E mban mend njeri apo më është fiksuar kot mua që kjo fytyra që sot kryeson Parlamentin njëpartiak shqiptar është arratisur në Greqi në vitin 1997? E mban mend njeri, apo më është fiksuar kot mua që nja gjashtë vjet para se të arratisej ai ka qënë Ministër i Punëve të Brendëshme? Dhe, nëqoftëse nuk më është fiksuar kot mua, por kështu ka qënë vërtet, pavarësisht se nuk para kujtohet ky fakt nga publiku i gjerë, a di njeri të thotë se si e pritën grekët këtë ish-ministrin shqiptar të Punëve të Brendëshme që iu kishte vajtur atje për t’iu kërkuar strehim dhe ndihmë?
Krahëhapur, do thosha unë. Dhe jo ngaqë ishte veshur si grua dhe iu ngacmonte grekëve fantazitë seksuale. Me atë fytyrë që ka ai s’besoj se ndjell dot njeri (e kam fjalën për fytyrën shpirtërore, se atë fizike nuk më lejon etika profesionale t’ia përgojoj).
Nejse, po përse do ta prisnin grekët krahëhapur një ish-ministër të punëve të brendëshme të Shqipërisë që shkonte dorëzohej te ata dhe iu kërkonte ndihmë për të shpëtuar lëkurën? A e ka pyetur njeri Kalorësin e Fytyrës së Inatosur kur është kthyer se çfarë zoçkash i kanë kërkuar kolegët grekë të nxjerrë nga barku për t’i dhënë, si shpërblim, ndihmën e tyre? Ja, këtë s’mbaj mend ta kem lexuar apo dëgjuar gjëkundi. Do me ketë shpëtuar prandaj sinqerisht kërkoj ndihmë që të ma sqaroni.
Se puna është kështu – Ministria e Brendëshme ka qënë Ministri e Brendëshme, me gjithë strukturat e saj të brendëshme – sigurimin, agjentët, spiunët, hetuesit, oficerët, e të tjerë. Në krye të të gjithëve ishte ky që arratisej. Jo një agjent apo spiun i thjeshtë, jo një oficer apo hetues i rëndomtë, apo qoftë me përgjegjësi. Por kreu i tyre. Në gjuhën e kompjutareve quhet ‘motherboard’. Sa mund të gëzoheshin grekët nëse atyre do t’iu dorëzohej një agjent i thjeshtë shqiptar? Sa të gëzuar do të kenë qënë ata kur iu ka trokitur në dorë kreu i të gjithë agjentëve shqiptarë? A thua ta kenë përmbajtur veten dhe të mos i kenë bërë asnjë pyetje? A thua nuk iu ka shkuar mendja për asnjë pazarllëk, por e kanë drejtuar menjëherë në ndonjë vilë buzë detit duke i thënë: Rri qetësohu këtu, pa merak fare, sa të bëhet gati situata dhe të kthehesh në Shqipëri për të vazhduar karrierën tënde politike me të cilën ne s’kemi, nuk duam të kemi, dhe s’kemi për të pasur asnjëherë ndonjë lidhje? Grekët njihen si krijesa të sinqerta dhe të padjallëzuara, por jo deri në këtë shkallë, apo jo?
Se ç’u tha dhe se ç’u bë në Greqi ne nuk e dijmë. Atë e dijnë vetëm Gramoz Ruçi dhe ata ustallarët e Athinës. Ne dijmë vetëm që ky zotëria u kthye, hipur si gjithmonë majë kalit, kalë të cilit nuk ia ka zbritur asnjëherë dhe s’besoj se do t’ia zbresë derisa të arrijë moshën e shoqes Nexhmie. Edhe kali gjallë do jetë, se është kalë grek. Kuajt grekë rrojnë me shekuj, me mijëvjeçarë.
Seç m’u kujtuan kot këto ndodhi të 23 vjetëve të shkuara tani që Kryemadhëria e ka mprehur shpatën edhe një herë për të luftuar korrupsionin. Ndoshta ma kujtoi ajo shpresa e mekur se do të kujtohet dikush, dikur, ta fillojë spastrimin e vendit nga ai llum i pisët që e mbuloi Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997.
No comments:
Post a Comment