(Shënime për librin e Pëllumb Kullës: “Vdekja e Enver Hoxhës”)
Arben Kallamata
Nëse perversiteti i shoqërisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë do të mund të paraqitej me një kurbe grafike, pika kulmore do të binte padyshim në 11 Prill të vitit 1985. Deri në atë pikë çdo përsosje e perversitetit ka ardhur në rritje. Pas saj, pavarësisht nga përpjekjet, gjeneruesit e maskarallëkut duket se s’e patën më forcën e ideatorit dhe frymëzuesit të tyre për ta shtuar, ose të paktën, ruajtur intensitetin.
Pikërisht rreth kësaj pike, rreth ndodhjes, ose shpalljes së vdekjes së kryepervertit ka gjetur Pëllumb Kulla t’i vendosë ngjarjet e romanit të tij të fundit “Vdekja e Enver Hoxhës” (Shtëpia Botuese “Arbëria”, Tiranë, çmimi 650 Lekë).
Te “Vdekja e Enver Hoxhës” Kulla tregohet analitik, i pamëshirshëm, i mprehtë dhe thuajse i paarritshëm në shkallën e humorit. Libri hapet me një grimjer kinostudioje që, krejt papritur, thirret për një shërbim të pazakontë: makjimin e fytyrës së udhëheqësit të vdekur, vdekja e të cilit nuk është shpallur ende dhe s’dihet se kur, ose nëse do të shpallet (ndonjeherë). Nga kinostudioja, në periferi të Tiranës, bashkë me grimierin, lexuesi dërgohet drejt e në qendrën e thurrjes së intrigës kombëtare, në vilën e Hoxhave, pranë një kufome që s’duan ta lënë të dekompozohet. Këtu fillon loja. Betimi, grimier, ndodhet në një situatë sa të frikshme, aq edhe komike. Ai përpiqet të marrë vesh se kush e luan topin, kush është komandant dhe kush është ushtar. Njerëz që, deri pak çaste më parë kanë qënë gati t’i bijen me shkelm, tani i servilosen. Dikush tjetër i sillet me njerëzillëk, gati edhe i lutet, por edhe e kërcënon se do ta zhdukë me soj e sorrollop. Por, mbi të gjithë, në atë bodrum kallkan intrigash mbretëron padiskutim ajo, shtriga me rroba të zeza – kalkuluese, gjakftohtë, e prerë, e qartë në atë që do të arrijë. Udhëheqësi ka vdekur, por s’duhet të vdekur. Të gjithë duhet të përgatiten, asnjeri s’duhet ta marrë vesh. Duhet organizuar me dinjitet varrimi, ndërkohë që duhet t’i mbyllen shtigjet thashethemeve për vdekjen dhe, sidomos, ndonjë rrëmuje apo, largqoftë, trazire që mund të ndodhë nga hutimi. Në veprim është vënë e gjithë makineria propagandistike e një shteti supergënjeshtar, që nga lajmet e rreme, deri te përdorimi i sozisë. Nuk ka asnjë shenjë ndershmëri, asnjë gjurmë skrupulli, asnjë hije ndërgjegjeje.
Më tutje Kulla e hap lojën jashtë kryeqytetit, në një rreth të jugut, ku duhet përgatitur vajtimi për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, për të cilin është thënë se s’ka vdekje, por që në fakt ka vdekur dhe që asnjeri nuk duhet ta dijë se ka vdekur, derisa t’i shpallet zyrtarisht vdekja, gjë që do të bëhet vetëm kur të jenë marrë masat e sigurisë e të jetë përgatitur nderimi si duhet i vdekjes nga njerëz që nuk duhet ta dijnë se ajo ka ndodhur.... Eshtë një terren ku Pëllumb Kulla ndjehet më mirë se kudo dhe pena e tij rrjedh lirshëm, duke të ngacmuar humorin, ndezur fantazinë dhe, njëkohësisht duke të bërë të mendohesh e, ndoshta edhe t’i bijesh kokës me grushte. Por mbi të gjitha, eshtë një operim mbi realen, mbi diçka që ka ndodhur, ose mund të ketë ndodhur vërtet, mbi ngjarje të cilat, për ata që e kanë jetuar vitin 1985 nuk kanë asgjë të tepruar. Njerëzit në rrethin jugor nuk marrin vesh ç’bëhet: Sekretari i Parë i Partisë për rrethin iu thotë të përgatiten për vdekjen e Enver Hoxhës që sipas tij nuk ka vdekur, ndërkohë që ata që duhet të përgatiten janë të bindur që Hoxha nuk vdes kurrë. Ta dëgjojnë sekretarin, apo të dyshojnë se është ndonjë komplot armiqësor kundër udhëheqësit? Dyshues, të trembur, i drejtohen Degës së Punëve të Brendëshme, ku kryetari i Degës del se mbështet Sekretarin. A i qetëson njerëzit kjo? Në asnjë mënyrë. Sepse, s’është fare çudi që si Sekretari i Parë, ashtu edhe kryetari i Degës të jenë pjesë e Komplotit. Këta njerëz kanë parë Ministra të Brendshëm, Kreministra, e çfarëdolloj rangu që të dalë komplotist, jo më një Sekretar Partije, apo një Kryetar Dege rrethi. Puna arrin deri atje sa Partia detyrohet të lëshojë zërin e Nexhmijes të regjistruar për të bindur njerëzit që të fillojnë përgatitjen për vajin. Mirë, po sipas mësimeve të Enverit, kushdo mund të jetë komplotist. Dilema këtu arrin në caqet e dhimbjes. Në përfytyrimet e njerëzve të vitit 1985 ishte më e mundshme, të qe komplotiste Nexhmija, se sa të kish vdekur Enveri!
Çoroditja me hierarkinë e pushtetit në një shtet që nuk respekton as ligje dhe as rregulla vazhdon në pjesën e dytë, pasi është shpallur vdekja dhe eunukët e Byrosë Politikë i nënshtrohen grimimit për t’u paraqitur sa më të lodhur e të dërrmuar nga goditja e rëndë. Aty grimieri mëson se të gjithë, duke përfshirë edhe atë që do të bëhet Sekretar i Parë i KQ të Partisë, janë kukulla në duart e Nexhmije Hoxhës dhe kamzhikmbajtësit të saj, të cilin nuk e di përse, po Kulla e ka paraqitur me pseudonim. Në fakt, Pellumbi përdor vetëm dy emra realë në roman, Enver dhe Nexhmije Hoxha. Kjo është bërë ndoshta me qëllim për të thënë se ata të dy janë gjeneruesit e çorbës së perversitetit, të tjerët janë thjesht pjesë përbërëse të saj.
Meritë të veçantë për Pëllumb Kullën në romanin “Vdekja e Enver Hoxhës” përbën edhe fakti që ai nuk bën asnjë përpjekje për të nxjerrë heronj. Një situatë aq perverte nuk ka pasur dhe nuk kishte mundësi të kishte heronj. As libri i Kullës, pra nuk ka heronj. Nuk ka asnjë që përpiqet të kundërshtojë apo t’i përballë atij absurditeti malinj që ka përfshirë shoqërinë. Me përjashtim, ndoshta, të Kujtimit, një djaloshi që po kalbet birucave të burgut, dhe që e mban kokën lart e moralin të pacënuar jo ngaqë arrin të kuptojë thellë se ç’ndodh rreth tij, jo ngaqë kërkon të ndryshojë ndonjë gjë, jo ngaqë shpreson te e ardhmja, por thjesht ngaqë është rritur dhe edukuar me norma morale të shëndosha, të cilat, për arsye të rrethanave, s’ka arritur t’ia shtrembërojë kush. Veç tij, i madh e i vogël, nga qendra deri në rrethe, nga maja deri në bythë, nga blloku deri te birucat e burgjeve, të gjithë vërtiten në vorbullën e qelbësirllëkut të madh, të cilin Nexhmije Hoxha bën ç’është e mundur ta mbajë në vlim gjatë gjithë kohës, edhe pas vdekjes së kryekuzhinjerit.
Lufta për konformizëm, përpjekja për të qënë brenda sido që të vijë puna, frika se mos dikush po përpiqet të të godasë kur s’e ke mendjen, syçeltësia hipokrite e një turme njerëzish të verbër, të gjitha këto krijojnë situata komike e tragjike përgjatë romanit. Edhe pasi është shpallur vdekja e Enver Hoxhës njerëzit kanë frikë të flasin, madje kanë frikë edhe të dëgjojnë. Ata shohin me dyshim çdo veprim të të tjerëve përreth. Nëse unë e dëgjoj diçka që s’duhet të ishte thënë, atëherë duhet ta raportoj, sepse ajo mund të jetë thënë me qëllim provokimi. Po ta raportoj, dhe të mos jetë thënë me qëllim provokimi, marr në qafë atë që e ka thënë. Po të jetë thënë me qëllim provokimi dhe të mos e raportoj, atëherë marr më qafë veten time. Më mirë ta raportoj dhe të shpëtoj bythën time. Qarqe të tillë arsyetimi vërtiten e mpleksen në të gjithë librin e Kullës, duke shpalosur një sistem të ndyrë, pervers, shoqëror që nxit parreshtur spiunimin, kallëzimin për vetëmbrojtje ose përfitime të vogla, dyshimin për këdo dhe për gjithçka, humbjen e çdo vlere njerëzore.
Aq në ekstrem shkon ky maskarallëk kolektiv i dirigjuar nga të vetmit personazhe me emra të vërtetë në roman, saqë, në shenjë zije për vdekjen e Enver Hoxhës, një qytet i tërë vendos të heqë dorë për një afat pa fund nga gazi dhe hareja. Njerëzit kanë frikë të thyejnë akullin të parët, dhe rrijnë squkur, duke pritur atë që do të guxojë të lëvizë i pari. Edhe në këtë rast, Kulla ka kurajon intelektuale dhe qytetare të shohë se si ai që ngrihet për të thyer akullin nuk është ndonjë i persekutuar politik, as ndonjë ish-pronar apo tregëtar, por një nga njerëzit më të devotshëm të regjimit.
Çdo qytetar shqiptar që e ka jetuar komunizmin e ka për detyrë morale ndaj brezave pasardhës që të dëshmojë ndershmërisht për natyrën e atij sistemi. Secili prej nesh e ka për detyrë morale të pranojë se kemi jetuar mes një pisllëku të skajshëm kolektiv, prej të cilit askush nuk mund të dalë i panjollosur. Vetëm duke pranuar perversitetin e asaj kohe, mund të jemi në gjendje të kuptojmë se ç’ndodh me ne sot dhe të shpresojmë se dikur do të jemi në gjendje të ndryshojmë diçka. Me librin “Vdekja e Enver Hoxhës” Pëllumb Kulla e kryen në mënyrë të përsosur detyrën e tij morale si qytetar, intelektual e shkrimtar. Por, më tepër se kaq, ai realizon këtë nëpërmjet një arti të mirëfilltë, përmes një romani që lexohet gjithë qef dhe që mund të përpihet i tëri pa e lëshuar nga dora. Dhe, të mos harrojmë, është një libër që të bën të qeshësh në çdo faqe dhe, shpesh herë, edhe të mbash brinjët me dorë.
Do t’ua rekomandoja pa ngurrim të gjithëve, duke përfshirë edhe ish-anëtarëve të Byrosë Politike.
No comments:
Post a Comment