Tërheqje apo tolerancë?
Arben Kallamata
Quajeni Xhihad. Quajeni Kryqëzatë. Quajeni si të doni. Ashtu si pa u ndjerë, në fillim me ndrojtje dhe me butësi, më vonë më me egërsi, falangjet e luftës fetare i janë përveshur pa mëshirë çdo shenje të mendimit ateist apo të shkëputur nga feja në Shqipëri. Duke mos lëshuar për asnjë çast nga dora mburojën e të persekutuarit nga Komunizmi, ata kanë ngritur shpatën dhe po godasin vlera dhe figura të mirëfillta të kulturës kombëtare. Gjithçka që shihet si e pafe, konsiderohet e padenjë, pavarësisht se mund të jetë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të një populli që s’e ka pasur fenë përparësi. E, ndërsa çoroditja nga vorbulla e misionarëve fetarë të të gjitha ngjyrave po sjell pasoja të hidhura, deri në jetë fëmijësh, pak kush guxon të ngrerë zërin dhe të thotë: ku po na çon ky vrull fetar? Sa hapa prapa po bëjmë? A ka ardhur koha të ndalemi dhe të mendojmë? A kemi dot guximin ta shprehim hapur mendimin kur ai bije ndesh me vijën e kishës apo te xhamisë te sheshi përballë?
Këtë seri shkrimesh mbi marrëdhëniet ose mungesën e marrëdhënieve të shqiptarëve me fene kam ndarë në katër pjesë: 1. “Xhihad” multifetar kundër ateizmit; 2. Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët; 3. Ateizmin nuk e kanë shpikur shqiptarët.; 4. Feja dhe morali i shoqërisë – Disa argumenta për moralin e ateistit.
1. “Xhihad” multi-fetar kundër ateizmit
Kur në shtyp, në diskutime politike, por edhe në biseda të lira trajtohen fetë, raportet dhe marrëdhëniet midis tyre, mungesa e besimit dhe ateizmi anashkalohen. Të krijohet përshtypja sikur njerëzit nuk janë të lirë të diskutojnë për to. Ateizmi apo mungesa e besimit fetar janë kthyer gati në tabu të reja të një shoqërie që praktikisht përbëhet nga një shumicë që nuk ndjejnë afërsi me fenë në përgjithësi dhe praktikat e ritet fetare në veçanti. Shumë njerëz që nuk besojnë e ndjejnë veten në vështirësi që ta pranojnë hapur një gjë të tillë dhe, ose heshtin, ose i bijen shkurt duke u deklaruar mjegullt si pjestarë të njërit nga grupimet fetare.
Praktikisht, në Shqipëri veçanërisht pas viteve 1960të, por edhe qysh më herët janë rritur dhe vazhdojnë të rriten breza tek të cilët, për arsye të ndryshme ndikimi i fesë ka qënë pothuajse i pandjeshëm. Madje edhe një pjesë e mirë e atyre shqiptarëve që shprehen se i përkasin komuniteteve të caktuar fetarë vazhdojnë të jenë po aq (ndoshta edhe më tepër) indiferentë ndaj feve sa kanë qënë historikisht. Vështirë të dallosh në sjelljet shoqërore të shumicës së shqiptarëve gjurmë të drejtpërdrejta të përkushtimit fetar, të zakoneve, të mendësive dhe sidomos, të ndalimeve e kufizimeve që sjell feja. Mjaft të përfytyrojmë se sa mund të jetë te ne numri i “muslimanëve“ shqiptarë që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, apo që s’fusin në gojë alkool e mish e derri gjatë gjithë pjesës tjetër vitit. Ose të kërkojmë se ku janë të krishterët shqiptarë që nuk ulen të hanë bukë pa bërë lutjen e që veshin rrobat më të mira çdo të djelë për të shkuar në kishë. Më shpesh do të gjejmë nga ata që s’para e lodhin mendjen shumë me arsyetime teologjike; njerëz që përdorin pa u menduar gjatë fjalën “Zot”, por që festojnë gjithë qef ditët e festave fetare të çdo feje. Si mund të shpjegohet, atëherë pozicioni i tërhequr, gati si prej fajtori i jo-fetarëve, në një kohë kur njerëzit e fesë duket se janë vënë në garë sulmi kundër tyre dhe gjithçka ata përfaqësojnë?
Së pari ateistët janë përpjekur të tregojnë tolerancë dhe t’i hapin rrugë shprehjes së besimit fetar deri vonë të mohuar nga komunizmi. Duke pasur parasysh pasojat e ekstremizmit anti-fetar të komunizmit, traumat që solli dhuna kunder institucioneve fetare, ateistët e sotëm në Shqipëri përgjithësisht e kanë kuptuar se fesë dhe lirisë së besimit i duhej dhënë një shans, se në kushtet e një shoqërie demokratike duheshin respektuar të drejtat dhe parapëlqimet e individëve për të zgjedhur (mos)besimin e tyre. Pra, tërheqja është së pari shenjë tolerance. Së dyti, në Shqipëri, ashtu si edhe në shumë vende të tjerë të botës, ateizmi gabimisht ose qëllimisht u barazua me komunizmin. Shenja e barazimit i ve shumë njerëz jo fort të qartë për natyrën e bindjeve të tyre në pozicion të pafavorshëm, në një kohë kur pranohet nga pjesa dërrmuese se komunizmi ishte një sëmundje e keqe. Në këtë rast tërheqja është mungesë dije dhe ndërgjegjësimin për (mos)bindjet.
Duke e rreshtuar veten në kategorinë e parë, domethënë të atyre që me ndërgjegje kanë parapëlqyer t’iu hapin rrugë dhe t’i krijojnë mundësi zgjedhjeje të gjithë atyre që duan të besojnë, unë përkrah idenë se zgjedhja e lirë e besimit (përkatësisht mosbesimit) përbën një nga elementët më thelbësorë të lirisë dhe demokracisë. Me këtë bindje, besoj dhe pres që të shoh shenja të ngjashme tolerancë nga ata që besojnë te Krishti katolik, ortodoks, jehova, protestant, baptist etj.; te Muhameti suni apo sufi.
Me këtë bindje pres të pranohet përgjithësisht fakti që shumica e shqiptarëve janë jo-besimtarë; se numri i atyre që nuk shkelin as në xhami, as në teqe dhe as në kishë është shumë më i lartë se numri i besimtarëve dhe se breza të tërë të lindur nga martesat ndërfetare është vështirë të përcaktohen si popullsi që i përkasin një feje të caktuar. Kam qënë dhe jam i mendimit se e vërteta e pamohueshme (ndonëse ende e paprovuar me regjistrim real të popullsisë) që shqiptarët janë më së shumti jo-fetarë i bën shumë më tepër nder dhe iu leverdis shqiptarëve më shumë si strategji politike kombëtare se sa gënjeshtra e madhe që vazhdon të qarkullojë sipas së cilës popullsia në Shqipëri ndahet me thikë në 70 përqind muslimane, 20 përqind Ortodokse dhe 10 përqind Katolike.
Me sa duket këtë të vërtetë nuk janë gati ta pranojnë as klerikët dhe as politikanët, që ende nuk po e gjejnë veten të aftë të regjistrojnë një popullsi prej vetëm 3.2 milionë frymësh dhe ta pyesin thjesht: a besoni në ndonjë fe dhe, nëse po, në cilën? Por më e keqja është që kjo pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare (qoftë shumicë apo pakicë) po trajtohet pa respekt e, më së shumti me urrejtje nga ana e disa përfaqësuesve fetarë. Po trajtohen pa respekt edhe ato zona të kulturës shqiptare që nuk i përkasin asnjë feje, apo i përkasin një feje kundërshtare.
Toleranca dhe tërheqja e kulturuar e ateistëve në fillim të viteve 1990 u keqkuptua nga sipërmarrës fetarë që nxituan të derdhin fonde dhe të shpërdorojnë burime në një garë të çuditshme për të mbjellë kisha e xhami në çdo cep të vendit. Misionarë e rekrutues të të gjitha përkatësive, që nga fetë që kishin lëshuar tradicionalisht rrënjë në vend e deri te Dëshmitarët e Jehovait, që nga varjantet arabe të muslimanizmit e deri te budistët, që nga bahajt e deri te hinduistët hapën sulmin e tyre të gjerë për të plotësuar boshllëkun ideologjik që po linte pas komunizmi e për t’ia kaluar njeri-tjetrit në mbushjen me rekrutë të rradheve të besimtarëve. Armë efektive të kësaj fushate u bënë bateritë e thasëve me plaçka të përdorura; breshëritë e vizave për jashtë shtetit apo silurët e bursave të studimit në shkolla e seminare fetare që nga Italia e Greqia e deri në Malajzi. Rekrutë me prejardhje tradicionale Katolike apo Ortodokse përfunduan nëpër medrese, ndërsa Fatmir-ët, Ali-njtë dhe Resul-ët shkëlqyen në lëndët teologjike të seminareve të krishtera. S’kishte rëndësi feja që zgjidhje. Kishte rëndësi bursa e studimit jashtë shtetit. Silurët e bursave u pasuan nga qitjet me ferexhe, roba e veladone, këmisha të bardha e kollare të zeza e botime librash të shkruara me një shqipe për të qarë hallin. Nuk munguan në këtë pamje groteska shëtitjet terren-zhbiruese të misionarëve që hidhnin me dhjetra mijëra dollarë pëpër helikat e helikopterëve që fluturonin grupe kryqtarësh nëpër katunde të humbur të Malcisë së Madhe. Por asgjë nuk mund të krahasohej me artilerinë e rëndë: ndërtimin pa fre të objekteve të kultit në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo cep, në çdo shesh qëndror qyteti, ndërkohë që shqiptarët e shkretë thyenin dyert e dyqaneve të bukës dhe përshtatnin bunkerët e Enver Hoxhës për apartamente banimi.
Nuk ka asnjë dëshmi që të na bindë se këta përhapës të zellshëm të fjalës së Zotit ta kenë vranë mendjen se ndërtimi i një kishe këtu, përballë asaj xhamisë atje, mund të ngjallte konflikte të panevojshme. (Mjafton të kujtojmë mëritë që plasën në Shkodër, në të cilat u përfshinë, për turpin e tyre, edhe qarqe “intelektualësh fetarë“ që i dërgonin letra Papës dhe Këshillit të Europës për t’u qarë se feja konkuruese po e ngrinte objektin e kultit më të madh, ndërkohë që qyteti i tyre i bukur zhytej sistematikisht në errësirë, baltë, zhul, papunësi dhe mjerim.) Nuk ka asnjë shënjë që të na bëjë të mendojmë se pjesmarrësve të garës “Ti e bëre xhaminë e madhe, unë do ta bëj kishën edhe më të madhe” t’u ketë shkuar ndonjëherë ndërmend se popullit do t’i kishte leverdisur më shumë që ato para të ishin derdhur për ndonjë spital, gjenerator elektrik, ujësjellës apo rrugë.
E ndërsa shumë intelektualë janë shushatur dhe nuk guxojnë të reagojnë, nga frika se mos etiketohen si komunistë, ekstremistët fetarë kanë marrë vrrull dhe përpiqen të përfitojnë terren, pavarësisht se nganjëherë ky vrrull “hyjnor” merr përpara edhe simbole të kulturës shqiptare. Një farë Monsinjor Zef Simoni, Ipeshkv ndihmës ne Arqipeshkvinë e Shkodrës ngre mallkimin me keqdashje kundër një prej idhujve të letrave shqipe, Migjenit (Migjeni, përkrahës i një bote pa Zot e i një shoqnie pa religjion). “Mbi të gjithë poetët e brezit të quejtun të vjetëve 1930,” shkruan Simoni, “do të ishte jo i patalent Millosh Gjergj Nikolla…Migjeni pati jetën e shkurtë. Në kohën tonë të lirisë së besimit, mund të shprehemi: Kështu desh Zoti për atë.” Cinizmi dhe mungesa e ndjenjës në fjalinë e fundit të ngjeth mishin. Urrejtja dhe hidhnia e këtij prifti ndaj jetës së një qenieje njerëzore e ka burimin thjesht te mungesa e besimit të Migjenit te feja. Migjeni dhe Kadareja goditen nga anatema fetare e Zef Simonit jo për vlerat letrare artistike, jo për atdhetarinë e tyre, jo për qëndrimin ndaj problemeve shoqërore, por për mungesën e besimit, për ateizmin. Mallkimi është llogaritur t’i drejtohet të gjithë shqiptarëve që nuk besojnë te zoti katolik i Monsinjor Simonit. Fatmirësisht, shkrimi i Simonit u prit me një reagim tepër të fortë nga të rinj dhe njerëz të ndjeshëm për vlerat e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Qëndrim pothuajse të njëjtë mbajnë edhe kolegët e Zef Simonit në kampin musliman. “Ateizmi shkakton ikje nga vetvetja, duke bërë që individi të kërkojë arratisje nga mendime tmerruese dhe dërmuese, kështu që fillon të kërkojë strehim duke u dëfryer, duke u kënaqur me gjëra të kota dhe që sjellin largim nga realiteti siç janë barërat, alkooli, drogat dhe mjetet tjera shkatëruese si për individin ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Ateizmi paraqet degradim të dinjitetit njerëzor,” shkruan Arlind Gusinja te Jeta pa fe është projekt pa garanci ( Albislam.Com). Siç shihet në këto bashkim të përçartur fjalësh, ateistët paraqiten si njerëz pa ekujlibër, gjysëm të çmendur dhe burim vesesh. Ndërsa Mexhit Yvejsi nga Bashkësia Islame e Kosovës është i bindur se ajo “...pjesë e intelektualëve (shqiptarë) që përqafoi ateizmin jetoi me shumë fytyra, por pa sy! (Feja në fjalorin e sotmë të gjuhës shqipe). Shprehje të tilla nuk kanë nevojë për koment.
Nuk mbetet pas as prifti pa grigjë e pa kishe Foti Cici që e kalon pjesën më të madhe të kohës duke mbushur me një sintaksë të çuditshme faqe interneti. Cici iu përvishet pa hezitim dhe i barazon në një “etërit e kombit-shtet” që “dështuan të na trashëgojnë fenë mbarëshqiptare të premtuar prej tyre,” me “komunistët (që) u gënjyen edhe më” dhe arrin në përfundimin se “mbetjet e ateizmit të institucionalizuar janë sot çastet më vendimtare në trazirat shpirtërore të shqiptarëve prej Shqipërie.” (Atë Foti Cici, Korrieri 28 Prill 2004). Për Foti Cicin nuk kanë pikë rëndësie as pavarësia kombëtare, as rilindja e kombit, as vetëdija shqiptare. Për të ka rëndësi vetëm besimi i verbër te feja e tij ortodokse. Për të gjithë këta udhëheqës fetarë, mungesa e besimit te ato që predikojnë ata të çon në gjithfarë aktesh të çmendura dhe është burim i gjithë të këqijave që e kanë kapur sot kombin.
Ky “xhihad” i koordinuar i feve kundër një armiku të përbashkët, ateizmit, jo vetëm që nuk ka asnjë bazë logjike e shkencore, jo vetëm që nuk mbështeten në rezultate studimesh e anketimesh, por nuk merr fare parasysh ndjenjat, bindjet dhe parimet e një pjese të madhe të shoqërisë së sotme shqiptare. Ligjërisht ai shpërfill edhe të drejtën elementare kushtetuese që ka çdo individ në një shtet laik si Shqipëria që të besojë apo të mos besojë në çfarë të dojë.
Në vijim të shkrimit do të përpiqem të argumentoj se ateizmin nuk e kanë shpikur as komunistët, as shqiptarët. Është e vërtetë që komunistët e shfrytëzuan ateizmin si mjet për t’i hapur rrugë zëvendësimit të feve (ideologjive) ekzistuese me ideologjinë (fenë) e tyre (komunizmin), por ata gjetën te shqiptarët terren tepër të përshtatshëm. Ndonëse jo ateistë në kuptimin e vërtetë të fjalës, shqiptarët ishin një popull që historikisht kishte treguar lidhje të dobëta me fenë. Gjithashtu, dëshiroj të sjell argumenta se ateizëm nuk do të thotë mungesë morali, se ateistët janë njerëz si gjithë njerëzit e tjerë; se ata janë qenie të vetëdijshme shoqërore për të cilët normat e të mirës dhe të keqes nuk kanë lidhje me besimin te ndonjë fe e caktuar.
No comments:
Post a Comment