by Arben Kallamata
(Si ndikon qënia e një prifti grek në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në paraqitjen e shtrembëruar të historisë.)
Zëri “Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë“ në Enciklopedinë e Lirë Wikipedia në Internet (shqip) bazohet në dy burime. Njëri është “Thesari i Ortodoksisë, 200 vjet histori”, shkruar nga Kryepeshkopi grek i Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare Anastasios Janullatos, ndërsa tjetri është “orthodoxalbania.com”, faqe interneti e administruar nga Kryepeshkopi grek i Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos. Nuk duhet shumë mend për të marrë vesh se kush e ka shkruar, autorizuar ose miratuar artikullin.
Janullatos erdhi në Shqipëri më 1991 me fjalët: "Jam një zëvendës, eksark, me një detyrë të përkohshme" (Sejfi Protopapa, “Peshkopi Janullatos, Jo Nënshtetësi Shqiptare”, Zemra Shqiptare, E Shtune, 10-05-2008). 20 vjet pas kurorëzimit “të përkohshëm” të tij në krye të Kishës shqiptare së themeluar nga Noli, veç lojës kuptimore me fjalët zëvendës, eksark, dhe i përkohshëm mund të shohesh edhe rezultate të tjera. Ndër to është edhe mënyra e shtrembër se si paraqiten ngjarjet dhe personat historikë.
Historia e KOASH në artikullin e Wikipedias ndahet në 5 pjesë duke kapur përkatësisht periudhat: Vitet apostolike – 731; vitet 731 – 1767; vitet 1767 -1937 dhe nga viti 1937 deri sot. Kreu për kohështrirjen 1767 -1937 ka një ndëndarje prej tre paragrafësh të titullluar “Kisha Ortodokse Shqiptare në SHBA” nga të cilat vetëm një fjali merret me Kishën Ortodokse Shqiptare në SHBA dhe Fan Nolin, prandaj s’është e tepërt ta citoj fjalë për fjalë: “Veçanërisht e rëndësishme ishte edhe veprimtaria e Fan Nolit (Theofan Stiljan Nolit ose Mavromatit), i cili përktheu shumë tekste kishtare në shqip, duke ngulmuar që këto të përdoreshin në adhurim; më pas ai zuri vende drejtuese, fillimisht në Kishë, si mitropolit i Durrësit, dhe më pas në Shtetin Shqiptar, si ministër i jashtëm dhe kryeministër, në vitin 1924.”
Roli i Fan Nolit në krijimin e KOASH është katandisur thjesht në atë të një përkthyesi të teksteve kishtare në shqip dhe, pastaj, në atë të një njeriu që “ka zënë“ vende drejtuese në kishë dhe në shtetin shqiptar.
Ata që i dalin në mbrojtje Janullatosit sjellin shpesh si argument erudicionin, njohuritë e tij të thella, të cilat nuk kam aspak ndërmend t’i vë në dyshim. Përkundrazi, erudicioni i tregon se katandisja në një fjali e rolit të Fan Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare; injorimi i ndikimit të vërtetë të kishës Shqiptare të Amerikës në themelimin e KOASH dhe mohimi absolut i rëndësisë së kësaj lëvizjeje në kuadrin e lëvizjes së përgjithshme të shqiptarëve për pavarësi është i qëllimtë, ndërsa qëllimi është i keq.
Themelimi i KOASH filloi paksa mbi 100 vjet të shkuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Boston dhe rrethinat e tij, ku ishte krijuar një komunitet pak a shumë i fortë shqiptarësh, shumica e të cilëve vinin nga Korça dhe fshatrat e saj, dhe një pjesë të mirë e tyre i përkisnin besimit të Krishterë Ortodoks.
Duke mos pasur kishë të vetën, imigrantët shqiptarë i qenë drejtuar kishave ortodokse greke, si më të afërtat për ta gjeografikisht dhe në kulturë. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për fillimin e shekullit të 20të, kohë në të cilën Perandoria Otomane përpëlitej në grahmat e fundit; Greqia e kishte fituar që prej më se 80 vjetësh pavarësinë nga Perandoria Otomane; ndërsa Shqipëria ishte ende nën zgjedhë dhe po shtonte përpjekjet për pavarësi.
Turqia nuk e dëshironte pavarësinë e Shqipërisë, pasi donte ta mbante atë pafundësisht nën kontroll. Greqia, gjithashtu, nuk e dëshironte pasi ëndërronte që, në rastin e rrëzimit të perandorisë Otomane, ta coptonte fqinjin e saj duke i marrë pjesën jugore që, sipas Megalidesë përbën Epirin e Veriut, term që në logjikën shoviniste greke përkthehet në “Greqi”.
Pjesë e përpjekjeve për të penguar pavarësinë e Shqipërisë ishin edhe përndjekjet e patriotëve shqiptarë nga qeveritë turke dhe greke. Ndër ta ishte edhe i riu Kristaq Dishnica i cili vdiq në Hudson, Massachusetts në 25 Gusht 1907. Për shkak të veprimtarisë së tij në ndihmë të çështjes kombëtare shqiptare Dishnica ishte ekskomunikuar nga Kisha Greke. Kur vdiq Dishnica kisha greke nuk pranoi t’i bënte shërbimet e varrimit. Djaloshi u varros nga bashkatdhetarët me një ceremoni jo-fetare ne Worcester.
Kisha greke shkoi edhe më tej duke shpallur se nuk do t’i kryeheshin më shërbime besimtarëve shqiptarë që nuk shpalleshin grekë.
Emigrantët shqiptarë u ndodhën përpara një udhëkryqi – të pranonin një të pavërtetë, domethënë që nuk ishin shqiptarë por grekë dhe të vazhdonin të merrnin shërbimin fetar, apo të përballeshin me mundësinë e një ekskomunikimi masiv që, për mendësinë e fillimit të shekullit të njëzetë duhet të ketë qenë diça e afërt me fundin e botës.
Vështirë të thuhet se sa të ndërgjegjshëm ishin imigrantët e thjeshtë shqiptarë të Amerikës për rëndësinë historike të vendimit që do të merrnin. Vështirë të thuhet që gjykuan duke e ditur që fatet dhe e ardhmja e vendit të tyre që në atë kohë qëndronte në fije të perit, do të varej në një masë të madhe edhe në mënyrën se si do të vendosnin ata në këtë situatë.
Për shovinizmin grek kishte rëndësi parësore që gjithë ortodoksët shqiptarë të paraqiteshin si grekë. Kjo do t’i jepte një shtytje pretendimeve të tyre për Shqipërinë e Jugut dhe, në rastin e rënise së Perandorisë Otomane gllabërimi i këtij territori do të ishte shumë më i lehtë. Për Shqipërinë që po lindte kjo do të ishte vetëvrasje. E destinuar të coptohej për gjysmë në veri (me Kosovën dhënë sllavëve të Jugut) Shqipëria nuk do të mund ta përballonte edhe një ndarje tjetër më dysh. Një Shqipëri që shtrihej nga Tropoja në Shkumbin do të ishte e dënuar të mos mbijetonte.
Por shqiptarët e ndershëm të Massachusettsit e dhanë vendimin e tyre historik thjesht dhe qartë. Ata zgjodhën të vërtetën përpara gënjeshtrës. Ata thanë se s’mund të deklaroheshin grekë, edhe sikur kjo t’iu kushtonte ekskomunikim.
Kisha greke nguli këmbë në të sajën. Për një periudhë gati një vjeçare familjet e shqiptarëve ortodoksë të Massachusettsit u ndodhën në një gjendje apokaliptike - fëmijët e lindur duheshin pagëzuar, të vdekurit duheshin varrosur me ceremoni, dasmat duheshin bekuar. Përkohësisht ata u ndihmuan nga Kisha Ortodokse Siriane në Worcester.
Gjendja vazhdoi derisa fati iu solli njeriun e përshtatshëm – një i ri intelektual, që shumë shpejt do të bëhej një nga personalitetet më të shquar të kulturës mbarëshqiptare – Theofan Stilian Noli.
Noli jo vetëm pranoi të vihej në krye të Kishës shqiptare në Boston, por edhe filloi organizimin e asaj që do të kthehej në Kishën Autoqefale Shqiptare. Ai thirri në takim ortodoksë nga gjithë New England dhe diskutoi me ta mundësinë e krijimit të një Kishe të pavarur (Autoqefale) Shqiptare. Noli u dorëzuar prift në 8 Mars 1908 nga Kryepeshkopi Rus i Nju Jorkut. Patriot, erudit, shkollar, njohës i disa gjuhëve të huaja, njeri me karakter të fuqishëm dhe vizion të qartë, ai iu vu përkthimit të liturgjisë së kishës duke vënë bazat e predikimit në shqip. Në 22 Mars 1908, 26 vjeçari Noli mbajti me krenari të parën meshë në Shqip në Knights of Honor Hall n Boston, veprim që do të shënonte hapin e parë drejt organizimit zyrtar dhe njohjes së Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare (Robert Elsie: Fan Noli - http://www.albanianliterature.net/authors_classical/noli.html).
Tre vjet më vonë, në 10 Gusht 1911 Noli ndërmori një udhëtim në Europë ku, gjatë katër muajve mbajti shërbesa fetare për kolonitë shqiptare në Kishinev, Odessa, Bukuresht dhe Sofie. Në Korrik 1913 Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe në 10 Mars 1914 mbajti të parën shërbesë fetare ortodokse në shqip në prani të Princ Vilhelm Vidit që s’kishte veçse tre ditë që kishte mbërritur në Durrës (Robert Elsie, po aty.)
E gjithë kjo veprimtari duket tepër e vështirë për t’u anashkaluar me një fjali të vetme, aq më tepër nga një erudit. Po kështu, e vështirë është të anashkalohet edhe historiku i mëpasshëm i Kishave të Bostonit të Jugut (South Boston) për kontrollin e të cilave ka pasur një përplasje të gjatë midis shqiptarëve patriotë me në krye Nolin dhe Kishës greke.
“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të sotmen kontrollon të shkuarën,” thotë Oruelli. Janullatos kontrollon të sotmen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Përmes këtij kontrolli, ai përpiqet të manipulojë të shkuarën e saj, në mënyrë që të ketë kontroll edhe mbi të ardhmen.
Ndonëse absurde në pamje të parë, pyetja a janë grekë apo shqiptarë ortodoksët e Shqipërisë është shtruar vazhdimisht këto 200 vjetët e fundit nga shovinistët grekë. Ajo vazhdon të shtrohet dhe, me sa duket, do të shtrohet për ca kohë edhe në të ardhmen. Për këtë mjafton t’i hedhësh një atyre që shkruajnë Nicholas Gage me shokë. Jo rastësisht, Gage është ndër mbështetësit më të fuqishëm të mbajtjes së Janullatosit në krye të KOASH-it, gjë që e provojnë edhe artikujt e tij të gjatë në New York Times e gjetkë.
Pyetja “a janë grekë ortodoksët e Shqipërisë?” nuk është aspak fetare. Ajo është politike, gjeopolitike, siç është edhe statusi i kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ardhjes së tij në krye të kishës në vitin 1991, pas një veprimi të papërgjegjshëm të Ramiz Alisë i ka ikur me kohë “përkohshmëria” e premtuar. Justifikimit se vendit i është prishur infrastruktura fetare dhe nuk mund të gjenden priftërinj shqiptarë të aftë për ta kryer këtë funksion i ka skaduar afati.
No comments:
Post a Comment