Saturday, October 12, 2019

Jane Fonda apo Donald Trump?

Nëse dikush do të më pyesë se kush përfaqëson më shumë Amerikën, Jane Fonda apo Trump unë do t’i përgjigjesha pa hezitim Fonda.
Nuk ka të bëjë me parapëlqimet politike. Nuk ka të bëjë fare me faktin që Jane Fonda është arrestuar dje në Washington DC duke protestuar për mjedisin. Nuk ka të bëjë as me bëlbëzimet dhe politkat anti-sociale, çoroditëse, agresive, raciste të Presidentit Donald Trump.
Ka të bëjë me mënyrën se si unë jam mësuar ta shoh Amerikën që në fëmijëri, me llojin e Amerikës që unë dhe përgjithësisht njerëzit që kam pasur rreth meje kemi pasur si vizion dhe si ideal në rini; me domethënien që kishte Amerika për botëkuptimin tonë.
I lindur e i rritur në vitet e diktaturës, për mua dhe shokët e mij Amerika ishte ai vezullimi i largët dhe shpresëdhënës i hënës, që e shihnim, e ëndërronim, e dëshironim, por që nuk mendonim dot kurrë se do ta kapnim. Unë dhe një pjesë e madhe e brezit tim e kaluam rininë duke dëgjuar fshehtazi rokun e viteve 60të - 70të, duke parë me zë të ulët dhe me figurë të paqartë filmat e asaj periudhe. Për ne ideali i Amerikës ishin lëvizjet e mëdha shoqërore të atyre viteve, ishin hipitë, ishin flokëgjatët dhe fundshkurtrat, ishin pikërisht ata njerëz që protestonin luftën në Vietnam, kërkonin barazi shoqërore për të gjithë, ata që përplasnin me forcë dhe thyenin tabutë e establishmentit.
Ne ishim me Woodstock-un, nuk ishim me akademitë ushtarake. Ne ishim me Muhamet Aliun, nuk ishim me Niksonin. Ne ishim me Joan Baez, me Bob Dylan, me Jimmy Hendrix, me Janis Joplin, me Bono and Cher, me James Brown dhe me Tomin e The Who; nuk ishim as me General Electric, as me Ford Motor Company, as me Wall-Street, as me korporatat gjigande, të cilave nuk ua denim emrat dhe nuk na interesonin. Ne ishim të varfër por nuk ëndërronim pasuri. Ne ishim nën diktaturë dhe ëndërronim lirinë. Na gëzonte fushata kundër konservatorizmit e fundit të viteve gjashtëdhjetë, ndërkohë që na goditi rëndë lufta kundër liberalizmit, dënimi i Festivalit të 11të, i Njollave të Murme, i çdo shenje progresive, liberale që kishte filluar të çfaqej në atë vend pikërisht nën këtë ndikim.  
Për ata që s’e njohin dhe që e shohin sot si një 81 vjeçare që kundërshton idhullin e konservatorizmit, miliarderin Donald Trump, Jane Fonda është aktore, aktiviste shoqërore dhe modele amerikane, që ka fituar veç të tjerash edhe dy Cmime Akademike, dy Çmime BAFTA, gjashtë Çmime Golden Globe, një Emmy. Ushtrimet e saj aerobike të përmbledhura në videon Jane Fonda’s Workout që dolën në shitje në 1982 u bënë videokaseta më e shitur në Shtetet e Bashkuara dhe ndikuan në lindjen e një lëvizjeje të tërë ushtrimesh fizike në shtëpi që vazhdon edhe sot.
Jane Fonda ka qënë veprimtare për të Drejtat Shoqërore dhe kundërshtare e vendosur e Luftës në Vietnam. Ajo mbetet ikonë e lëvizjes feministe jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën. Fonda i është përkushtuar punës për t’i bërë viktimat e dhunës seksuale të ndërgjegjshme se ‘përdhunimi nuk është faji i tyre’.
Një pjesë të mirë të veprimtarisë së saj shoqërore e zë lufta për të drejtat e popullsisë Vendase Amerikane. Ajo ka qënë aktive kundër Luftës në Irak dhe vazhdon të protestojë energjikisht për çështjet e ndryshimit të klimës. 
Prandaj midis Amerikës së Jane Fondës dhe Amerikës së Donald Trumpit unë anoj pa hezitim, pa u menduar , instiktivisht dhe tërëqënësisht nga e para.

Sunday, September 29, 2019

Përse ua ngriti nervat shqiptarëve Greta?!


I ndodhur në Kanada por me kokën e kthyer nga Shqipëria nuk mund të mos bëj shpesh herë krahasime për ngjarje me ndikim në të dy vendet. E tillë ishte edhe fenomeni suedez Greta Thunberg,  16 vjeçarja autiste  me protestën e saj të jashtëzakonshme kundër indiferencës agresive të politikës ndaj ndryshimit të klimës. Teksa te kanadezët në përgjithësi, (siç e tregoi edhe demonstrimi i mbi treqindmijë vetëve në Montreal të Premtem e 27 Shtatorit) spikati përkrahja e gjerë ndaj thirrjes emocionale të adoleshentes suedeze, reagimi i shumë shqiptarëve në rrjetet sociale ishte i krejt i kundërt.
Burra e gra pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjeçarë duket sikur gjetën rastin të tregonin epërsinë e tyre intelektuale duke u tallur me vajzën e thjeshtë suedeze, duke shfryrë e turfulluar, duke sharë e ankuar, a thua Greta po iu sillte ndonjë gjëmë të paparë.
Përpara disa javësh Greta Thunberg u nis me një varkë me vela nga Europa në Amerikë. Ishte një udhëtim simbolik pa konsum energjie për të protestuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër ndotjes së mjedisit që sjell ndryshimën e klimës. Thirrja e Gretës ishte e thjeshtë: unë jam 16 vjeç dhe shanset janë që të jem unë ajo që do t’i trashëgoj pasojat e ndotjes së mjedisit që po sjell indiferenca e politikanëve të sotëm dhe jo ju pleqtë e politikës. Brezi juaj nuk ka të drejtë të pasurohet në kurriz të të ardhmes të brezit tim.
Nuk është shumë e vështirë të kuptohet pse shumë shqiptarë nuk e besojnë atë që është provuar tanimë nga mijëra shkencëtarë në botë që planeti po ngrohet edhe si rezultat i veprimtarisë njerëzore, kryesisht përmes ndohtjes së atmosferës. Njerëz që kanë besuar Suden, Shemsien dhe Xhaferrin, që besojnë te parashikimi i tërmetit nga Çim Peka dhe gdhijnë natën përjashta, mund ta kenë të vështirë të besojnë përfundimet e studimeve të shkencëtarëve seriozë nga të katër anët e botës. Eshtë punë besimi dhe dihet që besimin s’e çan dot me logjikë dhe me shkencë, përpjetë të hidhesh.
Ajo që s’kuptoj unë është se ç’patën me Gretën?! Ç’të keqje, çfarë kërcënimi iu solli Greta? Çfarë telash iu ngacmoi kaq keq ajo vazja 16 vjeçare nga Suedia?
Shqiptarëve nuk ka se si t’iu vijë asnjë e keqje nëse dikush lufton për ta mbajtur të pastër mjedisin, pavarësisht nëse besojnë apo nuk besojnë te ndryshimi i klimës. Ndryshe është puna në Shtetet e Bashkuara ku kjo çështje është bërë pjesë e një loje politike në të cilën përballen interesat e bizneseve të mëdha të naftës, ose industrive gjigande që shkaktojnë ndotjet më të mëdha, me të dhënat e shkencave dhe me masën e njerëzve që janë të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh me planetin. Atje është pjesë e politikës dhe mbështetësit e Partisë Republikane nuk e besojnë, ose nuk marrin mundimin ta besojnë ngrohjen e tokës, pasi kështu iu thotë partia, siç edhe demokratët e besojnë ca ngaqë janë të vetëdijshëm, të tjerë ngaqë kështu iu thotë partia. Por kjo s’ka përse të jetë pjesë e politikës në Shqipëri.
Edhe në Kanada ajo është pjesë e politikës por në një formë tjetër. Ndër kanadezët, më të vendosurit kundër luftës për mjedisin janë kryesisht banorë të provincës së Albertës të cilët kanë interesa ekonomikë të lidhur ngushtë me prodhimin asaj që quhet ‘naftë e pisët’. Ky grupim ndikon te politikanët e të dy partive kryesore, pasi janë të fuqishëm, domethënë kanë para dhe vota. Prandaj, në mënyrë të tërthortë ose jo përkrahen nga të dyja palët, edhe nga konservatorët, edhe nga liberalët. Por pjesa dërrmuese e kanadezëve janë të vetëdijshëm që ngrohja e planetit është realitet. Aq i gjerë është mirëkuptimi midis kanadezëve në këtë pikë, saqë të dyja partitë, pavarësisht nga pazarllëqet dhe prapaskenat që bëjnë me naftëprodhuesit e Albertës, në programet e tyre janë të detyruar ta pranojnë që ndryshimin e klimës është realitet. Si ilustrim të kësaj, po sjell shembullin e Kryeministrit Liberal Justin Trudo, i cili e paraqet veten si luftëtar i flaktë për mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që bëri ç’kishte në dorë për të ndihmuar projektin e tubacioneve të naftës së prodhuar në Alberta. Pikërisht për këtë qëndrim të dyfishtë, kur u takuan të Premten në Montreal Greta nuk ngurroi t’ia thoshte në fytyrë Trudosë se ai nuk është ai që paraqitet, duke vërtetuar edhe një herë që vajza e re nga Suedia nuk lufton për partitë politike por për mjedisin.
Po shqiptarët ç’kanë? Shqipëria nuk është prodhues i madh nafte dhe nuk duket të ketë shumë shqiptarë që përfitojnë nga ai lëngu i zi që nxirret në Patos apo në Kuçovë.
I vetmi shpjegim që mund të jepet është që shqiptarëve iu duket sikur Greta po prek interesat e tifozllëkut të tyre, po iu prek telat e dashurisë për Babën e rradhës. Me Babë të rradhës nënkuptoj atë që kohë më parë ka qënë Babë Sulltani, pastaj u bë Babë Musolini dhe më vonë u shndërru në Babë Hitler, Babë Tito, Baba Stalin, Baba Mao Ce Dun, Baba Bush (i ati dhe i biri) dhe që sot është Babë Trampi. Greta dhe fushata e saj për mbrojtjen e një mjedisi të pastër është kundër Trampit  dhe gjithçka që ai përfaqëson – biznesit të madh, industrive gjigande, naftës së Teksasit dhe Arabisë Saudite, trillionëve pa fund që nxirren duke shkatërruar mjedisin.  
Normalisht, lufta për një mjedis të pastër, për një planet të shëndetshëm do të ishte në interes të gjithë shqiptarëve. Ne jemi një vend i vogël, pa kurrfarë industrie që do të mund të prekej nga lëvizja mjedisore. Ne jemi të interesuar të zhvillojmë turizmin, duke ruajtur sa më shumë natyrën, pasurinë më të madhe që kemi, si në bregdet, ashtu edhe në thellësi të vendit, në male. Ne kemi interes më tepër se kushdo që të kemi shumëllojshmëri bimësh dhe kafshësh, të kemi një det të pastër pa mbeturina plastike, të kemi liqej dhe lumej të kulluar pa mbeturina kimike, të kemi ajër të shëndetshëm pa smog dhe tymra. Gjëja më e bukur, gjëja më me vlerë, gjëja e vetme që mund t’iu ofrojmë ne të tjerëve është natyra jonë e bukur, janë prodhimet e pastra bujqësore dhe blegtorale, janë plazhet e mrekullueshme me rërë të pastër, janë lëndinat dhe malet e mbushura me pemë. Pikërisht këto gjëra kërkon edhe Greta dhe brezi i saj, të cilat duan ta gëzojnë planetin pasi shumë nga pleqtë trutharë të politikës së sotme të jenë kalbur nën tokë bashkë me llogaritë e tyre të qelbuara bankare.
Ç’të keqe na sjell Greta ne?!

Sunday, September 8, 2019

Zanat kosovare të TIFF


Kinematografia kosovare hapi për herë të parë mbrëmë portën prestigjoze të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF) me një përplasje emfatike. ‘Zana’ e Antoneta Kastratit ishte debutim shumëplanësh – filmi i parë artistik i regjisores, paraqitja e parë e Kosovëv në TIFF dhe përballja e parë me publikun e autorëve që kryehej pikërisht në një prej festivalëve më të lakmuar të filmit në botë. Po aq shumëplanësh e dinjitoz ishte edhe suksesi.
‘Zana’ sjell te lexuesi dramën e pasojave psikologjike të Luftës së Kosovës. Ndryshe nga paraqitja e drejtpërdrejtë që i bëhet zakonisht luftës në art dhe medja, filmi i Antoneta Kastratit fokusohet te pasojat afatgjata që krimet e luftës lënë në mendjen dhe shpirtërat e njerëzve, pasoja këto që, të gërshetuara edhe me një mjedis shoqëror kulturalisht të pasofistikuar dhe praktikisht të paaftë të kuptojë dhe t’iu drejtohet këtyre pasojave në mënyrë racionale, krijojnë një tragjedi njerëzore.
Ngjarjet e filmit zhvillohen dhjet vjet pas luftës në një fshat të Pejës, ku Lumja (Adriana Matoshi) përballet e vetme me makthet e një krimi që i ka shkatërruar jetën, teksa i shoqi (Astrit Kabashi) dhe nëna e tij Remzie (Fatmira Sahiti), bashkë me mjedisin shoqëror përreth nuk arrijnë ta kuptojnë shkakun e traumës. Në këto kushte, dëshira për të ndihmuar s’bën gjë tjetër veçse përkeqëson gjendjen.
Rolet psikologjike janë sfida të forta për çdo aktor, aq më tepër kur personazhi mban pothuajse gjithë peshën e dramës dhe ndodhet në fokusin e kamerës në 90 na 97 minutat e filmit. Por Adriana Matoshi e ka kapërcyer me sukses sfidën duke na dhënë ndoshta një nga rolet më të bukur dhe më të realizuar të kinematografisë në shqip (dhe këtu unë fut pa pikë hezitimi aktoret dhe aktorët në të dy anët e kufirit). Nëse regjisorja-skenaristja Antoneta Kastrati ka krijuar me mjeshtëri fabulën dhe dinamikën e një lufte të brendëshme, nëse e motra, kinematografja Sevdie Kastrati ka ditur të sjellë në jetë trajtën vizive të kësaj lufte bashkë me pamjet e bukura të natyrës së mrekullueshme të zonës së Pejës, mund të thuhet që Adriana Matoshi është shpirti i vërtetë i filmit me lojën e saj krejt të natyrshme dhe bindëse. Vështirë se mund të kursehen superlativat për lojën e saj, të cilën pa e tepruar mund të them se do ta kishte zili çdo aktore në botë.  
‘Zana’ u çfaq dje, ditën e Shtunë, 7 Shtator në orën 21:30. Do të rishfaqet edhe të Hënën, 9 Shtator në 22:00 dhe të Mërkurën, 11 Shtator në 21:30 në TIFF Bell Lightbox. Personalisht do t’ia rekomandoja të gjithë shqiptarëve në Toronto që ta shihnin. Nuk do të zhgënjeheni. Treshja e zanave kosovare i kanë sjellë një surprizë të bukur Festivalit të Torontos.

Sunday, August 25, 2019

Tre mendime mbi dy rrënime

(Shënime udhëtimi)
Pamje e Varshavës nga Pallati i Kulturës dhe Shkencave



Kjo pamje është nga pjesa e vjetër e Varshavës që quhet Qyteti i Vjetër (Staro Miesto)
E gjithë Varshava u rrafshua krejtësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qytetin e Vjetër nazistët e rrafshuan me urdhër të Hitlerit që ta bënin shembull për këdo në Europë që mund t’i shkonte mendja t’iu rezistonte. 

Ja si dukej Staro Miesto në vitin 1945 pasi ishte shkatërruar nga nazistët. 

Dy fotografitë e para i kam marrë unë në Gusht 2019. Fotoja e tretë është marrë 74 vjet më parë, në të njejtin vend me të dytën, në një nga sheshet e Qytetit të Vjetër. 

Mendimi i parë
Çfarë logjike të mbrapshtë, çfarë egërsie, çfarë mungese përgjegjësie morale duhet të kesh që të urdhërosh rrënimin e një qyteti në këtë shkallë? Me çfarë të drejte mund të shkosh, të pushtosh një popull fqinj, ta shpallësh veten zot me anë të dhunës, t’i ndash njerëzit në shtresime racore arbitrare duke vënë në krye atë që e quan race jote, dhe pastaj t’i grabisësh, t’i burgosësh, t’i vrasësh, t'i cytësh kundër njer9 t’i zhdukësh nga faqja e dheut dhe të shkatërrosh një trashëgimi kulturore e historike të lënë brez pas brezi?! 
Është folur shumë për egërsinë e verbër naziste, por si duket nuk është mjaft. Ai krimineli me mustaqe dhe ideologjia e vdekjes që përfaqësonte ka ende përkrahës, fatkeqsisht edhe ndër shqiptarët. Ende gjen teoricienë konspirativë që mundohen të të mbushin mendjen se ka qënë përparimtar, se është portretizuar padrejtësisht si vrasës nga armiqtë e tij, dhe se në të vërtetë ka qënë paqësor, njerëzor. 
Le t’ua thonë këto dokrra polakëve, që një ditë të bukur u zgjuan për t’i parë qytetet e tyre të pushtuara nga tanket naziste, që panë të ngrihej muri ndarës midis një zone që u quajt Getoja e hebrejve, ku në tre kilometra katrore u ngjeshën mbi katërqindmijë vetë, burra, gra, pleq, fëmijë, të gjithë me planin për t’u shfarosur. Le t’ua thonë atyre që humbën njerëzit më të afërt, që panë t’iu shkatërrohej e gjithë historia dhe t’iu bëheshin shkrumb monumentet në një përpjekje të vetëdijshme për t’iu fshirë kujtesën kombëtare. Le t’ua thonë fëmijëve të shfarosur në Treblinka dhe Aushvic. 
Ata që përkrahin hitlerin dhe nazizmin në esencë janë të njëjtë me ata që përkrahin komunizmin dhe enver hoxhën. Asnjë njeri nuk ka të drejtë t’i marrë pa arsye jetën ose lirinë një tjetri, aq më tepër një populli të tërë. Në Poloni nazistët vranë 6 milion njerëz, gjysma e të cilëve hebrej, dhe shkatërruan qytetet kryesore. Gjashtë milion ishte një e pesta e popullsisë së vendit. Vështirë të gjesh qëndrim më absurd, më të pështirë, më të pamoralshëm se sa përkrahja për nazizmin dhe Hitlerin. 

Mendimi i dytë
Qyteti i Vjetër (Stare Miasto), bashkë me pjesën më të madhe të gjithë Varshavës u rindërtua nga polakët në dhjetë vjetët fill pas luftës. Gjysma e kësaj kohe u deshë për të pastruar rrënojat e ndërtesave, për të hequr gurët, dheun, shkrumbin dhe … kufomat. Polakët nuk pritën t’iu vinte njeri me fonde dhe lëmosha për t’ua rindërtuar qytetet. Ata iu përveshën punës vetë. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve e gjithë popullsia jepte gjysmën e të ardhurave si taksë për Fondin e Rindërtimit. Qyteti i Vjetër u bë pothuajse si kishte qënë. Pjesa tjetër e Varshavës u bë e re. 
Tirana doli nga L2B me gjysmë minareje të rrëzuar. Asgjë tjetër. Për gati pesëdhjetë vjet thuajse nuk u ndërtua asgjë për të qënë dhe ndërtesat më të bukura mbetën ato që ishin ngritur para se të vinin komunistët në pushtet, para luftës dhe gjatë saj. Ndërkohë, u prishën shumë objekte të vjetra për t’u zëvendësuar me arkitekturën komuniste. 
Krahasimi? Polakët janë popull punëtor dhe atdhedashës. Janë të edukuar, të moralshëm, të ndershëm. Ata janë krenarë për të kaluarën e tyre, pa qënë nevoja të pretendojnë budallëqe. Nuk thonë se kanë jetuar në ato troje dhe në të tjerat përreth që në kohën kur u krijua bota dhe se perënditë kanë folur polonisht. Jo. Japin fakte dhe dokumente historike se kanë arritur në ato anë diku nga shekulli i dhjetë dhe kanë filluar të formojnë gradualisht kombin e tyre duke pasur në bazë një fis që quheshin polonë, që do të thotë fshatarë. Përgjatë historisë kanë pasur pjesë të ndritshme, siç kanë pasur edhe disfata. Ka pasur periudha historike kur kanë qënë thuajse një perandori e madhe që shtrihej nga Kievi në Balltik, siç edhe ka pasur edhe periudha kur janë zhdukur dhe asimiluar krejtësisht si shtet – që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë deri në fillim të atij të njëzetë. Kanë figura historike madhështore si Nikolla Kopernikun, Mbretin Sobjeski (që shpëtoi Vjenën nga rrethimi otoman), Frederik Shopenin, Marie Kyrinë, Lech Valesën, Jozef Konradin, etj. Pushtimi nazist dhe, më vonë, ai sovjetik, u përpoq t’iu shuante identitetin. Ata rezistuan dhe iu përveshën punës edhe më fort për ta rimëkembur Poloninë. Sot janë vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Europë dhe rrugët e Varshavës e të Krakovës nuk dallojnë aspak nga çfarëdo qytet i Europës. Kanë mirëqënie dhe e kanë arritur me punë. 
Shqiptarët i bijen gjoksit për heroizma imagjinare të të shkuarës, ndërkohë që s’kanë ditur të ruajnë një relikë, një monument, një simbol të saj. Flasim e flasim e flasim e s’bëjmë asgjë. Vetëm mundohemi të vjedhim njeri-tjetrin, të përfitojmë për vete, pa pyetur se ç’bëhet me vendin. 

Mendimi i tretë
Qyteti i Vjetër i Varshavës (Staro Miasto) është rindërtuar siç ka qënë para lufte. Pallati Mbretëror në qendër të tij është kopje e të parit. Universiteti, kishat, Barbikani, muri rrethues - gjithçka është bërë siç ka qënë përpara se t’i shkatërronte Hitleri. Kjo pjesë e bukur e qytetit, bashkë me të tjerra rreth saj, tërheqin rreth 20 milion vizitorë në vit. Në Varshavë gjen plot lokale dhe restorante ku njerëzit kanë mundësi të provojnë kryesisht gatime tradicionale polake, të cilat janë të shijshme dhe jo të shtrenjta. Gjen edhe restorante italianë, vietnameze, turke, franceze, indiane, por mbizotëron kuzhina vendase. 
Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri nuk është filluar ende puna për restaurimin e ndonjë prej kështjellave të vendit, që janë një pasuri e pallogaritshme dhe do të tërhiqnin si magnet shumë turistë nëqoftëse do të dihej si të shfrytëzoheshin. E vetmja kështjellë që vizitohet është ajo e Krujës, me atë përçudnim pseudo-modern që i ka bërë komunizmi dhe që s’mban fare erë historie. 
Në Durrës qyteti fsheh vlera të pallogaritshme arkeologjike, të cilat po të zbuloheshin do të mund të ktheheshin në thesare të vërteta. Por në vend që të zbulohen, ato vazhdojnë të zhyten thellë e më thellë në tokë e në det nga pesha e ndërtimeve të reja me apo pa leje. 
Në Tiranë vështirë se gjen gjë tjetër që të të sjellë ndërmend se si ka qënë qyteti dikur. Në vend që të rindërtohej dhe restaurohej zona e Pazarit të Ri, për shembull, ose zona të tjera që mund të tërhiqnin turistë, hijenat e ndërtimit janë lëshuar si të babëzitur për të ngritur kate përmbi kate, me një rrëmujë arkitektonike dhe urbanistike që t’i ngre qimet përpjetë. 
I vetmi kompleks arkitektonik i para komunizmit që ka mbetur disi i padëmtuar është ai i projektuar dhe ndërtuar nga Italia përgjatë Bulevardit kryesor. Por me sa duket edhe ai rrezikon të bjerë pre e babëzisë së mafjes së ndërtimit ose më saktë mafjes së shkatërrimit. Pasi prishën Stadiumin Kombëtar, tani po përpiqen të kapërcejnë pengesën që iu ka dalë me Teatrin Kombëtar dhe nuk është çudi që po ta kalojnë atë t’i vërsulen edhe ndërtesave të ministrive e gjithçkaje tjetër në të dy anët e rrugës që nga Sheshi Skënderbe te Universiteti.
Polakët u rrënuan nga dy forca të huaja, nazizmi dhe komunizmi. Ata iu përveshën punës dhe vetë kanë arritur t’i eliminojnë pasojat e rrënimeve. Ne s’kemi pasur nevojë të na e sjellin rrënimin nga jashtë. E kemi bërë vetë. Komunizmin e bëmë vetë dhe shkatërrimin e mëtejshëm po e vazhdojmë po vetë. Hitlerët i nxjerrim nga rradhët tona. 
Ata janë aty ku janë. Ne jemi aty ku jemi, ku kemi qënë, dhe ku do vazhdojmë të jemi. Po qe se nuk vëmë mend, kuptohet. 


Wednesday, August 7, 2019

Gjuhë e vështirë

Kujdes: I papërshtatshëm për lexuesit buzëhollë
Metoda më e efektshme për t'iu mësuar të huajve gjuhën shqipe është duke nisur nga fjalët themelore për komunikim, ato që përmbajnë thelbin e leksikut dhe të psikikës shqipe. Ndër këto fjalë veçohet si më të rëndësishmja por edhe më të vështira për t’u kuptuar, bytha. Duke lënë mënjanë delikatesën dhe etiketën e panevojshme, studimi i bythës dhe nuancave të saj, përvetësimi i  bashkërendimeve të saj idiomatike të bind se ajo jo vetëm që duhet nxjerrë nga pozicioni i panevojshëm dhe arbitrarisht i diktuar si tabu, por edhe të ngrihet në lartësinë e fjalëve më të vyera të gjuhës. 
Bytha përdoret për të shprehur aftësi intelektuale,  gjendje emocionale, status shoqëror, cilësi morale e mundësi fizike të pakufizuara. Për shembull për një njeri që e di veten më të zotin nga ç’është në të vërtetë themi që është bythë  e zgjuar ose i zgjuari i bythës.  Nëse ai kërkon të përfitojë më shumë se i takon dhe ne jemi në gjendje t’ia kuptojmë qëllimin e të mos e lemë ta arrijë, themi i di bytha, ndërsa kur është i pangopur me ato që kërkon e quajmë bythëmadh
Ndoshta kjo të bën të mendosh që bytha shpreh mungesë aftësish, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Sepse, kur duhet zotësi për të bërë një punë të vështirë,  qoftë mendore, qoftë fizike, thuhet do bythë ajo punë. Pra po s’pate bythë nuk je i zoti. Bytha është zotësi, apo jo? Edhe po, edhe jo. Sepse, nga ana tjetër, kur e bën diçka më bythë domethënë që e bën keq. Pra bytha është edhe aftësi, edhe paaftësi. Prisni pak. Kur e bën diçka me bythë mund të ketë edhe kuptimin që e bën shumë kollaj. Për shembull në fjalinë: Punën e ministrit, mo? Unë e bëj me bythë. Në kuptimin që e bëj kollaj fare, pa u menduar. E njëjta fjalë, e njëjta shprehje, ka disa kuptime të kundërt me njërit-tjetrin.  
Sidoqoftë, bytha është sinonim me kurajon, guximin, forcën morale dhe intelektuale. Një njeri pa këto cilësi s’ka bythë, ose s’ia mban bytha – nga ku del edhe se bytha ka kapacitet mbajtës. Siç ka edhe kapacitet ndenjës kur themi s'ka bythë ku të rrijë për diçka që nuk durohet. 
Më një fjalë bytha është element i domosdoshëm për të cilin duhet të kujdesemi ta mbajmë sa më të shëndetshëm. Prej këtej del edhe urimi shëndet e bythë të forta, një nga rastet e rralla kur bythës i referohet në numrin shumës. Ca njerëz kanë qëlluar pa fat në këtë drejtim,  sepse e kanë bythën e butë, jo të fortë. Këta quhen bythëpambuk, në kuptimin që s’janë mësuar me vështirësi. Pra, bythë e fortë është mirë, bythë e butë, si pambuk është keq. Më e mira fare është që bythën ta kesh të fortë e të mprehtë duke synuar që të arrish diçka thuajse të papërfytyrueshme siç mund të jetë prerja e spangos, ose të paktën e fijes së perit. Kjo, më tepër se sa forcë, kërkon taktikë, zgjuarsi dhe imagjinatë. Po i pate, atëherë ta pret bytha spangon. Por kujdes në mprehjen e bythës, sepse ka raste kur mbetesh pa bythë fare, sado që të përpiqesh ta ushqesh, duke u kthyer në një nga ata njerëz që ha e ha e bythë s'ka.
Bytha është organ shumë i ndërlikuar.  Ajo përdoret edhe për të folur, edhe për të dëgjuar. Kur dëgjon me bythë nuk para ja vë veshin atyre që fliten. Kjo ndoshta edhe ngaqë tjetri po flet me bythë, domethënë po ia fut kot, ose po flet shumë, pra bën dërr-dërr si bytha e Zdërres ose është bytha e Zdërres. Nuk është zbuluar ende kush ka qënë Zdërrja dhe pse i është bërë bytha aq e famshme.  
Ca njerëz bëhen aq të mërzitshëm sa që të çajnë bythën, megjithëse ti e ke në dorë vetë të mos e çash bythën duke u bërë tip bythmosçarës, që është shqipërimi i fjalës indiferent. Dhe, meqë ra fjala, bytha mund të çahet ose mund thjesht të plaset, por kur nuk ndodh asnjë nga këto kuptimi është i njëjtë - nuk çan bythë, ose nuk i plas bytha. Bytha mund të griset ose të rripet,  po kujdes se po të ndodhi ndonjë nga keto, pra po katandise bythgrisur ose bythërrjepur, atëherë do ta kesh punën keq se do kesh mbetur pa brekë në bythë. Kjo iu ndodh të gjithë atyre që shpenzojnë pa u menduar dhe i bëjnë paratë bythë,  aq sa s’kanë të hanë, ose siç thonë andej nga Korça,  iu zë bytha pezhishka. Megjithatë, të qënit pa brekë në bythë nuk është njëlloj si të qënit bythëzbuluar. Ndërsa e para tregon varfëri, e dyta tregon pakujdesi për të fshehur diçka që nuk që të ta shohin apo ta marrin vesh të tjerët dhe që s’ka fare nevojë të jetë vetë bytha. 
Duhet pasur kujdes me lëvizjet e bythës. Pavarësisht se dikush mund të të nxisë të lëvizësh bythën, domethënë të fillosh të punosh, po u binde mund të bëhesh bythëlëvizur,  i paduruar, zevzek. Dhe po u cilësove si bythëlëvizur mund të dalë që ke probleme karakteri dhe nuk i përmbahesh fjalës, ose si i thonë ndryshe, e dredh bythën sa andej këndej. Prandaj është më mirë që ta mbash bythën drejt
Eshtë interesant se si Shqipëria, një bythë vend, ka kaq shumë shprehje me bythë. Ne rrijmë të gjithë bythë më bythë, ngjeshur me njëri-tjetrin dhe vrasim mendjen pse na ka rënë bytha në ujë, na ka zënë belaja. Ndoshta ngaqë ne vetë kërkojmë bythë viçi, domethënë kërkojmë gjëra të mëdha pa u munduar shumë, por edhe ngaqë secili prej nesh shikon bythën e vet, duke menduar që ta mbajmë të keqen larg bythës sonë. Ose ndoshta ngaqë politikanët i bëjne punët me bythë.
Arben Kallamata

Monday, July 1, 2019

Kaos

Forcat politike në Shqipëri i kanë hyrë një rruge pa krye dhe askush nuk ka ndërmend të lëshojë pè. Të dy krahët janë zhytur në llum deri në fyt dhe partizanët e tyre kanë plotësisht të drejtë kur akuzojnë palën tjetër për korrupsion, paaftësi, mendjeshkurtësi, keqdrejtim, e gjithçka tjetër. Është provuar se kreu i partisë në pushtet është e lidhur me krimin, ka manipuluar zgjedhjet dhe duhet të kishte dhënë dorëheqjen shumë kohë përpara se t’i hynte punës për organizmin e zgjedhjeve të tjera, ndërkohë që dihet mirëfilli se kryetari i opozitës është i paaftë t’i drejtojë të vetët drejt fitores dhe ka bërë lëvizje nga më të gabuarat, ndër të cilat largimi nga parlamenti është më i vogli kurse mos-distancimi dhe marrja me vete e bagazheve të vjetra ndoshta më i rëndësishmi. Edhe forca e tretë e përfshirë në këtë valle dyshe, e cila shprehet përmes çiftit me konflikt të hapur interesi President-Kryetare Partie është po aq ose më tepër e korruptuar se të dy të tjerat. 
Në rrafshin institucional, Presidenti ka shtyrë zgjedhjet, vendim të cilin nuk e pranon Kryeministri që organizon një farsë më qesharake se poturet e veta për ta quajtur zgjedhje, ndërsa Parlamenti bëhet gati të shkarkojë Presidentin përpara se ky të shpërndajë Parlamentin, veprime që duhet t’i gjykonte të ligjshme apo jo vetëm një Gjykatë Kushtetuese të cilën Kryeministri e ka shpërbërë me kohë për të kryer një Reformë në Drejtësi që ai s’ka të drejtën morale as ta kërkojë dhe as ta bëjë.
Me një fjalë është një çorbë politike, një krizë institucinale e papërfytyrueshme të cilën të huajt duket qartë se s’dijnë si ta kuptojnë dhe prandaj s’mund të japin asnjë këshillë tjetër veç porosive për shmangien e dhunës. Aq e çoroditur është situata për ndërkombëtarët dhe ata që janë brenda në Shqipëri, saqë është arritur që krahu pro-Merkel të marrë kërcënime nga gjermanët, ndërsa krahut pro-Trump t’i tundet kartoni i verdhë nga një zëvendës-sekretar shteti, veprime që, kuptohet, janë pritur me injorimin e zakonshëm që liderat politikë dhe analistët iu bëjnë ndërkombëtarëve sa herë që këta iu venë kundër avazit.
Kopetë e mbështetësve të bindur të të dy krahëve janë lëshuar entuziastë nga të dy anët e një ure të ngushtë dhe janë gati t’i shqyejnë gurrmazin njëri-tjetrit vetëm e vetëm që të mos hapin rrugë, ndërkohë që të gjithë e dijnë fare mirë se përleshja do të hajë vetëm kokat e tyre dhe të gjitha gjasat janë që ata, krerët, përgjegjësit kryesorë të gjendjes, të dalin pa lagur nga i gjithë ky rrebesh.
Individualisht, krerët e partive dhe institucioneve e kanë humbur krejtësisht torruan. Njëri u vërtit në një fushatë imagjinare duke bërë shakara pa kripë, me zhargon halabaku dhe me një kapelë alla trump që ua ngre zemrat peshë enveristëve që e brohorasin ngado shkon dhe që i hedhin votat e tyre, si gjithmonë me idenë se ato janë plumb për armikun. Tjetri ulëret kot më kot, kërcënon, hedh shashka dhe nxjerr kalamaj në rrugë duke kërkuar gjëra që edhe vetë është i bindur që nuk mund të realizohen. Ai i treti, ai i presidencës, nxjerr dekreta pa vlerë, kërkon t’i vijnë në takim ata që s’ia varin dhe shkruan hartime që të pështjellojnë zorrët e barkut. Vendi kapërcen datën e zgjedhjeve sepse nuk mund të ndalë kalendarin, por zgjedhjet as janë bërë dhe as janë çbërë. Të dy kryetarët janë vënë në kërkim të mbështetësve ndërkombëtarë dhe s’është fare çudi që njëri të gjejë dikë që të thotë se zgjedhjet janë në të pranueshme, dhe tjetri të gjejë dikë tjetër që të thotë se ato nuk janë. Tridhjetë Qershori as nuk mund të zgjidhte, dhe as zgjidhi gjë. 
A ka zgjidhje?  
Pyetja është a ka zgjidhje të vërtetë, përveç zgjidhjeve idiote që propozojnë analistët në emisionet e Fevziut dhe Zhejit të cilët duken më të bezdisur dhe më të acaruar se kurrë nga ato që thonë të ftuarit në studio dhe s’i lënë rradhë njeriu të lidhë një fjali nga fillimi deri në fund? Pra, a ka zgjidhje përtej zgjidhjeve të pamundura për t’u realizuar që jep sozia që drejton opozitën dhe shakarave pa kripë të reinkarnimit të Duçes si Kryeministër i Shqipërisë? A ka zgjidhje përtej shpresës perverse të disa ‘inteligjentëve’ që mendojnë se demokratizimin, pastrimin, katharsisin mund ta sjellë vetëm një masakër vëllavrasëse dhe përtej të gënjyerit e vetes dhe të të tjerëve se duke bërë një palo zgjedhje të rreme, në një pjesë të bashkive, me nga një kandidat të vetëm të një partie, do të arrish të legjitimizosh pushtetin dhe do të vazhdosh të mbretërosh i lumtur forever after? 
Ka dy zgjidhje - një afatshkurtër dhe një afatgjatë. 
Zgjidhja afatshkurtër është dalja nga kriza e fortë për momentin. Tërheqja një herë e mirë nga politika e të dy përgjegjësve kryesorë - Ramës dhe Bashës. Organizimi i zgjedhjeve për të ripërtërirë kryesitë e të dyja partive. Krijimi i një qeverie teknike, mundësisht me njerëz sa më pak të angazhuar e cila do të mbikqyrë përsëritjen e zgjedhjeve lokale - jo këtë vit, tjetrin. Deri në atë kohë le të vazhdojnë të kullosin kryetarët e tanishëm të bashkive, se nuk u bë qameti. 
Zgjidhja afatgjatë, që kërkon domosdoshmërisht të kuptuarit e problemit afatgjatë. Dhe problemi është te ekonomia - te paraja. Kërkon të kuptohet se si është e mundur që nuk arrijmë të bëjmë dot një shtet demokratik dhe që kushdo që vjen në krye korruptohet, vepron si autoritar, grumbullon pushtet më shumë se i takon, fillon të vjedhë vota dhe nuk do të largohet nga pushteti. Po nuk u gjet arsyeja se përse ndodh kjo, atëherë do të ndodhë përsëri e njëjta gjë, jo vetëm me Edin dhe me Lulin, por edhe me Tedin dhe me Bulin, me këdo që të vihet. 
Përgjigja është si gjithmonë te ekonomia, ta paraja, te arsyeja përse votojnë njerëzit. Njerëzit në Shqipëri nuk votojnë për ta bërë vendin më mirë. Njerëzit në Shqipëri votojnë për të zgjedhur atë që do t’i garantojë qëndrimin në punë nëse e kanë, ose kapjen e një vendi pune, nëse nuk e kanë ose e kanë humbur. 
Përderisa Shqipëria të ketë një papunësi marramendëse dhe përderisa punëdhënësi më i madh, me ndryshim të ndjeshëm nga të gjithë punëdhënësit e tjerë të marrë së bashku, të mbetet shteti, njerëzit do të vazhdojnë të votojnë për të kapur vendet e punës, ndërsa demokracia ka për të mbetur një mirazh në shkretëtirë. 
Ndarjet në ‘të majtë‘ e në ‘të djathtë‘ në Shqipëri janë budallëqe me brirë, janë arbitraritete dhe për shumicën e shqiptarëve nuk kanë pikë kuptimi. Pjesa më e madhe e atyre që votojnë për Partinë Socialiste nuk e bëjnë këtë ngaqë duan kthimin e Enver Hoxhës, kthimin e kooperativave, heqjen e pronës private dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit. Nuk e bëjnë as ngaqë shpresojnë të vihen programe sociale, të ndihmohen të varfërit, të zvogëlohen ndryshimet midis të ardhurave të punëtorit të thjeshtë dhe fitimeve të super të pasurve. Po të urrenin të pasurit ata do të ishin të gjithë kundër Edi Ramës dhe horrave të tjerë rreth tij. Por nuk janë. Ndërsa shumica e atyre që mbështesin Partinë Demokratike as që e vrasin mendjen se po luftojnë komunizmin, një sistem që ka tridhjetë vjet që është fshirë dhe që shumë prej tyre as ia kanë idenë çka qënë.  Ata nuk votojnë për lehtësimin e taksave për bizneset e mëdha, në mënyrë që kapitalistët e pasur të kenë mundësi të investojnë më shumë dhe të punësojnë sa më shumë shqiptarë. Dhe nuk besoj se duan që shteti të ketë sa më pak buxhet, që të thithen sa më pak taksa dhe të hiqen investimet nga shkollat, spitalet, rrugët, infrastruktura. Në fakt, të dy anët e zgjedhësve në Shqipëri duan që shteti të ketë sa më shumë buxhet, sa më shumë punë, se vetëm kjo ua shton shanset e punësimit atyre vetë. 
Praktikisht, të dyja partitë në Shqipëri janë e njëjta gjë. Ato nuk i dallon absolutisht asgjë, veç emrave në krye të tyre. Ndërsa shteti shqiptar është një dosë e shtrirë me cica të thara nga thithat e të cilave të gjithë duan të pijnë nga pak qumësht. Partia në pushtet (kushdo që ka qënë ajo këto tridhjetë vjetët e fundit) ia ofron thithat e dosës vetëm simpatizantëve të saj. Me ndërrimin e pushtetit, ndërrohen edhe ata që pijnë qumësht, gicat pirës zëvendësohen me të tjerë gica pirës. Lufta për thithat e dosës është luftë për mbijetesë.  
E vetmja mënyrë për ta zgjidhur situatën është që dosa të mos jetë burimi kryesor i ushqimit dhe synim i politikës. Ideale do të ishte që shteti (dhe me këtë kam parasysh edhe pushtetin qendror, edhe atë lokal, sepse në Shqipëri ndarja mes tyre është tepër e mjegullt) të kishte mundësi të punësonte sa më pak njerëz duke ia lënë këtë barrë sektorit privat. 
Krahas kësaj do të duhej të garantohej me ligj paprekshmëria e punëve të shtetit nga forcat politike, në mënryë që ato të mos cënohen nga rezultati i zgjedhjeve. Kjo do të thotë që kur ndërrohen qeveritë, të mos ndërrohen thuajse të gjithë punonjësit e të gjitha kabineteve, administratorët dhe aparatçikt e çdo niveli, duke përfshirë edhe shoferët e pastruesit. Ne jemi ndoshta i vetmi vend në botë që me ndërrimin e partive në pushtet ndërrojmë drejtorët e shkollave, madje edhe mësuesit. Te ky ndërrim qëndron e keqja. Në vendet demokratike ndërrimi i partisë në pushtet nuk sjell as ndërrimin e zëvendës-ministrave, e jo më pastaj ata që janë poshtë tyre. Ndërrohet Ministri, kuptohet, dhe ky është funksion politik. Por gjithkush tjetër qëndron në vendin e vet të punës. Në këtë mënyrë asnjë nga zyrtarët e ministrive apo të të gjithë administratës shtetërore nuk ka përse ta ketë frikë ndërrimin e partisë në pushtet, nuk ka përse i serviloset kësaj apo asaj partie, nuk ka përse kthehet në militant për të ruajtur apo për të marrë vendin e punës. 
Perfundim: Populli shqiptar është përçarë në dy grupime që duken sikur janë gati t’i shqyejnë gurrmazin njëri-tjetrit. Por të gjithë ata janë shqiptarë - demokratë e socialistë, të lëkundur e të pavarur. Të gjithë, nga të dyja anët, janë qënie njerëzore me të mirat dhe të këqijat e tyre, janë të afërt dhe të lidhur me njëri-tjetrin, kanë të njëjtat tipare, të njëjtat karakteristika të përbashkëta, të njëjtën nivel morali dhe inteligjence. Një pjesë mbrojnë socialistët jo se janë budallenj dhe kanë nostalgji për komunizmin. Tjetra mbrojnë demokratët jo sepse janë ‘malokë’ dhe iu hapet barku për Sali Berishën. Njerëzit duan të jetojnë dhe të punojnë, të shkollojnë fëmijët dhe t’iu sigurojnë atyre një të ardhme përmes punës. Po të eliminohet praktika e kapjes apo ruajtjes së vendit të punës përmes politikës do të arrijhet të zgjidhet një nga problemet më të vështira në rrugën për demokraci dhe të shmangen kriza të tjera në të ardhmen.

Tuesday, May 28, 2019

Logjikë mbrapsh

(Që shpjegon se si arriti Kadare me një deklaratë të pakonfirmuar në vitin 2008 të pushojë nga puna ambasadorin Bardhyl Kokalari në 1995.)
Mes valës së përgjithshme të enthusiazmit mbarë popullor për zgjedhjen e një shqiptareje (suedeze) si Eurodeputete, nuk kishte si të humbej rasti pa iu kthyer, si gjithmonë, edhe sportit të preferuar
kombëtar, hedhjes baltë mbi Kadarenë. Kur nuk shkojnë punët mirë në qeveri, e ka fajin Kadareja; kur duan të prishin Teatrin Kombëtar e ka fajin Kadareja; kur ndërpriten dritat apo uji, e ka fajin Kadareja; kur humbet ekipi kombëtar i futbollit, kuptohet, e ka fajin Kadareja.Por kësaj rradhe pati diçka edhe më origjinale. Lidhja me Kadarenë u bë për një rast të gëzueshëm, për një festë kombëtare siç ishte zgjedhja e Arba Kokalarit si përfaqësuese suedeze në Parlamentin Europian. Edhe për diçka në dukje fatlume, u gjet mënyra si të përbaltet Kadareja.
Skenar-Akuza: Kadareja i kërkon veglës së tij qorre, Sali Berishës (atëherë President i Republikës) që të pushojë nga puna Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi, Bardhyl Kokalarin. Ky e pushon në vend dhe Kokalari s’ka rrugëzgjidhje tjetër veçse të qëndrojë në Suedi, ku rrit dhe edukon të bijën që bëhet eurodeputete.
Aq keq na ka mbërthyer budallallëku kolektiv, sa këtë arsyetim do ta gjesh këto ditë të shpërndarë dhe rishpërndarë në të katër anët e rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave që shkruajnë shqip. Por nuk është vetëm budallëku që të mahnit. Është edhe aftësia për t’i gëlltitur gënjeshtrat kallëp, pa i përtypur fare. Le ta shohim pak me kujdes.
Kokalari ka qënë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Suedi që nga viti 1992 (kur në pushtet erdhi Partia Demokratike) deri në 1995 (kur në pushtet ishte ende Partia Demokratike). U pushua nga detyra sepse ndihmoi një shqiptar që kërkonte strehim politik në Suedi që të mbushte dokumentat përkatëse.
Le ta sqarojmë pak këtë pikë se është e rëndësishme. Sipas Konventës së Helsinkit, një person mund të marrë strehim politik në një vend tjetër nëqoftëse vërteton që në vendin e vet ndihet i rrezikuar (me jetë ose me burgim, ose me ndëshkim fizik), për shkak të veprimtarisë politike. Pra, Ambasadori i Shqipërisë në Suedi, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, ndihmonte një shqiptar që të plotësonte dokumentat për të vërtetuar se ndiqej dhe persekutohej nga qeveria shqiptare, qeveria e Partisë Demokratike, e kryesuar nga Presidenti Sali Berisha, të cilën Ambasadori Bardhyl Kokalari paguhej për ta përfaqësuar në Suedi. Në anglisht ka një shprehje për këtë: “Mind boggling!”
Me t’u marrë vesh kjo, qeveria shqiptare s’kishte rrugë tjetër veçse ta pezullonte ambasadorin dhe t’i kërkonte të ktehehj në vend.
Këtu vjen veprimi i dytë spektakolar i Ambasadorit Bardhyl Kokalari. Nga ambasador, nga përfaqësues i qeverisë Shqiptare në Suedi, ai kthehet në azilant politik, pra kërkon strehim politik me arsyetimin që jeta e tij dhe e familjes së tij është në rrezik sepse kërcënohet nga qeveria shqiptare, qeveri të cilën deri pak ditë më parë ai e kishte përfaqësuar. Megjithëse nuk është i vetmi diplomat shqiptar që e ka bërë këtë yrnek, kjo nuk do të thotë që Bardhyl Kokalari ka vepruar në mënyrën më të ndershme dhe më të drejtë të mundshme.
Ja çfarë shkruan Radio Free Europe (Newsline)(1) në 16 Janar 1997: “Ndërkohë, qeveria suedeze ka vendosur t’i japë ish ambasadorit shqiptar dhjetë ditë afat që të largohet nga vendi. Bardhyl Kokalari ka kërkuar azil politik në 1994, duke thënë që rrezikon të dënohet me vdekje për tradhëti nëqoftëse e detyrojnë të kthehet në Shqipëri. Ai është thirrur të kthehet në Tiranë pasi kishte ndihmuar një strehim kërkues që t’i shkruante një letër autoriteteve të imigracionit suedez. (përkthimi im, AK).
Si lidhet pushimi dhe azilkërkimi i Kokalarit me Kadarenë? Trembëdhjetë vjet më vonë (13 vjet!!!), sipas Gazeta Shqiptare (Ballkanweb.com, 17 Nëntor 2008)(2) Kadare ka thënë në mjediset e Hotel Çajupit në Gjirokastër se arsyeja përse atij nuk i është dhënë çmimin Nobel është se një ish-ambasador i Shqipërisë ka shkruar kundër tij. Në një intervistë me Alfred Pezën tre ditë më pas (Tirana Observer, 20 nëntor 2008)(3) Kadare e mohon të ketë përmendur emër diplomati apo çmimin Nobel.
Ato ditë, albeu.com poston një intervistë e Bardhyl Kokalarit për ngjarjen. Teksa mohon që t’i ketë shkruar letër Akademisë Mbretërore Suedeze, Kokalari pohon se ai për herë të parë po e dëgjon nga intervistuesi këtë akuzë (në 19 Nëntor 2008)(4). Pra, Kokalari e dëgjon akuzën e Kadaresë ditën që thuhet se është bërë, domethënë trembëdhjetë vjet pasi është pushuar nga puna.
Pak rëndësi ka nëse Kadare e ka përmendur Kokalarin me emër apo jo. E rëndësishme është që pa u shpikur ende makina e transferimit në kohë është e pamundur që një akuzë e Kadaresë e vitin 2008 të ketë shkaktuar pushimin nga puna të Bardhyl Kokalarit në 1995. Mua për vete s’më del hesapi. Mbase iu del të gjithë atyre që po e akuzojnë Kadarenë lart e poshtë këto ditë.

Së fundi citohet Natasha Lako të ketë pohuar se është e vërtetë që Kokalari i ka shkruar Akademisë Mbretërore Suedeze. Nëse po, atëherë mbetemi te fjala e Natasha Lakos kundrejt asaj të Kokalarit për t'i dhënë përgjigje pyejtes: A ka shkruar ky i fundit letër kundër dhënies së Nobelit Kadaresë? Zakonisht, kur peshohet fjala e njërit kundër asaj të tjetrit është vështirë ta ndash kandarin. Por po të kesh parasysh që Bardhyl Kokalari duke qënë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ndihmonte shqiptarët që të kërkonin strehim politik me motivacionin që iu rrezikohej jeta nga qeveria e Republikës së Shqipërisë; po të kesh parasysh që edhe vetë Kokalari kërkoi strehim politik duke pretenduar se do ta dënonte me vdekje (!!!) ajo qeveri që e kishte emëruar ambasador, pra po të kesh parasysh mungesën e plotë të integritetit të Kokalarit, vështirë e ke të mos i besosh Natasha Lakos.