Saturday, October 27, 2018

Ku ishe ti Adem?


(‘Wu warst du, Adam?’ Heinrich Böll)
Ku ishe ti, Zotëri apo Zonjë në shkurtin e vitit 1991? A ishe me turmat që rrëzonin monumentet e diktatorit, apo me ato që përpiqeshin t’i rikthenin? Për kë votove ti zonjë a zotëri në Marsin e vitit 1991, kur 75 përqind e votave i shkuan komunistëve megjithëse diktaturës i qenë shkurtuar këmbët? Çfarë bëje ti në vitin 1989?
Po e bëj pyetjen pak më të kapshme: Në çdo vit të dhjetëvjeçarit 1980 është festuar me parakalim 1 Maji. Në cilën nga këto parada u çfaqe ti o njeri shqiptar me parrullën : ‘Poshtë Komunizmi’ apo duke bërtitur me dy gishtat lart: ‘Enver Hoxha është kriminel’. Ose, le të themi me diçka më të butë si: ‘Lavdi Midhat Frashërit’? Në cilin nga këto vite, që nga 1945 e deri në 1991 pate ti guximin të dilje në mes të burrave dhe grave, në sy të dy tre njerëzve, mos themi shumë, që mund të dëshmojnë tani për ty, dhe të thoshe se ti ishe kundër komunizmit, që diktatura ishte një sistem i pashpirt që po e shkatërronte kombin, që morali jot i pastër prej të djathti të kulluar nuk mund të pajtohej me atë sistem të fëlliqur?
E di, e di. Po kërkoj shumë. Le të përpiqem ta ul pak stekën, të jem më i arsyeshëm dhe të të jap edhe një mundësi : Ku e ke zotëri apo zonjë faqen e ditarit të shkruar në fshehtësinë e dhomës tënde, ruajtur në një skutë të errët të shtëpisë, ku nuk mund ta lexonte askush, as nëna, as babai, as motra, as vëllai, as gruaja, as burri, as fëmijët dhe as largqoftë sigurimi i shtetit, ku e ke atë fletëzën e zverdhur nga tridhjetecavjetët e shkuara në të cilën ti ke shkruajtur : ‘E urrej këtë regjim!’?
Nëqoftëse përgjigja është ‘Unë kam qënë aq i ri në atë kohë; nuk dija as të shkruaja e as të lexoja’, atëherë unë do të të them : ‘Mbylle gojën dhe mos fol kot, se ti s’e merr vesh për çfarë po flitet.’ Këto pyetje nuk i kam fare për ty dhe argumentin tënd nuk e marr fare parasysh në bisedë.
Por nëse përgjigja jote është : ‘Unë dija të shkruaja e të lexoja, por s’kam asnjë nga këto që kërkon ti, pasi në atë kohë, po të dilje në paradën e 1 Majit me parrullën 'Poshtë Komunizmi’, apo thjesht duke bërtitur ‘Lavdi Madhat Frashërit’ të nxirrnin qumështin e nënës edhe ty edhe gjithë soj e sorollopit tënd; apo ‘Unë s’mbaja ditar’, ose ‘Unë nuk shkruaja komente politike në ditar’ sepse kjo ishte tepër e rrezikshme dhe mund ta haje burgun kur të doje, dhe unë s’isha aq i çmendur sa t’i thosha burgut ‘hapu’, atëherë unë kam të drejtë të të them : ‘Mbylle gojën dhe mos ha bagla nëpër rrjete sociale’.
Kam të drejtë të të them mos më dil tani, tridhjetë vjet më vonë, në facebook, në twiter, në instagram, në blogje dhe portale, në biseda tavolinash dhe telefonash e t’i vërsulesh Ismail Kadaresë, apo Dritëro Agollit, apo Fatos Arapit, apo kujtdo tjetër dhe t’i thuash që i kanë shërbyer komunizmit. Sepse po aq sa ata, po aq i ke shërbyer edhe ti, edhe unë, edhe gjithë të tjerët komunizmit. Sepse po aq sa ata, ose ndoshta diçka më shumë se ata, e kemi pasur frikë edhe ti, edhe unë, edhe të tjerët komunizmin. Ca nga ne e kanë besuar, ca nga ne s’e kanë besuar, por të gjithë ne e kemi mbajtur gojën e mbyllur.
Ndryshimi midis Kadaresë dhe teje, ndryshimi midis Agollit, Arapit e shumë shkrimtarëve të tjerë dhe teje që ngrifesh sot si i djathtë ekstrem, si i papajtueshëm me majtizmin ndërkombëtar, është se ata i kanë të gjitha të shkruara në letër, të zezë në të bardhë - edhe pjesën ku kanë bërë punën e tyre si shkrimtarë në periudhën e komunizmit duke qënë të detyruar, ashtu si edhe ti edhe unë, të rrijnë urtë e të pajtohen me regjimin, edhe pjesën ku kanë bërë punën e tyre si intelektualë dhe mendje të ndritura për ta emancipuar popullin e tyre, duke të përfshirë edhe ty. Ata të shkretët i kanë të gjitha në letër, që të shfletosh ti e të zgjedhësh çfarë të të interesojë ty, ndërkohë që ty s’të ka mbetur as edhe ndonjë dëshmi e kallove që të krijoheshin në pëllëmbët e duarve nga duartrokitjet për Partinë. Ty të është shëruar plotësisht rryli i fytit që të ngjirej rregullisht sa herë çirreshe duke thirrur me të madhe ‘Parti-Enver Jemi Gati Kurdoherë‘. Ti nuk i ke më ato pantallonat që të ishin holluar stolave të dërrasës në sallat e ftohta të formave të edukimit komunist. Ti i mban të fshehura librezat e notave ku tregoje me krenari krahas provimeve të tjera që kishe marë në vjeshtë edhe 10tat a 9tat në Historinë e Partisë, apo Materializmi Dialektik. Ti ke harruar se si mundoheshe të fshihje nga biografia (se atëherë nuk kishte as CV dhe as Rezyme) gjithë të prekurit politikë të familjes dhe se si kërkoje me qiri nëpër farefis ndonjë që kishte pozicione të mira në Parti.
Ti punoje në fabrikë dhe ndërtoje socializmin dita ditës, duke u përpjekur të tejkaloje normat dhe të dilje në tabelën e të dalluarve, për të marrë 100 lekë të qelbura më shumë. Ti derdhje kokrrën e djersës në kooperativë dhe i serviloseshe sekretarit të partisë apo brigadierit që të të jepte sa më pak ngarkesë për të nxjerrë atë 40 lekëshin e fëlliqur për ditë pune. Ti projektoje detaje në uzinën tënde mekanike, ti ngrije rendimentin e tezgjahut, ti iu kërkoje llogari dhe iu ngrije normat punëtorëve, ti bëheshe novator dhe gjeje mënyrat më të efektshme për t’i kursyer shtetit komunist në mënyrë që të të jepnin një fletë-lavdërimi dhe të ta ngrinin pak atë rrogën qesharake, ti punoje për vitin 2000 që në vitin 1972, ti ishe ai që iu mësoje fëmijëve të përsërisnin si papagaj gjithë broçkullat e teksteve mësimore që i kishte përgatitur një tjetër si puna jote.
Bashkë me gjithë të tjerët ti kryeje shërbimin ushtarak për dy apo për tre vjet. Ose shkoje në zborr dhe mësoje përdorimin e karabinës vetëmbushëse që shërbente për asgjësimin e forcave të gjalla të armikut me zjarr, qytë dhe bajonetë. Ti shkoje gjithë qef  nëpër aksione për të ndërtuar hekurudha dhe për të vjelur agrume dhe kishe zili Shkurte Pal Vatën që ishte plandosur poshtë ledhit. Ti sakrifikoje pa u ankuar fare edhe një ditë të qelbur pushimi duke mbjellur fidane në të Djelat e Enverit dhe duke përsëritur gjithë zell shprehjen idiote të atij eunukut, Ramiz Alisë - çdo ditë si në ditën e enverit, çdo javë si në javën e enverit. Sinqerisht, nuk mbaj mend të kesh dalë ndonjë ditë dhe të kesh thënë: ‘Unë s’punoj në Ditën e Enverit, sepse e djela është dita ime (ose dita e Perëndisë, siç e quan ti tani me fjalorin tënd të djathtë ultra-kristian, megjithëse emrin e ke Adem dhe jo Adam.)
Ky ishe ti, që tani, pas 30 vjetësh ose ke rrjedhur fare dhe nuk mban mend se si ka qënë, ose (dhe kjo ka shumë më tepër të ngjarë) të gënjen mendja se tani pas tridhjetë vjetësh asnjeri nuk mban mend, dhe prandaj fillon e bërtet duke i rënë gjoksit : ‘Kadareja i ka shërbyer komunizmit’, ‘Kadareja nuk ka gojë të flasë‘, Kadareja nuk meriton asgjë‘, duke nënkuptuar pas çdo britme : ‘Jam unë ai që nuk i ka shërbyer komunizmit’, ‘Jam unë ai që gjithmonë e ka urryer sistemin’, ‘Në familjen tonë ne të gjithë kemi qënë të djathtë.’ ‘Në familjen tonë flitej vetëm kundër komunizmit’ ‘Ne bënim namin duke mos pushuar së foluri kundër regjimit’.
Hipokrizi, Adem, hipokrizi. Ti s’ke dhe s’mund të kesh asnjë prove, asnjë dëshmi, asnjë dëshmitar të veprimtarisë tënde, sepse nuk ke pasur kurrë veprimtari. Ti mendon se mungesa e provave dhe e dëshmitarëve të jep të drejtë ty, kur në fakt ajo të bën ty njëlloj si gjithë të tjerët. Nuk them që të bën fajtor. Por të bën të shtypur, si gjithë të tjerët. Hero nuk bëhesh dot. Nuk bëhesh dot hero, sado thellë të përpiqesh t’i zhytësh të tjerët, sado të përpiqesh ta vesh këmbën mbi Kadarenë për t’u ngjitur mbi llucë. Kadareja është shumë lart dhe këmba jote e shkurtër nuk arrin deri atje.
Ti nuk ke për shembull një libër siç ka Kadareja ‘Nëpunësi i Pallatit të Endrrave’ që të dëshmosh se ia ke çjerrë maskën diktaturës në periudhën më të errët të sundimit të saj, në vitin 1981. Nuk e ke. Nuk ke asnjë vjershë si ‘Pashallarët e Kuq’ ku të akuzosh hapur gjithë komitetin qëndror. Nuk ke asnjë ‘Dosja H’ ku të kesh tallur menderen me sigurimin e shtetit. Nuk ke asnjë novelë si Nata me Hënë, ku të jesh ngritur kundër një shoqërie me mendësi të mykur dhe të kesh kërkuar emancipim, emancipim të grave dhe vajzave, emancipim të të gjithë shoqërisë. Nuk ke asnjë personazh si Zyloja i Dritëroit, ku të shkatërrosh nga themelet gjithë burokracinë komuniste. Nuk ke asnjë dëshmi ku të thuash që ‘shiko, sa bukur shprehesha unë, në një kohë kur të shpreheshe bukur konsiderohej dekadentizëm, ndikim i huaj, borgjezim. Nuk i ke, prandaj duhet të mbyllësh gojën.
Fatkeqsisht, ti nuk e mbyll gojën. Jo vetëm kaq, por sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e hap, aq më shumë e ngre zërin. Veçanërisht ti, që edhe në dhjetorin e vitin 1990të nuk ta mbante të dilje as shëtitje nga Qyteti i Studentit. Sidomos ti që edhe në Marsin e vitit 1991 votove për Partinë e Punës. Aq më keq ti që deri në vitin 1994 dhe 1995 vazhdoje të betoheshe për ideal të partisë dhe për kujtimin e kuçedrës. Mos flas për ty, që në 97tën rrëmbeve kallashnikovin dhe shtije në ajër si i çmendur.
Përpara një jave dikush postoi fotografinë e një 65 vjeçari që kërkonte të mos paguante biletë në autobuz duke pretenduar se ishte veteran i Luftës – i Luftës së Dytë Botërore, që ka mbaruar para 74 vjetëve. Asnjë ndryshim nuk ke prej tij as ti, Adem, që po i bën gjoksin gropë duke u mburrur si i djathtë i paeupur që s’e paske duruar dot kurrë komunizmin dhe që tani revoltohesh sa herë përmendet Ismail Kadareja.    

Wednesday, September 26, 2018

Si na dhuroi Franca sistemin metrik



Ne nuk para ua vemë veshin njësive matëse sepse ato janë njëlloj kudo që shkojmë. Sistemi metrik i krijuar në Francë është sot sistemi zyrtar i matjeve për të gjithë vendet e botës, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara, Liberisë dhe Myanmarit (Burmës). Por edhe këto tre vende, kur bëjnë tregëti ndërkombëtare, i përshtaten sistemit metrik.
Përfytyroni një botë ku sa herë që vizitoni një vend tjetër jeni të detyruar të përdorni njësi të ndryshme matëse siç bëni me paratë. Kjo ndodhte rëndom deri në fund të shekullit të 18të, para Revolucionit Francez, kur njësitë e peshave dhe të gjatësive ndryshonin jo vetëm nga një popull te tjetri, por edhe brenda të njëjtit komb. Llogaritet se në atë kohë vetëm në Francë përdoreshin të paktën 250,000 njësi të ndryshme peshe dhe matjesh.
Por gjithçka ndryshoi me Revolucionin Francez. Gjatë viteve të turbullta 1789 - 1799 krerët e revolucionit kërkonin jo vetëm t’i merrnin pushtetin monarkisë dhe kishës, por edhe ta shndërronin rrenjësisht shoqërinë duke flakur tutje traditat dhe zakonet e të kaluarës. Për këtë qëllim në 1793 ata paraqitën, ndër shumë të tjera, Kalendarin Republikan që bazohej te dita me 10 orë, ora me 100 minuta dhe minuta me 100 sekonda. Kalendari kishte dy synime – të zhdukte ndikimet fetare, duke e bërë të pamundur ndjekjen e të djelave apo ditëve të shenjta, si edhe të fuste në përdorim sistemin dhjetor. Koha e bazuar te dhjeta nuk pati sukses, por sistemi dhjetor i masave, që është baza e metrit dhe kilogramit, vazhdon të mbizotërojë edhe sot e kësaj dite.
Detyra e përgatitjes së një sistemi të ri matës iu dha shkencëtarëve dhe mendimtarëve më të shquar të Iluminizmit, mendjeve të ndritura që ishin vërtet të interesuar të krijonin një sistem të ri të mbështetur mbi arsyen dhe jo mbi dëshirat e njerëzve me pushtet. Për këtë u vendos që metri të bazohej krejtësisht në natyrë. Ai do të ishte një e 10 milionta pjesë e largësisë nga Poli i Veriut në Ekuator.
Meridiani nga Poli i Veriut në Ekuator që do të përdorej për të përcaktuar gjatësinë e standartit të ri do të ishte Meridiani i Parisit. Kjo vijë e përfytyruar shkon mespërmes ndërtesës së Obzervatorit të Parisit në njësinë e 14 administrative dhe është shënuar me një shirit bronzi që kalon mespërmes dyshemesë prej mermeri të Dhomës së Meridianit, ose Dhomës Cassini.
Obzervatori i Parisit nuk është i hapur për vizitorët, por kushdo mund ta ndjekë vijën e meridianit përmes qytetit nëse arrin të dallojë në tokë një seri disqesh të vegjël bronzi me emrin ARAGO të gdhendur në kujtim të atronomit francez François Arago. Kjo është vija që matën dy astronomë francezë në vitin 1792, Jean-Baptiste-Joseph Delambre i cili u nis në veri, drejt Dunkirkut dhe Pierre Méchain që udhëtoi drejt jugut për në Barcelona.
Të dy astronomët vunë në përdorim pajisjet më moderne të kohës dhe procesin matematik të triangulimit për të matur harkun meridian midis këtyre dy pikave në nivelin e detit dhe për të llogaritur pastaj largësinë midis Polit të Veriut dhe Ekuatorit. Ata synonin të takoheshin përsëri në Paris brenda një viti, duke pasur gati një standart universal matjeje. Në fakt, iu deshën 7 vjet. Shkencëtarët punonin në një nga periudhat më të turbullta të historisë së Francës, me njerëz që i shikonin gjithë dyshim dhe i spiunonin te autoritetet, me qeveri që një ditë i merrte me sy të mirë, dhe të nesërmen i trajtonte si armiq.
Ndërtesa e Panteonit, të cilën Luigji i XV kishte dashur ta ngrinte si kishë, u kthye në stacionin gjeodetik të Parisit. Nga kupola e saj Delambre trianguloi të gjitha pikat rreth qytetit. Sot ndërtesa shërben si mausoleum për heronjtë e Republikës si Volteri, Rene Descartes dhe Viktor Hygo, por në kohën e Delambresë ajo shërbente si magazinë për gjithë njësitë e vjetra të peshave dhe masave që dërgoheshin në Paris nga qytetet e tjerë të Francës.
Pavarësisht përpjekjeve të shkencëtarëve dhe punës së tyre të palodhur, njerëzit u treguan kokëfortë dhe nuk donin ta pranonin sistemin e ri. Ata donin të vazhdonin me masat  e vjetra. Për shembull, një ell, që përdorej për matjen e copave ishte e barabartë me gjatësinë e tezgjahut, ndërsa toka e punueshme matej me ditë pune, domethënë me sipërfaqen e tokës që mund të punonte mesatarisht një fshatar brenda një dite.
Qeveria franceze filloi të dërgonte inspektorë nëpër tregjet publike për t’i detyruar njerëzit të pranonin sistemin e ri, por as kjo nuk pati sukses. Madje edhe Napoleonit i erdhi në majë të hundës aq sa hoqi dorë nga sistem metrik, megjithëse në kohën e tij ai vazhdonte të jepej mësim në shkolla. Francës iu deshën gati 100 vjet që ta vinte në përdorim këtë sistem.
E gjithë kjo përpjekje u kurorëzua me krijimin e një prej institucioneve më të vjetra ndërkombëtare: Zyra Ndërkombëtare e Peshave dhe Masave (BIPM). I ngritur që të ruajë standartet ndërkombëtare BIPM mbron unifikimin e shtatë njësive ndërkombëtare matëse: metrit, kilogramit, sekondës, amperit, kelvinit, moles dhe kandelës. Në të ruhet etaloni i shufrës standarte një metërshe prej platinumi që ka qënë përdorur për të nxjerrë kopjet që iu dërgoheshin kryeqyteteve të ndryshëm të botës.
Në të njëjtën ndërtesë ruhet edhe pesha origjinale një kilogramëshe, që mbahet brenda tri vazove prej qelqi në një kasafortë të nëndheshme ku mund të shkohet vetëm duke përdorur tre çelësa të ndryshme që i mbajnë tre individë të ndryshëm.
Pëkthyer dhe përshtatur nga artikulli Madhvi Ramani në BBC
http://www.bbc.com/travel/story/20180923-how-france-created-the-metric-system



Tuesday, September 4, 2018

Bretkosat duan mbret


Sipas Ezopit, bretkosat jetonin të lumtura dhe të lira në pellgun e tyre, pa u sunduar nga askush. Por një ditë iu ra në kokë ideja se iu duhej një mbret, prandaj i bënë një kërkesë Zeusit. Zeusi iu hodhi një trung druri të prerë, i cili ra nga qielli dhe u përplas në pellg duke i trembur të gjithë. Pas disa kohësh, një prej bretkosave mori guximin dhe iu afru trungut. Ky s’lëvizi. Atëherë bretkosa u bë edhe më e guximshme dhe i kërceu sipër. Trungu përsëri nuk lëvizi. Atëherë të gjitha bretkosat filluan të brohorasin dhe të kërcejnë mbi trung, mbi mbretin e tyre të palëvizshëm. Kur u mërzitën, bretkosat i dërguan përsëri kërkesë Zeusit: “Duam një mbret tjetër, se ky s’qënka për gjë.” Zeusi nuk e zgjati dhe iu dërgoi një lejlek, i cili nisi t’i hajë një nga një të gjitha.

Ne nuk vuajtëm nga Komunizmi. Ne vuajtëm nga diktatura – nga diktatura komuniste.
Gati 30 vjet pas fundit të periudhës më të errët në historinë e shqiptarëve, shumë prej nesh ende nuk e kanë të qartë nga erdhi e keqja dhe, rrjedhimisht, edhe nga mund të na vijë prapë. Ndërkohë që vazhdojnë të gëlojnë nostalgjikët e regjimit më të shëmtuar, diktaturës së enver hoxhës, të tjerët, shumë prej atyre të rreshtuar emocionalisht kundër gjithçkaje të lidhur me të ende nuk e kanë të qartë se i çfarë lloji ishte llahtari që na kapi dhe s’na lëshoi për gati gjysmë shekulli. Jo vetëm kaq, por pikërisht ata që janë më të shprehurit kundër asaj mënxyre, duken si më të prirurit për të rënë prè e një menxyre tjetër, të një lloji tjetër, gjithsesi të ngjashme. E gjithë kjo sepse pakkush ndalet të mendojë dhe të gjykojë me mendje të ftohtë e të hapur ç’ishte ajo që na goditi aq fort dhe si mund të shmanget në të ardhmen.
Ne vuajtëm nga diktatura, sepse diktatura është regjim, mënyrë sundimi. Në kontrast me demokracinë dhe atë që quhet shtet ligjor. Ndërsa komunizmi është ideologji. Komunizmi është mënyrë mendimi, është filosofi, është fantazi, utopi ose, më saktë, distopi. Mund të jesh kundër komunizmit si ide, mund të provosh se është sistem i dështuar dhe pa të ardhme, mund të sjellësh fakte dhe të dhëna që të vërtetojnë se as si teori, dhe as si praktikë nuk ka asnje shans për të qënë i suksesshëm. Por nuk mund të thuash se komunizmi të burgosi, të vrau, të varfëroi, të shpërfytyroi. Jo. Të gjitha këto i bëri diktatura komuniste, regjimi diktatorial.
Në diktaturën komuniste (të Shqipërisë dhe të gjithë Lindjes) komunizmi ishte vetëm një vegël, ishte një mjet ideologjik për të justifikuar, lehtësuar dhe mundësuar dhunën. Nuk ishte qëllimi, nuk ishte mënyra se si funksiononte shoqëria. Në asnjë vend të bllokut komunist nuk pati pjesmarrje masive vullnetare për të realizuar idetë e komunizmit. Përkundrazi, të gjitha etapat, në të gjithë vendet, u realizuan përmes dhunës, përmes diktatit, përmes direktivave që zbatoheshin me hir apo me pahir, nën forcën e kërbaçit dhe frikën e burgut e të vdekjes. Ideja, ideologjia, masat për zhveshjen e njeriut nga prona private, nga individualizmi, nga të qënit njeri, nuk ishin qëllim në vetvete. Ishin të gjitha mjete për të mundësuar diktaturën dhe për t’i lehtësuar sundimin e regjimit diktatorial.
Historia e botës njeh lloje të ndryshme diktaturash. Njeh diktaturën komuniste që kemi provuar në kurriz ne dhe që ne mendojmë se është më e egra. Por njeh edhe diktaturat fashiste – Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Kilin. Njeh edhe diktaturat fetare – Iranin, Arabinë Saudite, Afganistanin, mbretëritë e Europës që nga Shekulli IV e deri në Rilindje, Perandorinë Osmane. Praktikisht, diktaturat e Mesjetës ose Erës së Errësirës, kanë qënë diktatura fetare të krishtera të shartuara me diktatura monarkike – monarki absolute. Ka edhe diktatura nacionaliste, si ajo e Koresë së Veriut, e bazuar krejtësisht në idenë e superioritetit racor. Në dallim nga diktaturat komuniste të BRSS, Kinës dhe bllokut të Lindjes (ku përfshihet edhe Shqipëria) dhe atyre të shekujve të shkuara, të tjerat janë diktatura kapitaliste. Shembujt e Gjermanisë gjatë L2B, Spanjës, Kilit të Pinoçetit, Kinës së sotme, etj. tregojnë që diktaturat mund të funksionojnë edhe në kapitalizëm. Pra Kapitalizëm nuk do të thotë kurrsesi Demokraci. Kapitalizmi është sistem ekonomik që mund ekziston edhe në diktaturë edhe në demokraci.
Fjala diktaturë ka në bazë fjalën diktat, që do të thotë se një grup i vogël individësh, në raste ekstreme një njeri i vetëm, iu dikton gjithë anëtarëve të tjerë se çfarë të bëjnë dhe si t’i bëjnë gjërat, si të jetojnë dhe ku të jetojnë. Diktati realizohet me anë të forcës, ose të kombinimit të forcës me bindjen, me mashtrimin. Prandaj duhen ideologjitë. Diktatorët komunistë, që nga Lenini e deri te Hoxha përdorën ideologjinë komuniste që t’i ndihmonte në nënshtrimin e njerëzve, që ta kishin më të lehtë ushtrimin e forcës. Hitleri dhe Musolini, Pinoçeti dhe Franko perdorën ideologjinë fashiste. Ajatullahët e Iranit dhe Saudët e Arabisë përdorin fenë islame. Mbretërit absolutë të Europës dhe kudo përdornin krishtërimin dhe të drejtën hyjnore të gjakut mbretëror. Për diktatorët ideologjija ishte thjesht mjeti që përdornin për të gënjyer sa më shumë, në mënyrë që të kursenin forcat për të kontrolluar ata që nuk i gënjenin dot.  
Fjala demokraci ka në bazë fjalën demos, popull dhe ka kuptimin e një sistemi ku në qeverisja marrin pjesë sa më shumë njerëz. Demokraci absolute nuk ka dhe mendohet se është e pamundur të ketë. Por ka një shpërndarje gjithmonë e më të gjerë të përgjegjësisë në pushtet (përmes mekanizmit të zgjedhjeve), si edhe një mënyrë gjithmonë e më të efektshme të kontrollit dhe të ushtrimit të presionit mbi ata që janë në pushtet (përmes një sërë mekanizmash, ku përfshihen ligjet dhe zbatimi i tyre i barabartë për të gjithë, ndarja dhe pavarësia e pushteteve, komunikimi i hapur përmes medias, etj. Demokracia është koncept i vjetër – që nga koha e grekëve dhe romakëve të lashtë, ndoshta edhe më herët. Në kohët moderne në Europë ajo filloi me Protektoratin anglez të Kromuellit (1653) që i hoqi pushtetin absolut monarkut dhe ia shpërndau atë parlamentit. Më pas, pushteti kaloi nga lordët te politikanët e zgjedhur nga populli.
Në këtë kuptim është e trishtueshme të shohësh sot shumë njerëz që, megjithëse janë me mish e me shpirt kundër diktaturës komuniste, tregojnë interes dhe simpati për forma të tjera diktature – që nga ato fashiste, e deri te ato fondamentalisto-fetare, monarkiste, apo nacionaliste. Duke marrë pozicionin e anti-komunistëve, ky grupim ka dalë me teorinë se komunizmi është e keqja më e madhe dhe çdo e kundërt e tij do të jetë vetvetiu e mira më e madhe. Me këtë mënyrë logjikimi ata dalin në përfundimin se e kundërta e komunizmit është fashizmi, ose feja, ose nacionalizmi, kur në fakt, të gjitha këto, duke përfshirë edhe komunizmin, nuk janë gjë tjetër veçse ideologji për të lehtësuar diktaturën, sundimin e njëshit, ose të një pakice mbi shumicën e popullsisë.
Sot sheh nëpër rrjetet sociale postime gjithë simpati për Hitlerin, Pinoçetin, Frankon, Sulltanin dhe Erdoganin, Putinin e lloj lloj diktatorësh e diktatorucësh të tjerë që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë me forcë pushtetin, që kanë bërë dhe e bëjnë vetë ligjin dhe që kanë diktuar dhe vazhdojnë të diktojnë atë që iu do qefi, pa marrë parasysh të drejtat dhe liritë e shtetasve të tyre. Janë të njëjtët këta që i shohin sistemet demokratike të Europës dhe botës Perëndimore si të dështuara, që mirëpresin ardhjen në pushtet në Shqipëri dhe kudo të një dore të fortë, që do t’iu tregojë vendin të majtëve të dobët dhe do të vendosë drejtësinë e përgjithshme. Njëlloj si në atë fabulën e famshme të Ezopit me bretkosat që kërkonin mbret.

Saturday, June 23, 2018

Ku vajtën?!


(Mikpritja, zemërgjerësia, besa, njerëzillëku, toleranca e ca cilësi të tjera që ia kemi mbushur mendjen që i kemi me shumicë)
Mes mjegullnajës së përgjithshme informative, ndërthurjes papërgjegjshmërisht të shfrenuar të spekullimeve, hamendësimeve, gënjeshtrave, opinioneve dhe fakteve, është e pamundur të përcaktosh vërtetësinë e pretendimit se Europa i ka kushtëzuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim Shqipërisë në këmbim pranimit nga kjo e fundi të 600 mijë refugjatëve. Prandaj nuk ia vlen të merresh me saktësinë e lajmit. Ajo me të cilën unë do desha të merresha dhe për ekzistencën e të cilës nuk ka pikë dyshimi është fryma e shëmtuar e racizmit, egërsia anti-njerëzore, shpirtvogëlsia dhe mungesa e plotë e ndjenjës së mikpritjes që po dëshmojnë haptazi politikanë, gazetarë, analistë, dhe përgjithësisht tifozë politikë që shpalosin çdo ditë pikpamjet e tyre pa pikë ndroje në rrjetet sociale e kudo që iu jepet rasti.
Mund të argumentohet që 600 mijë immigrantë janë shumë për një popullsi prej dy milion gjysmë banorësh, për një vend me ekonomi mizerabël, me shifra të frikshme papunësie dhe pa shenja premtuese për të ardhmen. Mund të pretendohet se Shqipëria, me një popullsi relativisht të re, nuk ka nevojë ekonomike për emigrantë, siç kanë shumica e vendeve të Europës Perëndimore. Mund të thuhet, gjithashtu, se përgjegjësinë më të madhe për mbajtjen dhe ndihmën e refugjatëve duhet ta kenë ato vende që e kanë shkaktuar krizën humanitare dhe ekonomike që i ka detyruar refugjatët të braktisin vendet e tyre, vendet që kanë përfituar drejtpërdrejt ekonomikisht nga këto kriza, në të cilat vështirë se mund të bëjë pjesë Shqipëria.
Por këto arsyetime ose anashkalohen ose injorohen. Mbizotërojnë argumenta që duket sikur kanë dalë drejtpërdrejt nga Mein Kampf-i apo nga Bibla, gjykime të bazuar në përbuzjen për racën dhe fenë e të ardhurve, për statusin e tyre dhe për gjoja mundësinë për të qënë terroristë. Ngado dëgjon e lexon mendime të deformuara nga ksenofobia, urrejtja për të huajt, veçanërisht për ata të huaj që ne i mendojmë sikur janë poshtë nesh dhe që kemi mundësi t’i shkelim me këmbë, ose që na kërkojnë ndihmë dhe ne e kemi në dorë të mos ua japim.
Shqipëria sot ka 2 milion e gjysmë banorë dhe jo 3 milion e gjysmë pasi një e treta e popullsisë së saj ka emigruar – është shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Një e treta e popullsisë së vendit janë larguar dhe, në një farë mënyre, janë mikpritur në vende të tjerë të botës – pa ua mohuar të drejtën e emigrimit ngaqë kanë qënë katolikë, ortodoksë, muslimanë, bektashinj, ateistë, komunistë, socialistë, apo fashistë. Pjesa më e madhe e tyre punojnë dhe dërgojnë, në forma dhe mënyra të ndryshme, ndihmesën e tyre në Shqipëri. Shumë biznese sot në Shqipëri janë fryt i ndihmesës së drejtpërdrejtë financiare të emigrantëve, frut i  njohurive të tyre profesionale, përvojave të punës, shkollimit dhe diplomave të fituara në vende të tjera dhe në kurriz të ekonomive të atyre vendeve. Mbi një milion emigrantë shqiptarë i kanë krijuar mundësi atyre që s’kanë emigruar që të kenë më shumë shanse punësimi, më pak konkurrencë, më tepër rast për të ecur. Shkurt, Shqipëria është vend që këto 30 vjetët e fundit ka përfituar nga emigracioni. Jo, jo thjesht ka përfituar -- ka përfituar jashtë mase. Kanë përfituar të gjithë - ata që kanë emigruar dhe ata që kanë ndenjur në Shqipëri, ata që janë kthyer dhe ata që nuk janë kthyer.
Normalisht, një popull që ka përfituar kaq shumë nga emigracioni dhe që mburret nga mëngjesi deri në darkë me traditat e mikpritjes pritej të tregohej pak më zemërgjerë me rastin që i jepet për të ndihmuar njerëz të tjerë nevojtarë, hallexhinj, të detyruar të lenë vendet e tyre nga lufta ose varfëria ekstreme. Por jo shqiptarët. Shqiptarët, me sa duket e kanë harxhuar gjithë arsenalin e mikpritjes së tyre me turistët nga Europa Veriore, që i kanë xhepat plot me Euro. Për refugjatët që kërkojnë strehë pa ofruar para ka vetëm përbuzje, fyerje, neveri, urrejtje.
Normalisht një popull që mburret se ka arritur harmoninë më të përsosur midis komuniteteve fetare nuk duhej të shqetësohej për përkatësinë fetare të atyre që i trokasin në derë. Por jo shqiptarët. Shqiptarët janë të shqetësuar se këta 600 mijë që rrezikojnë t’i hyjnë në shtëpi janë muslimanë dhe kanë për t’i ndërruar kulturën thellësisht “të krishterë” kombit të tyre. Shqiptarët, që po t’i pyesësh se çfarë feje kanë të përgjigjen pa u menduar se janë 70 përqind muslimanë, 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë, ndihen keq se ata që po iu trokasin në derë janë muslimanë. Dhe muslimanët janë terroristë.  Shqiptarët, që s’ka dy javë që kanë marrë vesh që një nga krerët e ISIS është bashkatdhetari i tyre, kanë frikë se mos sirianët do t’iu sjellin ISIS-in në Shqipëri. Shqiptarët janë gati të mirëpresin vetëm anglo-saksonë protestantë ose katolikë me xhepat plot.
Normalisht një popull që është përzjerë historikisht me helenë, romakë, bullgarë, serbë, turq, grekë, Italianë, gotë e fizigotë, keltë, vikingë dhe katalonjas, fenikas, rusë, armenë e persianë nuk duhet ta kishte shumë problem ruajtjen e pastërtisë racore. Po jo shqiptarët. Shqiptarët i kanë mbushur mendjen vetes që vijnë të papërzjerë etnikisht drejtpërdrejt nga Eva dhe Adami, nga perënditë e Olimpit, ose nga faraonët e Egjiptit, dhe se të tjerët, që nuk dihet nga e kanë origjinën, duhen mbajtur sa më larg kufijve. Ata mirëpresin vetëm racë të pastër arjane, nga ajo që kishte ndërmend të krijonte Hitleri.
Nuk di ç’të mendosh më parë kur sheh gjithë atë vrer që derdhet kundër imigrantëve, kundër refugjatëve në mediat dhe rrjetet sociale shqiptare. A thua është faji i pompimit ultranacionalist që iu është lënë në dorë folkloristëve me parrullat stadiumore “Oh sa mirë me ken shqiptar”? Apo është pasojë e edukimit (ose mungesës së tij) që ushqen gënjeshtra dhe budallallëqe mbi prejardhjen super të lashtë atlantiko-pellazgjiko-ilire? Apo ndoshta propagandimi i superioritetit të kombit, mbështetur në origjinën gjoja shqiptare të thuajse gjithë figurave të ndritura të historisë dhe aktualitetit, na ka bërë të ndihemi sikur jemi më të mirë se të tjerët?
Mund të jenë shumë shkaqe. Një gjë mund të konstatohet pa vështirësi – ne e kemi humbur ndjenjën e njerëzillëkut, ndjenjën e shpirtmadhësisë dhe dëshirës për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndjenjën e mikpriptjes dhe të besës. Them ‘e kemi humbur’ sepse as unë vetë nuk heq dorë nga fiksimi që dikur edhe mund ta kemi pasur. Ndoshta jam gabim.

Tuesday, June 5, 2018

Ambigu


Ndërthurje emocionesh në një galeri arti
Entela Konomi ka zgjedhur që galerinë e saj të artit në Montreal ta quajë “Ambigu”. Ambigu është një fjalë frëngjisht që ka kuptimin e përzjerjes, mpleksjes, ndërthurjes së disa gjërave. Për anglishtfolësit, duke datuar nga përdorimi i saj në shtresën e pasur angleze të shekullit të 17të dhe 18të fjala nënkupton një drekë apo darkë jo shumë formale, por gjithsesi të përgatitur mirë. Bashkë me nënshtresën e këndshme të humorit, emri i galerisë përmbledh në mënyrë kuptimplotë edhe thelbin e krijimtarisë artistike të piktores dhe emocioneve që ajo kërkon të përçojë.
E hapur në qendër të Montrealit, në një zonë ku nuk mungon aspak konkurenca me galeri të ngjashme arti, Ambigu paraqet gjithsesi një mikro-botë emocionale që shquhet për origjinalitetin dhe guximin e artistes. Porsa mbyll derën prapa teje ti e harron menjëherë zhurmën e rrugës nga ke ardhur, kafenetë dhe shitoret përreth dhe ndjehesh në një botë ndryshe.
Entela ka rreth dy vjet që është shpërngulur në Montreal dhe është ende në atë periudhë që quhet përshtatje. Por ajo nuk ka humbur aspak kohë - ka gjetur mënyrën se si ndjesitë dhe informacionin e ri ta përcjellë në telajo dhe kjo shprehet më së miri në ambigunë e saj.
Në galeri mbizotërojnë dy lloj punimesh – portretet dhe kompozimet. Por ndërsa portretet dëshmojnë teknikën dhe dashurinë e artistes për subjektet, kompozimet përbëjnë pa dyshim pjesën më interesante dhe më tërheqëse të punëve, si edhe, jo rastësisht, pjesën më të madhe të tyre nga ana numerike.
Interesant është fakti që edhe në kompozime subjekti i pikturave mbeten njerëzit. Por, në dallim nga portretet, ku fytyrat paraqiten realisht me gjithë tiparet e tyre, këtu njerëzve iu mungojnë tiparet e fytyrës dhe të trupit. Ato janë forma të përgjithshme, të cilat e shprehin vetveten jo përmes detajeve, por përmes volumeve, ngjyrave dhe lëvizjes së përgjithshme. Qëllimisht piktorja nuk merret fare me anën e jashtme të paraqitjes. Ajo hyn drejtpërdrejt në thelbin, në shpirtin e njeriut dhe përpiqet ta paraqesë pikërisht këtë thelb. Për Entelën nuk ka rëndësi dukja, rëndësi ka brendësia e shpirtit, tërësia e emocioneve, e vlerave njerëzore, e përvojës jetësore të çdo individi në kompozim. Sado e vështirë që të duket për t’u realizuar kjo, Entela arrin ta përçojë me shumë sukses, dhe këtu mendoj që qëndron vlera e punimeve të saj.
Entela është shumë e vëmendshme ndaj njerëzve, ndaj ndjenjave dhe emocioneve të tyre. Ajo parapëlqen që lëvizjen e saj të përditshme nga shtëpia në zonën urbane të Montrealit për në galeri, në zemër të qytetit, ta bëjë jo me makinë, por me metro dhe me autobuz. “Kjo më jep mundësi të njihem dhe të komunikoj me sa më shumë njerëz,” thotë ajo. I jep mundësi të kuptojë historitë njerëzore, ndjenjat dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në këtë vend ku ka ardhur për të jetuar. I jep mundësi të
Entela Konomi,
Quand le temps passe plus vite, 2017 / When Life Goes Faster, 2017
Huile sur Toile / Oil on canvas 91.4 cm X 152.4 cm 

përmbledhë emocionet e tyre dhe t’i përzjejë ato me emocionet dhe përvojave jetësore të njerëzve të vendit nga vjen. I jep mundësi të krijojë ambigunë e saj, përzjerjen e bukur të ndjenjave të njerëzve që ajo ka njohur gjatë jetës në Shqipëri dhe në Kanada. Pranë grave të moshuara shqiptare që shprehin gëzimin e jetës duke mbajtur në duar tufa lulesh (në kontrast befasues me atë që presim t’i shohim të mbajnë - tufa shkarpash apo degësh drush), do të gjesh një grua vendase që e percepton botën përmes prekjes, ndjen pulsing e jetës duke mbështetur duart mbi një mur. Përkrah njerëzve që rrëshqasin të shkujdesur në një liqen të ngrirë me një natyrë të ftohtë por tërheqëse, do të shohësh shpirtra të munduar që përpiqen të lëvizin drejt qendrave të mëdha por që nuk gjejnë dot atë për të cilën kanë ardhur, që thithen dhe villen rregullisht nga ftohtësia e metropoleve.
Entela Konomi, Le mur, 2017 / The Wall, 2017 
Huile sur Toile / Oil on canvas 91.4 cm X 152.4 cm
Mjaft e efektshme është edhe loja e piktores me volumet. Ndërsa ruan me besnikëri volumet dhe perspektivën e objekteve, ajo eksperimenton me njerëzit, duke i kthyer përmasat dhe ngjyrat e tyre në shprehje të karaktereve. Kur vjen te njerëzit, largësia dhe ruajtja e përpjestimeve s’ka pikë rëndësie. Teknika është mjaft e efektshme dhe ta jep plotësisht emocionin, duke të krijuar mundësinë të hysh në thellësi të shpirtit të njerëzve pa qënë nevoja për të parë tiparet apo shprehjet e fytyrave. Në këtë kuptim unë mendoj që Entela ka shumë guxim në përpjekjen e saj artistike dhe ky guxim shpërblehet me atë që është arritur artistikisht.
Galeria Ambigu është një oaz i freskët i shpirtit të një artisteje shqiptare në zemër të Montrealit. Nëse jetoni në Montreal, nëse jeni atje për një vizitë qoftë edhe të shkurtër, do t’iu rekomandoja që të mos e humbisnit rastin për ta parë. Nuk do të zhgënjeheni.

Saturday, May 5, 2018

Pse Pesë Maji?

Amerikanët i kujtojnë dëshmorët e luftrave të tyre të hënën e fundit të muajit Maj. Tradita ka lidhje me Luftën Civile (1861-1865) dhe i kushtohet të vrarëve në të dy anët, Veri dhe Jugë, fitimtarë e të humbur. Janë të gjithë amerikanë dhe nderohen njëlloj. Data është caktuar paksa arbitrarisht, duke u bazuar në traditën e nderimit të varreve të të rënëve që filloi njëkohësisht me luftën.
Në Britani, Kanada, Australi dhe vendet e tjera të Komonuelthit të vrarët përkujtohen në 11 Nëntor, ditën e mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Atë ditë nderohen të rënët e të gjitha luftërave, përpara dhe pas saj.
Tek ne si Ditë e Dëshmorëve përkujtohet Pesë Maji. Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit, zyrtarë të lartë dhe politikanë vazhdojnë traditën e filluar nga Enver Hoxha me vizita e veprimtari të tjera solemne, ndërkohë që shumica jonë e marrim këtë datë si të mirëqënë, pa e vrarë mendjen përse dhe nga kush është zgjedhur ajo, çfarë përfaqëson dhe a është e drejtë të vazhdohet të respektohet.
Data u caktua nga Enver Hoxha për të përkujtuar vrasjen e Qemal Stafës, një ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Do të ishte e pafrytshme të debatoje për vërtetësinë e varjanteve të shumtë të vrasjes (ose vetvrasjes) së Qemal Stafës dhe rolin e Enver Hoxhës në të. Prandaj është më mirë të mbështetemi vetëm te ato pika ku pajtohet pjesa dërrmuese. Për shembull, që Qemal Stafa është vrarë mëngjesin e 5 Majit 1942 duke u përpjekur të largohet nga një shtëpi në Tiranë ku kishte qëndruar një natë më parë dhe pasi dikush e kishte spiunuar. Ai ka qënë në ikje dhe, nëse plumbi e ka marrë në trup dhe e ka hedhur poshtë, apo e ka marrë në këmbë dhe ai pastaj ka vrarë veten, s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ai nuk është vrarë duke kryer heroizëm, por duke ikur.
Edhe nëse e ka spiunuar Enver Hoxha apo dikush tjetër nuk ka ndonjë rol me peshë në caktimin e tij si kryehero. Nuk kanë peshë (të paktën në mbështetje të kësaj date) as motivet që e shtynë Enver Hoxhën ta caktonte ditën e vrasjes së Stafës si ditën më të rëndësishme për të përkujtuar të dëshmorët dhe heronjtë e kombit në të gjitha kohërat. Enver Hoxha kishte për borxh të mohonte gjithë historinë e Shqipërisë që të nxirrte mbi gjithçka luftën e komunistëve me atë vetë në krye.
Por nëse bijen rrethanat e vrasjes dhe motivet për zgjedhjen e kësaj date, atëherë përse vazhdon të nderohet figura e Qemal Stafës? Mos vallë ai, si figurë historike e meriton këtë nder pavarësisht nga rrethanat e vrasjes dhe motivet e njerëzve që e zgjodhën për ta nderuar?
Kur u vra, Qemali ishte komunist. Ai ishte anëtar i një partie e cila në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore u gjend në luftë të armatosur jo vetëm me pushtuesin, por (ose veçanërisht) edhe me parti të tjera shqiptare – Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Ishte gjithashtu një ndër themeluesit e një partie e cila dihet mirëfilli se u krijua (të paktën) nën kujdestarinë e dy të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Qemal Stafa nuk përfaqësonte dhe s’kishte se si përfaqësonte të gjithë popullin shqiptar në luftë. Ai përfaqësonte vetëm partinë e tij, vetëm Partinë Komuniste. Në këtë vështrim, pra duke marrë parasysh faktin që ai përfaqëson vetëm një parti politike dhe veprimtaria e tij lidhet ngushtë me këtë parti politike, zgjedhja e tij si figurë për të përfaqësuar të gjithë dëshmorët e kombit është e gabuar. Më e udhës do të ishte të nderohej një simbol që përfaqëson të gjithë dëshmorët, të gjithë heronjtë dhe, natyrisht, të gjithë popullin dhe jo eksponentin e një partie të zgjedhur në mënyrë arbitrare nga kjo parti, ose më saktë nga kreu i kësaj partie.
Qemal Stafa mori pjesë në mbledhjen e themelimit të Partisë Komuniste në Nëntor 1941. Përpara kësaj date dhe pas saj, deri ditën kur u vra, nuk dihet të ketë pasur ndonjë veprimtari të veçantë në shërbim të atdheut. Dihet vetëm që është arrestuar dhe gjykuar një herë në Janar të vitit 1939 – një gjyq i propaganduar nga komunistët si diçka e jashtëzakonshme, veçanërisht me klishenë e stërpërsëritur që “ai u kthye nga i akuzuar në akuzues”. As historia e gjyqit dhe as skicat e tij letrare nuk përbëjnë bazë heroizmi dhe arsye për nderim të veçantë. Të kesh qënë kundër Zogut nuk përbën heroizëm kombëtar, siç nuk përbën heroizëm të qënit kundër Edi Ramës, apo Sali Berishës. Padyshim, sistemi i drejtësisë në kohën e Zogut bënte gabim të pafalshëm që burgoste një të ri për veprimtari dhe bindje politike, por kjo nuk e bën Qemal Stafën hero.
Qemal Stafa doli nga burgu kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Pak muaj më vonë ai boton në gazetën “Fashizmi” (e Djelë, 1 Tetor 1939) shkrimin me mbresat e veta nga jeta e burgut të titulluar “Rreze Frëngjijash”. Nga shkrimi dhe nga organi që ka zgjedhur për ta botuar atë (gazeta “Fashizmi”) duket qartë se Qemal Stafa i sheh robëruesit e atdheut të tij dhe fashizmin në përgjithësi si shpëtimtarët e vet personalë, qëndrim ky që s’duket as heroik, as atdhetar. Natyrisht, fashizmi ia shperbleu mirënjohjen duke i dhënë të drejtën të studionte në Itali – fakt ky shpeshherë i anashkaluar nga hostorigrafia komuniste. A mund të shpallet Hero i Popullit dhe kryedëshmor pikërisht një njeri që e sheh pushtimin e vendit të vet nga fashistët si diçka pozitive, vetëm e vetëm se ai i shërbeu interesit të tij vetjak? A mund të shpallet hero një njeri që mundohet të përfitojë nga pushtuesit?
Fakti që dy vjet më vonë Qemal Stafa filloi veprimtarinë kundër Italianëve i renditur në rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, nuk i jep atij ndonjë meritë të veçantë. Ky fakt i jep më tepër meritë tezës historike që në vitin 1941 Moska (e cila deri Qershorit të atij viti nuk kishte lëvizur as gishtin kundër fashizmit) ndihej nën presionin e agresionit Gjerman kundër saj dhe po përpiqej të organizonte sa më shumë qëndresë kundër koalicionit Berlin-Romë. Në këto përpjekje përfshihet, padyshim, edhe krijimi i PKSHsë në Nëntor 1941, si edhe veprimtaria e Qemal Stafës brenda saj. Pra, me vetëdije apo jo, Qemal Stafa ka kaluar nga miratues i fashizmit, në një veprimtar (aktiv ose jo) i lëvizjes komuniste ndërkombëtare, orkestruar nga Moska nëpërmjet Beogradit. Vështirë të gjesh në veprimtarinë e Qemal Stafës tipare të heroizmit dhe sakrificës për atdheun që ta cilësojnë atë jo vetëm dëshmor, por edhe Dëshmor të Dëshmorëve, në atë shkallë saqë vdekja e tij të përcaktojë datën e përkujtimit të të gjithë të rënëve për atdhe.
Caktimi i ditës së vrasjes së Qemal Stafës si Dita e Dëshmorëve tingëllon pavend dhe nënvlerësim edhe ndaj atyre që e meritojnë një nder të tillë. Ata janë të shumtë, por unë do të veçoja Mujo Ulqinakun, i cili bashkë me Abaz Kupin dhe heronjtë e tjerë që luftuan përkrah tij, sakrifikoi dhe u vra heroikisht në 7 Prill 1939 duke i bërë qëndresë pushtimit italian. Mujo Ulqinaku është ndër figurat më pak të vlerësuara në historinë e Shqipërisë - në një kohë kur ai është hero me përmasa të jashtëzakonshme. Nuk besoj se ka heroizëm më të madh, shenjë më të qartë atdhedashurie dhe vetëmohimi se sa të dalësh me një grusht njerëzish dhe të përpiqesh t’i tregosh një prej ushtrive më të mëdha të kohës se je kundër pushtimit. Mujo Ulqinaku ishte oficer i marinës shqiptare dhe e dinte mirë se çfarë fuqie po sfidonte duke u vënë përballë marinës ushtarake italiane. Megjithatë, ai as u tremb dhe as u tërhoq, por qëndroi si burrat. Për orë të tëra një nga fuqitë më të mëdha të kohës mbeti e gozhduar, pa mundur të bënte përpara, aq sa më vonë ushtarakë të lartë Italianë do të deklaronin se, jo e gjithë ushtria shqiptare sikur të kishte rezistuar, por edhe një repart zjarrfikësish të kishin qënë, do ta kishin rrezikuar seriozisht pushtimin.
Shembulli heroik i Mujo Ulqinakut i nevojitet popullit dhe, veçanërisht ushtrisë sonë. Që nga krijimi i shtetit shqiptar, forcat e shtetërore ushtarake shqiptare nuk kanë shfrytëzuar edhe aq shumë raste për të justifikuar ekzistencën e tyre dhe pjesën e buxhetit që kanë thithur nga shteti dhe populli në kohë paqe. Përkundrazi, në shumë raste, kur iu është dashur të tregojnë forcë dhe trimëri, ata kanë parapëlqyer të tërhiqen, të dezertojnë. Jo vetëm Prilli i vitit 1939 që e pa ushtrinë shqiptare të shpërndarë, por edhe më vonë, nënshtrimi i plotë i të gjithë klasës së ushtarakëve ndaj klikës së Enver Hoxhës, bindja si delet për të hequr gradat dhe çdo gjë tjetër që iu kërkonte diktatori të hiqnin në vitet 1970të; dezertimi i turpshëm në 1997tën dhe lënia e depove të armëve dhe armatimeve në dorë të banditëve dhe rrugaçëve, të gjithë këto raste flasin për mungesë frymëzimi dhe atdhedashurie në rradhët e ushtrisë shqiptare. Heroizmi i Mujo Ulqinakut do të ishte vërtet një shtytje për moralin e ushtrisë dhe të gjithë shqiptarëve.
Ndoshta më mirë se në 5 Maj, do të ishte që Ditën e Dëshmorëve ta përkujtonim në 7 Prill – ditën kur u vra një hero i vërtetë, një dëshmor i vërtetë, një njeri me vlera të veçanta. S’ka dyshim që mund të ketë edhe heronj të tjerë që përfaqësojnë gjithë kombin. Mujo Ulqinaku nuk i përkiste dhe nuk i përket asnjë partie. Ai shërbente në Ushtrinë Shqiptare dhe luftoi edhe pasi mbreti u largua nga vendi. Ai luftoi kundër pushtuesit dhe u sakrifikua për popullin e tij – as për komunizmin, as për Bashkimin Sovjetik, as për Moskën, as për Beogradin, as për Londrën, as për Athinën. Ai është hero i vërtetë, i pastër shqiptar që ra në betejë si hero në një datë historike që është e dhimbshme për të gjithë ne.
(Shënim: Shkrimi është  botuar fillimisht te Mapo në 5 Maj 2014.)

Wednesday, April 18, 2018

Ekzorcizëm me cellular


(Bijtë e shqipes në pararojë të shkencës së shekullit 21)
Sipas Reuters këtë javë në Romë po zhvillohet ku
rsi një-javor i ekzorcistëve. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë ekzorcist: përfaqësues i fesë që mendohet se ka aftësi të largojë djallin ose shpirtin e keq nga trupi i dikujt. Për ata që nuk e dijnë që kjo praktikë ekziston ende në shekullin e 21të: po, ekziston dhe sponsorizohet edhe nga Vatikani.
Kursin e organizuar në Romë e ndjekin kryesisht priftërinj katolikë që do të dëgjojnë leksione që varjojnë nga magjia në Afrikë, deri te ndryshimi midis syrit të keq dhe sëmundjeve mendore. Natyrisht, kursi përmban edhe udhëzime të hollësishme për mënyrën e largimit të shpirtit të keq.
Sipas Reuters, nteres të veçantë në ditët e para ka ngjallur Kardinali shqiptar Ernest Simoni me një leksion mbi largimin e shpirtit të keq përmes telefonit celular.   
‘Më marrin në telefon dhe flasim. E bëjmë nëpërmjet celularit,’ sqaron për Reuters-in Kardinali 89 vjeçar shqiptar, duke shpjeguar se si ua lexon përmes telefonit lutjet Latinisht viktimave që i ka mbërthyer shpirti i keq.
Nuk jepen shifra të sakta, por Kisha Katolike thotë se numri i atyre që iu ka hyre dreqi në bark ka ardhur duke u shtuar.
‘Vitet e fundit është shtuar numri i ritualeve ekzorciste, gjë që shpjegohet me shtimin e kërkesave për t’i kryer ato,’ thotë Profesor Xhuzepe Ferrari, organizator i “Kursit të Ekzorcismit dhe të Lutjeve të Çlirimit”.
Ndihmës Ekzorcistë
Në kurs do të ligjërojnë jo vetëm ekzorcistë të licensuar, por edhe teologë, psikologë, mjekë, kriminologë dhe historianë të kishës. Në fund, studentëve pjesmarrës, mes të cilëve ka edhe gra, do t’iu jepet nga një certifikatë, megjithëse kjo, sipas Profesor Ferrarit, nuk iu jep atyre automatikisht të drejtën që të dëbojnë shpirtrat e këqinj. Ekzorcizmin mund ta kryejnë vetëm priftërinjtë, pasi të kenë marrë leje me shkrim ose certifikatë nga peshkopi. Të tjerët janë thjesht Ndihmës Ekzorcistë.
Kardinali shqiptar Simoni ka sqaruar se ekzorcizmi do të kryhet vetëm pasi mjekët të mos jenë në gjendje të shpjegojnë se çfarë po ndodh me njeriun që mendohet se është ngërthyer nga shpirtrat e këqinj.
“Ka shumë rëndësi që të jemi të kujdesshëm,” thotë ai, duke theksuar se ai e shihte veten thjesht si një instrument i një fuqije më të lartë.
Nuk mund të mbyllet ky lajm i gëzuar pa vargjet e famshme:
Rreth e rrotull kish marrë nam
Dor’ e hoxhës tul e dhjam
Se shëronte fëmijë e pleq
Nga lugati e syni i keq
Ky i sotmi nuk është hoxhë, po prift
Lajmi është marrë nga Reuters:
https://www.reuters.com/article/us-religion-exorcism/exorcism-by-cellphone-beating-the-devil-in-the-21st-century-idUSKBN1HN1WK