Thursday, August 18, 2011

Bisedë në Studio 7


Miti
Drejtuesi i Emisionit: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues. Minutat e sotme të Bisedës në Studio ia kemi kushtuar një teme tepër intelektuale - Luftës kunder Mitit. Për të na folur për këtë front të ri luftarak të shqiptarëve, kemi ftuar në studion tonë tre akademikë të kësaj fushe, nismëtarë të hershëm të lëvizjes kundër Mitit, zotërinjtë Dr. Dardan Kryemadhi e Prof. Floridan Kryemadhi dhe zonjën Prof.Dr. Daniela Kryemadhi. Të nderuar akademikë mirëmbrëma dhe mirëse keni ardhur në studio.
Akademikët (njëzëri): - Mirëmbrëma dhe mirëse ju gjetëm.
Drejtuesi i Emisionit: Përpara se të fillonim, do të desha të sqaronim diçka për teleshikuesit. Ju mbani të tre të njëjtin mbiemër. A keni lidhje me njëri-tjetrin?
Dr. Dardan Kryemadhi (duke parë nga kolegët i habitur) - Kurrfarë lidhje. Familja ime, megjthese mun me u njek shtatë breza n'qitet, i ka rrënjët te katuni Kryemadh i Shkodrës.
Prof. Floridan Kryemadhi (gjithashtu i habitur) - Ndërsa familja ime vjen pri katunit Kryemodh në Tironë, kuptohet, para iqin-e-ca-vjetësh, se ne jena tironsa, denbabaden.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Unë në fakt e kam mbiemrin nga burri. Ai vjen nga Kryemadhi i Korçës.
Drejtuesi i Emisionit: Pse, ka Kryemadh në Korçë?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Ç'është e vërteta në Korçë i thonë Kokëlopa, por ne e ndërruam se s'na tingëllonte aq mirë.
Drejtuesi i Emisionit: Pra, nuk ka asnjë lidhje gjaku midis tre akademikëve kryemëdhenj që kemi sonte në studio. Atëherë, le të hyjmë në temë. Si dhe pse e filluat lëvizjen kundër Mitit?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Nuk di për të tjerët, por unë e kam marrë shtytjen nga një fotograf në Korçë. E quanin Miti Kecka. Që kur isha e vogël e kisha frikë dhe për këtë arsye kam dalë gjithmonë në fotografi duke qarë. Shumë e shëmtuar. Më vonë, kur u rritëm dhe më doli frika, vura re se ai shpesh herë bënte sikur na nxirrte në fotografi, dhe pastaj na theshte se i qe djegur filmi. Qe atëherë, i urrej Mitët.
Drejtuesi i Emisionit (i befasuar): Pra, lëvizja juaj e paska nismën te njerëz konkretë?! Nuk është kundër Miteve?
Prof. Floridan Kryemadhi: Po, pra kundër Miteve. Kundër të gjithë Miteve. Për shembull, asht nji krutan që i thonë, Mit Skënderbeu. Nuk durohet.
Dr. Dardan Kryemadhi: Mit Skënderbeu jo vetëm që nuk asht krutan, por nuk asht as shqiptar. Baba i vet, Mit Ivani, ka qen serb. Edhe e ama. Tani na del Mit Skënderbeu dhe e hek veten si shqiptar. Jo vetëm kaq, po s'le rast pa ba sherr me një të njohurin tonë të vjetër, Mit Turk Pushtuesin.
Drejtuesi i Emisionit: Po Mit Turk-Pushtuesi, nuk hyn në listën e Mitëve qe luftoni?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Mit Turk-Pushtuesi, jo vetëm që s'ka qënë burrë i keq, siç e paraqesin, por ka qënë edhe burrë i shtruar, babaxhan, tolerant, dashamirës. Për shkak të Mit Skënderbeut i ka dalë nami si sherrxhi dhe ngatërrestar. Mit Turku në fakt ka qënë tregëtar i urtë, që s'të ngatërronte as fenë, as pavarësinë. Dolën ca thashethemexhinnj nga familja e Mit Rilindasve që i hapën namin e keq. Pastaj, ne e kemi inatin me Mitët shqiptarë, jo me të huajt. Nuk jemi kombëtarista. Jemi ndërkombëtarista, qytetarë të botës, thank you very much!
Drejtuesi i Emisionit: Si iu ka shkuar puna me Mit Skënderbeun?
Prof. Floridan Kryemadhi: Jo keq, po të kesh parasysh faktin që Mit Skënderbeut i del në krah gjithë lagjia. Në fakt, në lidhje me Mit Skënderbeun na është dashur të kërkojmë ndihmë nga jashtë. Jena lidh, për shembull, me të kundërtin e Mitit, me Shmitin. Thirrëm për ndihmë Shmit Zviceranin, për t'i thyer hundët Mit Skënderbeut.
Drejtuesi i Emisionit: Dhe erdhi Mit Zvicerani për t'u zënë me Mit Skënderbeun?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Jo bre, pse pe ata që ziren me grushta të dukemi ne ty? Ne luftojmë që t'i diskretitojmë. Pastaj, Mit Skënderbeu bredh gjithë ditën me Kalë, si kapadai.
Prof. Floridan Kryemadhi: S'kishte nevojë të vinte fare Mit Zvicerani. Ai botoi një libër, që pak a shumë përkitej me tezat tona. Një nga armët kryesore që ne përdorim në luftën kundër Miteve është demaskimi i prejardhjes së tyre, e faktit që nuk janë shqiptarë. Po e nxorre jo-shqiptar, Miti çvlerësohet, sepse s'ka shqiptar që e do një mit që s'është shqiptar. Mit Skënderbeu - Serb; Mit Naim Frashëri - Turk; Mita Tereza - Maqedonase...
Drejtuesi i Emisionit: Po emri Miti rrjedh nga Dhimitri, nga Mit'hat, nga Mitika, apo nga Dhimitra?
Dr. Dardan Kryemadhi: Ç'rëndësi ka? Le të rrjedhë nga të dojë. Ne kemi borxh ta shkatërrojmë.
Drejtuesi i Emisionit: Po për Mitet e popujve të tjerë, keni ndonjë qëndrim? A duhen rrëzuar edhe ata?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Për kë e keni fjalën?
Drejtuesi i Emisionit: Po ja, për shembull, për Mit Robinhudin, ne Angli; ose për Mit Vilhelmtelin, në Zvicër.
Pro. Dr. Daniela Kryemadhi: Atyre you thonë Myth, jo Mit. Myth, Myth. E sheh sa bukur tingëllon? Myth, Myth...
Dr. Dardan Kryemadhi: Ata janë Mite zotninj, mor ti. Mite që s'kan ekzistu ndonjiherë. Ne shqiptarët kemi Mite historikë. Jo vetëm kaq, por kemi edhe Mite që janë ende gjallë. Ata s'durohen?
Prof. Floridan Kryemadhi: Ja, për shembull, një nga këta të gjallët që s'durohet, megjithëse i huaj, është Mit Romni, ai republikani që kërkon të kandidojë për president.
Drejtuesi i Emisionit: Po me Mit Romnin, ç'patët? Do na ngatërroni edhe me Ambasadën Amerikane, tani.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Imagjino ta kesh Mitin e gjallë nëpër këmbë?
Drejtuesi i Emisionit: E keni fjalën për Mit Kadarenë?
Dr. Dardan Kryemadhi: Edhe për atë. Ose, pikërisht për atë.
Drejtuesi i Emisionit: Po pse s'durohet Mit Kadareja? Keni ndonjë gjë kundër tij si shkrimtar?
Prof. Floridan Kryemadhi: Kjo s'ka lidhje fare me muhabetin.
Dr. Dardan Kryemadhi: Unë s'para lexoj letërsi dhe s'dua t'i hyj fare diskutimit se çfarë shkrimtari është. Vetë faktin që kërkon të marrë Çmimin Nobel t'i ngre nervat.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Edhe që e ka gruan bjonde dhe ka shtëpi ne Paris dhe në Tiranë. Ku i gjen paratë, xhanëm?!
Dr. Dardan Kryemadhi: Me siguri prej spiunimeve -- spiuno për sigurimin e shtetit, për SHISH-in, për shërbimet sekrete franceze...
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Jo vetëm kaq, por ai i del në mbrojtje edhe Mitëve të tjerë.
Drejtuesi i Emisionit: Kujt, për shembull?
Dr. Dardan Kryemadhi: Kujt s'i ka dalë në mbrojtje -- Mit Skënderbeut, Mit Rilindasve, Mita Terezes, deri edhe asaj plakës, Mita Gjuhashqipes.
Drejtuesi i Emisionit: Paska edhe Mit me emër të tillë?
Prof. Floridan Kryemadhi: Ka që ç'ke me të. Eshtë një plakë grindavece që hiqet sikur është nga më të vjetrat në Europë.
Drejtuesi i Emisionit: As ajo nuk është shqiptare.
Dr. Dardan Kryemadhi: As ajo. Hidhen ca dhe mundohen ta lidhin me Mit Ilirishten, që s'e ka parë njeri në botë si ka qënë. Ca të tjerë, akoma, me Mit Pellazgishten, e ku ta di unë se çfarë. Ose me Mit Trakishten.
Prof. Floridan Kryemadhi: Mit Gjuhashqipja është thjesht një kopile, që s'i dihet as nana, as baba. Nji bastarde e turqishtes, aromanishtes, greqishtes dhe serbishtes.
Dr. Dardan Kryemodhi: Edhe e Komunistave. Ata e krijuen, tuj injoru gegnishten.
Dr. Prof. Daniela Kryemadhi: Ashtu është. Po ne s'do lemë Mit në këmbë. Do ta s'pastrojmë Shqipërinë nga Mitet.
Drejtuesi i Emisionit: Të nderuar Akademikë, mendoj se mund ta mbyllim emisionin pa u nxehur keq gjakrat. Ju faleminderit për bisedën sqaruese.
Akademikët: Mender qofsh! Poshtë Miti!

No comments: