Trump dhe që e vetmja mënyrë për ta rrëzuar një president në
Amerikë ka qënë dhe mbetet padyshim revolucioni proletar marksist-leninist. Por
nuk e prisja kurrë që gjithë Partia Demokrate amerikane të bëhej kaq e majtë -
gjithë ata kongresmenë e senatorë kapitalistë që janë kthyer në marksistë vetëm
për një qëllim të caktuar. Tradhëtarë, tradhëtarë të fëlliqur të idealit kapitalist.
Ndoshta ajo parti duhet nxjerrë jashtë ligjit.’
I pyetur nëse mendon
se ka lidhje midis përhapjes së marksizmit dhe epidemisë së Covid-19 akademiko-analisti
shqiptar të përplas një vështrim sarkastik ngultazi, psherëtin i dëshpëruar nga
niveli i ulët intelektual i pyetjes, dhe parapëlqen t’i bjerë shkurt :
‘Kjo është thjesht ana
tjetër e të njëjtës medalje. Covid-19, martesat e gejve, vaksinat, toka e
rrumbullakët, çmimet Oscar, skllavëria e Lufta Civile Amerikane, monumentet që
rrëzohen, tërmetet artificiale, maskat e detyruara, emrat e gjinisë asnjëanëse,
janë të gjitha pjesë e të njëjtit plan djallëzor.’
No comments:
Post a Comment