Nga Frances Kennedy në Romë
Vatikani konfirmon lajmet e abuzimeve seksuale dhe përdhunimeve të murgeshave nga priftërinj në 23 vende
Dje Kisha Katolike në Romë ka pranuar krejt papritur se ka dijeni që në të paktën 23 vende të ndryshme priftërinjtë abuzojnë seksualisht murgeshat.
Shumica e abuzimeve ndodhin në Afrikë, ku priftërinjtë, ndonëse të betuar për beqari të përjetshme, deri para ca kohësh shkonin me prostituta, ndërsa tani gjuajnë murgeshat që të mos rrezikojnë të marrin virusin e SIDAs.
Burime të besueshme nga Vatikani, sipas National Catholic Reporter, revistë e përjavshme në SHBA, bëjnë të ditur se anëtarë të klerit katolik shfrytëzojnë autoritetin e tyre ekonomik dhe shpirtëror për të bërë seks me murgeshat, veçanërisht në vendet e Botës së Tretë ku, për shkak të kulturës, meshkujt e kanë më të lehtë t’iu imponohen femrave.
Lajmet, disa prej të cilave të kohëve të fundit dhe disa të tjera kanë rreth shtatë vjet që qarkullojnë, bëjnë të ditur se priftërinjtë kërkojnë seks në shkëmbim të favoreve të tilla si certifikata për të punuar në dioqezë.
Në disa raste priftërinjtë i kanë lënë murgeshat shtatzëna dhe pastaj i kanë shtyrë të abortojnë.
Artikulli i revistës amerikane bazohet në pesë dokumente paraqitur Vatikanit këtë dhjetëvjeçarin e fundit nga një grup grash me pozitë në urdhërat fetare dhe disa priftërinj. Ato e përshkruajnë gjendjen të rëndë, veçanërisht në Afrikë. Në këtë kontintent ku SIDA bën kërdinë, murgeshat dhe vajzat në adoleshencën e hershme konsiderohen objekte të sigurta seksi. Sipas raportit, autoritetet e kishës nuk kanë bërë asgjë për ta ndjekur problemin.
Raporti i Vatikanit citon raste të panumërta murgeshas që janë detyruar të bëjnë seks me priftërinj. Disa kanë qënë të detyruara të marrin pilula kundër shtatzënisë, ndërsa të tjerat kanë mbetur shatzëna, dhe pastaj janë nxitur të abortojnë. Në një rast, një murgeshë e detyruar të abortojë ka vdekur gjatë operacionit. Funeralin e ka drejtuar pikërisht ai që e ka sulmuar. Në një rast tjetër, 29 motra nga i njëjti manastir kanë mbetur shtatzënë me priftërinj të dioqezës.
Sipas raportit, gratë e rriturs sipas traditave kulturore të disa vendeve afrikane e kanë të pamundur t’i kundërshtojnë burrave më të moshuar, veçanërisht kur ata mbahen më lart nga ana shpirtërorre. Jepen raste të rejash që iu kërkonin priftërinjve ose peshkopëve vendas dëshmi të sjelljes së denjë katolike, të cilat janë të domosdoshme për të vazhduar karrierën brenda sistemit të kishës katolike. Dëshmitë jepen vetëm si shkëmbim për marrëdhënie seksuale. Pretendohet që raste abuzimesh seksuale të kenë ndodhur edhe brenda mureve të Vatikanit.
Disa nga klerikët e paskrupuj përfitonin nga rasti duke shfrytëzuar murgeshat e reja që kërkonin ndihmë për të gjetur një dhomë në fjetore, për të shkruar ndonjë hartim, apo për të financuar studimet teologjike.
Megjithëse i detyruar ta pranojë problemin, Vatikani përpiqet të hiqet sikur s’ka ndodhur gjë. Në deklaratën e djeshme, zëdhënësi zyrtari i Papës, Joakin Navarro Valls thekson: “Ky problem është i vjetër dhe ka të bëjë me një zonë të caktuar gjeografike. Sidoqoftë, disa pak situata negative nuk duhet të errësojnë besimin heroik të shumicës së murgeshave dhe priftërinjve të devotshëm.”
Një ndër dokumentët më të rëndësishëm është përgatitur nga Motra Maura O’Donohue, bashkërenduese e programit Cafod, Fondit Katolik për Zhvillimet Jashtë Vendit, me qendër në Londër.
Ajo ve në dukje se murgeshat shihen si objekte të “sigurta” seksi dhe citon një rast në vitin 1991 ku një grup priftërinjsh i kërkuan drejtueses së një komuniteti fetar që t’ua linte për seks murgeshat që kishte në ngarkim.
“Kur refuzoi, priftërinjtë i thanë se do të ishin të detyruar të shkonin në fshat dhe të bënin seks me gratë e fshatit, duke rrezikuar të merrnin SIDAn.” Motra O’Donahue shkruan se kërkesat e bashkëbesimtarëve të vet e kishin “tronditur aq rëndë sa nuk iu besonte veshëve”, aq të papërfytyrueshme ishin.
Megjithëse shumica e abuzimeve ndodhin në vendet e Afrikës, Motra O’Donohue njofton se raste të ngjashme ka pasur në 23 vende, duke përfshirë Indinë, Irlandën, Italinë, Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara.
Ajo shkruan për raste kur priftërinjtë kanë nxitur murgeshat të marrin pilula kundër shtatzënisë me arsyetimin se këto do t’i mbrojnë nga SIDA. Të tjerë “kanë shkuar deri atje sa t’i shtyjnë murgeshat të abortojnë“ dhe mjekë nga spitalet katolike tregojnë për raste presionesh nga priftërinjtë që të kryejnë ndërprerje shtatzënish për murgeshat dhe vajza të tjera.
Në raport O’Donohue përshkruan famulltarin e një dioqeze afrikane që kërkon seks fare hapur, duke shpjeguar se “në kuptimin Afrikan, beqari do të thotë që priftërinjtë nuk martohen, jo që nuk bëjnë fëmijë.”
Kreu i Bashkësisë për Jetën Fetare në Vatikan, Kardinali Martinez Somalo ka ngritur edhe një komision për ta shqyrtuar problemin. Por s’duket të ketë bërë ndonjë gjë të madhe, veç “ndërgjegjësimit” të peshkopëve për atë që po ndodh.
Para ca vitesh, në 1998, Motra Marie McDonald, nënë superiore e Misionarëve të Zonjës Sonë të Afrikës përgatiti një dokument të titulluar Problemet e Abuzimeve Seksuale të Besimtarëve Afrikanë në Afrikë dhe në Romë.
Dokumenti iu paraqit Këshillit të 16tëve, të përbërë nga delegatë të shoqatave ndërkombëtare të komuniteteve të grave dhe burrave dhe zyrës së Vatikanit që përgjigjet për jetën fetare. Siç thotë vetë ajo, të gjitha përpjekjet përfundun thjesht me një “konspiracion heshtjeje”.
Kur iu drejtua peshkopëve për të njëjtin problem, shumica ishin të mendimit se shpërndarja e dokumenteve të tilla përbënte tradhëti ndaj kishës.
“Megjithatë, motrat thonë se janë përpjekur ta bëjnë këtë herë pas here. Në mjaft raste nuk janë pritur mirë. Në raste të tjera janë akuzuar si fajtore për ato që kanë ndodhur. Por edhe në rastet kur i kanë dëgjuar me simpati, nuk duket se është bërë ndonjë gjë e madhe.”
Elementi më tragjik i kësaj historie është fati i viktimave. Në një kohë kur priftërinjtë fajtorë zakonisht transferohen ose dërgohen gjëkundi për studime, gratë, si rregull përjashtohen nga urdhërat fetarë ku marrin pjesë. Pas përjashtimit ato ose kanë frikë të kthehen në familjet prej nga vijnë, ose kthehen dhe dëbohen edhe prej tyre. Jo të pakta janë ato që përfundojnë si të përzëna nga shoqëria ose, për ironi të fatit, si prostituta, të detyruara ta nxjerrin bukën e gojës pikërisht me atë për të cilën janë betuar të mos e bëjnë kurrë në jetë.
Ndër fetarët e pakët në Romë që pranon të flasë për këtë problem është Atë Xhulio Albanese i MISNA, agjencia e lajmeve të misionarëve. “Misionarët janë qenie njerëzore, të cilët ndodhen shpesh herë nën presion të pallogaritshëm psikologjik për shkak të gjendjes së luftës apo dhunës pafund. E, ndërsa nga njëra anë është e rëndësishme që këto tmerre të dënohen dhe të dalë e vërteta në shesh, kjo nuk duhet bërë në kurriz të punës së mirë që bën shumica, pjesa më e madhe e të cilëve ia kanë përkushtuar jetën fesë,” thotë Atë Albanese. “Shtypi merret me misionarët vetëm kur vriten, rrëmbehen apo ngatërrohen nëpër skandale,” shton ai.
E ndërsa Vatikani përpiqet të përtypë faktet e pakundërshtueshme të priftërinjve që po iu shkatërrojnë jetën motrave të tyre, shumë katolikë presin ndonjë mesazh të fortë nga lart. Duke iu drejtuar peshkopëve amerikanë, Papa foli me terma të qarta për priftërinjtë pedofilë, dhe theksoi që kjo ishte një sëmundje që duhej parë në sy. Tani disa mendojnë se ai do të gjejë po aq kuraojë sa të denoncojë një të keqe tjetër që ka kohë që po mbulohet me heshtje dhe turp.
No comments:
Post a Comment