Monday, October 13, 2008

Tërheqje apo Tolerancë - 2. Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët

2. Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët

Arben Kallamata

Ateizmi është mungesë e besimit te prania e perëndive dhe krijesave hyjnore. Kjo mungesë besimi nuk vjen nga pamundësia për të ushtruar një fe apo nga pamundësia e lidhjeve me të, por nga bindje të qëndrueshme dhe arsyetime të vetëdijshme.
Foshnjet e porsalindura nuk kanë fe. Fetë iu injektohen në kokë më vonë, nga familja dhe shoqëria. Kjo shpjegon edhe faktin se përse më së shumti një njeri i lindur në një familje të krishterë përqafon fenë e krishterë, ndërsa dikush tjetër i lindur në një shoqëri muslimane, budiste apo çifute ndjek fetë përkatëse. Mungesa e besimit te perënditë është shumë më i vjetër se të gjitha llojet e besimeve fetare. Qeniet njerëzore fillimisht nuk kanë ditur të besojnë. Më vonë kanë mësuar, kanë krijuar dhe ndërlikuar perënditë.
Ateizmin, si mungesë e ndërgjegjshme e besimit nuk e kanë shpikur as komunistët shqiptarë dhe as çdo lloj komunizmi tjetër, pavarësisht përpjekjeve që bëhen për t’i njësuar ata. Ronald Bruce Meyer thotë se Ateizmi të çon në Komunizëm po aq sa të shtyn bindja se Santa Klausi është përrallë në agresivitet ndaj fëmijëve. Ateizmi nuk ka lidhje me besimin. Ai ka të bëjë me dyshimin, mosbesimin.
Ateistë ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Megjithëse dëshmitë e para të shkruara të ateizmit mund të gjenden në shkrimet e Rig-Veda-s në Indi (rreth 1000 vjet p.e.s.), një ndër filozofët e parë të ateizmit mbahet greku i lashtë Epikurus i cili zhvilloi argumentin kundër të keqes:
“Nëse Perëndia dëshiron ta ndalojë të keqen, por nuk ka fuqi, ajo nuk është e gjithëpushtetshme.
Nëse ka fuqi, por nuk do që ta ndalojë të keqen, atëherë është keqdashëse.
Nëse edhe ka fuqi ta ndalojë edhe dëshiron ta ndalojë të keqen, si shpjegohet që e keqja vazhdon të ekzistojë?
Dhe, nëse as nuk do që ta ndalojë dhe as është në gjendje ta ndalojë, atëherë përse u dashka quajtur Perëndi?”
E nisur nga thellësitë e errësirës së Mesjetës, Rilindja europiane njohu zhvillimin e vrullshëm të ateizmit të përfaqësuar nga mendimtarë mosbesues ndaj qenieve hyjnore. Emrat e Leonardo da Vinçit, Erazmusit, Galileos, Keplerit e Giordano Brunos janë të lidhur me ateizmin. Më vonë atyre iu shtuan iluministët Dekart, John Toland, David Hume e Thomas Paine; enciklopedistët francezë Didero, Volter, d’Holbach për të ardhur në shekullin e 19-të te Fojerbah, Holyoke dhe, natyrisht, Charles Darwin. Më vonë, mendje të ndritura si Mark Twain, Thomas Edison, Albert Einstein, e shumë të tjerë kanë qënë dhe vazhdojnë të mbeten ateistë. Asnjë prej tyre nuk ka pasur qoftë edhe lidhjen më të vogël me komunizmin. Sot llogaritet se mbi 90 përqind e Fizikantëve të botës dhe mbi 65 përqind e Matematikanëve janë ateistë.
Përpjekjet për ta lidhur Ateizmin me Komunizmin e kanë burimin te përpëlitjet e një pjese të krerëve fetarë për të ndalura dobësimin e shpejtë dhe të pandalshëm të pushtetit të Kishës dhe institucioneve fetare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Veçanërisht ato morën përkrahje zyrtare në periudhën famëkeqe të histerisë së Senatorit Joseph McCarthy në Shtetet e Bashkuara. Argumenti bazë që sillej për të provuar këtë tezë ishte njësimi i kryekomunistit Stalin me Ateizmin.
E vërteta qëndron se, pavarësisht se u shkollua në një seminar kishtar, Stalini ishte ateist. Megjithatë, ka shumë arsye të besohet se ai nuk ishte ateist për arsye filozofike apo sepse komunizmi ose mendësia e tij totalitare nuk përputhej me fenë. Stalini ishte ateist sepse pushtetit të tij sovjetik nuk i shkonte pas oreksit rivaliteti i pushtetit të madh të Kishës Ortodokse Ruse, ashtu siç nuk i pëlqente rivaliteti për pushtet i kujtdo fuqie tjetër. Në esenë “Ateizmi përballë Komunizmit” Jon Nelson vë në dukje se “Stalini nuk donte ta ndante pushtetin e vet me asnjë tjetër. Ai e sulmoi Kishën vetëm kur e pa se ajo ishte rivali i vetëm me peshë i supremacisë së tij. Por sulmet nuk kishin të bënin fare me mospajtimet ideologjike. Ishte thjesht çështje e zhdukjes së një rreziku të mundshëm.” Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur e pa se i nevojitej mbështetja e fesë për të siguruar një bashkim më të plotë të rusëve në luftë, vetë Stalini nxiti rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Kishës Ortodokse Ruse.
Ateizmi nuk është ideologji. Ai është mungesë besimi në ideologji. Mungesa e besimit në ideologji s’ka se si dhe s’mund të bëhet bazë ideologjie, aq më pak për një ideologji totalitare si komunizmi. Përkundrazi, fe të ndryshme, sidomos format fondamentaliste të tyre, janë bërë jo rrallë baza për ideologji totalitare. Mjafton të përmendim luftrat e Kryqëzatave apo Inkuizicionin katolik, Ku-Klus-Klanin, Al Qaedën etj.
Komunistët e panë fenë thjesht si ideologji konkuruese dhe jo si ideologji që binte ndesh me ideologjinë e tyre. Duke u munduar të arrinin mbizotërimin e besimit të tyre, ata u përpoqën të fshinin ndikimin e çdo lloj ideologjie tjetër – ideologjinë fetare, ideologjinë e pronës private, ideologjitë perëndimore, gjithçka. Në Shqipëri kjo përpjekje u çua në ekstrem me shpalljen e vendit shtet ateist. Në fakt, Shqipëria u shpall edhe Republikë Popullore Socialiste, në një kohë kur nuk ishte as republikë (sepse ishte autokraci); as Popullore (sepse ishte kundër popullit), dhe as Socialiste (sepse ishte monopolizëm i skajshëm shtetëror). Ajo paraqitej “Demokraci Popullore” në në kohë që ishte një nga format më të egra të diktaturës. Ajo u quajt vend ateist, kur popullit iu imponua besimi i verbër dhe pa kushte te një ideologji (marksizmi) dhe te një perëndi me pesë koka: Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini-Enveri (i ati - i vëllai - i biri - shpirti i shenjtë- dhe satani).

No comments: