Para një
muaji, diktatura islamike e Arabisë Saudite shpalli një ligj sipas të cilit të
mos besosh te zoti është terrorizëm. Domethënë,
për një nga regjimet më të egra në botë, për një shtet që pret rregullisht duar
dhe vret njerëz me gurë shesheve, për një shoqëri që e mban gjysmën e popullsisë
të mbuluar me çarçaf dhe nuk lejon gratë të ngasin makina e të dalin jashtë shtëpive
të pa shoqëruara, të mos besosh në zot është po aq e tmerrshme dhe shkakton po
aq, ndoshta edhe më shumë terror sa të rrëmbesh avjona me njerëz dhe t’i përplasësh
pas ndërtesave të larta; po aq sa të masakrosh gazetarët në mes të Parisit vetëm
sepse kanë botuar karikatura; po aq sa të veshësh një jelek plasës dhe t’ia
mbash vetes duke marrë më qafë me dhjetra burra, gra, pleq, e fëmijë përreth;
po aq sa të rrëmbesh vajza nga shkollat dhe t’i kthesh ato në skllave; po aq sa
të hedhësh bomba atomike apo të rrafshosh qytete me popullsi të pafajshme.
Fatmirësisht,
bota e qytetëruar nuk shkon me logjikën e mbrapshtë mesjetare të hoxhallarëve
mjekëroshë të Arabisë Saudite. Sepse po të shkonte unë do t’i kisha shkruar këto
rreshta me pendë gjeli mbi një copë lëkure dhije, dhe jo në kompjuter. Vetë
mjekrat dhe padronët e tyre nuk do të lundronin në florinj të fituar nga shitja
e naftës, por do të vazhdonin të bënin tregëti bagëtish dhe skllevërish nga një
oaz në tjetrin.
Me interes është
të shohësh se si logjika e mjekroshëve të Arabisë Saudite gjen jehonë te mjekëroshë
të tjerë, për shembull, te logjika e mjekëroshëve të Kishës Ortodokse
Autoqefale Shqiptare. Nuk dihet përse, por e zënë në një konflikt me shtetin
shqiptar në lidhje me emërtimin kishë
apo monument kulture të ca gurëve në Dhërmi, organizata e Janullatosit ka shfrytëzuar
rastin t’iu vërsulet atyre që s’besojnë te përralla e krijimit të mbinatyrshëm
të universit. Mbi mbeturinat e gurëve të mbetur nga ajo që Edi Rama e shihte si
quante “haur”, ndërsa janullatasit “kishë”, propagandistët e ortodoksë kanë ngritur
në mënyrën melodramatike tabelën me fjalët “Ndal Terrorit Ateist!”.
Vetëm njerëz
që janë mësuar gjithë jetën të gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë mund të
flasin e të shkruajnë me një mungesë të tillë përgjegjësie ndaj të vërtetës. Së
pari, në rrëzimin e objektit nuk bëhet fjalë fare për terror, por thjesht për
prishjen e ca mureve për pronësinë e të cilave shteti shqiptar ka mendime të
kundërta me Kishën Ortodokse të Janullatosit. Pra tabela fare mirë mund të
shkruante : «Ndal prishjes së pronave të kishës.» Terror do të thotë
veprim i dhunshëm, vrasje, për të shkaktuar frikë masive në mënyrë që të
arrihet një synim i caktuar politik. Prishja nga shteti e një objekti që ai
(shteti) e sheh si të vetin mund të jetë, më së shumti, veprim i paligjshëm i
shtetit, por kurrsesi nuk mund të quhet terror.
Së dyti,
edhe sikur të ishte terror, nga e nxjerr Janullatosi me trimat e tij idenë që është
kryer nga ateistët? Edi Rama, kryeministri që qëndron në anën tjetër të
konfliktit dhe që duket se ka dhënë urdhërin për prishjen është vetëshpallur
botërisht si Katolik. Përse nuk kërkojnë mjekëroshat e KOASH-it që të ndalojë
“terrori katolik”, por ai ateist? Ose, me çfarë mandati i heq KOASH-i Edi Ramës
të drejtën për të qënë katolik?
E vërteta është që ateizmi mbetet armiku më i frikshëm për
kishën dhe për besimin në përgjithësi. Sulmet e diktaturës islamike të Arabisë
Saudite dhe të KOASH-it të Janullatosit ndaj ateistëve kanë të përbashkët
urrejtjen dhe frikën nga mendimi i lirë, nga ideja bazë e ateizmit – nuk ka
zot. Po t’i heqësh zotin, diktaturës arabe i hiqet guri i themelit dhe shkërmoqet
si kokrrat e rërës. Ndërsa Janullatosi dhe mjekëroshët e tjerë në Shqipëri
mbeten pa punë - s’kanë për çfarë të mashtrojnë dhe në bazë të ç’gënjeshtre
tjetër t’i pretendojnë pronat, paratë, privilegjet, pushtetin mbi njerëzit dhe
gjithçka tjetër që iu mbush jetën e tyre parazitare.
Ateizmi për ta është i tmerrshëm, terror i vërtetë, pavarësisht
se ateistët nuk veprojnë me armë por me fjalë, me shkrime, me shkencë dhe me
forcën e logjikës. Prandaj edhe nuk lenë rast pa përdorur për të sulmuar ateistët
duke u përpjekur t’i identifikojnë ata me gjithçka të keqe – me komunizmin, me
fashizmin, me terrorizmin. Ateizmi, mosbesimi në zot është për ta mishërimi i armikut.
Çdo gjë e keqe, çdo akt i papranueshëm ligjërisht e moralisht duhet
identifikuar me ateizmin. Dhe, si në gjithçka tjetër që ka lidhje me fenë, edhe
këtu, veçanërisht këtu, parimi i përsëritjes merr përparësi. Edhe gënjeshtrën më
të madhe dhe më të papranueshme logjikisht, po e përsërite pafundësisht, do të
vijë dita që do ta pranojnë.
Besimet për ekzistencën e një fuqije të
mbinatyrshme që 6000 vjet më parë krijoji botën në qendër të universit, nxori
Adamin nga balta dhe Evën nga brinja e tij; që përmes shpirtit të shenjtë la edhe
shtatzënë edhe të virgjër Marien për të lindur djalin e vet që ishte
njëkohësisht edhe vetja e vet edhe shpirti i shenjtë, e të tjera përralla si
këto i përkasin një periudhe foshnjore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Sot, në shekullin 21, në kohën e përparimit të shkencës, ato janë po aq të
vjetëruara sa edhe mjekrat e gjata të yndyrta, veshjet qesharake, ritualet
boshe të atyre që i përhapin. Edhe si mjete sundimi atyre iu ka ikur koha,
sepse mbahen vetëm mbi shpatullat e dhunës dhe injorancës. Aty ku janë në
pushtet, njerëzit e fesë kanë regjimet më të ndyrë, më shtypës, më
anti-demokratikë - Arabi Saudite, Iran. Aty ku s’janë në pushtet, kanë thjesht mashtrimin,
si mjet të njerëzve të pamoralshëm për të siguruar mbijetesën.
No comments:
Post a Comment