Sunday, February 18, 2018

Facebook Boulevard

Pjesa e dytë
Shëtitja në Facebook Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq për një kafe ke nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të mësosh dhe të përcjellësh përvojë.
Facebook Boulevard gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin, artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.
Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.
Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra se si është ndërtuar Facebook nuk ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit. Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku gjetkë.
Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon, brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.  
Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm. Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur, për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:
1.      
A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – Vërtet të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.
C – Unë pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët, diçka moderne….
2.
A -  Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.
C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…

Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.
Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.
Unë kam qef të ngacmoj në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta, veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të gërricem me aksioma të pranuara masivisht si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse të kursehen.
Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.
1.       Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia thoje po ta kishe përballë.
2.       Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen kursyer.
3.       Nuk kursehen as figurat politike, publike, historike (imagjinare apo reale).
4.       Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme personale.
5.       Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është forcë karakteri, jo dobësi.
6.       Mbaje mendjen e hapur për ta ndryshuar.
7.       Çdo gjë e shkruar është e diskutueshme.
8.       Mos diskuto me citime, por me argumenta.
9.       Të gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.

Në pjesën e tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të shtjelloj më hollësisht disa prej tyre. 

Friday, February 9, 2018

Facebook Boulevard

(Pjesa e Parë)
Çdo ditë, më së shumti disa herë në ditë, unë bëj shëtitjen e zakonshme virtuale në Facebook Boulevard. Është si ato xhirot e dikurshme në shëtitoret e qyteteve, ku dilje për të parë dhe për t’u përshëndetur me të njohur. Ndryshimi është që sot shëtitjet bëhen pa lëvizur vendit, pra janë më shumë të dëmshme, se sa të dobishme për gjymtyrët. E vetmja dobi që kërkoj prej saj është t’i bëj të paktën pak gjimnastikë trurit.
As miqtë e mij në Facebook Boulevard nuk lëvizin fizikisht. Ata presin të gjithë aty, gjithkush në kjoskën e vet. Facebook Boulevard funksionon nëpërmjet kjoskave – disa janë shitore, disa janë ekspozita, të tjera janë kënde agjitacioni e propagande ose skena interpretimi.
Facebook Boulevard unë hyj përmes kjoskës sime. Nëse kam ndonjë ide në kokë apo ndonjë shkrim gate, i jap dorën e fundit, ngre qepenat e kjoskës dhe e ve në vitrinë. Me këtë dua t’i them miqve të mij që jam këtu, po iu ra rruga dhe keni kohë, jeni të mirëpritur të shkëmbejmë ndonje fjalë me njëri-tjetrin. Ose qoftë edhe një përshëndetje të lehtë nga larg, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’.
Pastaj vazhdoj shëtitjen. Facebook Boulevard është ekonomik. Ai të jep mundësi të kalosh vetëm nëpërmjet kjoskave të hapura. Nëqoftëse dikush nuk e hap kjoskën, nuk ve asgjë në vitrinë, ti s’ke përse shpenzon energjitë për të kaluar përpara saj. Energjitë të duhen për të tjera gjëra, si për shembull për të kaluar përpara kjoskave që s’paraqesin asnjë lloj interesi për ty.
Eci dhe shikoj me interes se kush ka dalë për shëtitje, kush e ka hapur kjoskën e me kë mund të përshëndetem. Ja, një miku im si gjithmonë, ka vënë një thënie të shkurtër të mençur – vetëm një fjali. E lexoj dhe buzëqesh me vete. I jap një përshëndetje, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’. Ose, nëqoftëse më vjen ndonjë gjë e këndëshme në mend, diçka që shkon logjikisht me atë që është thënë, ose që vazhdon në të njëjtin damar humori, ndalem dhe e shkruaj. Ndalesa të tilla bëhen shpesh shkak për biseda më të gjata, për ato që unë i quaj ‘kafè virtuale’.
Te kjoska tjetër dikush ka vënë një fotografi të vetën me mbesën. Të kënaqet shpirti ta shikosh. I jap një përshëndetje në formë ‘like’. Nëse është njeri i afërt, ‘like’ e kthej në ‘zemër’.
Pastaj kaloj në rresht, njëra-pas tjetrës, dy-tre kjoska politikdashësish. Këta janë zakonisht tepër të prerë dhe aspak tolerantë dhe unë përpiqem të eci me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur. Kjoskat e politikdashësve janë të mbushura me portrete kryetarësh partish, të cilët pronarët e kjoskave i adhurojnë. Në këto kjoska do të gjesh më shpesh se kudo shenja vandalizmi – ndërhyrje nga pronarët e kjoskave kundërshtare - një bojë e hedhur gjithë mllef mbi portretin e udhëheqësit; shkarravitje grafiti mbi qepenat e kjoskës dhe, jo rrallë, baltë e të pëgëra që hidhen mbi vetë pronarin e kjoskës. Prandaj edhe këtë të fundit do ta gjesh përherë të gatshëm të të përgjigjet me nervozizëm, pa pranuar asnjë mendim të ndryshëm. Kjoskat e politikdashësve lyhen me blu ose të kuqe, me të bardhë ose të zezë. Ngjyra të tjera nuk pranohen.
Ja edhe kjoska e një mikut tim piktor. Aty të shlodhet syri. Portrete, peizashe, origjinale dhe të piktorëve të tjerë. E përshëndes gjithmonë, por nuk i ndalem më për të pirë kafe. Ndoshta e kam gabim, por jam i bindur që pavarësisht se është piktor i mirë, nuk e meriton t’i bësh koment. Para nja tre vjetësh, kur sapo u bëmë miq virtualë - kemi qënë dikur miq realë dhe unë u gëzova që u rilidha me të në Facebook Boulevard – unë ndalesha shpesh te kjoska e tij dhe lija komentet e mia, vlerësimet për pikturat e tij. Ashtu si dikur, kur ishim miq të vërtetë dhe pinim ndonjë kafe te Lidhja e Shkrimtarëve. Por ai asnjëherë nuk përgjigjet. Thjesht bën një ‘like’ për komentin tim, sa për të thënë që e ka lexuar, por nuk merr mundimin të më ftojë për kafe, domethënë për të shkëmbyer dy fjalë. Gjithashtu më ka rënë në sy se ai nuk kalon kurrë përpara kjoskës sime. Ose kalon dhe nuk ia hedh sytë. Ose kalon, i hedh sytë, por nuk i bënte asgjë përshtypje. Me një fjalë, nuk merr kurrë mundimin të përshëndeste. Është ndër ata miq që del në Facebook Boulevard vetëm për të marrë vlerësime, vetëm për të demonstruar, jo për të komunikuar me njeri. Ka respekt të veçantë për veten, por nuk tregon asnjë shenjë respekti për të tjerët.    
Shumë nga ne janë të zënë dhe s’kanë shumë kohë për ta kaluar në Facebook Boulevard. Unë e kuptoj këtë. Edhe vetë përpiqem t’i bëj shëtitjet sa më të shkurtra, pasi jeta ka shumë gjëra të tjera veç bulevardit virtual. Kur bëj shëtitjen e mëngjesit, në ato pesë ose dhjetë minuta përpara se të nisem për punë, kohën e kam tepër të kufizuar. Kaloj përpara kjoskave miqve të mij prozatorë që vënë në vitrinë tregime dhe, megjithëse dua me gjithë shpirt t’i lexoj, jo gjithmonë mundem. E njëjta gjë ndodh edhe me ata që shkruajnë shkrime relativisht të gjata (si ky që po shkruaj unë). I lexoj vetëm kur kam kohë dhe shumë prej tyre më shpëtojnë pa lexuar. Sidoqoftë, diçka ia kam detyruar vetes: ‘Nuk bëj kurrë ‘like’ pa e lexuar tregimin apo shkrimin dhe pa e pëlqyer atë.” Nëqoftëse unë të përshëndes, të përshëndes se vlerësoj atë që ke ekspozuar. Nëse nuk më pëlqen, unë bëj sikur s’e shoh ose ndalem dhe nuk përtoj ta them mendimin tim (Për këtë do shkruaj më gjatë në pjesën e dytë).
Kur shëtis në Facebook Boulevard kam ndjesinë se pronarët e bulevardit – Zukerbergu me shokë - më vënë gjithmonë dikë që më ndjek nga pas. Unë nuk i kam parë, por e ndjej praninë e tyre virtuale. Ata ndjekin dhe marrin shënim të gjitha lëvizjet e mia – në cilat kjoska ndaloj, me cilët njerëz përshëndetem, çfarë pëlqej dhe çfarë nuk pëlqej. Këta spiunë të Facebook Boulevardit janë të bezdisshëm, sepse i fusin hundët aty ku s’iu takon. Po të venë re se jam ndalur dy-tre herë në të njëjtën kjoskë (gjë që unë mund ta kem bërë pa e pasur mendjen dhe pa ndonjë arsye të veçantë), ata përpiqen të ma nxjerrin atë kjoskë sa më shpesh përpara në shëtitjen time virtuale. Nëqoftese e kaloj një kjoskë pa e përshëndetur, të nesërmen ma sfumojnë, ose ma vënë aq larg në bulevard, saqë shpesh herë nuk kam mundësi ta shoh. Ky zell i tyre për ‘të më dhënë mua ç’më haet’, ka bërë që shpesh herë të shkëputem për një kohë të gjatë nga miq të cilët do të desha t’i takoja më shpesh.
Ky është përfytyrimi im për Facebook Boulevard. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të përpiqem të shpjegoj se ç’më tërheq më shumë mua në këtë ritual shëtitjesh dhe pse sillem ashtu siç sillem kur jam atje.

Friday, December 8, 2017

Kush na le të tundohemi?!

Përsiatje teologjike
Papa Françesko doli me propozimin për të ndryshuar përkthimin anglisht të Lutjes Themelore të të Krishterëve (e njohur si Lord’s Prayer). Përkthimi i deritanishëm është kryer që në shekullin e 4 nga Latin Vulgate, që mendohet të jetë marrë nga varjante më të vjetra në greqisht, hebraisht ose Aramaikisht dhe ka problem me frazën “(Zot) mos na ço në tundim” (lead us not into temptation). Papa propozon që të shkohet drejt një varjanti të ngjashëm me atë francez, që thotë pak a shumë “(Zot) mos na lerë të bijem në tundim” ("do not let us fall into temptation"). Edhe varjanti shqip është ”E mos na lër të biem në tundim…”
Papa the teologët e Vatikanit arsyetojnë se nuk është Zoti që i shtyn njerëzit në tundim, por janë njerëzit që tundohen në kokë të vet. Pra, nuk mund të akuzohet Zoti se i shtyn njerëzit në tundim.  
Por a nuk është mëkat që të akuzosh Zotin për diçka që ai nuk e ka bërë? A nuk është mëkat t’i thuash Zotit se po i shtyn njerëzit në tundim, në  një kohë kur ai nuk ka pasur kurrë ndërmend ta bëjë një gjë të tillë? Kështu duhet të jetë, prandaj edhe Papa po mundohet ta ndërrojë lutjen. Puna është se që në shekullin e katërt e deri më sot, pra për nja njëmijë e gjashtëqind e ca vjet, me miliona njerëz kanë lindur dhe kanë vdekur duke iu lutur Zotit ditë për ditë, brez pas brezi, që ky të mos i shtyjë në tundim. Në rastin më të mirë, këto miliona – ose më saktë, miliarda – lutje kanë shkuar dëm. Në rastin më të keq, ato kanë fyer drejtpërdrejt Zotin, duke e akuzuar për diçka që nuk e ka bërë. Papa s’mund ta kalojë këtë punë kaq lehtë, domethënë që me një të rënë të lapsit të ndërrojë lutjen dhe gjithçka të harrohet. Ku shkojnë shpirtrat e gjithë atyre miliardave njerëzve që kanë shprehur gabim Lutjen Themelore të Krishtërimit? Kush e mban përgjegjësinë për këtë kasaphanë shpirtrash?
Pavarësisht se ndihem paksa i ngushëlluar që, të paktën besimtarët shqiptarë janë në rregull me këtë lutje, mua përsëri nuk me fle karari. Sepse, edhe me varjantin e ri që propozon Papa dhe që e kanë përdorur shqiptarët Zoti nuk del fare i shfajësuar. Edhe kur thuhet "E mos na lër të biem në tundim…”, përsëri përgjegjësia i lihet në derë Zotit. Domethënë atij i thuhet : Ti o Zot, e ke në dorë të mos më lesh mua dhe të tjerët përreth meje që të bijem në tundim. Nëqoftëse ne bijem në tundim, atëherë ishe ti që na le të bijem në tundim. Ti e ke në dorë që të mos i lesh gjithë njerëzit që të bijen në tundim, e përsëri nuk e çan kokën dhe i le që të bijem në tundim."

Në fakt, ndryshimi i fjalëve që po përpiqet të bëjë Papa nuk ndryshon asgjë nga përmbajtja e Lutjes Themelore dhe nga qëndrimi akuzues ndaj zotit i atij që lutet. Përsëri besimtarët vazhdojnë  të thonë që Zoti e ka në dorë t’i ndalojë tundimet njerëzore, por nuk e bën. Ose e bën ndonjëherë, kur i dëgjon lutjet. Ose e bën shumë rrallë, se tundimet vazhdojnë në të katër anët. Përfundimisht, Papa i ka hyrë një rruge pa krye, ose një rruge, kreu logjik i të cilës është braktisja e një praktike të kotë dhe pa kuptim si lutja. 

Tuesday, November 7, 2017

Lutje dhe Meditim

Debati i ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara është përqëndruar në gjetjen e mënyrës më të efektshme për të kontrolluar dhe ulur e numrin e masakrave masive. Amerika zë vendin e parë në botë për vrasjet publike. Një statistikë e botuar sot vërente se që nga vitet 1970të e deri sot Shtetet e Bashkuara kanë pasur më shumë viktima nga vrasjet masive se sa nga të gjitha luftërat ku ato janë përfshirë gjatë kësaj periudhe (duke përfshirë edhe ato në Irak e Afganistan.)
Por ajo që të le pa mend është çfarë debatohet. 
Nga njëra anë janë ata që shkaktarin kryesor për të gjitha këto tragjedi e kërkojnë te numri alarmues i armëve në qarkullim dhe te ligjet tepër të lira të Shteteve të Bashkuara për mbajtjen e armëve. Ky grupim kërkon kufizimin e lejeve për armët si edhe kufizimin për llojet e armëve që mund të mbajnë qytetarët e thjeshtë, me arsyetimin se sa më pak armë, aq më pak krime do të kryen me to.
Nga ana tjetër është lobi i prodhimit dhe shitjes së armëve, i përkrahur nga e ashtuquajtura “e djathta e krishterë”. Këta ngulin këmbë se zgjidhja e problemit të vrasjeve masive gjendet te “lutjet dhe meditimet për viktimat” (thoughts and prayers).
Praktikisht lobi i prodhimit dhe shtimit të armëve dhe ai i prodhimit dhe shtimit të lutjeve dhe meditimeve në Amerikë është më i fuqishëm. Nga reagimet kundrejt dy masakrave të fundit (në Las Vegas dhe në Teksas) duket qartë se kjo mënyrë për zgjidhjen e problemit ka mbështetjen e politikanëve të fuqishëm si Presidenti Trump dhe Kryetari i Kongresit Paul Ryan. Ky i fundit është vënë dje dhe sot në shënjestër të kritikave dhe akuzave se po përpiqet të mbysë çdo përpjekje për ndryshime ligjore me pasivitetin dhe boshësinë e lutjeve dhe meditimeve. Megjithatë, kryekongresmeni amerikan Paul Ryan ngul këmbë se lutjet dhe meditimet janë mënyra më e efektshme për të luftuar dhunën, duke anashkaluar, për shembull, faktin që ata të shkretët që u masakruan në Teksas ishin brenda një kishe duke u lutur.

Për shumë njerëz që jetojnë larg realitetit amerikan ky debat mund të tingëllojë si një parodi cinike, gati-gati e pabesueshme. Është vërtet jashtë çdo përfytyrimi të mendosh që njerëzit më të fuqishëm të shtetit më të fuqishëm të botës arrijnë ta ulin kaq poshtë nivelin e diskutimit intelektual. Megjithatë, ky është realiteti. Paul Ryan është i bindur se lutjet dhe meditimet janë më të fuqishme se çdo lloj ligji dhe se Zoti i tij do t’i dëgjojë lutjet dhe do t’i ndalojë vrasjet. Ndërkohë, fëmijë, gra, burra, pleq të pafajshëm vazhdojnë të kërdisen thuajse dita ditës duke vërtetuar edhe një herë se ata që predikojnë zgjidhje përmes lutjeve janë në të njëjtën llogore me ata që përfitojnë miliarda dollarë nga shitjet e armëve. 

Thursday, November 2, 2017

Sindroma e Monstrës

(Lexojeni, se mbyllet me një këngë)
Para disa ditësh postova në fb një parodi të shkurtër të bazuar në vargjet hapëse të poemës së Naimit “Bagëti e Bujqësi”. Nuk ishte as përpjekje për t’u shquar si poet (pasi nuk jam) dhe as ngasje për t’u dukur origjinal, pasi parodi të tilla kanë bërë të tjerë me më shumë sukses përpara meje. Ishte thjesht një impuls për të bërë pak humor dhe për të lehtësuar pak ngarkesën e ditës, që u mirëkuptua nga shumë miq të mij.
Por, për çudi (ose aspak për çudi) u gjend dhe dikush që u nervozua dhe me dergoi këtë koment : ‘Pasi i late penden Shqiperise prisni te behet me e nderuar !!!’ Po, me tre pika çuditëse.
Si rregull unë nuk ia përtoj debateve në fb, por këtij komenti iu përgjigja me adresimin te një shkrim i imi i mëparshëm i titulluar ‘Llum’, ideja kryesore e të cilit është që askush nuk ka të drejtë të më diktojë mua se çfarë të them duke u bazuar te vendi ku jetoj.
Do ta kisha harruar fare këtë shkëmbim sikur të mos më kishte rënë në sy gjatë kësaj jave që edhe në shtyp edhe në rrjetet sociale vazhdon të mbizotërojë përçmimi ndaj emigrantëve dhe dëshira për të na e mbyllur gojën ne që jetojmë përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Gjë që më bëri të mendoj :
A mund t’i thuhet ‘i le pendët Shqipërisë‘ Naimit, Samiut, Abdylit? A mund t’i thuhet i le pendët Shqipërisë Asdrenit, Pashko Vasës, Konicës, Nolit, Eqerem Vlorës, Martin Camajt, Arshi Pipës, Sami Repishtit, Sejfi Protopapës, Isabela Çoçolit? A mund t’iu thuhet ‘i latë pendët Shqipërisë‘ të gjithë atyre që çanë muret e ambasadave dhe mbushën anijet në 1990, pa të cilët s’do të kishim sot as grafikat e mrekullueshme të Avni Delvinës dhe as rrëfimet njerëzore të Arben Imerit?
Pastaj, a mund t’i thuhet ‘i latë pendët Anglisë‘ çiftit Persi dhe Meri Shelli dhe mikut të tyre të afërt Xhorxh Gordon Bajron? A mund t’i thuhet ‘i latë pendët Gjermanisë‘ Mozartit dhe Ajnshtainit? ‘I latë pendët Polonisë Marie Kurisë dhe Shopenit? Austrisë - Frojdit dhe Shvarcenegerit? Rumanisë - Joneskos dhe Nadia Komaneshit; Serbise – Nikolla Teslës; Greqisë - Demis Rusos; Italisë - Toskaninit apo Al Pacinos, Rusisë - Solzenisinit, Egjiptit – Omar Sharifit? Kolumbisë - Markezit?...I vura tre pikat jo për të neutralizuar ato tre pikë çuditëset, por për të thënë që kjo listë mund të shkojë pa fund.
Ka qënë një kohë kur nga Shqipëria nuk lejohej të largohej asnjeri. Kjo kohë ishte nga viti 1945 në vitin 1990. A ju kujtohet si quhej? Koha e komunizmit, koha e diktaturës, koha e enverit. Për 45 vjet monstra që drejtonte vendin shpenzonte një pjesë të madhe të buxhetit për të ruajtur kufirin. Jo që të mos i hynte kush brenda, por që të mos i dilte njeri jashtë. Monstra shkonte dëm burime të panumërta materjale dhe njerëzore, rrezikonte kapital politik të pallogaritshëm për të vrarë, torturuar e burgosur ata që donin të largoheshin dhe për të syrgjynosur e keqtrajtuar gjithë familjet e tyre. Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë arsyen përse e bënte monstra këtë marrëzi. Disa mendojnë se ai kishte frikë se mos i iknin të gjithë. Disa të tjerë arsyetojnë se e bënte ngaqë ishte xheloz dhe nuk donte që skllevërit e tij të siguronin diku gjetkë një jetë më të mirë. Të tjerë i bijen shkurt duke thënë se ishte paranoik. Pa hedhur poshtë asnjë prej tyre, unë them që arsyeja kryesore përse monstra nuk i linte njerëzit të iknin ishte se nuk duronte dot që dikush, kushdo që kishte jetuar ferrin e tij, të dilte jashtë dhe të fliste hapur, serbes, pa i bërë syri tërr për ato që kishte parë. Nuk duronte dot që njerëz që e njihnin nga pranë realitetin e tij të ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre për atë realitet.
Sindroma e monstrës vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme te shumë njerëz në atë vend edhe sot e kësaj dite. Ajo shfaqet me bezdinë e madhe dhe nervozitetin e hapur ndaj çdo shprehje kritike që vjen nga përtej kufirit. Ashtu si monstra, këta njerës nervozë dhe të bezdisur nuk e kuptojnë që kushdo që merr mundimin dhe ndjek lajmet nga Shqipëria; kushdo që merr mundimin dhe shpreh një mendim për Shqipërinë - të saktë apo të gabuar – niset thjesht nga dashuria dhe nga dëshira për ta parë atë vend sa më mirë.
Sindroma e monstrës i ka rrënjët e thella dhe do të duhet kohë që t’i gjendet ilaçi. Përderisa të gjendet, ne që jemi përjashta do të vazhdojmë të mbetemi në shënjestër. Po ç’faj kemi ne? Fajin e kanë ata që na lanë të dalim jashtë. Kush na la ne të dilnim jashtë?! Kjo, sipas të famshmëve Baha Men, është nga ato pyetjet 1 milion dollarëshe. Meqë interneti na i jep mundësitë, mund ta dëgjoni. Titullohet ‘Who let the dogs out?’Baha Men - Who Let the Dogs Out?


Sunday, October 15, 2017

Jani dhe Trio Fammus

Ne këtu në Toronto jemi me fat që kemi mes nesh një artist si Jani. Ndër violinistët më të shquar shqiptarë, Maestro Papadhimitri është edhe kompozitor i shkëlqyer, muzikant me shije të rrallë, dhe pedagog i aftë. Në fakt, aftësitë e tij pedagogjike pasqyrohen te loja e shkëlqyer e dy vajzave të tij të talentuara, me të cilat ka krijuar Trio Fammus – Livia Simas Papadhimitri (violinë) dhe Sofia Papadhimitri (piano).
Jani është muzikant modern, me shije të hollë dhe me aftësi të veçantë për të kuptuar ndjenjat dhe kërkesat e artdashësve. Këtë ai e dëshmoi me Mbrëmjen me Muzikë nga Filma dhe Muzikorë të Preferuar që organizoi mbrëmë në Toronto. Ishin afro dy orë që kaluan si të ishin dy minuta për spektatorëve të shumtë që kishin mbushur sallën.
Audienca e Trio Fammus shtohet nga viti në – shtohet numri i shqiptarëve që tërhiqen nga arti i Janit, Livias dhe Sofias; shtohet edhe numri i të jo-shqiptarëve. Kjo flet për virtuozitetin e lojës së trios, flet për shijen e hollë të Janit në zgjedhjen e repertorit, flet edhe për punën pasionantëve të këtyre artistëve. Nuk është aspak e lehtë të shtosh audiencën e një koncerti me dy violina dhe një piano në një kohë dhe në një qytet me jetë artistike nga më të larmishmet në botë, në një vend ku gumëzhijnë lloj-lloj zhanresh muzikore. Jani e arrin këtë me përkushtim dhe dashuri, si edhe me një punë të trefishtë.
Sepse atij jo vetëm i duhet të zgjedhë dhe të praktikojë muzikën për një koncert, por edhe të përshtasë pjesët muzikore që luan për trion e tij. Shumë nga pjesët muzikore që u luajtën në Mbrëmjen me Muzikë nga Filma dhe Muzikorë të Preferuar as që nuk ishin shkruar për piano dhe dy violina. Janit i është dashur të bëjë trefishin e punës.
Jani është njeri modest, me pak fjalë. Ka një buzëqeshje të lehtë, dashamirëse që s’i ndahet nga fytyra. Është nga ata njerëz që punon dhe iu jep të tjerëve shumë më tepër se ç’mund të marrë dhe është i lumtur që ka rast të na falë aq shumë kënaqësi me artin e tij.

Ne këtu në Toronto i jemi mirënjohës. 

Thursday, September 7, 2017

Ku tregohen muskujt

Si në shumë raste të tjerë, edhe në debatin për mbulimin e monumentit të Gjergj Kastriotit ne shpalosëm në mënyrën më spektakulare paaftësinë për të parë thelbim e problemit dhe dëshirën për t’u kufizuar në anë periferike, veçanërisht në në ato pika me të cilat kemi më shumë rast t’i vërsulemi njeri-tjetrit.
Nuk ka rëndësi nëse monumenti u mbulua pjesërisht apo plotësisht, nëse ai mund të shihej nga disa cepa të sheshit dhe të mëshihej nga disa të tjerë. Nuk ia vlen të diskutosh nëse mbulimi ishte thjesht gabim teknik, mosnjohje e detajeve të elektronikës nga ana e hoxhës, apo ishte lëvizje e paramenduar. As ka bazë të diskutosh dhe të justifikosh mbulimin e monumentit me arsyetimin se besimtarët nuk mund të falen përpara një imazhi të rikrijuar të fytyrës (Gjergj Kastriotit) dhe që për këtë arsye e mbuluan atë me një ekran stërmadh televiziv ku çfaqen vetëm imazhe të rikrijuara të fytyrës së njeriut (hoxhës).
Është gabim dhe e rrezikshme t’i japësh debatit karakterin e përplasjeve ndërfetare, siç ia dha (me dashje apo pa dashje) hoxha i Tiranës duke u përpjekur të sqaronte “vëllezërit katolikë“ se mbulimi nuk kishte pasur asnjë qëllim që të fyente ata. Gjergj Kastrioti është heroi kombëtar i gjithë shqiptarëve, me apo pa fe; muslimanë, katolikë, ortodoksë, evangjelistë, budistë, apo zoroastrianë. Është e shëmtuar, keqdashëse dhe e papërgjegjshme të deklarohesh ndryshe. Siç është edhe e vërtetë që ka shqipfolës, me ose pa fe, që nuk e duan Kastriotin sepse kanë prioritete të tjera, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë.
Po a mund të thuash që i gjithë ky debat u ndez kot së koti dhe njerëzit filluan të acarohen pa asnjë arsye? Jo. Sepse pati një shkëndijë, pati një shkrepje që rrezikon t’i ngrejë flakët lart. Flakë që rrezikojnë të shkrumbosin një nga shtyllat themelore të ngrehinës së shtetit shqiptar – laicitetin.
Që në origjinë shteti shqiptar është bazuar te laiciteti, te ndarja e tij prej feve. Të gjithë drejtuesit e tij që nga viti 1912 e deri sot, të mirë apo të këqinj kanë ndjekur me hir apo me pahir këtë parim të vendosur nga ideatorët e kombit, Rilindasit. Pa shkëputjen e plotë nga feja shteti shqiptar dhe koncepti i kombit shqiptar nuk mund të ekzistojnë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë shtet apo komb që bazohen te feja. Nuk mund të jenë as komb dhe as shtet që flirton me një fè në kurriz të të tjerave. Të qënit shqiptar në vetvete e ka çuar gjithmonë fenë në planë të dytë dhe atje, në planin e dytë, iu ka dhënë të gjitha besimeve peshë të barabartë. Kështu ka qënë dhe kështu do të vazhdojë të jetë përderisa të ketë shtet dhe komb shqiptar. Këtë të vërtetë e kanë pas kuptuar historikisht jo vetëm politikanët, por edhe krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri, të cilët kanë qënë më së shumti patriotë.
Mirëpo sot ka ardhur koha e krerëve të paaftë dhe të papërgjegjshëm që, në rastin më të mirë, as e kanë idenë se ç’bëjnë (në rastin më të keq, veprojnë me ndërgjegje kundër idesë së kombit shqiptar). Sot ka ardhur koha kur krerët e komuniteteve ose s’janë fare shqiptarë, ose paguhen drejtpërdrejt nga burime jo-shqiptare, ose pranojnë ndihma dhe subvencione financiare kolosale nga të huajt, ose s’marrin veshë duvanë e kujt po bëjnë. Po të ndjekësh rrugën e parave për ndërtimin e objekteve të kultit dhe veprimtaritë e përditshme të kryesive të komuniteteve, nuk e ke të vështirë ta vësh në dyshim integritetin dhe pavarësinë e tyre. Ndërkohë, shteti shqiptar qëndron çuditërisht pasiv, madje në disa raste edhe e duartroket ndërhyrjen e të huajve. Shembulli më i mirë është qendrimi i fëlliqur i shtetit në garën e shëmtuar për ndërtimin e objekteve të kultit në Tiranë.
Kjo papërgjeshmëri dhe këto motive të dyshimta s’kanë se si të mos e shqetësojnë qytetarin shqiptar dhe të mos e bëjnë të ndjeshëm. Instiktivisht të gjithë acarohemi sa herë që kapërcehet kufiri dhe njëri apo tjetri organizim fetar futet në zonat e “ndaluara”, në sferat e shtetit dhe shoqërisë laike.
Shteti shqiptar është laik në të gjithë nivelet e tij – pushteti ligjvënës dhe pushteti ekzekutiv janë laikë. Edhe pushteti lokal është laik. Bashkia e Tiranës është pushtet i ndarë nga feja dhe si e tillë ajo s’ka punë të favorizojë një fè apo një tjetër, siç nuk ka punë as të favorizojë të gjitha fetë njëlloj në kurriz të laicitetit. Sheshet dhe rrugët e Tiranës iu takojnë qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve, pa dallim besimi apo mosbesimi. Kjo, dhe vetëm kjo është arsyeja që kur bulevardi “Dëshmorët e Kombit” i jepet një grupimi të caktuar fetar për të demonstruar forcën e tyre numerike njerëzit bëhen nervozë. Kjo dhe vetëm kjo është arsyeja që kur Sheshi Skënderbe i jepet një grupimi të caktuar fetar për të kryer ritualet e tyre publikisht dhe për t’iu bërë karshillëk të tjerëve, të tjerët – të gjithë të tjerët, duke përfshirë fetarët dhe jo fetarët, duke përfshirë edhe një pjesë të madhe të muslimanëve shqiptarë që mendojnë në mënyrë të përgjegjshme për vendin e tyre – ndihen të provokuar.
Historikisht Sheshi Skënderbe dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit janë përdorur nga grupimet politike për të demonstruar forcën e tyre, kryesisht forcën numerike, pra për të treguar muskujt. Në Bulevard enver hoxha organizonte paradat e tij, ndërsa mitingjet e mëdha organizoheshin përpara Pallatit të Kulturës. Pas 1990tës sheshi u bë simboli i luftës politike me mitingje e kundra mitingje. Por partitë politike janë pjesë e shtetit laik dhe, pavarësisht natyrës së konfliktit, demonstrimi në shesh dhe në bulevard ka qënë gjithmonë diçka e pranueshme.
Ndryshe qëndron puna kur kërkohet te demonstrohet identiteti fetar. Veçanërisht krerët e komunitetit musliman shqiptar me pretekstin se nuk kanë hapësirë ku të falen duken sikur duan t’i shfrytëzojnë sheshin kryesor dhe bulevardin kryesor të kryeqytetit për të demonstruar ata forcën e tyre – numrat, mënyrën e veshjes, mënyrën e faljes. E theksoj, nuk flitet për muslimanët shqiptare. Flitet për krerët e komunitetit musliman, për njerëzit që drejtojnë politikën e komunitetit.
Le ta pranojmë për një çast se mbi 700 xhami (sipas shifrave të dhëna nga vetë komuniteti musliman shqiptar) nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur të gjithë ata që duan të falen ditën e Kurban Bajramit. Përse duhet këmbëngulur për të shfrytëzuar pikërisht Sheshin Skënderbe dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit? Çfarë motivi tjetër veç eksibicionizmit dhe dëshirës për të treguar forcë mund të të shtyjë të kërkosh të kryesh një rit aq intim sa falja pikërisht në vendin më të dukshëm?

Cilatdo qofshin motivet e krerëve të komunitetit musliman për të kërkuar kryerjen e ritualeve në vende publike, ato s’kanë përse t’i diktohen shtetit laik, pushtetit qendror dhe atij lokal laik. Bashkia e Tiranës dhe qeveria e Shqipërise nuk kanë përse lejojnë që një komunitet i caktuar të demonstrojë në vende ku i bën të tjerët të ndihen jo mirë. Zgjidhja më e drejtë dhe ligjore do të ishte që atyre t’iu jepej një hapësirë tjetër – ta zemë një fushë apo stadium futbolli, një park i madh, një shesh jashtë qytetit, për të kryer të njëjtin funksion. Gjithmonë mund të gjenden zgjidhjet, nëqoftëse ekziston vullneti i mirë dhe dëshira për të qënë sa më të paanshëm dhe më të drejtë. Komunitetet fetare bëjnë është mirë të jenë më të kujdsesshëm kur duan te tregojnë muskujt.