Arben Kallamata
Sfida më e madhe e Lëvizjes Kamioniste Kanadeze (LKK) ishte
të merrej vesh çfarë kërkonin. Dhe jo thjesht ta merrte vesh publiku i jashtëm,
por që ta kuptonin vetë pjesmarrësit dhe organizatorët e saj.
Faktikisht LKK (mua më pëlqen ta lexoj Le-Ke-Ke) u nis si një
protestë anti-vax, domethënë anti-vaksinë, e nxitur nga masat kufizuese që i
ishin imponuar elementit bosht të kësaj lëvizjeje, domethënë 10 përqind të
kamjonistëve kanadezë që nuk binden për t’u vaksinuar dhe që e ndjejnë drejtpërdrejt
në xhep kufizimin kur nuk i lenë të kapërcejnë kufirin Kanada-Amerikë.
Natyrisht, në përkrahje të tyre do të vinin edhe 10 përqind të popullsisë së
Kanadasë të cilëve nuk iu ka dalë ende frika nga gjilpëra.
Të lidhur përmes rrjeteve sociale që kanë veti të bashkojnë përfaqësuesit
e shkëputur të çdo lloj ideje të skajshme duke i bindur se janë rryma ideore e
shoqërore të fuqishme, kamionistët u nisën nga Vankuveri drejt kryeqytetit të
vendit, Otavës për të protestuar dhe kërkuar të drejtën e tyre për t’u hedhur këtej
dhe andej kufirit pa qënë nevoja të shpohen, të mbajnë maska, apo të ngjeshin
tampona në hundë. Natyrisht, lëvizja ishte e hapur për këdo që donte t’i bashkohej
dhe që përputhej me idetë e tyre, pavarësisht nëse ngisnin kamjona apo
biçikleta. Ftesa ishte e hapur dhe u pranua nga një pjesë e 10 përqindëshit anti-vaks
të popullsisë Kanadeze si dhe u përkrah moralisht dhe rrjete-socialisht nga përqindje
edhe më të larta të popullsive të pavaksinuara në ShBa, Europë, Rusi, dhe,
natyrisht, Shqipëri.
Largësia nga Vankuveri në Otavë është 4631.2 kilometra dhe,
po të ngasësh pa u ndalur duhen 43 orë rrugë. Natyrisht, kamjonistëve të LKKsë
iu desh më shumë kohë. Po e përmend kohën, sepse është element i rëndësishëm i rrëfimit.
Shumë gjëra ndodhin në kohë, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më shumë gjëra
ndodhin. Në lidhje me LKKnë, gjatë kohës që ata udhëtonin nga bregu Perëndimor
për në Kryeqytet rradhët e tyre u shtuan dhe u shumuan, përkrahësit në të gjithë
botën u bënë më të zëshëm, rrjetet sociale u mbushën me artikuj bindës, por u përcaktuan
edhe disa probleme.
Nga më të mprehtët ishte që kamjonistët kishin harruar se 10
përqindëshi që ata përfaqësonin binte disi ndesh me pjesën tjetër, që ata nuk e
përfaqësonin dhe që, në një mënyrë apo në një tjetër mund të kishte mendim të
ndryshëm prej tyre. Diku pranë Otavës, ose ndoshta pasi kishin hyrë atje, ata u
kujtuan për me faktin që pjesa tjetër që mbetet nga 10 përqindëshi është 90 përqind,
hesap të cilin organizatorët e një proteste duhet ta kishin bërë që në fillim.
90 përqind e kamjonistëve (në një llogari të thjeshtë, duke pasur parasysh se Kanadaja
numëron 120,000 të tillë, dilte se duhet të ishin rreth 108 mijë) duken sikur
janë goxha në krahasim me 12 mijë. Nuk po i hyj llogarisë për të gjithë
popullsinë e vendit. Nga ana e marrëdhënieve publike një hesap i tillë nuk del
shumë në leverdi të protestuesve. Diku në Otave kamjonistët antivaks dhe
antivaksët jo-kamjoninistë e kuptuan se iu duhej edhe më shumë përfaqësim, edhe
më shumë mbështetje. Prandaj, si pa u kuptuar, pa e marrë vesh njeri, tema e
protestës u zhvendos drejt një pike që mund ta përkrahte kushdo, i vaksinuar
apo i pavaksinuar – Liria.
Nuk qe thjesht puna që u lanë në baltë aspiratat anti-vakse,
anti-tampone dhe anti-maskë të disa kamjonistëve për të lëvizur lirisht nga një
anë e kufirit në tjetrën. Puna ishte që Liria solli telashe të tjera. Doli se
Liri po kërkonin edhe ca njerëz që mbanin flamuj me zvastika, domethënë nazistë.
Për fat të mirë Kanadaja nuk ka aq shumë të tillë, por sidoqoftë, jo aq pak sa
t’i injorosh fare. Është vështirë të harrosh se një nga pikat e programeve të
grupimeve neonaziste të paktën është ruajtja e pastërtisë racore, e shprehur në
urrejtjen dhe mospranimin e emigrantëve.
Hm! Paksa problematike kjo kur ke parasysh që një pjesë e
mirë e pjesmarrësve të LKKsë janë imigrantë. Rastësisht dëgjoja njërin prej
tyre duke dhënë një intervistë shumë i shqetësuar për këtë dukuri. Natyrisht, neonazistëve
iu janë bashkuar edhe një dorë homofobësh e ksenofobësh, pro-lifers and low
lifers të tjerë. Madje u gjendën edhe idiotë që mbanin flamuj të Konfederatës
amerikane, që nuk i bashkon asgjë, absolutisht asnjë pikë historike apo logjike
me Kanadanë. Nuk mungoi të jepte mendimin e tij as profesori i çekujlibruar
Jordan Peterson, i cili në një nga përçartjet e rradhës iu kërkoi drejtuesve
konservatorë të provincave Scott Moe, Jason Kenney dhe Doug Ford të shfrytëzonin
rastin dhe të rrëzonin qeverinë federale të Trudosë. Një ndërhyrje krejt e papërgjegjshme
dhe në mospërputhje të plotë me të gjitha parimet e demokracisë.
Shpejt u vu re LKK e kthyer në Lëvizje për Liri, kishte aq
shumë liri saqë nuk merrej vesh ç’bëhej. Në fakt, Lëvizja për Liri brenda një
kohe të shkurtër vërtetoi pikërisht absurditetin e saj – në Kanada është
idiotizëm të protestosh për liri, sepse, për atë kuptim ka shumica e arsyeshme
e popullsisë Kanadaja nuk është vend ku mungon liria. Njerëzit ndiqnin me habi
nga ekrani karvanin e madh të kamjonëve dhe turmën jo dhe aq të madhe të
protestuesve që bllokonin kryeqytetin e vendit duke u vërtitur të lirshëm, duke
bërë çfarë iu donte qefi, duke nxjerrë turlilloj parrullash dhe flamuj të pështirë
dhe, përsëri, duke kërkuar Liri. Për çfarë?
Këtu doli përsëri e nevojshme që t’i kthehej pak dashurisë së
parë dhe të thuhej se kërkohej liri për të hequr masat ndaj kovidit. Më në fund
u duk sikur po arrihej të formulohej diçka e logjikshme dhe e pranueshme. Ne
jemi luftëtarë të lirisë nga masat shtrënguese të qeverisë për pandeminë.
Kush nuk do që të hiqen masat shtrënguese ndaj pandemisë? Unë
për vete dua. Pse nuk dola në protestë? Sepse masat shtrënguese ndaj valës së
Omikronit në Ontario u vunë diku në fillim të Janarit dhe, që ditën kur u vunë u
deklarua se ato do të mbaheshin në fuqi deri në datën 31 Janar. Dhe ashtu u bë.
Masat u hoqën në 31 Janar. Pritet që të ngrihet së shpejti çdo lloj kufizimi. Po
të kishte duruar edhe një ditë LKK do t’i kishte plotësuar kërkesat e veta pa qënë
nevoja të ngisnin gjithë ato traqe për 4631.2 kilometra dhe të protestonin në pikë
të të ftohtit.
Një shtesë e vogël gjoja si pa lidhje: Sot, në datën 2
Shkurt, Partia Konservatore Kanadeze ka organizuar një votim konfidence për
drejtuesin e saj, Erin O’Toole. Historia e PKK (jo LKK) është e gjatë dhe e ndërlikuar
dhe përmban disa ndarje dhe bashkime. Bashkimi i fundit i konservatorëve kanadezë
u krye nën Stephen Harper, i cili e drejtoi jo vetëm partinë por edhe vendin në
mënyrë të shkëlqyer për një kohë të gjatë. Personalisht, unë e shoh Harperin si
një nga kryeministrat më të mirë që ka pasur Kanadaja. Kur Harper u largua nga
skena politike, posti i tij duhej zëvendësuar. Në zgjedhjet e fundit brenda Partisë
Konservatore pati disa kandidatë, ndër të cilët më i mundshmi për të fituar
ishte Peter MacCay, ish Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Harper. Nga raundi i parë
i votimeve Peter MacCay mori më shumë vota nga të gjithë kandidatët e tjerë,
por jo aq sa të fitonte drejtimin e partisë. Erin O’Toole doli i dyti. Duhej një
raund tjetër. Ndërkohë, u pa qartë se fituesin do ta vendoste një minorancë e
partisë, grupimi ultrakonservator i saj, një përqindje e vogël dhe normalisht
pa peshë e përbërë pikërisht nga ekstremistët e djathtë. I pyetur përpara
votimit se, nëqoftëse do të zgjidhej a do t’i merrte parasysh kërkesat e tyre,
Peter MacCay u përgjigj drejtpërdrejt dhe prerë: Jo. Kërkesat e këtij grupimi
janë jashtë çdo standarti demokratik për t’u marrë parasysh nga politikanë
serioz kanadezë (e theksoj, kanadezë). Ndërkohë, Erin O’Toole përdori tjetër
taktikë. Ai premtoi se do t’i merrte parasysh, mjafton që t’i jepnin votën. Ata
ia dhanë dhe ai zgjodh. Pasi u zgjodh, ai bëri atë që do të bënte çdo politikan
me dy para mend në kokë - i braktisi ekstremistët.
Pyetja është: Sa gisht ka ky grupimi ekstrem i partisë
konservatore që ka thirrur për t’i kërkuar llogari sot Erin O’Toole’s në
organizimin e protestave në të kamjonistëve në Otavë? A ka ndonjë lidhje
protesta e LKKsë me votimin e sotëm të PKKsë? Sa nga ata që tundnin svastikat në
protestën e Otavës do të votojnë sot për drejtuesin e Partisë Konservatore. Unë
për vete s’kam asnjë detyrim që t’i përgjigjem kësaj pyetje, prandaj po e le
hapur. Le të shohim çdo të ndodhë sot me Partinë Konservatore Kanadeze. Kushdo
që do ta pëlqejë rezultatin është i lirë ta festojë në ndonjë restorant apo
pub. Janë të gjitha të hapura, sepse kufizimet janë hequr.
Meqë ra fjala, partia opozitare e Kanadasë, partia
konservatore, po organizon votë konfidence për kryetarin. Nëse ndonjëri i bën
shoqërizim ky fakt me ndonjë gjë që po ndodh në ndonjë vend tjetër, dhe nëse do
të kuptojë se si kryehet procesi në një vend demokratik, le ta ndjekë pak politikën
kanadeze. Duket e mërzitshme, por është shumë interesante dhe e vlefshme, pasi është
ashtu si duhet të jetë. Pavarësisht se cila parti është në pushtet, mua më pëlqen
që jam qytetar i këtij vendi.
4 comments:
Turp te te vije qe krahasaon kamionistet me KKK. A valle edhe shqiptaret qe jane me qindra qe i jane bashkuar kesaj levizjeje jane KKK? Cfare ben keshtu more Ben!
Më duhet të them Ben që nuk aprovoj gjuhën që ke përdorur. Siguria që ke se je me të drejtën me tremb. Argumenti 10% kundrejt 90% nuk qendron se në demokraci minoranca respektohet dhe degjohet, gjithashtu historikisht perparimi ka ardhur pikërisht nga minorancat protedtuese dhe jo nga shumicat konformiste.
Shkurt: Në momentin që je shumë I sigurte në atë që thua, qendro dhe reflekto se mbase je shumë gabim.
Respekt
Artan Sejko
me pelqeu dhe shkruar me inteligjence e kendshem. Keta kamionistat qe vrapojne drej Otaves e shtohen rruges, me kujtuan vrapin neper usa te Forrest Gump-it...
Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
*Spell për të mbetur shtatzënë.
*Magji për t'u ribashkuar.
*Shëroni çdo sëmundje.
* magji për fat të mirë.
*Magji për pasuri.
Dhe të tjerët.
Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159
Post a Comment