NËPËR FAQET E ROMANIT “UN MORT” TË ARBEN KALLAMATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
VOAL – 04.06.23
Veçanërisht, fryma pezull është
karakteristikë e letërsisë së krimit, veprave me detektivë, letërsisë policore,
deri letërsisë së fantashkencës dhe asaj të fiksionit historik. Lexuesi,
publiku i letërsive të tilla, me kufij të përzier të zhanreve (gjinive),
asnjëherë të përcaktuar qartë, më mirë me thënë – fantazia e tij është gjithnjë
e varur nga fanatazia e krijuesit, nuk është asnjëherë i pavarur, ndonëse vepra
të tilla bazohen gjithnjë te intelekti i lexuesit, te intelekti i publikut, te
prirja e tyre e theksuar dhe e veçantë për të fantazuar por edhe te gatishmëria
e tyre për ta lëshuar veten në krahët e fantazisë.
Parimi i frymës pezull në
marrëdhëniet me lexuesin është i shpallur që në titullin intrigues “Un mort” të
romanit, në moton intriguese në fund të ballinës së parë: “Viti 1975. Janë tre
dhe luajnë poker me një ndenjëse bosh, të vdekur. Për tango duhen dy, për
poker, katër. Me në mort aty luhen jetë njerëzish.”, por edhe në titujt, të
gjithë intrigues, të kapitujve të romanit.
AUTORI I ROMANIT “HIJET E
MUZGUT”
Nëse romani tjetër i suksesshëm
me temë historike i Arben Kallamatës “Hijet e muzgut”, ndërthur dhe përzien
mitologjitë biblike, mitet historike, mitet kombëtare, duke i zhvilluar
ngjarjet kryesisht në pellgun lindor të Mesdheut nga Apeninet në Ballkan, në
Azinë e Vogël, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (Magreb), tashi romani i ri
“Un mort” është një tjetër roman me temë historike (“një histori spiunësh, që
ka shmangur një luftë bërtahmore”, fq. 248) që i zhvillon ngjarjet në tri
kontinente (Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi (Lindjen e Largët), i zhvillon ato
jo ndërmjet epokave si “Hijet e muzgut”, por midis disa dhjetëvjeçarëve. Ashtu
si romani i mëparshëm ka në qendër botën shqiptare, ky roman ka në qendër
tashmë Shqipërinë e Enver Hoxhës, Shqipërinë e krimeve të tij, rreziku i të
cilave mund të mos mbetet brenda bunkerëve të tij, por mund të rrezatohet në
shkallë botërore. Kjo, falë shpirtit binjak të Enver Hoxhës në Lindjen e
Largët, Mao Ce Dunit, i pari tashmë në fazën më agresive të çmendurisë
paranojake, pasi ka pësuar një infarkt diabetik dhe ka filluar të flasë me
fantazmat e viktimave të tij, i dyti me vdekjen në fyt, në çastet e fundit të
jetës.
I PANJOHURI OSE RRËFIMI NË
ROMAN I VËNË NË GOJËN E NJË SHELOCK HOLMESI
Në aspektin kompoziconal romani
është ndërtuar mbi parimin e retrospektivës, e cila paraqitet në tri rrafshe.
Rrëfimi i ngjarjeve të romanit kryhet brenda një nate (3 gusht 2019- Hyrja-
Prologu- 4 gusht 2019- Mbyllja- Epilogu) sigurisht nga një Sherlock Holmes,
emri i të cilit mbetet “I panjohuri”, në fshatin e vogël piktoresk Chexbres, Zvicër,
ku autori ndodhet bashkë me të shoqen, Lejlanë, dhe një çift miqsh, Klajdin dhe
Verën. Rrafshi i dytë dhe vendimtar i zhvillimit të ngjarjeve ndodh në ditët e
fundit të prillit dhe ditët e para të majit të 1975, ndërmjet të cilave është
parada e 1 Majit, e cila është objekt i hetimit nga britanikë të njohur nga
publiku shqiptar më herët si personazhe negative nëpërmjet kujtimeve të Enver
Hoxhës “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”. Ky rrafsh karakterizohet nga
dendësia e madhe e ngjarjeve dhe ngadalësimi i kohës romanore si një darë
makthi që vjen duke u shtrënguar nga kapitulli në kapitull. Vendodhjet janë
Tirana (Banesa e Enver Hoxhës, Shetitorja “Dëshmorët e Kombit”, Selia e KQPPSH,
Pallati i Brigadave, Radio Tirana 2, Ambasada Kineze), Rinasi, Plazhi Durrës,
Plepat Durrës, Kakavijë, Skrapar, Bari (Itali, Vila Puljeze), Kanada-
Saskaçevan, Pekin. Rrafshi i tretë përbën retrospektivën e largët, rrafshin
zanafillor të krimit të madh rreth gjysmëshekullor komunist ndaj shqiptarëve.
Ngjarjet e tij zhvillohen diku në malet e Shqipërisë Juglindore, prill 1944.
Nëse romani është vënë në gojën
e një Sherlock Holmesi, atëherë edhe shtjellimi romanor do të ketë një
zhdërvjelltësi të pazakonshme dhe një lehtësi të natyrshme alla Arthur Conan
Doyle, të kalimit nga një rrafsh rrëfimor në një tjetër, nga një kapitull në
një tjetër, nga një episod, një situatë, një personazh tek tjetri, nga një
mister tek tjetri, nga një intrigë tek tjetra, nga një labirinth tek tjetri,
duke e mbajtur gjithnjë lexuesin nën trysninë e padukshme të adrenalinës së
leximit, çka shënon, mendoj unë, tashmë një pjekuri të admirueshme të autorit
Arben Kallamata, në fushën e romanit.
TRYEZA E POKERIT DHE ROLI I “UN
MORT” NË ROMAN
Pokeri është e vetmja përvojë
që e zotëron vertet në jetën e tij Enver Hoxha, një njeri pa asnjë profesion,
pa asnjë përgatitje shkollore, pa asnjë të dhënë intelektuali. I vetmi talent i
tij është pokeri, një lojë kumari, kuptimi i së cilës është mashtrimi dhe
suksesi i së cilës varet nga fati, i cili përcakton letrat e mira që të bien në
dorë, dhe nga mënyra si i luan secili letrat që i bien në dorë. Enver Hoxha
është kryesori në tryezën e pokerit dhe i vetmi fitimtar i lojës në atë tryezë,
e cila është nyja e të gjitha intrigave që e karakterizojnë politikën dhe jetën
e Shqipërisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai është gjithashtu kreu i grupit të
pokeristëve që, deri më 1975, i kanë mbijetuar lojës. Të tjerët janë Dule
Zvërneci, prapa cipës së të cilit qëndron Sulo Gradeci, pokerist shumë i mirë,
i njohur me nofkat Fotografi, Silloja, kryesisht Koburja. Nëse Enveri është
truri i Dules, Dule është dora e Enverit. Kjo është binjakëria e tyre. Tjetri
është Perikli Toto, me nofkën Greku dhe epitetin Eminenca Gri e Enver Hoxhës,
me të cilin mund identifikohet lehtësisht Sofokli Lazri. Është i vetmi nga
bashkëpunëtorët e diktatorit që e mbijetoi atë duke zgjedhur që të jetë
këshilltari i tij i përhershëm dhe të mos mbajë asnjëherë asnjë lloj posti,
asnjë lloj pushteti tjetër, pra të mos ketë kurrfarë karriere. Në ndenjësen e
përkohshme, të boshit, të un mor, të të vdekurit në tryezën e pokerit, më 1975
është Nexhmije Hoxha, e cila më parë ka qëndruar më tepër si spektatore, por që
tashmë ka filluar të zbresë edhe vetë në fushë.
Tryeza e ngushtë e pokerit u
themelua nga Enver Hoxha me Mustafa Gjinishin dhe dy serbët Dushan Mugosha e
Miladin Popoviçi. Iduesit ishin këta dy të fundit dhe po këta ishin që nuk e
duronin në tryezë Gjinishin “ngaqë ai luante poker më mirë se tre të tjerët dhe
ishte në gjendje t’ua kapte thuajse të gjitha bllofet. Pas marrëveshjes që
Gjinishi nënshkroi në Mukje, me miratimin e Hoxhës, tryeza e ngushtë, në
mungesë të tij, ia bën gjyqin dhe realizon pa vonesë ekzekutimin prapa shpine.
Vendimi ishte i Mugoshës: “E dënoj me vdekje”. Sipas tij, komunisti Gjinishi
është agjent britanik dhe amerikan. Britanikët e dërguar pranë Shtabit të
Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, rastësisht, janë
dëshmitarë të ngjarjes dhe Xhualian Emeri merr si kujtim një plumb nga ky
kontekst i ngjarjes. Plumb që do t’i hiqet nga trupi, por jo nga mendja,
asnjëherë.
Vendin e dy serbëve, me
largimin e tyre, e zënë pikërisht Dule Zvërneci dhe Perikli Toto. Tryeza e
ngushtë e pokerit, ku të gjithë janë të barabartë, por “komandanti është më i
barabarti nga të gjithë” (një shprehje oruelliane kjo) është instanca më
parazite dhe më gjakatare që iu mbivihet të gjitha institucioneve shqiptare në
historinë e mëvonshme. Ajo zgjerohet me kë të duash, por të gjithë të tjerët,
pasi i ngre në poste dhe iu jep pushtete, i gjykon, pastaj i grin dhe i korr.
Hetimet, prokuroritë, gjykatat, gjithë aparati i dukshëm e ai i padukshëm i
diktaturës, janë vetëm dora e zgjatur e tyre.
Duke qenë një roman i misterit
të krimit, tiparet e personazheve jepen me fare pak nota. Edhe ato janë më
shumë tipare të brendshme se të jashtme. Janë tipare që shprehin brendësinë e
personazheve të lidhura me krimin si në rolin e përgatitësve dhe realizuesve të
krimit, edhe në rolin e hetuesve, zbuluesve apo parandaluesve të krimit.
Kështu, vetëm kur merret me portretin e pokeristes së katërt, Nexhmije Hoxhës,
ndihet domosdoja për ta bërë këtë portret të saj: “Më në fund kuçedra kishte
marrë pamjen e saj të plotë- dy koka, gjashtë duar dhe një karrige bosh, që
mund të ishte pjesa e humbur e trupit, një bisht ose çfarëdo gjë tjetër.”
Logjika përshkuese e romanit
është lufta midis personazheve të tryezës së ngushtë të pokerit dhe të
projektuarve të tyre në poste e pushtet dhe lufta midis personazheve të cilët
janë të gjallë më 1975 dhe atyre që janë të vdekur nga viti 1944 e deri
atëherë. Si të vdekur të paradhënë janë të gjithë ata që do të korreshin si
grupe puçiste pas vitit 1975 e deri në vdekjen e Enver Hoxhës.
RAKETAT BËRTHAMORE KINEZE DREJT
SHQIPËRISË – KËRCËNIMI PLANETAR
Personazhet pa të cilat nuk
mund të qëndrojë ngrehina e romanit janë kanadezja kebekiane Fransuaza dhe
shqiptari Ylli Shipska i Radio Tiranës 2. Janë ata që bien në gjurmët e
dërgesës që Mao Ce Duni, i cili kërkonte të kërcënonte Perëndimin nëpërmjet
Shqipërisë së shndërruar në fuqi atomike, ia dërgonte Enver Hoxhës, i cili
donte të krijonte mitin e Shqipërisë si fuqi atomike. Roli i Fransuazës dhe
Yllit më shumë se mision, është amanet i prindërve të tyre, i shndërruar në
ideal të jetës së tyre, për të cilin ata janë gatit të flijohen. Bashkëveprimi
i tyre nga larg dhe nga afër ndiqet me frymë pezull deri në faqen e fundit të
romanit, më shumë se çdo linjë tjetër.
Rreth këtyre dy personazheve,
më artistikët e romanit, vërtiten Seit Kryeziu, David Smaili, Billi Meklin,
Xhulian Emeri, Rexhinal Hibert, të përqëndruar në Bari të Italisë, prej nga
ndjekin paradën e 1 Majit 1975; Hardial Bens, Sandra L. Smith, Rolf
Gersenberger, në Kanada; Mao Ce Duni, e shoqja Jang Qing (Perëndia e
Propagandës), Ten Hsiao Pin në Pekin, diplomatët e tyre, shifrantët e tyre dhe
punonjësit e tyre në Radio Tirana 2.
Ironia e madhe qëndron në të
vërtetën se Enver Hoxha është ai që e ka dekonspiruar i pari dërgesën e
raketave bërthamore nga Kina drejt Shqipërisë. Sipas rrëfyesit të ngjarjeve në
roman, vetë Enver Hoxha, informatori i parë dhe kryesor i Titos në Tiranë,
është ai që ka dekonspiruar aksionin. Dhe Titoja, mbi këtë burim të sigurt,
është ai që ka sensibilizuar Perëndimin, duke ia ngjallur frikën e një reagimi
sovjetik në Ballkan.
E vërteta për marrëdhëniet Enver-Tito,
marrëdhëniet Tiranë-Beograd, marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, të cilat nuk u
prishën kurrë, shpaloset nga Sherlock Holmesi shqiptar në faqet 147-149 të
romanit, faqet më intensive të një të vërtete historike dhe shumë fatkobe për
çështjen shqiptare (ia vlen për t’u lexuar nga çdo shqiptar që di lexim!). Për
të maskuar këtë të vërtetë, Enver Hoxha ndërmerr lojën më të madhe stërvitore
ushtarake të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, duke i lëvizur trupat drejt
veriut të vendit dhe duke u zhvendosur me familjen dhe me gjithë udhëheqjen e
lartë të vendit në bunkerët e Skraparit, natyrisht, duke e marrë me vete edhe
tryezën e ngushtë të pokerit.
Në këto rrethana, kemi morinë
më të madhe të ngjarjeve, që zhvillohen paralel ndaj njëra-tjetrës dhe njëkohësisht
në ndërvartësi të madhe mes tyre. Fransuaza dhe Ylli Shipska, pas shumë
peripecive, shtijnë në dorë aparaturën e ambasadës kineze ku janë regjistruar
bisedat mes Pekinit dhe ambasadës kineze në Tiranë për raketat bërthamore,
Sigurimi i Shtetit vihet në gjurmët e tyre nga Radio Tirana 2 deri në Kakavijë,
rritet ndjeshmëria në Greqinë fqinje, së cilës ia ka frikën vërtet Enver Hoxha,
realizohet aksioni i ndërmarrë nga Fransuaza dhe Ylli Shipska, shtensionohet
situata me Greqinë.
Fransuaza dhe Ylli Shipska
është linja më enigmatike në misteret dhe të papriturat e njëpasnjëshme. Ia
vlen që ta lëmë krejtësisht në duart e lexuesit ta zbërthejë këtë linjë që
mbetet enigmë deri në faqen e fundit të romanit.
PARODIZIMI I HISTORISË DHE
DEHEROIZIMI I REALITETIT TË SHQIPËRISË KOMUNISTE
Ashtu si romani “Hijet e
muzgut” bën parodizimin e miteve biblike dhe atyre historike, edhe romani “Un
mort”, bën parodizimin e historisë së Shqipërisë së Enver Hoxhës. Mjetet e
humorit, ironia (qesëndia), sarkazma, grotesku janë mjetet që i zotëron
mjeshtërisht Arben Kallamata edhe në këtë roman, por gjithnjë ne pajtim me
rrëfimin gjakftohtë deri në cinizëm të një Sherlock Holmesi shqiptar.
Parodizohet figura e Enver
Hoxhës, i cili “me botimin e Vëllimit 69 të veprave të plota… mes shumë
arritjeve të tjera, konsiderohej shkrimtari më i madh dhe më prodhimtar i
vendit”, i cili më së shumti masën e eksitonte me mënyrën “si e tundte kokën
dhe dorën e tij të dashur, pëllëmbën e tij të shtrenjtë të madhe e të bardhë, e
cila lëvizte ritmikisht lart e poshtë, diku pak më poshtë se lartësia e veshit
të tij të djathtë”.
Parodizohet figura e Mao Ce
Dunit, deri në frymën e fundit në mes të vajzave këmbëlidhura, kurvickave
profesioniste që iu shërbenin të gjitha tekave dhe trilleve të kryetarit të
Kinës.
Parodizohet e ashtuquajtura lëvizje marksiste-leniniste botërore si një
agjenturë e mirëfilltë e të gjithë atyre që e financonin.
Kulmi artistik i parodizimit të
marrëdhënieve internacionaliste midis Shqipërisë dhe Kinës motër është kapitulli
“Shoqja kurvë”, i vetmi në roman pa datë të saktë, një e dhënë e lënë
qëllimisht në duart e lexuesit. Partia vret Teknikun, sepse “Tekniku ishte
dëshmitar i impotencës së Partisë.” Dhe Tekniku nuk është tjetërkush veçse Cen
Pao Y, i ashtuquajturi hero internacionalist, për të cilin propaganda komuniste
thoshte se ra duke punuar për ngritjen e antenës së shpërndarjes së sinjalit të
Televizionit Shqiptar.
Ky kapitull shquhet edhe për
ngjyrimin lirik të veçantë, i cili është i pranishëm gjithandej në faqet e
romanit “Un mort” të Arben Kallamatës.
PËRKTHYES I ROMANEVE TË
ORUELLIT
Arben Kallamata është përkthyes
skrupoloz i romaneve “1984” dhe “Ferma e kafshëve” të George Orwell, dy
kryevepra të letërsisë botërore. Zotëruesi i shqipes së lartë, në të gjitha
shtresat e saj më të pasura artstike, siç e përmenda edhe më lart, ndihet edhe
në romanin “Un mort”. Më kryesorja është se anembanë romanit ndihet fryma
oruelliane në karakterizimin e personazheve të tryezës së ngushtë dhe asaj të
gjerë të pokerit të Enver Hoxhës, sidomos në marrëdhëniet e tyre me
udhëheqësin. Dymendimi, aftësia për ta fshehur mendimin përballë udhëheqësit,
në këto marrëdhënie përcakton jetëgjatësinë politike të bashkëpunëtorëve të
afërm të diktatorit, përcakton zgjatjen e mbijetesës në nomenkalturën komuniste
të Enver Hoxhës. Tortura ndaj vetes (vetëtortura) përshkon gjithë nomenklaturën
e kohës, në trajtë rrathësh që, sa më shumë ngjiten drejt udhëheqësit, aq më
shumë ngushtohen, sa më shumë që ndodhen përballë syve të diktatorit, aq më të
torturuar, aq më shumë të torturueshëm janë, sa që duket sikur mezi presin të
ulen në bankën e të akuzuarve dhe të dalin para togave të pushkatimit. Arben
Kallamata, në romanin “Un mort”, nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull,
me mjeshtëri dhe natyrshmëri, na prin nëpër qerthullin e historisë së krimit të
diktaturës, duke na mbajtur gjithnjë në lartësinë e kohës sonë.
https://www.voal.ch/me-fryme-pezull-neper-faqet-e-romanit-un-mort-te-arben-kallamates-nga-skender-bucpapaj/kulture/letersi/?fbclid=IwAR0GrKf7L8S8MUrKXKIe9fZeeDfPFc_6MXc4G1_oX_aAj_6b4_uSAs8cz-Q
No comments:
Post a Comment