Wednesday, November 25, 2020

I dashur mik, virtual apo real,

Për mua vlera më e madhe që solli kalimi nga diktatura në demokraci është liria e gojës. Jo liria për të ngrënë pa tollon, por liria për të folur, për të shprehur hapur atë që mendon. Unë e kuptoj demokracinë si një mjedis ku lulëzojnë shumë mendime dhe ku secili ka të ketë të drejtë të shprehë lirisht të vetin, veçanërisht kur bije fjala për politikanë, për të ashtuquajturit ‘lidera’. Në liri kushdo ka të drejtë të krijojë parapëlqimet e veta politike dhe të përkrahë politikanët që ia mbushin mendjen.

Prandaj të lutem, i dashur mik, kuptoje që unë kam të drejtë të jap mendimin tim, të çmoj apo përçmoj cilindo politikan që më do qefi. Kam të drejtë të ngre lart, apo të ul poshtë këdo parti apo rrymë politike, ideologjike, propagandistike a fetare që e shoh të arsyeshme. Kam të drejtë ta shpreh hapur mendimin tim. Kjo është e drejta që ma jep demokracia.  Politikanët dhe partitë politike janë figura publike dhe duke pranuar të jenë të tilla, kanë pranuar vetë të vihen në shënjestër të gjykimit tonë, domethënë edhe të gjykimit tim si qytetar i lirë, dhe ky gjykim mund të jetë pozitiv, siç mund të jetë edhe negativ.

Ti, i dashur mik, nuk ke përse të ndihesh i fyer kur unë ul poshtë një politikan, njëlloj siç nuk kam as unë arsye për t’u ndjerë i fyer kur ti e ngre atë lart. Anasjelltas, unë s’kam përse të ndihem i fyer kur ti shan dhe abuzon politikanët që ti i mendon si të padenjë, siç edhe ti nuk ke përse të ndihesh keq kur unë ngre lart ndonjërin që mund të adhuroj (megjithëse në rastin tim kjo nuk ndodh thuajse kurrë). Për ta thënë më shkurt, nuk ka asnjë arsye përse të ndihesh i fyer nga unë. Kur unë kritikoj politikanin nuk e kam me ty, por me politikanin. Në rastin e politikanëve, edhe po të jenë pjestarë të afërt të familjes tënde, unë përsëri e kam me ata, jo me ty. Se ç’mendon ti për ta , është puna jote.  

E përsëri, më duhet ta pranoj që edhe ti ke të drejtë të ndihesh i fyer. Kjo puna e fyerjes, e të ndjerit i fyer domethënë, është kthyer si modë këto kohët e fundit. Me një fjalë ka filluar të çfaqet një hollim ndjenjash i paparë ndonjëherë. Disa e kanë bërë si modë që, porsa dëgjojnë apo lexojnë diçka që nuk iu pëlqen, hidhen e thonë : ‘Ndihem i fyer’, ose ‘Eshtë fyese’, ose ‘Na prek ndjenjat’. Normalisht këtyre ankesave qaramane i duhet dhënë përgjigja : ‘Pune e madhe shumë.’ Megjithatë, për hir të të qënit deri në fund i paanshëm më duhet të them se po, ti ke të drejtë të ndihesh i fyer.

Është e drejta jote të ndihesh si të duash nga çfarë lexon lart e poshtë. Njerëzit kanë regjistra emocionalë të ndryshëm dhe unë nuk kam asnjë autoritet të përcaktoj se kur dhe sa duhet t’i preken telat e zemrës të tjerëve. Por, meqënëse ke të drejtë të ndihesh i fyer, kjo nuk do të thotë se ti ke të drejtë të kthehesh e të më fyesh mua, drejtpërdrejt, si njeri, vetëm e vetëm se unë kam ulur idhullin tënd, liderin tënd, njeriun për të cilin ti ke votuar, ose ke dashur të votosh në pamundësi të të drejtës për të votuar. Sepse unë, në rastin më të keq po fyej atë, ndërsa ti po vjen e më fyen mua. Sikur nuk shkon, apo jo?

Megjithatë, jetojmë në një botë të lirë dhe ti mund të thuash se edhe këtë të drejtë e ke, domethënë të drejtën të shprehësh mendimin tënd për mua, pra mund të thuash se ke të drejtë të më fyesh mua (në atë shkallë sa ta lejon ligji). Për hir të lirisë së shprehjes unë do ta pranoj edhe të drejtën që ke ti që të shprehësh mendime fyese në lidhje me mua. E pranoj, është e drejta jote.  

Por nëse ti e ushtron këtë të drejtë, pra të drejtën për të më fyer mua drejtpërdrejt, në publik, në faqen time, ose tëndën, ose të përbashkët të facebookut, mos prit të mbetesh miku im. Real, jo e jo, por as virtual. Pavarësisht se këtu në fb jemi  bërë të gjithë si këmbët e dhisë dhe quajmë ‘miq’ me të njohur e të panjohur, vazhdon të mbahet në këmbë një farë kuptimi redimentar i fjalës ‘mik’. Dhe shkalla e parë e të qënit ‘mik’ në facebook është pikërisht kjo – përmbajtja për të mos e fyer tjetrin. Dhe me fjalën 'tjetrin’ unë kuptoj mikun, virtual apo real, dhe jo politikanin.

Prandaj, i dashur mik real apo virtual, përpara se të vesh gishtat mbi tastjerë dhe të fillosh t’i përgjigjesh gjithë emocion statusit tim për këdo politikan apo figurë publike, për cdo broçkull idologjike apo politike, për çdolloj idhulli apo të adhuruari që ekziston në botën reale apo imagjinare të njerëzimit, do të ishte mirë të merrje një herë frymë thellë, të numëroje deri në dhjetë dhe të mendoheshe: A dua vërtet ta fyej këtë mikun tim në facebook dhe ta prish një herë e përgjithmonë miqësinë (reale apo virtuale) me të? A ia vlen ta humbas një mik për hir të mënyrës se si ndihem unë në lidhje me filan politikan? A më bën nder mua fyerja publikisht e një njeriu që e njoh dhe me të cilin kam marrëdhënie normale, njerëzore, për arsyen e vetme se ai ka mendim të ndryshëm nga unë në lidhje me dikë që ndodhet larg, tepër larg nesh dhe që s’ka as idenë më të vogël të ekzistencës time, të mikut tim, dhe të të gjithëve të tjerëve rrotull nesh?

Nëse me gjak të ftohtë kësaj pyetjeje i përgjigjesh po, domethënë nëse vërtet mendon se ia vlen ta prishësh miqësinë me mua për shkak të idhullit tënd, atëherë vazhdo, jepu gishtave. Edhe unë nuk do të hezitoj të të heq nga lista e miqve, si nuk kam hezituar të heq, për të njëjtën arsye, një numër jo të vogël para teje, duke përfshirë ndër ta edhe njerëz për të cilët kam pasur dikur respekt dhe i kam ditur si të kulturuar.

Nëse, nga ana tjetër, ti nuk fyesh nga ato që them unë për atë politikanin apo politikën, ose nëse fyesh por di ta përmbash veten dhe nuk të shkon ndërmend të më fyesh mua si shpagim për fyerjen që ndjen vetë ngaqë të është sulmuar idhulli, atëherë ne mbetemi miq dhe unë do të di ta vlerësoj këtë miqësi. Unë do të dij ta respektoj mendimin tënd, sado i ndryshëm të jetë nga i imi. Në fakt, një nga kënaqësitë më të mëdha që më jep facebuku është pikërisht mundësia për të shkëmbyer mendime, vecanërisht mendime të kundërta. Unë asnjëherë nuk i jam shmangur kësaj dhe e kam parë si gjimnastikë për mendjen dhe si mundësi për ta forcuar, jo dobësuar miqësinë. Miqtë që mendojnë ndryshe mua nuk më fyejnë - përkundrazi, më ndihmojnë të vras mendjen dhe të kontrolloj mendimet e mia, më ndihmojnë t’i shoh gjërat në këndvështrime të ndryshme. Jo vetëm aq, por shpesh herë edhe t’i ndryshoj mendimet e mia. Dhe kjo më bën të ndihem mirë.

No comments: