Saturday, April 18, 2020

Shpjegimi më i qartë i Virusit


Duke qënë se ka kaq shumë pyetje dhe pështjellim në lidhje me gjendjen, po përpiqem t’iu jap një shpjegim shkencor të Virusit, një shpjegim të bazuar në sa më shumë të dhëna dhe dëshmi të njerëzve që i dijnë mirë këto punë dhe që s’marrin vesh nga asgjë. Unë po e titulloj këtë shpjegimi më i qartë i virusit, pasi jam i sigurt që në fund të leximit në kokën tuaj nuk do të ketë mbetur pa marrë përgjigje asnjë pyetje.
Corona-virusi, ose Covid-19, gripi kinez, ose virusi aziatik, është një sëmundje e rrezikshme vdekjeprurëse, pak a shumë si një grip i zakonshëm, që ka paralizuar me ose pa arsye ekonominë dhe lëvizjen e pjesës më të madhe të popullsisë së botës. Duke qënëse i janë veshur me ose pa të drejtë shumë emra, në këtë përmbledhje të shkurtër studimore këshillimore do t’i referohemi thjesht me emrin Virusi sepse dihet mirë për kë bëhet fjalë.
Origjina. Virusi është krijuar në mënyrë artificiale në një laborator të Wunanit  gjatë kohës kur një laborant ndërsa hante supë me lëng lakuriqnateje dhe me tru majmuni të mbështjella me zorrë minjsh të ngordhur me duart e palara i dërgonte mesazhe në celular përmes lidhjes me sistemin 5G profesorit të Harvardit  që është projektuesi amerikan i laboratorit kinez. Ai është një prodhim special i qeverisë kineze për të kontrolluar ekonominë botërore, në bashkëpunim me shërbimet sekrete amerikane që kërkojnë të shkatërrojnë ekonominë e Kinës, duke ulur çmimet e naftës që të dalë jashtë loje Rusia e Putinit dhe të shpërbëhet Bashkimi Europian duke filluar me tërheqjen e Italisë dhe Spanjës  dhe forcimin e pushtetit të Edi Ramës. Prodhimi i tij është financuar nga Bill Gates dhe George Soros, me miratimin e Iluminatit dhe një koalicioni alienësh që vazhdojnë të monitorojnë rregullisht hapërsirën ajrore rreth Malit të Dajtit.
Shpërndarja. Shpërndarja ose përhapja e virusit është realizuar kryesisht nga media liberale e majtë marksiste-leniniste e Washington Post-it që ka për qëllim rrëzimin e Presidentit Trump, ringjalljen e Fidel Kastros dhe instalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, si edhe medja e djathtë, kryesisht Fox News, që ka për qëllim rizgjedhjen e Presidentit Trump dhe kalimin në një sistem një-partiak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mënyra të tjera anësore shpërndarje janë kollitja, teshtima, pështyma, prekja, marrja frymë, pjerdhja (por jo fëndat), çdo formë jashtëqitjeje, seksi, ajri, toka dhe deti, pa përjashtuar edhe mundësinë e përhapjes me anë të kafshëve, shpendëve dhe insekteve. E përsërisim, këto janë mënyra të tjera, anësore të përhapjes. Kryesore është medja.
Rrezikshmëria. Duke u mbështetur në të vërtetat e padiskutueshme të gjithë atyre që gënjejnë, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetsisë dhe qeveritë e vendeve të mëdha si Kina, SHBA, Britani, Gjermani, Shqipëri,  dhe atyre të vegjël, si edhe mediat përkatëse dhe, papërjashtim të gjithë ata që kanë llogari në Twitter, Instagram dhe Facebook, mund të thuhet pa frikë se shifrat që jepen për numrin e të prekurve nga Virusi në vende të ndryshme dhe në të gjithë globin janë të pavërteta. Numrat janë sa të ekzagjëruar, aq edhe të minimizuar. Për shembull, italianët i kanë ekzagjëruar jashtëzakonisht numrat e viktimave të Virusit për të marrë sa më shumë ndihma nga BE, ndërkohë që numri i viktimave në fakt ka qënë shumë më i madh se sa ai i dhënë, sepse shifrat reale mbahen sekret për të mos përhapur panik te popullsia që po vazhdon jetën normale ndërkohë që bëjnë sikur janë marrë masa për të mos dalë nga shtëpia dhe paraqesin nëpër ekrane rrugë bosh, që në të vërtetë janë plot por janë zbrazur me programe kompjuterike dhe BE nuk i ka dhënë asnjë Euro Italisë sepse ka hallin e viktimave të veta që sa vijnë e shtohen megjithëse e vërteta është që në asnjë nga vendet europiane nuk ka viktima.
Kush preket. Deri tani nuk është prekur asnjeri nga Virusi dhe të gjitha lajmet janë mashtrime, pavarësisht konfirmimit të mijëra të vdekurve dhe të shtruarve në spital, që janë thjesht aktorë amatorë që luajnë role të sëmurësh, mjekësh dhe infermjerësh për kamerat e kanaleve televizive pro-konspirative. Sidoqoftë më të prekurit nga Virusi janë pleqtë, moshat e mesme, dhe të rinjtë. Sipas statistikave, Virusi kap në disa vende më shumë gra se se burra dhe në disa të tjerë më shumë burra se sa gra. Shumë pak vende kanë raportuar në numër të barabartë viktimash, gra dhe burra. Nuk ka të dhënë që të ketë kapur ndonjë nga ata që e konsiderojnë veten pa gjini, ose nga ata që kanë ndërruar seksin. Ndoshta me këta virusi hutohet dhe s’di si t’i kapë. Virusi nuk kap dot as ata që kanë bërë vaksinën e Tetanozit, TBsë, dhe Lisë, si dhe shqiptarët me grup gjaku O (domethënë O si në Oborr, dhe jo 0 si në 100 ose anasjelltaz). Nuk kap as ata që dijnë se si t’i luten zotit dhe janë të bindur që virusi s’është gjë tjetër veçse mashtrimi i rradhës i establishmentit shëndetsor liberalo-amerikano-kinezo-europano-izraelit për të sjellë fundin e botës, apokalipsin që do t’i hapte rrugën kthimit të Jezu Krishtit në tokë. Nuk kap as vlonjatët.
Masat mbrojtëse. Megjithëse Virusi është sëmundje vdekjeprurëse aspak e rrezikshme, me simptoma sa të drejtpërdrejta aq edhe imagjinare, rekomandohen të merren ose të mos merren këto masa mbrojtëse. Siguroni letra higjenike me shumice.  Dhe me pakicë. Lani duart sa më shpesh dhe fshijini me letër higjenike. Duart mund t’i lani me sapun, me shampo, ose me hirë. Hani hudhra, qepë, presh, portokaj dhe farë kërpi. Pini lëng limoni, lëng shege, raki rrushi, vodkë, shurrë lope ose gamiljeje. Mos hani lakuriq nate, mish krokodili të skuqur, qofte me mish majmuni, supe me kocka minjsh, ose pilaf me miza. Ruani distancën sociale, mbani maska ose mos i mbani, vini ose mos vini doreza, kollituni në bërryl dhe hapni dyert me bërryla, bjerini murit me kokë dhe kokës me shkelm.
Ilustrimet janë vënë për sqarim
Dhe testohuni. Sa më shumë. Sa herë iu del ndonjë test në Facebook, mos e lini pa bërë. Do gjeni teste për qytetet më të mirë për të vizituar, test për popullsinë e Europës, test për fjalë të vështira, test për emra futbollistësh, për dramat e Shekspirit dhe vargjet e Këthe Spirit. Derman mos i lini asnjë testi. As testit popullor ‘Ku është marrë kjo foto?’. Qeverive iu rekomandohet ta luftojnë virusi duke nxjerrë sa më shumë tanke dhe makina të blinduara rrugëve të qyteteve dhe duke i zhytur kryeministrat në bunkere të ruajtura mirë.
Jam i sigurt se të gjithë së bashku, duke dhënë secili mendimin e vet prej kërpaçi të specializuar, duke i besuar të gjithëve dhe duke mos besuar asnjërin, duke shkëmbyer të dhëna të vërteta e të rreme, do të arrijmë t’ia dalim mbanë kësaj situate sa të vështirë aq edhe të lehtë. 

Arben Kallamata MISC
(Medicus Imaginarium Scientia Virales)




No comments: