Friday, June 24, 2022

Gilead*


“Unë e krijova Gileadin. Gjykata supreme po e bën atë të realitet.” Margaret Atwood.

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i dha fund sot të drejtës kushtetuese të grave për të abortuar duke e kthyer vendin gjysmë shekulli pas, në ato kohë të errëta kur gra dhe vajza vdisnin viktima të praktikave jo-profesionale dhe kushteve të këqija me të cilat kryheshin ilegalisht ndërhyrje në trupin e tyre. Praktikisht, ky është kurorëzimi i suksesshëm i përpjekjeve të evangjelistëve dhe fundamentalistëve të krishterë për të tërhequr për hunde politikën amerikane.

Teksa prej dhjetëvjeçarësh në pjesën dërrmuese të vendeve demokratike të botës e drejta e grave për të vendosur mbi trupin e tyre është hequr nga diskutimi shoqëror duke u parë si çështje e zgjidhur, në Amerikë ajo ka mbijetuar si një ndër pikat më të nxehta të debateve politike. Kjo në sajë të ndikimit dhe forcës financiare të qarqeve ekstremiste fetare.

Ishte pikërisht synimi për të arritur te kjo ditë arsyeja përse fundamentalistët e krishterë e vunë arsenalin e tyre politik në mbështetje të një figure moralisht të diskretituar si Donald Tramp, i cili ua shpërbleu mbështetjen duke përzgjedhur kandidaturat që ata i imponuan për në Gjykatën Supreme. Përmes manipulimeve dhe shfrytëzimit të fuqisë së votës në Senat kundrejt praktikave të mëparshme, ai arriti të emërojë tre prej tyre, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barret dhe të përmbysë ekujlibrin e gjykimit në institutin më të lartë të drejtësisë amerikane.

Natyrisht, Trump e gënjente mendja se gjykatësit e emëruar prej tij do t’ia mbanin mend nderin dhe do t’ia kthenin borxhin kur të vinte puna për të kontestuar zgjedhjet. Por nuk ndodhi ashtu sepse gjykatësit dhe turma e evangjelistëve që iu rrinte nga pas nuk e shihnin veten të detyruar ndaj Trumpit, por ndaj synimit për ta kthyer Amerikën në teokraci. Trampi për ta ishte thjesht vegël e përkohëshme për të arritur një qëllim strategjik.

Vendimi i sotëm shihet si një bombë e lëshuar pa përgjegjësi në shesh-betejën e ashpër të përplasjeve shoqërore që kanë përfshirë prej kohësh Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që pritet që ajo të pasohet nga tronditje të forta, efekti afatgjatë është vështirë të parashikohet. Le të shpresojmë që të jetë një alarm për të zgjuar njerëzit dhe veçanërisht gratë në të dy krahët e spektrit të ashpërsuar politik dhe për t’i rikujtuar të gjithëve se prapa tymnajës së lehtë të problemeve dytësore të përemrave dhe mbiemrave gjinore, fshihet artileria e rëndë që shkatërron themelet e të drejtave të tyre.

*Gilead është Amerika imagjinare në distopinë e Margaret Atwood “The Handmaid’s Tale” që në shqip është përkthyer “Rrëfimi i Shërbëtores.”

No comments: