Monday, September 18, 2023

Censi si pasqyrë e vetes


Nga sot, 18 shtator, deri në 30 tetor 2023në Shqipëri Instituti i Statistikave zhvillon Censin, regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Censi nuk është zgjedhje politike, prandaj shqiptarët kanë rastin më të mirë që të provojnë t’iu përgjigjen pyetjeve me vërtetësi dhe ndershmëri, ndërsa partitë politike kanë rastin të rrinë rehat, në qejf të vet, dhe të mos fusin hundët, pasi nuk kanë interes të ndikojnë. Të vetmit që duken sikur janë gjallëruar për të bërë ndonjë farë fushate për të nxitur njerëzit se si të përgjigjen duken krerët e komuniteteve fetare, të cilët janë thjesht të interesuar për të shtuar numrin e grigjave përkatëse.

Unë shpresoj që shqiptarët do të dinë të jenë të ndershëm me veten e tyre, të aftë për të kuptuar pyetjet e Censit dhe për t’iu përgjigjur siç duhet.
Pyetja 168 e Censit është formuluar kështu:
Besimi Fetar
A praktikon ose i përket <Emri> një feje ose besimi të caktuar?
01. Po
02. Jo, ateist/e (nuk praktikon ose nuk i përket një besimi fetar të caktuar dhe nuk është besimtar/e)
03. Jo, nuk praktikon ose nuk i përket një besimi fetar të caktuar, por është besimtar/e
04. Preferoj të mos përgjigjem.
Duket tepër e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Askush nuk po pyet se çfarë besimi ka pasur gjyshi dhe gjyshja, babai dhe nëna. Askush nuk do të dijë çfarë besimi ke trashëguar nga familja. Askush nuk është i interesuar të marrë vesh cilit besim i përket në bazë të emrit, apo mbiemrit. Pyetja është thjesht: A praktikon një fe ose besim të caktuar?
Po shpjegoj çdo të thotë të praktikosh ose të mos praktikosh një besim fetar:
Nëse shkon çdo të diel në Kishë, nëse nuk ha mish të premteve, nëse nuk ke bërë asnjëherë seks jashtë martese (para dhe pas saj), nëse nuk je divorcuar, etj., atëherë mund ta quash veten praktikant i njërës nga fetë e krishtera, katolik apo ortodoks (ose edhe ndonjë nga këto të rejat që kanë hyrë me misionarë pas 1990-ës.
Nëse porosit dy bërxolla dhe një birrë kur ha te restoranti i plazhit me familjen, të gjithë me rroba banje, atëherë vështirë se mund të pretendosh që praktikon besimin islam. Aq më pak nëse nuk falesh pesë herë në ditë dhe nuk agjëron gjatë muajit të Ramazanit.
Dhe nëse, veç këtyre më sipër nuk e di nga bije dera e kishës apo xhamisë, atëherë është e mira ta kapërcesh zgjedhjen 01 dhe të shënosh këdo që mendon se të përshtatet më shumë nga tre të tjerat.
Të gjitha përgjigjet janë të mundshme për njerëzit. Të gjitha përgjigjet janë normale dhe secila prej tyre mund të shprehë të vërtetën në lidhje me ju. Ato shprehin thjesht besimin fetar ose mungesën e tij. Nuk shprehin as shkallën e moralit apo të imoralitetit, as ndershmërinë ose poshtërsinë e njeriut. Në fakt, moralin dhe ndershmërinë e shpreh vetëm përgjigjja me vërtetësi e pyetjeve që bëhen.

Monday, August 28, 2023

Cila është gjuha më e vjetër në botë?

Të gjithë diskutojnë cila është gjuha me origjinën më të hershme

Nga Lusi Tu në 24, gusht 2023 (Scientific American)

Në botë gëlojnë me mijëra gjuhë. Por kur kanë filluar njerëzit të ndërtojnë një sistem të rregulluar komunikimi, të tillë që të jetë i dallueshëm për një epokë të caktuar?

Shkencëtarët e dinë që sot ka mbi 7100 gjuhë, thuajse 40% e të cilave mendohet se janë në rrezik për t’u zhdukur, që do të thotë se numri i përdoruesve të tyre është në rënie. Ka gjuhë që fliten nga më pak se 100 vetë, ndërkohë që mbi gjysma e popullsisë së botës përdor vetëm 23 gjuhë.

Këto gjuhë, bashkë me ato që kanë vdekur dhe nuk fliten më, endin së bashku mijëra vjet marrëdhëniesh njerëzore. Kjo do të thotë që detyra për të përcaktuar gjuhën më të vjetër të botës shkon përtej kureshtjes gjuhësore. Për shembull, për të deshifruar shkrimet në pllakat e argjilit ose për të gjurmuar zhvillimin e gjuhëve të gjalla, gjuhëtarët duhet t’iu japin përgjigje edhe pyetjeve që shkojnë përtej gjuhësisë. Në këtë rrugë, puna e tyre kërkimore nxjerr në pah sekrete të qytetërimeve të lashtë dhe ngjall debate që përziejnë shkencën me kulturën.

“Ashtu si edhe gjuhët bashkëkohore, edhe ato të lashtat janë të domosdoshme për të kuptuar të shkuarën. Përmes tyre mund të gjurmojmë historinë e lëvizjeve të popullsisë. Në disa raste, të dhënat që marrim nga gjuha janë të vetmet të dhëna të besueshme për të shkuarën,” shkruan Klerë Bouen, Profesoreshë e Gjuhësisë në Universitetin e Jeilit. “Fjalët që mund t’i gjurmojmë deri në thellësi të të shkuarës na japin një pamje të shoqërive të shkuara.”

Ndjekja e gjuhës më të vjetër është “detyrë shumë e ndërlikuar,” thotë Dani Hiber, gjuhëtar që studion gjuhët e rrezikuara. Një nga mënyrat për përcaktimin e prejardhjes së një gjuhe është gjetja e një pike kohore në të kaluarën kur dialektet e ndryshme të një gjuhe kthehen në dy gjuhë aq të ndryshme, sa që njerëzit që i flasin këto dialekte nuk janë më në gjendje ta kuptojnë njëri-tjetrin. “Për shembull, sa hapa mbrapa në histori duhet të bësh që të gjesh kohën kur përdoruesit e anglishtes ishin në gjendje të kuptoheshin me përdoruesit e gjermanishtes?” thotë ai. Kjo pikë në të kaluarën do të shënonte prejardhjen e dy gjuhëve të dallueshme, anglishtes dhe gjermanishtes, si dy degëzime që dalin nga gjuha proto-gjermanike.

Nga ana tjetër, po ta marrim si të mirëqenë që të gjitha gjuhët mund të ndiqen në kohë prapa deri në një gjuhë e përbashkët njerëzore, atëherë del që të gjitha gjuhët janë njëlloj të vjetra. “Ti e di që prindërit e tu kanë folur një gjuhë, siç kanë folur edhe prindërit e tyre, e kështu me radhë. Pra, kushdo mund ta përfytyrojë se sit ë gjitha gjuhët kanë rrjedhur nga një gjuhë e vetme,” thotë Hiber.

Por është e pamundur të provosh se kush ka qenë gjuha proto-njerëzore – një paraardhëse e drejtpërdrejtë imagjinare e të gjitha gjuhëve të botës. Për këtë arsye, disa gjuhëtarë mendojnë se përcaktori “gjuha më e vjetër e botës” duhet t’i jepet një gjuhe për të cilën ka dëshmi bindëse të formës së shkruar.

Shumë nga shembujt e shkrimeve të hershme vijnë nga gjuhë që kanë përdorur alfabete gjemborë, domethënë germa me forma shigjetare të gërvishtura në pllaka argjili. Ndër këto gjuhë, sumeriania dhe akadiania datojnë të paktën 4600 vjet më pare. Arkeologët kanë gjetur edhe hieroglifë egjiptiane të gdhendura në varrin e Faraonit Seth Peribsen që datojnë rreth të njëjtës periudhë historike. Shkrimi përkthehet: “Ai ka bashkuar Dy Vende për djalin e tij, Mbretin e Dyfishtë Perbsen,” dhe mbahet si fjalia e plotë më e hershme që njihet deri më sot.

Përgjithësisht historianët janë të të njëjtit mendim se gjuhët sumeriane, akadiane dhe egjiptiane janë gjuhët më të vjetra me dëshmi të qarta të shkrimit të tyre. Të treja janë gjuhë të vdekura, që nuk përdoren më apo që nuk kanë pasardhës që jetojnë dhe vazhdojnë t’ua përcjellin gjuhët brezave në vazhdim.

Sa për gjuhët e vjetra që vazhdojnë të fliten, këtu ka disa pretendentë. Hebraishtja dhe Arabishtja dallohen si gjuhë që kanë vazhdimësi kohore të cilat mund të ndiqen në mënyrë të logjikshme nga gjuhëtarët, sipas Hiberit. Megjithëse dëshmitë më të hershme të shkruara të këtyre gjuhëve datojnë deri 3000 vjet më pare, thotë Hiber, të dyja i përkasin familjes së gjuhëve Afroaziatike, rrënjët e të cilave shkojnë nga 18000 deri në 8000 vjet p.e.s., ose 20000 deri në 10000 vjet më parë. Edhe brenda kësaj kornize kohore kaq të gjerë, gjuhëtarët e pranojnë Afroaziatiken si familjen më të vjetër të familjeve të gjuhëve. Megjithatë, koha e saktë se kur janë ndarë Hebraishtja nga Arabishtja është ende e diskutueshme.

Bouen shton edhe Kinezçen në listën e kandidatëve. Kjo gjuhë ka shumë të ngjarë të ketë dale nga gjuha proto-sino-tibetiane, që është njëkohësisht paraardhëse e gjuhëve burmeze dhe tibetiane, të paktën 4500 vjet më parë, megjithëse koha e saktë vazhdon të diskutohet. Dëshmitë më të hershme të dokumentuara të sistemit të shkrimit kinez vijnë nga mbishkrime në guaca breshkash dhe kocka kafshësh që datojnë 3300 vjet të shkuara. Megjithatë, karakteret e shkrimit modern kinez janë përdorur disa shekuj më vonë.

Po ta kthesh orën edhe nja dy mijëvjeçarë më shumë, të dhënat gjuhësore bëhen edhe më të turbullta. Deven Patel, profesor i studimeve për Azinë Jugore në Universitetin e Pensilvanisë thotë se dëshmitë më të hershme të gjuhës sanskrite janë disa tekste të vjetra Hindu të krijuara diku midis viteve 1500 dhe 1200 p.e.s., pjesë e Vedave, një përmbledhje shkrimesh fetare të Indisë së lashtë. “Unë mendoj se sanskritishtja është tradita më e vjetër gjuhësore në vazhdim, që do të thotë që ajo vazhdon të përdorë letërsi dhe që njerëzit e flasin, megjithëse nuk është gjuhë e nënës në kohët moderne,” thotë Patel.

Megjithatë, disa gjuhëtarë thonë se daljes së sanskritishtes i ka paraprirë gjuha Tamil, një gjuhë Dravidiane që ende përdoret nga 85 milionë folës në Indinë jugore dhe në Sri Lanka. Shkencëtarët e dokumentojnë Tamil të paktën 2000 vjet më pare. Ndërkohë, studiuesit nuk pajtohen për moshën e vërtetë të veprës më të vjetër të letërsisë Tamil që njihet me titullin Tolkappiyam. Disa e vlerësojnë si 7000 vjet, të tjerë si 2800 vjet të vjetër. “Studiuesit nuk pajtohen për datën e teksteve të lashtë që mendohen se i përkasin gjuhës Tamil, por edhe nëse gjuha që kanë këto tekste është aq e ngjashme me tamilen moderne sa për t’i përcaktuar si e njëjta gjuhë,” thotë Patel. “Përdoruesit e gjuhës Tamil janë shumë të zellshëm në përpjekjet për ta veçuar gjuhën e tyre si shumë të lashtë.”

Mosmarrëveshjet në përcaktimin e moshës së gjuhëve sanskrite dhe tamil janë shembull i problemeve më të gjera në përcaktimin e gjuhës më të vjetër në botë. “Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, njerëzit kanë filluar të krijojnë histori të reja që po aq sa shkencore, janë edhe politike,” thotë Patel. “Të gjithë duan të mburren me gjuhën më të vjetër që është ende në përdorim.”

Monday, July 24, 2023

Heshtja është pajtim

“Heshtja përballë padrejtësisë është bashkëpunim me tiranin.” Xhineta Sagan

Janë afërsisht njëmijë vetë që përbëjnë skenën e fejsbukut tim dhe që Zakerergu  m’i faturon si miq. Nuk them se përbëjnë ndonjë shprehje të saktë të opinionit publik shqiptar, por gjithsesi, komentet e një pjese të mire të tyre më japin një fare ideje se çfarë i gudulis bashkatdhetarët.

Para një jave, për shembull, shumë vetë ndiheshin të trishtuar për vdekjen e Milan Kunderës. Në të katër anët shihje shkrime të pikëlluara, pasazhe librash, citime, fotografi të shkrimtarit. Disa javë para kësaj thuajse nuk mbeti njeri pa u marrë me video-skandalin e Gjicit, të cilin disa e shihnin si rast për humor, e të tjerë si skandal revoltues. Pastaj qarkulloi gjerësisht një video e shkurtër që e krahasonte Ksamilin me Maldivet e cila, pavarësisht se ishte postuar fillimisht nga kryeministri, ua ngriti peshë entuziazmin patriotik të gjithëve. Nuk mbeti pas në këtë lëmë as njoftimi se fshati Lin ka zyrtarisht vendbanimin më të vjetër në Europë, duke na e çuar lashtësinë dhe autoktoninë me mijëra vjet përtej pellazgëve.

Me një fjalë, çdo ngjarje politike, artistike, kulturore, ekonomike, atmosferike gjen pasqyrim në fejsbuk. Është një reagim i natyrshëm, njerëzor dhe i pritshëm, që mua nuk më çudit aspak dhe prej nga mësoj shumë. Ajo që më çudit më shumë është mungesa e reagimit, heshtja.

Javën e kaluar parlamenti shqiptar kaloi një ligj sipas të cilit studentët që mbarojnë universitetin për mjekësi duhet të punojnë pesë vjet përpara se të marrin diplomat. Pak kush u mor me këtë lajm, megjithëse nuk ka veprim më totalitar, më anti-demokratik, më të poshtër që mund të ndërmarrë një qeveri (duke propozuar projektligjin) dhe një parlament (duke e kaluar atë) se sa t’i mohosh pa kurrfarë të drejte dikujt, aq më tepër një grupi njerëzish, marrjen e diplomës.

Kam frikë se në këtë rast heshtja është miratim, domethënë që përgjithësisht njerëzit e shohin këtë hap të qeverisë dhe të parlamentit shqiptar si pozitiv dhe të pranueshëm dhe pajtohen me mendimin se nuk duhen lejuar mjekët e rinj të largohen nga Shqipëria, sepse po u lanë, atëherë sistemin shëndetësor do ta marrë lumi dhe mjerë ne të shkretët ku do katandisim. Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë të ndalohen me ligj të ushtrojnë profesionin e tyre në vend tjetër.

Nëse kjo është e vërtetë, nëse shumica jonë mendojnë se po iu rrezikohet e ardhmja ngaqë po largohen mjekët dhe se qeveria bën mirë të ndërhyjë me ligje për t’i mbajtur forcërisht dhe në mënyrë të paligjshme ata djem e vajza që mbarojnë shkollën e lartë, atëherë kemi arritur përtej asaj pike kur thuhet se jemi për të qarë hallin.

Qeveria nuk ka të drejtë t’i mbajë peng diplomën askujt. Diplomat lëshohen nga një institucion arsimor dhe, pavarësisht se institucioni arsimor, në këtë rast Universiteti i Mjekësisë Tiranë është publik, ai nuk është pjesë e administratës shtetërore. Në fund të fundit, si institucion arsimor ai funksionon me paratë e taksapaguesve. Mbajtja e diplomës mua më duket si një heqje e drejtpërdrejtë e një lirie bazë njerëzore për ata studentë. Ajo është një masë tipike komuniste. Në Kubë, për shembull, kushdo që mbaron shkollën e lartë, është i detyruar të punojë dy vjet pa pagesë, gjoja për të shlyer shpenzimet e edukimit ‘falas’.

Në vend që të ndalojë me ligj marrjen e diplomave si masë për t’i mbajtur mjekët e rinj e këdo tjetër në vend, qeveria bën mirë të përmirësojë gjendjen e vendit, ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse, më demokratike, më të drejtë, më pak të korruptuar, më njerëzore për të gjithë të rinjtë që të qëndrojnë atje me dëshirë dhe të mos kenë asnjë interes të marrin rrugët e mërgimit.

Sa për mjekët, qeveria bën mirë të rishikojë mënyrën se si shpërblehen ata për punën që bëjnë, ndoshta t’iu ngrejë rrogat, t’iu japë mundësi të përmirësojnë statusin e tyre në përgjithësi.   

Sot e kishin radhën mjekët; nesër do t’i vijë radha një profesioni tjetër. Pasnesër mund të kalohet te politikat e Shqipërisë komuniste enveriste, ku asnjëri nuk kishte të drejtë të dilte jashtë. Ndoshta dikujt mund t’i duket e ekzagjeruar, por diktaturat kështu vendosen, hap pas hapi. Kap një grup, hiqja të drejtat duke siguruar mbështetjen e indiferentëve dhe atyre që mendojnë se nuk është puna ime, prit pak kohë dhe përvishu një grupi tjetër. Edi Rama dhe qeveria e tij e ka treguar se nuk ka pikë skrupulli për ta bërë një gjë të tillë, nëse i jepet rasti. Kur ne themi “Hë se me mjekët e ka, nuk e ka me ne. Le t’iu bjerë atyre dhe t’i mbajë këtu se na duhen për të na shërbyer ne,” Rama dëgjon: “Jepi, bjeri, bëj çfarë të të dojë qejfi, se ne jemi pula që shohim interesin tonë ngushtë dhe nuk e hapim gojën.”

Unë do të trishtohesha dhe zhgënjehesha plotësisht nëse në shtator Universiteti Mjekësor i Tiranës, dhe bashkë me të, i gjithë sistemi i shkollave të larta në Shqipëri do t’i fillonte mësimet rregullisht. Do të ishte vërtet e hidhur nëse gjithë studentët, të mbështetur plotësisht nga opinioni publik, nuk hidhen në grevë për të mbrojtur të drejtat e tyre – të gjithë, jo vetëm ata që preken drejtpërdrejt nga ky ligj i paligjshëm.  

Friday, June 30, 2023

NJË LIBËR QË BËN TOK ME MJESHTËRI HISTORINË DHE LETËRSINË

 

Shënime për romanin ‘Un mort’

të shkrimtarit Arben Kallamata

 nga Vangjush Saro

Duke ndjekur kohë pas kohe, me simpati, krijimtarinë letrare, publicistikën dhe përkthimet e Arben Kallamatës, ndjehesha i interesuar edhe për romanin e tij më të ri “Un mort”. Edhe pse jetojmë kohë kur leximi mund të të tërheqë
gjithnjë e më pak se më parë, përzgjedhjet e duhura e rivlerësojnë temën, librin-letër, më në fund të veçantën. Dhe ‘Un mort’ është vërtet një libër i veçantë. Është një roman ku historia dhe letërsia kanë bërë pakt, kurse humori dhe drama përplasen nga faqja e parë tek ajo e fundit. Është një libër nga i cili mëson, libër që të argëton dhe njëherësh të trishton e të cilin mund ta lexosh pa pengime - siç thotë një kolegu ynë - dhe kjo është vetë letërsia.

Duke përjashtuar ato që mund t’i quajmë prolog dhe epilog të këtij romani, si dhe personazhet anësore që sjellin rrëfimin - duket sikur ata rastësisht e ‘fitojnë’ atë në një pushim gjatë udhëtimit - në thelb, fjala është për… një ditë ose disa ditë në Shqipërinë e vitit 1975, pastaj tutje në 44-ën dhe sërish në 75-ën, pothuaj në kulmin e mjerimit të rendit që shkoi… Drejtues shteti, politikanë, lakej e shërbyes të tyre, spiunë, punonjës soj-soj, komunistë nga vende të ndryshme të botës, shoqërues grupesh të huaja, ushtarë, turma, frikë, pasiguri dhe pyetje. Shumë pyetje. Që lexuesi mund dhe s’mund t’u japë përgjigje. Ndonjëherë, e shihja librin sikur një film që shkonte nga dokumentari te thrilleri dhe që këtej te komedia… ‘Skenari’ i tij ka në plan të parë një tryezë, ku luhet poker dhe ku gjithnjë njëra nga karriget është pa lojtar. Mandej, filmi merr jetë në mjedise të tjera: ambasadat, Radio-Televizioni Shqiptar, rrugët, pikat kufitare, baret, hotelet, shtëpitë e pushimit, kodet, antenat dhe… raketat, të gjitha në ngjyra të përmbajtura e të ‘vizatuara’ me njëlloj ftohtësie artistike në mos me cinizëm, siç dikton tabloja e kohës së cilës i përkasin personazhet, episodet dhe objektet në fjalë.

Reja dramatike mbi Shqipërinë komike, është e gjithhershme. Zgjedhjet e saj janë të kufizuara dhe të diktuara. Kasta drejtuese, me në krye Hoxhën, e vendosur në tablo pikërisht si një grup pokeristësh, është një barrë e rëndë për vendin. (“Çdo gjë kushton shtrenjtë kur nuk e do.” James Joyce) Karrigia bosh rrëfen më shumë se ç’do ta bënin mbase faqe të tëra. Dhe nëse këtë zhanër* e shohim si një produkt të kërkimit të të veçantave në histori, kjo nuk na pengon që përkitazi të qëmtojmë vlerat estetike dhe ato në shprehi letrare. Është një roman i ndërtuar mbi fakte reale dhe ngjarje historike, por që rrëfehen në mënyrën më letrare të mundshme.

Përplasja e ngjarjeve, e karaktereve, e rrethanave historiko-shoqërore dhe atyre vetjake në pothuaj një ditë (kryesisht në Shqipëri, por jo vetëm atje,) është një gjetje; kurse shtjellimi i ngjarjeve në disa plane - edhe pse së shumti po ajo ditë, po ato çaste - i japin rrëfimit suspans, krijojnë shpërqendrim dhe njëherësh vëmendje, shpërndajnë ngjyra të një rrëfimi modern. Pra, proza në fjalë është rrëfim, por një i tillë jo i zakontë.  Megjithatë, këtu dua të ndalem pak. Poeti Rei F. Hodo ka theksuar që autori “kujdeset të mbajë bindjen postmoderne ndaj historisë.” Dhe më tej: “Shprehur ndryshe, postmoderniteti niset nga bindja se e kaluara nuk mund dhe nuk duhet të shlyhet, duke qenë se vetëdija e postmodernes është vetëdija e pranisë së të kaluarës në të tashmen.” Në lidhje me këtë term, edhe më herët, unë personalisht kam shprehur ndonjë objeksion, duke parë (mbase pak me cinizëm) se çfarë vjen pas asaj ‘post’… Megjithatë, i respektoj ato që dëgjoj e lexoj, për më tepër që poeti në fjalë, në vijim të këtij meditimi estetik, citon Umberto Econ, që thotë: “Postmodernizmi i përgjigjet modernes, duke kuptuar se e shkuara, meqë nuk mund të shkatërrohet, sepse shkatërrimi i saj sjell heshtjen, duhet të rivizitohet, por me ironi dhe jo në mënyrë të pafajshme”. Për çudi dhe për kënaqësinë e lexuesit, kjo është kështu edhe në këtë libër.

Përqeshja e atmosferës politike dhe e protagonistëve të saj, vjen si një nga zgjidhjet kryesore që autori i ka dhënë lëndës së mbushur me histori, demagogji, krime, flirte dhe humor të zi. Për të realizuar ‘vizatimin’ e pamjeve të kohës: tufat, tribunat, tunelet, turistët (e tipit të lëvizjes M-L dhe këtu u teprua me ‘t’ por ishte i duhur aliteracioni) autori ka preferuar të flasë me ndihmën e ironisë dhe sarkazmës; ato ai i njeh mirë edhe nga përvoja e mëparshme letrare, edhe nga përkthimet e cilësuara. Këto mjete, që siç thotë një shkrimtar i njohur, janë bërë shumë ‘të modës’ në letërsinë e kohës, e ndihmojnë autorin të rindërtojë tablonë ku shumica shkonte pas berihajt e pak të tjerë shtireshin sikur po ndryshonin dimensionet e botës; në fakt ishin idhtarë e praktikues të një rendi që do të dorëzohej shumë shpejt.

Pothuaj e gjithë vepra është njëlloj grotesku, një show ku njerëzit mund të qeshin, mund edhe të meditojnë; ka grintë në të gjitha skenat, rrëfimet, dialogët, gjer dhe përshkrimet e qeta e të sheshta (sikur njëlloj keqardhjeje për atë ‘histori’ sa komike aq edhe dramatike). Dhe s’di pse, duke lexuar episode të caktuara, përtej shpjegimeve e lëndimeve qoftë edhe nga e shkuara, më vinin nëpër mend vargjet e Hermann Hesse: “Lëkundet një varkë/ dhe mes errërave qan me të madhe…” Mund të përfytyrohet edhe kështu. Por dhimbja është diku përqark. Në tryezën e pokerit nuk lejohen lotët; ka vetëm vanitet dhe drithma.

Mendoj se nuk ka qenë një punë e lehtë. Densiteti i ngjarjeve ka kërkuar shumë vëmendje ndaj subjektit dhe rendit të gjërave. Kallamata ia ka dalë, duke ndarë e peshuar mirë njohuritë, të dhënat, faktet, si dhe duke mos e përdorur interpretimin autoresk si ‘qaravitje’ ndaj marrëzive të kohës, çka e shohim në një sërë krijime të sforcuara. Me të drejtë, poeti Skënder Buçpapaj, në shënimin e vet për romanin, shkruan për “një zhdërvjelltësi të pazakonshme dhe një lehtësi të natyrshme alla Arthur Conan Doyle, të kalimit nga një rrafsh rrëfimor në një tjetër, nga një kapitull në një tjetër, nga një episod, një situatë, një personazh tek tjetri, nga një mister tek tjetri, nga një intrigë tek tjetra, nga një labirinth tek tjetri, duke e mbajtur gjithnjë lexuesin nën trysninë e padukshme të adrenalinës së leximit, çka shënon, mendoj unë, tashmë një pjekuri të admirueshme të autorit Arben Kallamata, në fushën e romanit.”

Për ta ulur në tokë problemin, për ta rrëfyer edhe më thjesht mjeshtërinë e autorit dhe përparësinë e shprehisë letrare në këtë roman, po ndalem tek episodi me ushtarin kufitar Mystehak. Ky episod është sikur një novelë më vete: vizatimi i tablosë në incidentin e Kakavijës dhe meditimi i ushtarit të ngratë, me automatik në dorë bri autobuzit me turistë, gati për të vrarë a gati për t’u vrarë edhe vetë, anipse është vetëm punë çastesh, zbulon dhe rrëfen me realizëm e dhimbje atë çfarë është përjetuar e ndjerë për dekada të tëra nën atë rend, nga shumë shqiptarë, nga të gjithë mbase, kudo që ata janë ndodhur, në detyra e pozicione të tilla, apo të përafërta asi, kur shkonte koka e tjetrit ose e vetë protagonistit… Episodi është një nga aktet më të bukura të ‘filmit’ për të cilin fola më lart. Dhe ka aq shumë vërtetësi e drejtësi në realizimin e tij: “Ai donte vetëm të shkonte me lejë te nëna, në Leshnjë. Asgjë tjetër.”

Prozë e mirë. Gjuhë e pasur dhe e pastër; frazat e shkurtëra janë model, të gjatat të habisin me saktësinë e tyre. Edhe pse në një zhanër ku, siç thamë, mbizotërojnë faktet historike dhe interpretimet gjithë aso, autori bën kujdes që të ‘vizatohen’ mirë e në mënyrë bindëse figurat e njohura apo personazhet që mund të jenë më pranë trillit sesa realitetit historik. Kështu ka shkuar kjo edhe me dy nga personazhet kryesore, Fransuaza dhe Ylli, që si një zgjidhje edhe përtej motiveve historike të romanit, bëhen bashkë duke kontribuar në shmangien e një marrëzie që mund të prodhonte katastrofë, punë raketash e luftërash, që prapë - në atë që mund ta quajmë epilog - ciceronët e këtij rrëfimi e shohin ose me humor ose me nënvleftësim.

Libri, përveçse me mjeshtëri letrare, është shkruar gjithaq me përgjegjshmëri dhe frymë qytetare; e qorton dhe e mëshiron atë pjesë të historisë të vendit në ato vite, siç edhe e rrëmben lexuesin me skenat brilante dhe rrëfimin e zhveshur nga çdolloj mbindjenje apo loje me të vërtetën. Dhe që t’i mbyll këto radhë, ishte një kënaqësi që e lexova dhe që më jepet rasti ta vlerësoj; është një vepër e veçantë, pse jo “një risi e kalibrit të lartë në letërsinë bashkëkohore shqiptare”, siç shprehet kolegu ynë Taulant Dedja. ‘Un mort’ i shkrimtarit Arben Kallamata, libri i tij, si letërsi dhe si botim, është vërtet një prurje serioze. Me epitetin disi formal ‘serioze’ kam parasysh kompozimin e romanit, mënyrën e të shkruarit dhe gjuhën, cilësinë e botimit, paraqitjen grafike, standardin teknik dhe elemente të tjerë për shpjegimin e të cilëve, këto radhë ishin pak. ‘Un mort’ është një libër shumë i mirë: kam bindjen se çdo lexuesi do t’i jepte kenaqësi, çdo biblioteke serioze - publike apo vetjake - do t’i rrinte bukur.

 

……………………………………………………………

 

*Romani historiko-letrar, rreth të cilit ka disa teori e shtjellime, është një disiplinë ku faktet historike dhe trillimi letrar herë shtyjnë njëri-tjetrin e herë gjejnë gjuhën e përbashkët; është një zhanër në të cilin janë angazhuar shkrimtarë ndër më të njohurit: Edward Bulwer-Lytton, Walter Scott, Alessandro Manzoni, Mikhail Zagoskin, Raffaello Giovagnoli, etj. ndërkohë që mund të kujtojmë se emra të tjerë të ndritur të letërsisë, Leon Tolstoi, Gustav Flober, Stefan Cvajg, për rrethana që s’mund të shpjegohen gjatë në një shënim si ky, i kushtuan këtij zhanri një pjesë të mirë të krijimtarisë së tyre. Në letërsinë tonë mund të përmenden Ndoc Nikaj (‘Shkodra e rrethueme’) për të vijuar me Sterjo Spase e më pas Sabri Godo, etj.

 

  

Wednesday, June 21, 2023

Nje popull i gjendur ne rruge, me syte nga lart!

 Arben Kallamata dhe “ Un mort”

Nga Vjollca Spaho





Ate dite te perurimit te romanit u gjenda pak keq, pasi nuk e kisha lexuar librin.
Por u kenaqa shume, bashke me Yllken, ku takuam shume shqiptare, degjuam per librin, per jeten dhe vepren e shkrimtarit, Arben Kallamata!
Organizimi ishte nje tjeter kenaqesi!
Qe ne fillim, me beri pershtypje titulli i romanit!
Pse “Un mort”?
Ne cdo rast, gjate leximit te nje libri dhe perceptimit te vlerave, apo mesazheve nga lexuesi, nje rol mjaft domethenes luajne edhe titujt, te cilet sherbejne, jo vetem si elemente paraqites, pergjithesues apo orientues, por ata lehtesojne lexuesin te kuptoje e te jape konsiderata qe nga titulli i tij.
Dhe ne kete rast, eshte kaq bukur, kur me tej, leximi mund te rezonoje me te.
Keshtu ndodhi qe ne kapitullin e pare te romanit:
“ Parada” 1 maj 1975.
Dhe m’u kujtua ajo dite.
Une maturante, jo ne Tirane.
Por sa prova, sa ore mesimit te lena, sa lodhje neper bulevard , sa frike, si ta mbaje koken, librin e kuq te PP Sh, syte, duart, kembet…
Sa kam qare per nje pale corape te bardha qe mami per t’i thare me hekur, mi dogji fare?!!
O Zot!
Kujdes!!
Do vij shoku X nga lart!
Ku ishte kjo “ nga lart” ?
Nje popull i gjendur ne rruge, me syte nga lart!?!!
Sigurisht qe ky kapitull rezonon mrekullisht me kapitujt e tjere te romanit brenda nje mesazhi te qarte qe synon te sjelli jo vetem atmosferen e pergjithshme te asaj kohe, por me se shumti te futet ne thellesi te tuneleve e nentuneleve, te parades, edhe pas parades, ne pallatin e Brigadave, ne Radio Tirana, ne Plepa e Kakavije, ne Kine e Kanada, ne malet e Skraparit dhe te Vidhkuqit, ne kohen e Luftes dhe te Paqes, me komandantin ne krye, ne podiume e tavolinen e pokerit, me Dullo e Sulo, Dushan e Milan, spiun jugosllave, ruse, kineze e kanadeze…
Pra, romani trajton temen e kohes se diktatures, por me nje stil, gjuhe e kompozicion qe te sjell ne mendje figurat qe formon tallashi metalik ne nje fushe magnetike, kapitujt e romanit jane bashkuar per te afirmuar me vendosmeri , por me kaq vertetesi , ate kohe, ate kohemort, per nje vend e nje popull, fatet e te cilit vendosen ne tavolinen e pokerit…
Romani, edhe pse eshte historik, lexohet me shume kenaqesi edhe nga Ne qe e jetuam ate kohe, lexohet dhe te krijon shume ndjenja, larg ftohtesise se dijes se dukshme( njohjes se historise) te emocionon dhe te ben jo vetem te mbash qendrim per te kaluaren, por te gjesh kenaqesi per te tashmen dhe te ardhmen.
Sepse libri eshte kujtesa jone. Dhe jo vetem.
Eshte kultura dhe dija, imagjinata dhe emocioni!
Ngjarjet zhvillohen ne tri vende, ne tri kohe me tri lojtare pokeri, jo me kater.
I katerti eshte vdekja, eshte “ Un mort”!
Romani mbyllet me kapitullin aq domethenes
“ Bardhesi dhe Paqe” i cili i kundervihet kapitullit te pare, edhe per nga kuptimi stilstik i togut te fjaleve; (bardhesi dhe paqe)dhe qe plotesohet si nje gjetje stilistike dhe shume artistike e autorit, si pjese e mozaikut te vepres, e cila merr formen e plote, edhe nga prologu dhe epilogu i romanit
Pa hyre ne detaje te tjera aristike, figuracionin, vecanti groteskun, pershkrimin e personazheve, stilin terheqes , me duhet te them qe romani duhet lexuar nga te gjithe.
Edhe nga femijet tane! Sidomos nga Ata!
Edhe per gjuhen e bukur dhe te paster shqipe!
Sepse gjuha e romanit eshte nje force e fuqishme, ajo e tregon historine duke i I radhitur ngjarjet, fjalet, personazhet historike e artistike me nje rrjedhshmeri si ne nje parajse fjale!
Ne fakt romani perfaqeson nje tekst te arrire, me plot vlera jo vetem historike por edhe artistike, ku secili nga keta godet ne shenje!
Dhe se fundi, mendoj qe per te dhene konsiderata te plota per nje liber te lexuar , duhen te kalojne disa vite dhe pas nje rileximi te tij!
Suksese shkrimtarit Arben Kallamata!

ME FRYMË PEZULL

NËPËR FAQET E ROMANIT “UN MORT” TË ARBEN KALLAMATËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

VOAL – 04.06.23

Fryma pezull, the suspens, është karakteristikë e përgjithshme e stilit artistik të një vepre, i mjeshtërisë artistike të rrëfimit, të shpalimit të subjektit, është çelës kryesor në duart e krijuesit për ta detyruar individin lexues apo publikun lexues të ndjekë faqe pas faqeje, skenë pas skene subjektin e një vepre.

Veçanërisht, fryma pezull është karakteristikë e letërsisë së krimit, veprave me detektivë, letërsisë policore, deri letërsisë së fantashkencës dhe asaj të fiksionit historik. Lexuesi, publiku i letërsive të tilla, me kufij të përzier të zhanreve (gjinive), asnjëherë të përcaktuar qartë, më mirë me thënë – fantazia e tij është gjithnjë e varur nga fanatazia e krijuesit, nuk është asnjëherë i pavarur, ndonëse vepra të tilla bazohen gjithnjë te intelekti i lexuesit, te intelekti i publikut, te prirja e tyre e theksuar dhe e veçantë për të fantazuar por edhe te gatishmëria e tyre për ta lëshuar veten në krahët e fantazisë.

Parimi i frymës pezull në marrëdhëniet me lexuesin është i shpallur që në titullin intrigues “Un mort” të romanit, në moton intriguese në fund të ballinës së parë: “Viti 1975. Janë tre dhe luajnë poker me një ndenjëse bosh, të vdekur. Për tango duhen dy, për poker, katër. Me në mort aty luhen jetë njerëzish.”, por edhe në titujt, të gjithë intrigues, të kapitujve të romanit.

AUTORI I ROMANIT “HIJET E MUZGUT”

Nëse romani tjetër i suksesshëm me temë historike i Arben Kallamatës “Hijet e muzgut”, ndërthur dhe përzien mitologjitë biblike, mitet historike, mitet kombëtare, duke i zhvilluar ngjarjet kryesisht në pellgun lindor të Mesdheut nga Apeninet në Ballkan, në Azinë e Vogël, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (Magreb), tashi romani i ri “Un mort” është një tjetër roman me temë historike (“një histori spiunësh, që ka shmangur një luftë bërtahmore”, fq. 248) që i zhvillon ngjarjet në tri kontinente (Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi (Lindjen e Largët), i zhvillon ato jo ndërmjet epokave si “Hijet e muzgut”, por midis disa dhjetëvjeçarëve. Ashtu si romani i mëparshëm ka në qendër botën shqiptare, ky roman ka në qendër tashmë Shqipërinë e Enver Hoxhës, Shqipërinë e krimeve të tij, rreziku i të cilave mund të mos mbetet brenda bunkerëve të tij, por mund të rrezatohet në shkallë botërore. Kjo, falë shpirtit binjak të Enver Hoxhës në Lindjen e Largët, Mao Ce Dunit, i pari tashmë në fazën më agresive të çmendurisë paranojake, pasi ka pësuar një infarkt diabetik dhe ka filluar të flasë me fantazmat e viktimave të tij, i dyti me vdekjen në fyt, në çastet e fundit të jetës.

I PANJOHURI OSE RRËFIMI NË ROMAN I VËNË NË GOJËN E NJË SHELOCK HOLMESI

Në aspektin kompoziconal romani është ndërtuar mbi parimin e retrospektivës, e cila paraqitet në tri rrafshe. Rrëfimi i ngjarjeve të romanit kryhet brenda një nate (3 gusht 2019- Hyrja- Prologu- 4 gusht 2019- Mbyllja- Epilogu) sigurisht nga një Sherlock Holmes, emri i të cilit mbetet “I panjohuri”, në fshatin e vogël piktoresk Chexbres, Zvicër, ku autori ndodhet bashkë me të shoqen, Lejlanë, dhe një çift miqsh, Klajdin dhe Verën. Rrafshi i dytë dhe vendimtar i zhvillimit të ngjarjeve ndodh në ditët e fundit të prillit dhe ditët e para të majit të 1975, ndërmjet të cilave është parada e 1 Majit, e cila është objekt i hetimit nga britanikë të njohur nga publiku shqiptar më herët si personazhe negative nëpërmjet kujtimeve të Enver Hoxhës “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”. Ky rrafsh karakterizohet nga dendësia e madhe e ngjarjeve dhe ngadalësimi i kohës romanore si një darë makthi që vjen duke u shtrënguar nga kapitulli në kapitull. Vendodhjet janë Tirana (Banesa e Enver Hoxhës, Shetitorja “Dëshmorët e Kombit”, Selia e KQPPSH, Pallati i Brigadave, Radio Tirana 2, Ambasada Kineze), Rinasi, Plazhi Durrës, Plepat Durrës, Kakavijë, Skrapar, Bari (Itali, Vila Puljeze), Kanada- Saskaçevan, Pekin. Rrafshi i tretë përbën retrospektivën e largët, rrafshin zanafillor të krimit të madh rreth gjysmëshekullor komunist ndaj shqiptarëve. Ngjarjet e tij zhvillohen diku në malet e Shqipërisë Juglindore, prill 1944.

Nëse romani është vënë në gojën e një Sherlock Holmesi, atëherë edhe shtjellimi romanor do të ketë një zhdërvjelltësi të pazakonshme dhe një lehtësi të natyrshme alla Arthur Conan Doyle, të kalimit nga një rrafsh rrëfimor në një tjetër, nga një kapitull në një tjetër, nga një episod, një situatë, një personazh tek tjetri, nga një mister tek tjetri, nga një intrigë tek tjetra, nga një labirinth tek tjetri, duke e mbajtur gjithnjë lexuesin nën trysninë e padukshme të adrenalinës së leximit, çka shënon, mendoj unë, tashmë një pjekuri të admirueshme të autorit Arben Kallamata, në fushën e romanit.

TRYEZA E POKERIT DHE ROLI I “UN MORT” NË ROMAN

Pokeri është e vetmja përvojë që e zotëron vertet në jetën e tij Enver Hoxha, një njeri pa asnjë profesion, pa asnjë përgatitje shkollore, pa asnjë të dhënë intelektuali. I vetmi talent i tij është pokeri, një lojë kumari, kuptimi i së cilës është mashtrimi dhe suksesi i së cilës varet nga fati, i cili përcakton letrat e mira që të bien në dorë, dhe nga mënyra si i luan secili letrat që i bien në dorë. Enver Hoxha është kryesori në tryezën e pokerit dhe i vetmi fitimtar i lojës në atë tryezë, e cila është nyja e të gjitha intrigave që e karakterizojnë politikën dhe jetën e Shqipërisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai është gjithashtu kreu i grupit të pokeristëve që, deri më 1975, i kanë mbijetuar lojës. Të tjerët janë Dule Zvërneci, prapa cipës së të cilit qëndron Sulo Gradeci, pokerist shumë i mirë, i njohur me nofkat Fotografi, Silloja, kryesisht Koburja. Nëse Enveri është truri i Dules, Dule është dora e Enverit. Kjo është binjakëria e tyre. Tjetri është Perikli Toto, me nofkën Greku dhe epitetin Eminenca Gri e Enver Hoxhës, me të cilin mund identifikohet lehtësisht Sofokli Lazri. Është i vetmi nga bashkëpunëtorët e diktatorit që e mbijetoi atë duke zgjedhur që të jetë këshilltari i tij i përhershëm dhe të mos mbajë asnjëherë asnjë lloj posti, asnjë lloj pushteti tjetër, pra të mos ketë kurrfarë karriere. Në ndenjësen e përkohshme, të boshit, të un mor, të të vdekurit në tryezën e pokerit, më 1975 është Nexhmije Hoxha, e cila më parë ka qëndruar më tepër si spektatore, por që tashmë ka filluar të zbresë edhe vetë në fushë.

Tryeza e ngushtë e pokerit u themelua nga Enver Hoxha me Mustafa Gjinishin dhe dy serbët Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi. Iduesit ishin këta dy të fundit dhe po këta ishin që nuk e duronin në tryezë Gjinishin “ngaqë ai luante poker më mirë se tre të tjerët dhe ishte në gjendje t’ua kapte thuajse të gjitha bllofet. Pas marrëveshjes që Gjinishi nënshkroi në Mukje, me miratimin e Hoxhës, tryeza e ngushtë, në mungesë të tij, ia bën gjyqin dhe realizon pa vonesë ekzekutimin prapa shpine. Vendimi ishte i Mugoshës: “E dënoj me vdekje”. Sipas tij, komunisti Gjinishi është agjent britanik dhe amerikan. Britanikët e dërguar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, rastësisht, janë dëshmitarë të ngjarjes dhe Xhualian Emeri merr si kujtim një plumb nga ky kontekst i ngjarjes. Plumb që do t’i hiqet nga trupi, por jo nga mendja, asnjëherë.

Vendin e dy serbëve, me largimin e tyre, e zënë pikërisht Dule Zvërneci dhe Perikli Toto. Tryeza e ngushtë e pokerit, ku të gjithë janë të barabartë, por “komandanti është më i barabarti nga të gjithë” (një shprehje oruelliane kjo) është instanca më parazite dhe më gjakatare që iu mbivihet të gjitha institucioneve shqiptare në historinë e mëvonshme. Ajo zgjerohet me kë të duash, por të gjithë të tjerët, pasi i ngre në poste dhe iu jep pushtete, i gjykon, pastaj i grin dhe i korr. Hetimet, prokuroritë, gjykatat, gjithë aparati i dukshëm e ai i padukshëm i diktaturës, janë vetëm dora e zgjatur e tyre.

Duke qenë një roman i misterit të krimit, tiparet e personazheve jepen me fare pak nota. Edhe ato janë më shumë tipare të brendshme se të jashtme. Janë tipare që shprehin brendësinë e personazheve të lidhura me krimin si në rolin e përgatitësve dhe realizuesve të krimit, edhe në rolin e hetuesve, zbuluesve apo parandaluesve të krimit. Kështu, vetëm kur merret me portretin e pokeristes së katërt, Nexhmije Hoxhës, ndihet domosdoja për ta bërë këtë portret të saj: “Më në fund kuçedra kishte marrë pamjen e saj të plotë- dy koka, gjashtë duar dhe një karrige bosh, që mund të ishte pjesa e humbur e trupit, një bisht ose çfarëdo gjë tjetër.”

Logjika përshkuese e romanit është lufta midis personazheve të tryezës së ngushtë të pokerit dhe të projektuarve të tyre në poste e pushtet dhe lufta midis personazheve të cilët janë të gjallë më 1975 dhe atyre që janë të vdekur nga viti 1944 e deri atëherë. Si të vdekur të paradhënë janë të gjithë ata që do të korreshin si grupe puçiste pas vitit 1975 e deri në vdekjen e Enver Hoxhës.

RAKETAT BËRTHAMORE KINEZE DREJT SHQIPËRISË – KËRCËNIMI PLANETAR

Personazhet pa të cilat nuk mund të qëndrojë ngrehina e romanit janë kanadezja kebekiane Fransuaza dhe shqiptari Ylli Shipska i Radio Tiranës 2. Janë ata që bien në gjurmët e dërgesës që Mao Ce Duni, i cili kërkonte të kërcënonte Perëndimin nëpërmjet Shqipërisë së shndërruar në fuqi atomike, ia dërgonte Enver Hoxhës, i cili donte të krijonte mitin e Shqipërisë si fuqi atomike. Roli i Fransuazës dhe Yllit më shumë se mision, është amanet i prindërve të tyre, i shndërruar në ideal të jetës së tyre, për të cilin ata janë gatit të flijohen. Bashkëveprimi i tyre nga larg dhe nga afër ndiqet me frymë pezull deri në faqen e fundit të romanit, më shumë se çdo linjë tjetër.

Rreth këtyre dy personazheve, më artistikët e romanit, vërtiten Seit Kryeziu, David Smaili, Billi Meklin, Xhulian Emeri, Rexhinal Hibert, të përqëndruar në Bari të Italisë, prej nga ndjekin paradën e 1 Majit 1975; Hardial Bens, Sandra L. Smith, Rolf Gersenberger, në Kanada; Mao Ce Duni, e shoqja Jang Qing (Perëndia e Propagandës), Ten Hsiao Pin në Pekin, diplomatët e tyre, shifrantët e tyre dhe punonjësit e tyre në Radio Tirana 2.

Ironia e madhe qëndron në të vërtetën se Enver Hoxha është ai që e ka dekonspiruar i pari dërgesën e raketave bërthamore nga Kina drejt Shqipërisë. Sipas rrëfyesit të ngjarjeve në roman, vetë Enver Hoxha, informatori i parë dhe kryesor i Titos në Tiranë, është ai që ka dekonspiruar aksionin. Dhe Titoja, mbi këtë burim të sigurt, është ai që ka sensibilizuar Perëndimin, duke ia ngjallur frikën e një reagimi sovjetik në Ballkan.

E vërteta për marrëdhëniet Enver-Tito, marrëdhëniet Tiranë-Beograd, marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, të cilat nuk u prishën kurrë, shpaloset nga Sherlock Holmesi shqiptar në faqet 147-149 të romanit, faqet më intensive të një të vërtete historike dhe shumë fatkobe për çështjen shqiptare (ia vlen për t’u lexuar nga çdo shqiptar që di lexim!). Për të maskuar këtë të vërtetë, Enver Hoxha ndërmerr lojën më të madhe stërvitore ushtarake të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, duke i lëvizur trupat drejt veriut të vendit dhe duke u zhvendosur me familjen dhe me gjithë udhëheqjen e lartë të vendit në bunkerët e Skraparit, natyrisht, duke e marrë me vete edhe tryezën e ngushtë të pokerit.

Në këto rrethana, kemi morinë më të madhe të ngjarjeve, që zhvillohen paralel ndaj njëra-tjetrës dhe njëkohësisht në ndërvartësi të madhe mes tyre. Fransuaza dhe Ylli Shipska, pas shumë peripecive, shtijnë në dorë aparaturën e ambasadës kineze ku janë regjistruar bisedat mes Pekinit dhe ambasadës kineze në Tiranë për raketat bërthamore, Sigurimi i Shtetit vihet në gjurmët e tyre nga Radio Tirana 2 deri në Kakavijë, rritet ndjeshmëria në Greqinë fqinje, së cilës ia ka frikën vërtet Enver Hoxha, realizohet aksioni i ndërmarrë nga Fransuaza dhe Ylli Shipska, shtensionohet situata me Greqinë.

Fransuaza dhe Ylli Shipska është linja më enigmatike në misteret dhe të papriturat e njëpasnjëshme. Ia vlen që ta lëmë krejtësisht në duart e lexuesit ta zbërthejë këtë linjë që mbetet enigmë deri në faqen e fundit të romanit.

PARODIZIMI I HISTORISË DHE DEHEROIZIMI I REALITETIT TË SHQIPËRISË KOMUNISTE

Ashtu si romani “Hijet e muzgut” bën parodizimin e miteve biblike dhe atyre historike, edhe romani “Un mort”, bën parodizimin e historisë së Shqipërisë së Enver Hoxhës. Mjetet e humorit, ironia (qesëndia), sarkazma, grotesku janë mjetet që i zotëron mjeshtërisht Arben Kallamata edhe në këtë roman, por gjithnjë ne pajtim me rrëfimin gjakftohtë deri në cinizëm të një Sherlock Holmesi shqiptar.

Parodizohet figura e Enver Hoxhës, i cili “me botimin e Vëllimit 69 të veprave të plota… mes shumë arritjeve të tjera, konsiderohej shkrimtari më i madh dhe më prodhimtar i vendit”, i cili më së shumti masën e eksitonte me mënyrën “si e tundte kokën dhe dorën e tij të dashur, pëllëmbën e tij të shtrenjtë të madhe e të bardhë, e cila lëvizte ritmikisht lart e poshtë, diku pak më poshtë se lartësia e veshit të tij të djathtë”.

Parodizohet figura e Mao Ce Dunit, deri në frymën e fundit në mes të vajzave këmbëlidhura, kurvickave profesioniste që iu shërbenin të gjitha tekave dhe trilleve të kryetarit të Kinës.
Parodizohet e ashtuquajtura lëvizje marksiste-leniniste botërore si një agjenturë e mirëfilltë e të gjithë atyre që e financonin.

Kulmi artistik i parodizimit të marrëdhënieve internacionaliste midis Shqipërisë dhe Kinës motër është kapitulli “Shoqja kurvë”, i vetmi në roman pa datë të saktë, një e dhënë e lënë qëllimisht në duart e lexuesit. Partia vret Teknikun, sepse “Tekniku ishte dëshmitar i impotencës së Partisë.” Dhe Tekniku nuk është tjetërkush veçse Cen Pao Y, i ashtuquajturi hero internacionalist, për të cilin propaganda komuniste thoshte se ra duke punuar për ngritjen e antenës së shpërndarjes së sinjalit të Televizionit Shqiptar.

Ky kapitull shquhet edhe për ngjyrimin lirik të veçantë, i cili është i pranishëm gjithandej në faqet e romanit “Un mort” të Arben Kallamatës.

PËRKTHYES I ROMANEVE TË ORUELLIT

Arben Kallamata është përkthyes skrupoloz i romaneve “1984” dhe “Ferma e kafshëve” të George Orwell, dy kryevepra të letërsisë botërore. Zotëruesi i shqipes së lartë, në të gjitha shtresat e saj më të pasura artstike, siç e përmenda edhe më lart, ndihet edhe në romanin “Un mort”. Më kryesorja është se anembanë romanit ndihet fryma oruelliane në karakterizimin e personazheve të tryezës së ngushtë dhe asaj të gjerë të pokerit të Enver Hoxhës, sidomos në marrëdhëniet e tyre me udhëheqësin. Dymendimi, aftësia për ta fshehur mendimin përballë udhëheqësit, në këto marrëdhënie përcakton jetëgjatësinë politike të bashkëpunëtorëve të afërm të diktatorit, përcakton zgjatjen e mbijetesës në nomenkalturën komuniste të Enver Hoxhës. Tortura ndaj vetes (vetëtortura) përshkon gjithë nomenklaturën e kohës, në trajtë rrathësh që, sa më shumë ngjiten drejt udhëheqësit, aq më shumë ngushtohen, sa më shumë që ndodhen përballë syve të diktatorit, aq më të torturuar, aq më shumë të torturueshëm janë, sa që duket sikur mezi presin të ulen në bankën e të akuzuarve dhe të dalin para togave të pushkatimit. Arben Kallamata, në romanin “Un mort”, nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, me mjeshtëri dhe natyrshmëri, na prin nëpër qerthullin e historisë së krimit të diktaturës, duke na mbajtur gjithnjë në lartësinë e kohës sonë.

https://www.voal.ch/me-fryme-pezull-neper-faqet-e-romanit-un-mort-te-arben-kallamates-nga-skender-bucpapaj/kulture/letersi/?fbclid=IwAR0GrKf7L8S8MUrKXKIe9fZeeDfPFc_6MXc4G1_oX_aAj_6b4_uSAs8cz-Q

 


Thursday, February 9, 2023

Lavdi parqeve! Poshte armet!

 

Prej vitesh kam kaluar thuajse çdo ditë me biçikletë në këtë rrugë dhe kam parë me kurreshtje këto “mure” druri, 5-6 metra të larta, të vendosura pa ndonjë sistem të përcaktueshëm logjik në largësi të ndryshme nga njëri-tjetri. Duke qënë se janë jo më shumë se njëqind metra larg liqenit të Ontarios, fillimisht mendova se duhet të kishin qënë barriera për të bllokuar depërtimin e ujit. Megjithatë, vendosja e disave prej tyre vertikalisht me bregun ma hidhte poshtë këtë hipotezë. Duken ndërtime të vjetra. Kam pyetur kalimtarë të rastit, por askush nuk më ka dhënë dot përgjigje.

Më në fund zgjidhjen e jep, si gjithmonë, interneti. Nuk ka pyetje që ngelet pa përgjigje po të dish ta guglosh. Gjeta se aty pranë paska qënë një fabrikë armësh dhe zona ketu përdorej si poligon për kalibrimin e prodhimeve të reja. Strukturat e drunjta shërbenin për të mos lejuar zhurmat e krismave dhe plasjeve të shqetësonin popullsinë e qytetit më tej. Kur është braktisur fabrika dhe poligoni, duke ia lenë vendin një parku të madh, askush nuk ka marrë mundimin (apo shpenzimin) që t’i prishë.
Jam i kënaqur që rruga e biçikletës time kalon në këtë park paqësor të ngritur mbi një territorin e një fabrike armësh. Paqja dhe biçikleta ime kanë dalë fitimtare.
Parku quhet Marie Curtis Park dhe ndodhet buzë liqenit të Ontarios pikërisht në kufirin midis Torontos dhe Misisagës. Në fakt, parkun e ndajnë përgjysmë të dy qytetet.
Lavdi parqeve! Poshtë armët!

Monday, February 6, 2023

Përmasat e përgjërimeve

Shënime për poemën e Skënder Buçpapës “Vetëm të vdekurit pendohen”

Skënder Buçpapaj është nga ata poetë që shkruan sepse ka diçka për të thënë, gjen një mënyrë krejt origjinale për ta shprehur dhe e përcjell me gjuhë të pastër, të kthjellët e të bukur shqipe. Prandaj kur vihesh të lexosh poemën “Vetëm të vdekurit pendohen” e ke të vështirë ta ndalësh frymën pa mbërritur në faqen e fundit.

Dikush mund të hidhet të thotë që poemat janë forma paksa klasike shprehjeje dhe të vështira për t’u ndjekur nga lexuesi modern. Buçpapaj ta hedh poshtë menjëherë mendimin me zhdërvjelltësinë e të komunikimit, me bashkëkohësinë e ideve, me modernizmin e formës dhe të përmbajtjes (dhe me fjalën “modernizëm” nuk nënkuptoj aspak poza të një intelektualizmi artificial, por risi, origjinalitet).

Vetëm të Vdekurit Pendohen është konceptuar në thelb si përmbledhje bashkëbisedimesh me nënën, të cilat poeti i quan aq bukur “përgjërata”. Sikur vetëm këtu të ishte ndalur, libri për mua do të kishte qënë kryevepër për mënyrën fine dhe jashtëzakonisht prekëse me të cilën shprehet dashuria dhe dhimbja për nënën. Por poema e Buçpapës zgjerohet pafund në hapësirë për të përfshirë jo vetëm personazhe, por edhe ngjarje, edhe histori, edhe filosofi, edhe letërsi, edhe folklor, edhe kulturë. Me një fjalë, për të përfshirë gjerësisht jetë.

Skënderi ka aftësinë ta mbërthejë dhe ta tërheqë lexuesin në një gjithësi magjepsëse malesh të lartë e pyjesh të dendur, livadhesh të gjelbra, përrenjsh të vrullshëm që kapërcehen me ura të ngushta mbi të cilat kalojnë njerëz me përmasa të jashtëzakonshme por gjithsesi reale. Lexuesi harron krejt që këta janë njerëzit përreth jetës së poetit, nëna, babai, daja, gjyshi, gjyshja, motrat, nuset e fshatit, sepse ata përzihen krejt natyrshëm në mënyrë filosofike me Sokratin dhe Niçen, poetikisht me Lorkën, Ginsbergun, Rembonë, Eluarin; vizualisht me Dalinë që të përshëndet qysh në kopertinën e librit. Pastaj përzjehen me personazhe biblikë dhe epikë, që nga heronjtë e Homerit e deri te banorët e përhershëm të eposit të malësisë shqiptare.

Libri ka të vdekurin në titull, por është një klithmë poetiko-filosofike për jetën, sepse Skënderi di t’i japë edhe jetës, edhe vdekjes përmasat e duhura hapësinore dhe kohore. Njerëzit që gjallojnë poemën janë po aq të vdekur sa edhe të gjallë, aq sa të duket sikur kufiri midis jetës dhe mosjetës nuk ka pikë rëndësie. Ata janë po aq në ëndërr sa edhe në realitet. Me ose pa vetëdije nga ana e poetit, kjo e bën poemën të tingëllojë krejtësisht universale, jashtë përmasave kohëzgjatëse të një jete njerëzore.  

Dikur, tridhjetë-e-ca vjet të shkuara, kur punonim bashkë në redaksinë e gazetës “Drita”, kam pasur fatin të dëgjoj drejtpërdrjejt përshkrimet e Skënderit për vendlindjen tij, kullotat malësisë, bjeshkët, barinjtë që kaherë kapërcenin malet për t’i dimëruar bagëtitë në fushat e Gjakovës. Ishin rrëfime fantastike, që më janë ngulitur në mendje. Skënderi kishte aftësinë që mallin dhe admirimin e tij për malësinë e Tropojës të ta ngjiste edhe ty që e dëgjoje, por që s’kishe qënë asnjëherë atje. “Vetëm të vdekurit pendohen” është dëshmia se ai është poet i mirëfilltë, me aftësinë që mallin dhe admirimin e tij t’ia përçojë, t’ia ngjisë edhe lexuesit.  Uroj që sa më shumë vetë të dijnë të përfitojnë nga kjo aftësi e tij. Jo vetëm që do të kënaqen, por edhe do të mësojnë shumë. 


Tuesday, January 10, 2023

S’ka kuptim

Ç'kuptim ka të mburresh për lashtësinë e gjuhës shqipe, kur e përdhos atë në çdo çast duke e keqpërdorur?

Ç'kuptim ka të vërtetosh që je populli më i vjetër i Ballkanit, kur gjysmën e njerëzve i ke të shpërndarë si zogjtë e qyqes nëpër botë?

Ç'kuptim ka t’i vesh qeleshe mbi kokë Homerit, kur rreth teje vërtiten gjysmë zhveshur lypës të uritur?

Ç'kuptim ka të bërtasësh se je krenar që je shqiptar, kur në Romë, Athinë, Londër e Paris ecën me kokën ulur?

Ç'kuptim ka të mbushësh sytë me lot për gjyshen arbëreshe të Deni DeVitos, kur nënën tënde të vetmuar e rrahin në shtëpinë e pleqve?

Ç'kuptim ka të kërkosh rrënjët arvanitase të Irenë Papas kur para syve të tu shkulin nga themelet teatrin kombëtar dhe ti nuk lëviz dot as gishtin?

Ç'kuptim ka t’i kërkosh drejtësi një politikani të korruptuar nga mitingu i kopjes së tij të klonuar?

Ç'kuptim ka të revoltohesh për padrejtësi shoqërore kur s’le rast pa vjellë vrer ndaj kujtdo që është ndryshe prej teje?

Ç'kuptim ka të rrahësh gjoksin për mikpritjen shqiptare kur ke vite që s'fton e s'qas njeri në shtëpi dhe kur çmimet e hoteleve dhe restoranteve i ngre në qiell?

Ç'kuptim ka ta mbash veten racë superiore kur në kurriz ke të freskëta shenjat e kamzhikëve të racizmit?

Nuk ka kurrfarë kuptimi ti kërkosh gjërat aty ku s'janë.

Ndoshta do të kishte më tepër kuptim sikur ta shfryje pak tollumbacen që mban mbi supe dhe të uleshe disi më poshtë,  sa të të preknin këmbët në tokë.

Të përiqeshe ta flisje dhe shkruaje shqipen më pastër e më qartë. 

Të mundoheshe ta edukoje djalin dhe vajzën duke i dhënë shembullin e pastërtisë morale, ndershmërisë,  dhembsurisë për të tjerët dhe nevojës për të qënë i drejtë.

Të hiqje dorë nga vemjet politike që kanë tridhjetë vjet që e kanë mbërthyer vendin për gryke dhe të kërkoje me urtësi dhe përgjegjësi qytetare rrugëzgjidhje të reja.

Të prisje ndonjë biletë koncerti, teatri, apo filmi për t’i dhënë një dorë talenteve të vendit. 

Të lexoje ndonjë libër nga fillimi në fund. 

Të punoje me ndershmëri, pa vjedhur, pa dhënë e marrë rryshfet. 

Të toleroje mendimin e tjetrit dhe të pranoje idenë që edhe ai që e sheh botën ndryshe nga ti mund të ketë një farë të drejte. 

E di që do thuash se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë përballë gjithë atij llumi që na ka mbytur përreth, por mos harro se ti je e vetmja shpresë e mbetur.  Gjithçka fillon nga ti, nga unë.


Wednesday, January 4, 2023

“Nuk janë përgjegjësia jonë“

(thotë Ambasadori i Shqipërisë në Britani për shtetasit shqiptarë)

Nëse doni të kuptoni mirëfilli shprehjen “O sa siklet me qënë shqiptar!” shikoni videon e bashkëngjitur. Komiteti i Punëve të Brendëshme i Parlamentit Britanik ka organizuar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko. Situata është kjo: Sipas Ministrisë së Brendëshme britanike, 35 përqind e 44 mijë njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez janë shtetas shqiptarë. Për britanikët ky është problem shqetësues. Ata kanë ftuar ambasadorin shqiptar për të diskutuar gjendjen së bashku.

Video fillon me fundin e fjalës së Ambasadorit i cili, sipas kontekstit, duhet të ketë shprehur idenë që Shqipëria është një vend mikpritës që pret krahëhapur turistë nga gjithë bota, duke përfshirë edhe nga Britania e Madhe, ide që padyshim nuk ka asnjë lidhje me temën e takimit. Më pas, ndërhyn Lee Anderson Anëtar i Parlamentit Britanik i cili shtron një pyetje të thjeshtë: “Për të udhëtuar nga Shqipëria në Londër mjafton të blesh një biletë me Wizair që kushton jo më shumë se 28 pound. Udhëtimi me avjon zgjat tre orë. Përse shqiptarët parapëlqejnë të paguajnë mijëra paund stërlina për të hyrë ilegalisht me gomone në Britani, në udhëtime të rrezikshme që zgjasin nga 16 orë, kur mund të udhëtojnë rehat me avjon?”

Ambasadori nuk e kupton pyetjen dhe kërkon t’ia përsërisin.

Anëtari i parlamentit britanik ia përsërit. Ambasadori përtypet. Nuk e di përgjigjen. Në fakt, ambasadori nuk di asnjë përgjigje. Në një video të shkurtër prej katër minutash ai thotë disa herë nuk e di, si një nxënës i keq që nuk është përgatitur për provim.

Natyrisht, ambasadori shqiptar ka ditur të përsërisë si papagall përrallën e mikpritjes shqiptare, të parajsës turistike shiptare, të arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare. Por, kur vjen puna për të diskutuar për problemin e shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në një vend të huaj, pra problemin për të cilin po merr pjesë në takim, ai nuk di të thotë asgjë.

Më në fund Lee Anderson detyrohet të thotë: “Ju nuk dini edhe aq shumë gjëra ambasador, apo jo? A nuk e ndjeni që Shqipëria duhet të japë kontributin e vet për rëndesën që po i sjellin taksapaguesve britanikë shtetasit ilegalë shqiptarë?”

Këtu ambasadori shqiptar ndjen një rrezik të madh – ndjen rrezikun që qeverisë së tij, shefit të tij, mund t’i faturohen shpenzimet e veprimeve të paligjshme të shtetasve të tij. Prandaj, me një gjest sa spektakular aq edhe të turpshëm ai mohon çdo lidhje me shtetasit shqiptarë. “Jo,” thotë ai pa i bërë syri tërr. “Ata nuk janë përgjegjësi e shtetit shqiptar.” Pra ambasadori i Shqipërisë i braktis menjëherë shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit e tij që kërkojnë strehim në Britani, lëshon ata fare lirë, pa pare, thjesht i bën hasha, duke mohuar çdo lidhje me ta. Fap-fap, i lan duart prej tyre.

Ja, kjo është gjendja ku ndodhemi. Një shtet që përfaqësohet në një nga vendet më të rëndësishëm të botës me një ambasador që nuk ia ka idenë se çfarë ndodh, që është i painformuar, që nuk di të shpjegohet, që nuk di të sqarojë dhe që, për të shpëtuar prapanicën e vet shet pa hezitim bashkëkombësit, ata bashkëkombas që janë braktisur një herë nga qeveria në vendin e tyre dhe që e ka për detyrë, ose më saktë paguhet që t’iu dalë për zot.

Video të lë pa fjalë. Më e pakta që mund të ndodhte pas kësaj do të ishte dorëheqja ose shkarkimi i menjëhershëm i Ambasadorit. Ndoshta duhet të kërkojë dorëheqjen edhe Ministrja e Punëve të Jashtëme. Sepse është vërtet turp për të ashtuquajturën diplomaci shqiptare dhe të ashtuquajturin shtet shqiptar.