(Fragment nga romani Hijet e Muzgut)
Koha: Fillimi i kohës
... Kur i mbaroi të gjitha Zoti u duk i kënaqur. Ama jo krejt i kënaqur. I kishte mbetur një copëz kënaqësie pa iu plotësuar. Zoti vuri re se i mungonte diçka. I mungonte diçka që t’i gëzonte të gjitha këto dhe, mbi të gjitha, t’i ishte Atij mirënjohës për çka kishte krijuar. Diçka që t’i lutej e t’i falej, t’i trembej e ta donte, dhe jo të vërtitej pa e çarë kokën për ekzistencën e tij, siç bënin kafshët dhe sendet e tjera.
- Më duhet diçka që të jetë në gjendje t’i vrasë dhe t’i hajë këto kafshë moskokëçarëse, - tha Zoti. - Më duhet dikush që t’i shkatërrojë këto pyje të bukura, t’i presë këto pemë të larta; ta prishë këtë ajër kaq të pastër; t’i ndotë këto ujëra të kulluara; t’i thyejë këta shkëmbinj kokëfortë; t’i nxjerrë nga nëntoka mineralet dhe naftën, që as unë s’e di përse i kam futur aq thellë; ta qelbë ajrin dhe ta turbullojë ujin; diçka që t’i bëjë të gjitha lëmsh. Dhe kjo diçka duhet bërë sipas shëmbëlltyrës sime.
Kështu Zoti krijoi njeriun. Jo një, po dy. Të ndarë dhe të pavarur nga njëri-tjetri. Të shkëputur me dete, oqeane, kilometra malesh e kontinentesh. Njërin, e vuri në një kopsht të bukur, në Kopshtin e Edinit, me të gjitha të mirat, në mes të oqeanit, dhe e quajti Adam. Kopshti i Edinit ishte diku në një nga ishujt pranë bregut lindor të Afrikës.
Tjetrin e vuri në mes të disa maleve të bukura, zhytur në pyje të gjelbëruara dhe pemë të panumërta, në një tokë me dhè të kuqërremtë, në një kopsht të cilin e quajti “S’Edin”. Njeriun e dytë e quajti Qygj. Kopshti i S’Edinit ishte diku në Ballkanin Jugperëndimor, në Europën Juglindore, pranë një lumi të vogël shkumues, që quhej Shkumbin, diku rrotull një pike që quhej Xhyrë.
Të dy njerëzit e parë ishin burra, pasi Zoti i krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij dhe Zoti, dihet mirëfilli, që është burrë, me qime të ashpra dhe lesh në të katërta anët, me koqe e me gjithçka tjetër që vjen me paketën e një burri. Sepse Zoti mund të vijë në tri forma, si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, por që të tria format janë burra. Asnjë nga format nuk është grua. Prandaj edhe dy njerëzit e parë që u krijuan ishin burra, sepse Zoti ishte i vendosur t’i krijonte njerëzit e parë në shëmbëlltyrën e tij.
Të palidhur me njëri-tjetrin, të pavarur nga njëri-tjetri, mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, Adami dhe Qygji jetonin nën vëzhgimin e kujdesshëm dhe të vazhdueshëm - por jo të pandërprerë të Zotit. Ata jetuan disa qindra vjet kështu, të vetmuar, pjesë e eksperimentit të Zotit, i cili përsëriste vazhdimisht me vete: - Punë e paqme! Zoti është tip që kënaqet me punën e tij.
Megjithatë, erdhi një ditë që edhe Ai, bashkë me dy njerëzit që kishte krijuar, u mërzitën. I pari u mërzit Adami. Ai iu drejtua Zotit:
- O Zot i madh, - i tha, - ndihem i vetmuar. Shikoj përreth dhe vë re se të gjitha kafshët që ke krijuar këtu në Kopshtin e Edinit e kanë nga një shok, nga një partner, me të cilin eglendisen: ujku kruhet pas ujkonjës; ariu polar ngjishet pas arushës polare (sepse në Kopshtin e, Edinit pavarësisht nga klima, rronin të gjitha llojet e kafshëve); qentë ua hipin gjithë qejf buçeve. Vetëm unë s’kam me kë të gërvëlisem. Ata lindin kalamaj e shumohen, kurse unë kam mbetur firar.
Zoti kroi kokën dhe i dha të drejtë.
- Jam i një mendimi me ty, - tha Ai. - Ty të duhet një njeri, domethënë njeri femër. Unë ta bëj, por duhet të të heq një kockë. Le të themi një brinjë.
- Po unë mezi i kam brinjët dhe më duhen për të mbajtur kafazin e kraharorit, - ia ktheu Adami.
- S’ka problem, - ia mbushi mendjen Zoti. - Kafazi i kraharorit mund të rrijë për bukuri edhe me një brinjë mangët. Unë kaq e kam pazarin, një brinjë. Po të duash merre, po të duash lëre.
Adami pranoi dhe Zoti i hoqi atij një brinjë nga kafazi i kraharorit. Megjithëse Zoti i hoqi një brinjë, Adami mbeti me numër të plotë brinjësh dhe kjo s’u mor vesh kurrë sesi ndodhi. Ja, këto janë mrekullitë e Zotit, që mendja e gjorë njerëzore nuk është në gjendje t’i shpjegojë. Se Zoti, që di të shkuarën, edhe të sotmen, edhe të ardhmen, do ta ketë ditur që një ditë prej ditësh Adami do t’i kërkonte t’i krijonte ndonjë shoqe nga brinja, prandaj kur e krijoi fillimisht atë e bëri me brinjë të plota, ndoshta edhe me një brinjë shtesë, të cilën po t’ia hiqte, do t’i mbeteshin përsëri të plota, por edhe kur s’ia kishte hequr, përsëri ishin të plota. Punët e Zotit janë tepër të ndërlikuara dhe duhen marrë me besim, jo me arsyetim logjik.
Pasi hoqi brinjën, Zoti kreu një përpunim gjenetik duke krijuar prej saj njerien, të cilën e quajti Eva. Kësaj Zoti i tha: - Ti je krijesë dytësore, jo e njëjtë me
Adamin. Je e detyruar t’i bindesh gjithë jetën atij, t’i shërbesh me besnikëri, ta dëgjosh dhe t’i bësh kalamaj sa herë t’i teket atij. Po të bëj pak më të shkurtër dhe më të dobët, që ai të ketë mundësi të të kontrollojë dhe të të hyjë në dru, po qe se i jepet rasti. Si kompensim, po të jap një llapë më të gjatë, që ta përdorësh si të të vijë për mbarë.
Eva nxori llapën dhe u bë gati të ankohej, por ishte vonë. Zoti qe zhdukur.
. . .
Njëkohësisht me pazarllëkun që bëhej në Kopshtin e Edinit, mijëra kilometra tutje, dy oqeane dhe shtatë dete larg, Zoti përpiqej të arrinte një marrëveshje të ngjashme me Qygjin, në Kopshtin e bukur të S’Edinit, pranë vendit të bekuar të quajtur Xhyrë. Zoti kishte dhe ka aftësinë të ndodhet në dy ose më shumë vende të ndryshme në të njëjtën kohë, pasi për të, koha dhe hapësira nuk kanë pikë rëndësie, veçanërisht në rastet kur nuk duhet të kenë. Ndërsa kur duhet të kenë, kanë.
- O Qygj i shkretë, - i tha Zoti. - Ty të duhet një shoqe, sepse edhe emri që ke tingëllon shumë i vetmuar. Të duhet dikush që të të ndihmojë dhe ta ndihmosh. Një njeri tjetër, një njerie, me të cilën të shkëmbesh nja dy fjalë. Prandaj do të të shkul një brinjë.
- Kjo më duket ide shumë e mirë, - tha Qygji. - Vetëm, të lutem, mos më hiq brinjë. Brinjët dhembin.
Më shkul ndonjë gjë tjetër që të ketë më pak dhimbje dhe të mos më prishë punë.
- Po çfarë të të shkul? - pyeti Zoti?
- Ja, më shkul apendicitin. Se ç’kam një parandjenjë që atë ma ke vënë kot.
- Hm, - ia bëri Zoti. - Të ditka bytha! Mos do të thuash se unë bëj gjëra kot, pa vlerë?
- Po edhe aq plot nuk duket se ke bërë, - tha Qygji, që donte të hiqej sa më i zgjuar dhe s’tregonte ndonjë shenjë të veçantë respekti për Zotin. Zotit nuk i pëlqente shumë ky qëndrim prej kapadaiu, por s’kishte ç’bënte. Në fund të fundit, vetë e kishte krijuar Qygjin kështu, shëmbëlltyrë të vetes së tij, fodull dhe kapadai.
- Apendicitin nuk ta heq sikur kaq ta bësh dhembin, - tha Zoti duke treguar gishtin e mesit, të cilin në atë çast e kishte nja tre kilometra të gjatë.
Qygji e pa me vëmendje gishtin dhe e kuptoi që ishte e pamundur ta bënte dhëmbin aq, prandaj filloi të vrasë mendjen, për të shkulur ndonjë pjesë tjetër të trupit.
- Po sikur të të shkul një kockë nga ai zgjatimi në fund të barkut? Në fund të fundit, ai s’ka ç’të duhet me kockë, - i sugjeroi Zoti si pa e pasur shumë mendjen aty.
- Ky zgjatimi këtu? - tha Qygji duke ulur kokën. - Vërtet, as ky s’më hyn shumë në punë. Shkule të gjithin.
- Ndoshta të duhet kur pshurresh, - tha Zoti. - Që t’i japësh drejtimin e duhur dhe mos spërkatësh.
- Ç’ia fut kot edhe ti, - tha Qygji. - Unë pshurrem shkurreve, ku të më zërë. Hiqe fare, se s’më duhet.
- Mirë, - tha Zoti i gëzuar. - Meqë nuk e dashke, po ta heq ty dhe po ia jap atij që do të krijoj. Që sot e tutje, ti do të jesh femra, ndërsa ai që do të krijoj do të jetë mashkulli.
Qygji s’e kishte fare idenë për çfarë flitej.
- Si të duash, - ia bëri, pa e vrarë mendjen fare.
Dhe kështu u bë. Zoti kreu operacionin e parë ndërgjinor duke e kthyer Qygjin në femër. Me këtë rast ai ia ndërroi edhe emrin nga Qygj në Qygje. Pastaj, Ai kreu përpunimin e dytë (ose, po të kemi parasysh njëkohshmërinë e veprimeve të Zotit, mund të themi të parë) gjenetik, duke krijuar një njeri nga penisi i një tjetri. Njeriun e porsakrijuar nga zgjatimi i tepërt i Qygjit e bëri mashkull. Pasi e krijoi, Zoti tha:
- Nisur nga prejardhja, mendoj që njeriu i ri i sapokrijuar të quhet Pallosh.
Qygjes iu duk i drejtë mendimi. Edhe Palloshit të sapokrijuar iu duk me vend.
No comments:
Post a Comment