Friday, July 17, 2020

Milionerë të të gjitha vendeve, bashkohuni!


Mësohet se një numër rekord futbollistësh janë anëtarësuar në Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste Black Lives Matter. Ekipe dhe liga të tëra në Angli, Gjermani, Shtetet e Bashkuara e më gjerë po i bashkohen ‘en-mase’ grupimit të ri politik që synon ndërrimin e rendit shoqëror botëror.
“Kur u njoha me parimet ideologjike të marksizmit që qëndrojnë në bazë të programit të Partisë BLM nuk mund t’i bëja dot ballë  tundimit për të dhënë sa më parë edhe unë ndihmesën time,’ shpjegon futbollisti francez i Manchester United Paul Pogba, që ndihet i pakënaqur me rrogën e tij mizerabël prej 313,000 dollarë amerikanë ose 274,000 euro në javë. “Përse të mos paguhemi të gjithë futbollistët njëlloj?’, pyet ai i revoltuar duke pasur parasysh rrogat maramendëse të lojtarëve të tjerë në ligat e Ballkanit perëndimor.
Futbollisti polak i Bajernit të Munihut Robert Lewandowski i cili fiton vetëm 15 milion dollarë në vit dhe llogaritet të ketë grumbulluar jo më shumë se 45 milion dollarë gjatë gjithë jetës së tij duke u rropatur fushave të futbollit shpjegon se është nisur nga motive të tjera për t’iu bashkuar revolucionit komunist marksist-leninist ndërkombëtar:
“Mua nuk më tërheq barazia,’ thotë ai. ‘Por kur mora vesh se miliarderi Xhorxh Soros po dhuronte 250 milion dollarë nga paratë e tij për t’ia shpërndarë në mënyrë të barabartë 26 milion pjesmarrësve të partisë në të gjithë botën nuk mund të mos pranoja të anëtarësohesha. Unë jam gati të heq dorë nga të gjitha që kam fituar deri më sot në mënyrë që të marr pjesën që më takon nga pasuria që po shpërndan Sorosi.”
“Për mua është thjesht problem politik,” sqaron futbollisti i Liverpulit Mohamed Sala, “Përderisa marksizmi është e vetmja mënyrë për të rrëzuar Presidentin Trump, unë do ta përqafoj atë sikur ta di që i humb të gjitha, duke përfshirë edhe titullin Kampion që sapo fituam.”
Analisto-Akademiku Tërmet Syçi nga Universiteti i Xhyrës në Shqipëri shpjegon se ideologjia marksiste është bërë çuditërisht shumë tërheqëse dhe ka infektuar një numër të madh futbollistësh dhe sportistësh të fushave të tjera, si edhe shumë njerëz të tjerë të famshëm në të gjithë botën, por veçanërisht në në SHBA. Basketbollisti Lebron Xheims që mezi mban shpirtin gjallë me ato 37 milion dollarë të qelbura që fiton në vit, çifti Alex Rodriguez dhe Jennifer Lopez, Beyonce dhe Madonna, Drake, Taylor Swift, Joaquin Phoenix, Michael Jordan, Leonardo DiCaprio, Lady Gaga dhe shumë të tjerë po bëhen gati të grisin llogaritë bankare dhe t’iu përvishen kodrave dhe maleve për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat.
“Janë çmendur të gjithë,” thotë Syçi duke vënë duart në kokë. “As unë s’di ta shpjegoj se si janë infektuar nga ajo ideologji e rrezikshme. Unë e kuptoj që qëllimi është që të rrëzohet Presidenti Trump dhe që e vetmja mënyrë për ta rrëzuar një president në Amerikë ka qënë dhe mbetet padyshim revolucioni proletar marksist-leninist. Por nuk e prisja kurrë që gjithë Partia Demokrate amerikane të bëhej kaq e majtë - gjithë ata kongresmenë e senatorë kapitalistë që janë kthyer në marksistë vetëm për një qëllim të caktuar. Tradhëtarë, tradhëtarë të fëlliqur të idealit kapitalist. Ndoshta ajo parti duhet nxjerrë jashtë ligjit.’
I pyetur nëse mendon se ka lidhje midis përhapjes së marksizmit dhe epidemisë së Covid-19 akademiko-analisti shqiptar të përplas një vështrim sarkastik ngultazi, psherëtin i dëshpëruar nga niveli i ulët intelektual i pyetjes, dhe parapëlqen t’i bjerë shkurt :
‘Kjo është thjesht ana tjetër e të njëjtës medalje. Covid-19, martesat e gejve, vaksinat, toka e rrumbullakët, çmimet Oscar, skllavëria e Lufta Civile Amerikane, monumentet që rrëzohen, tërmetet artificiale, maskat e detyruara, emrat e gjinisë asnjëanëse, janë të gjitha pjesë e të njëjtit plan djallëzor.’

Thursday, July 16, 2020

Të gjithë vandalët një fytyrë kanë


Çfarë ndryshimi ka kthimi që po i bën Erdogani Shën Sofisë në xhami nga kthimi që iu bëri Enver Hoxha kishave, katedraleve, xhamive në vatra kulture e pallate sporti? Nuk ka shumë ndryshim. Të dyja janë vandalizma kundër një trashëgimie të caktuar, krime kulturore. Çfarë ndryshimi kanë këto të dyja nga kthimi që i bëri Ferdinandi III i Spanjës xhamisë së famshme të kalifit Abu Yaqub Jusufi në Katedralen e Seviles që njohim ne sot? Pikë ndryshimi.
Lista është pa fund nga të gjitha anët: të krishterë që prishin faltore dhe monumente të të tjerëve përpara tyre dhe muslimanë që prishin kisha, faltore të të tjerëve, diktatore që prishin ose shndërrojnë rrënjët ideologjike të paraardhësve për t’i përdorur ato për nevojat a tyre ideologjike. Të krishterë që kthejnë xhamitë në kisha dhe muslimanë që kthejnë kishat në xhami.
Vetëm në Romë numërohen me dhjetra objekte të qytetërimit të lashtë romak që janë përvetësuar dhe përshtatur për t’i shërbyer krishterimit. Ndër to Curia Iulia, Selia e Senatit Romak u kthye në kishë të krishterë në shekullin e shtatë; Bazilika e Shën Pjetrit që është edhe sot e kësaj dite katedralja e Vatikanit ngrihet mbi një nekropol romak; Panteoni i famshëm ka shërbyer për një kohë të gjatë si Santa Maria Rotonda, Banjat e Dioklecianit u kthyen në Santa Maria degli Angeli e dei Martiri dhe San Bernardo alle Terme; ndërsa Koliseumin e shohim sot çerek të rrënuar vetëm se të krishterët i hiqnin gurët për t’i përdorur si materjal ndërtimi në kishat e ndryshme të Romës.  Shnderrimi i tempujve, faltoreve dhe objekteve të tjera në kisha e katedrale shtrihet në të gjithë botën dhe përfshin shkatërrime pafund. Katedralja Metropolitane e qytetit të Meksikos ngrihet mbi një tempull Aztek, ndërsa kisha Nuestra Senora de los Remedios është ndërtuar mbi Piramidën e Madhe të Cholulas.  
Me të ardhur në pushtet, muslimanë e të krishterë kanë përveshur mëngët për të shkatërruar apo përshtatur për nevojat e veta atë që kishin ndërtuar të tjerët para tyre. Muhameti kthehu Mekën dhe gurin e saj të famshëm nga një vend adhurimi dhe peligrinazhi për besimtarët politeistë në qendër turistike të besimit të tij, ndërsa pasuesit e islamit kanë kthyer me qindar kisha, tempuj Hindu, Xhaine dhe Budiste në xhami. Shën Sofia është një dhe më e njohura midis dhjetra e dhjetra kishave të kthyera në xhami brenda territorit të Turqisë, pa përmendur të tjerat kudo ku sundonte perandoria Otomane.
Përse çuditemi me Erdoganin?! Ai s’është gjë tjetër veçse një vandal në rradhën e gjatë të vandalëve që përpara tij. Të gjithë janë të bindur se miku i tyre imagjinar është më i mirë se i të tjerëve, ose më saktë është i vetmi që duhet adhuruar, prandaj askujt nuk i dridhen duart kur prish apo përshtat.   

Saturday, July 11, 2020

Kapini se na vodhën Akilin!


Një intervistë e botuar në Koha Jonë mban titullin përshkrues “Akademiku Apollon Baçe: Akili, Pirro dhe Aleksandri i Madh janë paraardhës të shqiptarëve. Grekët na vodhën historinë.” Titulli është gati po aq i gjatë sa krejt intervista, të cilën ndoshta s’ka nevojë fare ta lexosh, pasi s’thotë asgjë më tepër. Por nuk është ky problemi. Problemi është që një akademik merret me përralla, me fantazi, me letërsi artistike dhe lëshon përcaktime amatoreske, duke hapur thesin dhe duke ftuar gjithfarëlloj entuziastësh nacionalistë që të hiqen si akademikë. Niveli i diskutimit nuk ndryshon shumë.
Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe që një akademik të merret me letërsinë artistike, me përralla dhe me legjenda. Edhe këto janë fusha studimi të specializuar. Por kur akademiku përpiqet t’i kalojë përrallat si të vërteta historike ndryshon puna. Në këtë rast lind pyetja: A ka fakte shkencore Akademiku Apollon Baçe për ta mbështetur teorinë e tij që Akili është shqiptar dhe grekët na e kanë grabitur, apo ia fut qesim? Nëse do të kishte të dhëna shkencore atëherë nuk do të ishte keq që, si akademik, t’i paraqiste ato. Do të përbënin me të vërtetë një nga zbulimet më të rëndësishme të historike të kohës. Nëse s’ka të dhëna shkencore, faktike, atëherë mund të dalim në përfundimin se flet dhe shkruan qesim.

Shkollimi i Akilit - Eugene Delacroix, 1862
Akili është personazh i një legjende, i një përralle të lashtë popullore të krijuar të paktën tremijë vjet më parë. Eshtë personazh imagjinar, i lindur nga Nereida Thetis dhe Mbreti Peleus i Myrmidonëve. A e di vallë Akademiku Apollon Baçe se çfarë janë Nereidat? Janë krijesa imagjinare, gjysmë perëndi, si Zanat e maleve, por më saktë, Zana të detit. Janë disa motra gjysmëperëndi që shoqërojnë Perëndinë e Detit Poseidon. Kjo është nëna e Akilit, që Akademiku Apollon Baçe pretendon që është shqiptar dhe jo grek. Nuk di ç’mendim ka Akademiku Apollon Baçe për nënshtetësinë a mësuesit të Akilit, Centaurit Chiron.  A është Centauri Chiron shqiptar, apo grek? 
Thetis duke zhytur Akilin ne ujrat e Shkumbinit?!

Kushdo që ka të paktën disa njohuri bazë amatore për mitologjinë greke, ose që merr mundimin të shfletojë ndonjë libër apo të hapë ndonjë faqe Interneti mund të mësojë se, duke dashur ta bëjë Akilin të pavdekshëm, Thetis e zhyti atë në ujrat e lumit Styx duke e mbajtur prej thembrës, e vetmja pjesë e trupit që nuk iu lag dhe i mbeti e vdekshme. Shqiptarit, jo grekut Akil, sipas Akademikut Apollon.
Personazhi imagjinar i Akilit lidhet me luftën e Trojës që datohet diku në shekullin e 12-13 para erës sonë, një periudhë në të cilën një Akademik që fut hundët në histori duhet ta dijë mirë që nuk ekzistonin as grekë dhe as shqiptarë. Ekziston një koncept i papërcaktuar qartë për qytetërimin e lashtë grek, koncept i krijuar në kohët modern nga studiues modernë. Përveç lidhjes gjeografike dhe emocionale ai ka shumë pak të përbashkët me kombin e sotëm grek apo me kombin e sotëm shqiptar. Më tepër është ideja e një kulture me pika të përbashkëta, siç mund të kemi sot idenë e kulturës perëndimore, apo kulturës arabe, etj. në të cilën përfshiheshin një mori popullsish, administrimesh politike dhe organizimesh shoqërore që ndryshonin vazhdimisht formë dhe përmbajtje. Koncepti i kombeve grekë dhe shqiptarë ka lindur shumë më vonë se mitologjia greke, madje shumë më vonë edhe se Aleksandri i Madh apo Pirroja i Epirit.
Akuzat e tipit “ata na vodhën neve’ janë thjesht emocionale e nuk kanë asnjë të vërtetë shkencore. Ato i shkojnë më tepër për shtat propagandistëve nacionalistë dhe organizatorëve të turmave të tifozëve nëpër stadium se sa studiuesve seriozë që e quajnë vete akademikë. Mirëpo këtu qëndron edhe një nga problemet që kemi ne – te paaftësia për të bërë dallimin midis specialistit dhe amatorit. Akademikët bijen në nivelin e amatorëve dhe amatorët ulërijnë sikur janë të gjithë akademikë. Përfundimi është që asnjeri nuk na merr serizisht për ato që themi dhe ne vazhdojmë t’iu bijem ca avazeve boshe që i bëjnë të huajt të buzëqeshin me ëndje, me dashamirësi, por me asgjë më tepër.