10 Porosite nga George Carlin
Friday, April 22, 2011
Dita e Shën Petrikës
Besimtarët e qytetit të Korçës, fshatrave përreth the qarqeve perqark, festuan me madhështi 17 Marsin, ditën e Shën Petrikës, të njohur në botë si “St. Patrick’s Day”. Festimet u hapën me Paradën e Shën Petrikës, organizuar në Bulevardin e Dytë. Parakaluesit, të veshur të gjithë me ngjyrën tradicionale të gjelbër, u nisën nga Parku Rinia dhe përfunduan në sheshin përpara Turizmit, ku ishte ngritur edhe tribuna e Ditës së Shën Petrikës. Aty u organizua një miting në të cilin të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Komitetit për Kthimin e Shën Petrikës në Festë Kombëtare (KKSPFK), Petrika Shendeti. Në fjalën e tij, zoti Shëndeti përmendi rëndësinë historike të Shën Petrikës, origjinën shqiptare të atij që irlandezët e mbajnë për shenjtin mbrojtës të vendit të tyre, St. Patrick dhe përpjekjet qe po ben KKSPFK për ta detyruar qeverinë që ta njohë këtë festë tradicionale të shqiptarëve dhe që të heqë pyetjet për përkatësinë fetare dhe nacionale nga regjistrimi i popullsisë.
“I lindur në një familje të thjeshtë shqiptaro-iliro-pellazge të Korçës,” tha Petrika Shëndeti, “Shën Petrika udhëtoi për në Irlandë për t’iu mësuar irlandezëve se si të kultivonin farën e tërfilit. Irlandezët u dashuruan aq shumë me trifilin, saqë i dhanë atij emrin “Shamrock” dhe e kthyen në simbol kombëtar, duke dëshmuar në këtë mënyrë lidhjet e tyre të ngushta korçaro-shqiptaro-iliro-pellazge. Sidoqoftë, irlandezët hasën vështirësi në kultivimin e trifilit, pasi i kishte gjetur belaja me gjarpërinjtë. Shën Petrika ua zgjidhi edhe këtë problem. Me një pipëzë që e kishte sjellë nga Shqipëria, ai filloi t’i binte një melodie të ëmbël e cila i tërhoqi të gjithë gjarpërinjtë e Irlandës. Shën Petrika i drejtoi të gjithë drejt detit.”
Ndër pikat tjera të përbashkëta shqiptaro-iliro-pellazgo-irlandeze, u përmend edhe birra, veçanërisht ngjashmëria në shije midis birrës së Korçës dhe birrës irlandeze Guinnes. Sipas Historianit dhe Arkeologut të shquar korçar Petrika Shënimi, ka të dhëna të sakta që edhe birra Guinnes është huazuar nga Irlandezët gjatë shekullit të 6të të erës sonë, në kohën kur ata vizitonin Korçën për të bërë homazhe në vendlindjen e Shën Petrikës.
Festa u mbyll si çdo vit me pirje birre në lokalin e Pandës, ku të gjithë pjesmarrësit u bënë tapë dhe s’mbanin mend ç’ishte bërë e ç’qe thënë atë ditë.
Qeverisë iu dërgua një Peticion.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment