Wednesday, November 25, 2020

I dashur mik, virtual apo real,

Për mua vlera më e madhe që solli kalimi nga diktatura në demokraci është liria e gojës. Jo liria për të ngrënë pa tollon, por liria për të folur, për të shprehur hapur atë që mendon. Unë e kuptoj demokracinë si një mjedis ku lulëzojnë shumë mendime dhe ku secili ka të ketë të drejtë të shprehë lirisht të vetin, veçanërisht kur bije fjala për politikanë, për të ashtuquajturit ‘lidera’. Në liri kushdo ka të drejtë të krijojë parapëlqimet e veta politike dhe të përkrahë politikanët që ia mbushin mendjen.

Prandaj të lutem, i dashur mik, kuptoje që unë kam të drejtë të jap mendimin tim, të çmoj apo përçmoj cilindo politikan që më do qefi. Kam të drejtë të ngre lart, apo të ul poshtë këdo parti apo rrymë politike, ideologjike, propagandistike a fetare që e shoh të arsyeshme. Kam të drejtë ta shpreh hapur mendimin tim. Kjo është e drejta që ma jep demokracia.  Politikanët dhe partitë politike janë figura publike dhe duke pranuar të jenë të tilla, kanë pranuar vetë të vihen në shënjestër të gjykimit tonë, domethënë edhe të gjykimit tim si qytetar i lirë, dhe ky gjykim mund të jetë pozitiv, siç mund të jetë edhe negativ.

Ti, i dashur mik, nuk ke përse të ndihesh i fyer kur unë ul poshtë një politikan, njëlloj siç nuk kam as unë arsye për t’u ndjerë i fyer kur ti e ngre atë lart. Anasjelltas, unë s’kam përse të ndihem i fyer kur ti shan dhe abuzon politikanët që ti i mendon si të padenjë, siç edhe ti nuk ke përse të ndihesh keq kur unë ngre lart ndonjërin që mund të adhuroj (megjithëse në rastin tim kjo nuk ndodh thuajse kurrë). Për ta thënë më shkurt, nuk ka asnjë arsye përse të ndihesh i fyer nga unë. Kur unë kritikoj politikanin nuk e kam me ty, por me politikanin. Në rastin e politikanëve, edhe po të jenë pjestarë të afërt të familjes tënde, unë përsëri e kam me ata, jo me ty. Se ç’mendon ti për ta , është puna jote.  

E përsëri, më duhet ta pranoj që edhe ti ke të drejtë të ndihesh i fyer. Kjo puna e fyerjes, e të ndjerit i fyer domethënë, është kthyer si modë këto kohët e fundit. Me një fjalë ka filluar të çfaqet një hollim ndjenjash i paparë ndonjëherë. Disa e kanë bërë si modë që, porsa dëgjojnë apo lexojnë diçka që nuk iu pëlqen, hidhen e thonë : ‘Ndihem i fyer’, ose ‘Eshtë fyese’, ose ‘Na prek ndjenjat’. Normalisht këtyre ankesave qaramane i duhet dhënë përgjigja : ‘Pune e madhe shumë.’ Megjithatë, për hir të të qënit deri në fund i paanshëm më duhet të them se po, ti ke të drejtë të ndihesh i fyer.

Është e drejta jote të ndihesh si të duash nga çfarë lexon lart e poshtë. Njerëzit kanë regjistra emocionalë të ndryshëm dhe unë nuk kam asnjë autoritet të përcaktoj se kur dhe sa duhet t’i preken telat e zemrës të tjerëve. Por, meqënëse ke të drejtë të ndihesh i fyer, kjo nuk do të thotë se ti ke të drejtë të kthehesh e të më fyesh mua, drejtpërdrejt, si njeri, vetëm e vetëm se unë kam ulur idhullin tënd, liderin tënd, njeriun për të cilin ti ke votuar, ose ke dashur të votosh në pamundësi të të drejtës për të votuar. Sepse unë, në rastin më të keq po fyej atë, ndërsa ti po vjen e më fyen mua. Sikur nuk shkon, apo jo?

Megjithatë, jetojmë në një botë të lirë dhe ti mund të thuash se edhe këtë të drejtë e ke, domethënë të drejtën të shprehësh mendimin tënd për mua, pra mund të thuash se ke të drejtë të më fyesh mua (në atë shkallë sa ta lejon ligji). Për hir të lirisë së shprehjes unë do ta pranoj edhe të drejtën që ke ti që të shprehësh mendime fyese në lidhje me mua. E pranoj, është e drejta jote.  

Por nëse ti e ushtron këtë të drejtë, pra të drejtën për të më fyer mua drejtpërdrejt, në publik, në faqen time, ose tëndën, ose të përbashkët të facebookut, mos prit të mbetesh miku im. Real, jo e jo, por as virtual. Pavarësisht se këtu në fb jemi  bërë të gjithë si këmbët e dhisë dhe quajmë ‘miq’ me të njohur e të panjohur, vazhdon të mbahet në këmbë një farë kuptimi redimentar i fjalës ‘mik’. Dhe shkalla e parë e të qënit ‘mik’ në facebook është pikërisht kjo – përmbajtja për të mos e fyer tjetrin. Dhe me fjalën 'tjetrin’ unë kuptoj mikun, virtual apo real, dhe jo politikanin.

Prandaj, i dashur mik real apo virtual, përpara se të vesh gishtat mbi tastjerë dhe të fillosh t’i përgjigjesh gjithë emocion statusit tim për këdo politikan apo figurë publike, për cdo broçkull idologjike apo politike, për çdolloj idhulli apo të adhuruari që ekziston në botën reale apo imagjinare të njerëzimit, do të ishte mirë të merrje një herë frymë thellë, të numëroje deri në dhjetë dhe të mendoheshe: A dua vërtet ta fyej këtë mikun tim në facebook dhe ta prish një herë e përgjithmonë miqësinë (reale apo virtuale) me të? A ia vlen ta humbas një mik për hir të mënyrës se si ndihem unë në lidhje me filan politikan? A më bën nder mua fyerja publikisht e një njeriu që e njoh dhe me të cilin kam marrëdhënie normale, njerëzore, për arsyen e vetme se ai ka mendim të ndryshëm nga unë në lidhje me dikë që ndodhet larg, tepër larg nesh dhe që s’ka as idenë më të vogël të ekzistencës time, të mikut tim, dhe të të gjithëve të tjerëve rrotull nesh?

Nëse me gjak të ftohtë kësaj pyetjeje i përgjigjesh po, domethënë nëse vërtet mendon se ia vlen ta prishësh miqësinë me mua për shkak të idhullit tënd, atëherë vazhdo, jepu gishtave. Edhe unë nuk do të hezitoj të të heq nga lista e miqve, si nuk kam hezituar të heq, për të njëjtën arsye, një numër jo të vogël para teje, duke përfshirë ndër ta edhe njerëz për të cilët kam pasur dikur respekt dhe i kam ditur si të kulturuar.

Nëse, nga ana tjetër, ti nuk fyesh nga ato që them unë për atë politikanin apo politikën, ose nëse fyesh por di ta përmbash veten dhe nuk të shkon ndërmend të më fyesh mua si shpagim për fyerjen që ndjen vetë ngaqë të është sulmuar idhulli, atëherë ne mbetemi miq dhe unë do të di ta vlerësoj këtë miqësi. Unë do të dij ta respektoj mendimin tënd, sado i ndryshëm të jetë nga i imi. Në fakt, një nga kënaqësitë më të mëdha që më jep facebuku është pikërisht mundësia për të shkëmbyer mendime, vecanërisht mendime të kundërta. Unë asnjëherë nuk i jam shmangur kësaj dhe e kam parë si gjimnastikë për mendjen dhe si mundësi për ta forcuar, jo dobësuar miqësinë. Miqtë që mendojnë ndryshe mua nuk më fyejnë - përkundrazi, më ndihmojnë të vras mendjen dhe të kontrolloj mendimet e mia, më ndihmojnë t’i shoh gjërat në këndvështrime të ndryshme. Jo vetëm aq, por shpesh herë edhe t’i ndryshoj mendimet e mia. Dhe kjo më bën të ndihem mirë.

Friday, November 20, 2020

Forca joshëse e Trumpit

 

Nga Sam Harris*

Prej vitesh jam përpjekur të kuptoj si është e mundur që gati gjysma e shoqërisë amerikane adhuron ose, të paktën, mbështet Donald Trump. Duke dashur të hedhur dritë mbi këtë mister kam folur edhe me mbështetës të Trumpit, por ndriçimi nuk ka ardhur që nuk ka ardhur. Për shembull, një nga të ftuarit e podkastit tim, Skot Adams e përcakton Trumpin si “mjeshtër për të bindur njerëzit’, ndoshta më i miri që ka njohur. Mirëpo problemi është se mua Trump më duket nga njerëzit më pak bindës që kam hasur. Sa herë e shoh kur flet më duket sikur kam përpara një mashtrues të rëndomtë dhe injorant. Në fakt, Trumpi e ka aq pak idenë se si e gjykojnë besueshmërinë e dikujt njerëz si unë, saqë përpjekjet e tij për t’u dukur i besueshëm, nëse ka të tilla, e bëjnë të duket edhe më qesharak, për të mos thënë i lajthitur. Prandaj të pretendosh se Trump ka forcë bindëse është njëlloj sikur të thuash që ka trup elegant prej atleti. Për mua argumente të tilla hidhen poshtë pa u shprehur mirë. E, megjithatë, fakti që gjysma e vendit e sheh atë me sy tjetër mbetet i pamohueshëm. 

Deri para disa minutash unë i isha dorëzuar idesë që nuk do të isha kurrë në gjendje ta kuptoja përse ndodh kjo. Por tani, krejt papritur, pikërisht në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, zbulova se ku qëndron forca joshëse e njerëzve si Trumpi. Krejt papritur kuptova që atë e mbështesin pikërisht për të metat që ka, dhe jo pavarësisht prej tyre. Këtu qëndron sekreti. Pra kam arritur të kuptoj se pikërisht ato anë të tij që mua më duken si më të neveritshmet, janë anët që të tjerë jo vetëm janë të gatshëm të mos i marrin parasysh, por edhe që në vetvete përbëjnë arsyen për ta mbështetur atë. Këtë nuk kisha mundur ta perceptoja deri pak kohë më parë.

Në podkastin tim jam marrë gjerësisht me të metat e këtij njeriu. Për mua atij i mungojnë të gjitha virtutet për të cilat mund të gjenden fjalë në fjalor – mençuria, kurreshtja, shpirtmadhësia, zemërgjerësia, disiplina - çfarëdo vlere pozitive që t’iu vijë në mend, atij i mungon. Edhe ata që e mbështesin e dijnë këtë, e dijnë që ai është symbol i babëzillëkut dhe narcisizmit, i vogëlsisë shpirtërore dhe keqdashjes – keqdashjes së mirëfilltë. Ai është nga ata njerëz që e kanë urrejtjen të shkruar në ballë. Eshte njeri që s’e ka për gjë t’iu kthehet e t’i baltosë njerëzit për të cilët jo më larg se dje hiqej sikur i adhuronte. Njeri që, ndërsa kërkon me të madhe besnikëri nga ata që i vijnë rrotull, si tipar thelbësor të vetin ka pabesinë. Dhe të gjitha këto i shfaq hapur. Prandaj edhe e kam pasur të pamundur ta kuptoj se çfarë e bën atë tërheqës për njerëzit.

Por më duket se më në fund e kam zgjidhur enigmën. As vetë nuk e kuptoj përse m’u desh kaq kohë, sepse këto mendime jo vetëm që më janë vërtitur m e kohë në kokë, por edhe i kam dëgjuar nga të tjerët. Fakti është që vetëm tani po e arrij ta shoh si duhet se çfarë tregon piktura që kam përpara syve. Eshtë si një nga ato tablotë magjike, ku ti e ngul shikimin mbi një telajo të mbushur me pika në dukje pa lidhje, në një stereogram të padeshifrueshëm dhe ku, krejt papritur, përpara syve të del një imazh i qartë tredimensional.

Imazhi i forcës tërheqëse të Trumpit mund të kuptohet më mirë i krahasuar me mesazhet që përcjellin kundërshtarët e tij nga e majta. Vetëm kështu mund të arrijmë ta shohim pamjen e vërtetë tridimensionale të tij. Vetëm kështu do të arrijmë ta përfytyrojmë atë si duhet.

Ta fillojmë me gjysmën e pikturës që ka të bëjë me Trumpin. Diçka që Trump nuk e përcjell kurrë, dhe as që është në gjendje ta përcjellë, është ndjenja e superioritetit moral. Këtij njeriu nuk i gjendet asnjë hije ëngjëllore. Edhe kur i përqëndron gjithë energjinë e veta për të nxjerrë në pah vetë-madhështinë, edhe kur kërkon t’i ulë e t’i fyejë ata që e mbështesin, edhe kur e quan veten gjeni, në asnjë nga këto raste ai nuk arrin të përçojë idenë se është më i mirë se ju, më i ditur, më i denjë. Sepse nuk është, dhe këtë e dijnë të gjithë.

Ky njeri s’është gjë tjetër veçse një pirg i llahtarshëm mëkatesh i cili, dhe kjo ka tepër rëndësi, as që kërkon të jetë më shumë. Pikërisht për këtë arsye, për faktin që ai nuk gjykon njeri, sepse nuk është kurrsesi në gjendje të gjykojë njeri, ai i ofron hapësirë të sigurt çdo dobësie njerëzore, çdo hipokrizie apo ndjenje vetë-dyshuese. Ai ofron atë që asnjë prift nuk është në gjendje ta ofrojë bindshëm  – faljen e plotë të ndjenjës së turpit. Pafytyrësia e tij vepron si një ilaç çudibërës shpirtëror. Trumpi është Krishti i trashë. Ai është Krishti që i kap femrat nga poshtë. Ai është Krishti që ha hamburgers sa t’i dojë kokrra e qefit. Ai është Krishti që ta vesh me grusht surratit. Ai është Krishti që iu thotë të shporren andej nga kanë ardhur. Eshtë Krishti që s’kërkon ndonjëherë falje.

Tani merreni këtë pamje dhe vëreni përballë gjysmës tjetër të tablosë. Çfarë imazhi vjen nga e majta? Krejt e kundërta. Shenjtërim i plotë, gjykim i pamëshirshëm. Ti nuk je gjëkundi. Ti je fajtor jo vetëm për mëkatet e tua, por edhe për ato të baballarëve të tu. Ti ke në kurriz edhe krimet e skllavërisë, edhe ato të kolonializmit. Dhe po qëllove të jesh mashkull i bardhë heteroseksual, siç dihet mirë që janë kryesisht bërthama e mbështetësve të Trumpit, atëherë ti s’je gjë tjetër veçse një barbar racist, homofob, transfob dhe islamofob. Prandaj hidh poshtë statujat dhe përkule atë mut gjuri.

Kur vihen përballë këto dy imazhe krijojnë një tablo shumë të fuqishme. Të kuptohemi, unë nuk e ve në dyshim se shumë nga ju do ta kenë kuptuar këtë para meje, por për një arsye apo një tjetër m’u bë e qartë vetëm sot. S’besoj se është e nevojshme të shtoj këtu që vazhdoj t’i përmbahem plotësisht gjithçkaje që kam thënë deri tani për Trumpin.  Une e konsideroj atë krejtësisht të paaftë për detyrën, ndërsa shumë nga të metat e karakterit të tij i shoh si të rrezikshme për shoqërinë. Unë kam bindjen që duke qënë ai që është ai e ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka ulur imazhin e Amerikës në botë në atë shkallë saqë do të duhen dhjetëvjeçarë për ta riparuar. Prandaj shpresoj sinqerisht që do ta heqim qafe nesër. Sidoqoftë, tani besoj se kuptoj pak më mirë se përse nuk pajtohet me mendimet e mija gati gjysma e popullsisë së vendit. Dhe kjo më bën të ndihem më pak i hutuar dhe më pak i njëanshëm, ndoshta edhe më pak trap. Dhe ky është padyshim progress.

Marrë nga Podkasti “Making Sense”, episodi 224, 2 Nëntor 2020

Sunday, November 8, 2020

That night when Mother died

That night when Mother died, my heart was shattered to a thousand pieces and it gave me pain so unbearable that cannot be compared to anything else.

That night when Mother died cut my life into two parts - the before, and the after. Today the after is longer than the before, which is not fair at all, because no one should live a life that is longer without than it is with someone they love so much.
That night when Mother died I was 26. I was not dependent on her. She had given me everything, she had made me who I was, and I didn’t need her. I just loved her.
That night when Mother died I realized that it was pure love, free from any need, any interest, or anything a child expects from a parent. If anything, it was a moment in my life when I was ready to give something back to her. Because of this,
that night when Mother died I was almost angry at her. I felt betrayed that she wouldn’t let me have a chance to give her something back, even a tiny fraction of all the universe she had given so generously and selflessly to me. But then I realized that she would never do that. She wouldn’t accept anything in return for what she gave. She was a giver, a giver, a giver...forever.
That night when Mother died everything melted within me, and then froze. Since then, I haven’t been able to feel pain the same way, and I hope, and I wish, that I will never be able to for the rest of my life. No one deserves to feel that kind of pain twice.
That night when Mother died was the twentieth of October, when Korça gets its first snow. But it didn’t snow that night. The snow within me was enough.
That night when Mother died was 35 years ago...35 days ago...35 minutes ago...
That night when Mother died was 7600 km away...7600 m away ... was here
That night when Mother died has no time and space.
That night when Mother died...
Why am I writing this in English? Why am I thinking all this in English?
I know why. It is because I can’t bring myself to say “That night when Mother died...” in the language that Mother told me.