Ndodhi ajo
që s’duhej të ndodhte – një forcë politike fiton zgjedhjet për herë të tretë. Për
më tepër kjo forcë politike është Partia Socialiste, që mban me vete një barrë
të rëndë bagazhi erëqelbur, ku kutërbimi i xhaketave dhe kasketave gjithë
djerse e gjak të komunizmit ngatërrohet me xhepat e fryrë të korrupsionit,
bollkat e shëmtuara dhe atletet e palara të një kryetari arrogant e cinik dhe
lloj-lloj kostumesh mariftxhinjsh votë-vjedhës, votë blerës e votues-mashtrues.
Dhe po të kesh parasysh atë që Mark Tuen shkruante më shumë se një shekull e ca
më parë, që politikanët dhe pelenat e foshnjave duhen ndërruar sa më shpesh dhe
për të njëjtën arsye, merret me mend se sa i domosdoshëm ishte shkëmbimi i roleve
të aktorëve në skenën politike këtë pranverë.
Unë nuk do
të merrem me pisllëkun, sepse pisllëku dihet ku dhe si është, siç edhe dihet
mirëfilli që pisllëku nuk ikën vetë, por duhet pastruar. Do merrem vetëm me ata
që kishin për detyrë ta pastronin, ose të paktën të drejtonin veprimin e
pastrimit. Këtë detyrë këto tetë vjet të fundit e ka pasur mbi supe Partia
Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha dhe nuk e kanë kryer. Ata kanë dështuar
në përpjekjen e tyre për ta pastruar Shqipërinë nga pisllëku. Prandaj është
logjike që Lulzim Basha të pranojë hapur se nuk ka qënë në gjendje të kryente
ose të drejtonte pastrimin dhe të japë dorëheqjen.
Këto ditë
dorëheqja është bërë një temë mjaft e ndjeshme, sidomos për tifozët e nxehtë të
PDsë që kërcejnë menjëherë përpjetë dhe të hidhen në grykë me njëqindmijë akuza
sapo iu përmend atë tabu. Arsyetimi i tyre – Basha nuk ka faj për dështimin,
pasi zgjedhjet u manipuluan nga Rama. Pra sipas tyre përgjegjësinë që Rama merr
mandatin e tretë e ka vetëm Rama, ndërsa Basha i duhet PDsë tani që të drejtojë
sulmin tjetër për demaskimin e manipulimit të zgjedhjeve. Vetë Bashës duket se
i ka ardhur pas oreksit ky arsyetim, sepse nuk vonoi të dalë me parrullën:
Beteja sapo ka nisur, duke lënë të kuptojë që tani tifozeria e tij duhet të
mobilizohet për ta ndjekur atë në aventura të reja pa bereqet.
Në fakt beteja
sapo ka përfunduar dhe Basha është ai që e ka humbur. Para se të përveshë mëngët
për të nisur një betejë tjetër që në të gjitha gjasat do ta humbasë, ai do të bënte
gjënë më dinjitoze, që është pranimi i humbjes dhe marrja përsipër e përgjegjësive. Pra, të pranojë që ka humbur dy zgjedhje të përgjithshme; që ka dështuar
plotësisht me strategjinë e daljes nga parlamenti, duke i lënë dorë të lirë Ramës
të kontrollojë për një kohë të gjatë pa kokëçarje organin ligjvënës të vendit; që
ka dalë bllof në mënyrë të pajustifikueshme me strategjinë e çadrës; që u fut
qorrazi dhe pa qënë nevoja në lojën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, prej nga
doli si rruar-qethur; dhe që ka gabuar rëndë dhe me pasoja të rënda në vendimin
për bojkotimin e zgjedhjeve vendore.
Vetëm njëri
nga këto gabime të kaluara do t’i kishin mjaftuar një partie të vërtetë
demokratike që të kërkonte dorëheqjen e kryetarit të saj. Por në Shqipëri nuk
operohet me dorëheqje dhe këtu është një problem tjetër i Bashës dhe i PDsë, të
cilën është e nevojshme ta kuptojnë mirë edhe drejtuesit e PDsë edhe tifozeria
e saj. (Fjalën ‘tifozeri’ e përdor qëllimisht duke iu referuar jo të gjithë anëtarëve
dhe simpatizantëve të PDsë, por vetëm asaj pjese që ndjek verbërisht njërin apo
tjetrin drejtues pa arritur të analizojë asnjë veprim dhe pa u përpjekur të
arsyetojë se cilat veprime janë vërtet në të mirë të një partie dhe një shoqërie
demokratike).
Nëse Lulëzim
Bashës i ka mbetur një shteg i vetëm largimi me nder nga kryetarllëku i PDsë,
ky është dorëheqja duke marrë përsipër, si veprim të fundit politik,
riorganizmin e Partisë dhe krijimin e një klime për funksionim demokratik e
modern brenda saj për të zgjedhur kryetarin e rradhës. Pra, në vend që të shkojë
kot energjitë e veta, të partisë dhe të simpantizantëve të vet në përpjekje për
të justifikuar dështimin e rradhës, ai do t’i sillte një shërbim me vlera gjithë
vendit dhe partisë së tij duke e riorganizuar atë gjatë periudhës së dorëheqjes. PD ka nevojë të ndërrojë misionin dhe funksionin e saj, përndryshe
nuk e pastron dot kurrë pisllëkun e Edi Ramës dhe të socialistëve.
Nga ana strategjike, PD mund ta luftojë të keqen duke i vënë përballë të mirën, dhe jo një të keqe më të vogël siç është përpjekur të bëjë deri tani.
Kjo do të thotë që alternativa e korrupsionit, e diktatit, e mendësive
komuniste nuk është një korrupsion më i vogël, diktati më i butë, apo mendësia
komuniste më e moderuar (e paraqitur si antikomuniste), por janë ndershmëria
dhe ligji, janë marrëdhëniet e hapura demokratike, është vizioni për të ecur përpara
me këndvështrimin e shekullit të 21.
Basha dhe
PD i dolën përballë PS në këto zgjedhje jo me ndonjë program të dallueshëm dhe
bindshëm ekonomiko-shoqëror, por kryesisht me parrullën e luftës kundër korrupsionit.
Por dështuan sepse, ndër të tjera, korrupsionin nuk mund ta luftosh në aleancë me një
forcë politike të superkorruptuar si LSI, e drejtuar nga një çift matrimonial politikanësh
të korruptuar. Sado i pastër dhe i panjollosur të paraqitej Basha vetë në këtë
betejë, aleanca me LSInë i hidhte atij sipër rrobën e qelbur të korrupsionit
duke ia bërë të pamundur përpjekjen për t’iu mbushur mendjen zgjedhësve. Njerëzit
nuk janë të bindur që po të merrte pushtetin PD e Bashës dhe LSI e Metës do të
përvishnin mëngët për të luftuar korrupsionin. Meta dhe e shoqja nuk mund të
luftojë korrupsionin, sepse nuk mund të luftojnë vetveten. Aleanca me ta është
një tjetër dështim i politikës së Bashës.
Basha dhe
PD flasin sot kundër vjedhjes së votës, kundra dhjetra-mijë votave të
pavlefshme. Por njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë që po të ishte Basha në
pushtet nuk do të bënte të njëjtën gjë, sepse edhe vetë PD e ka një njollë
manipulimi votash, të cilën Basha nuk ka marrë asnjëherë mundimin ta pastrojë,
ose të paktën nuk ka dhënë asnjë shenjë distancimi prej saj. Vetë Basha është
vënë në krye të PDsë me procese të dyshimta votimi, gjë që ka shkaktuar
largimin nga partia të shumë prej ish-veprimtarëve të saj, të cilët e kanë
ndjerë që i kanë pasur të mbyllura shtigjet e konkurrimit të ndershëm.
Që t’i
mbushë mendjen njerëzve se vërtet lufton manipulimin e votave, nga Basha dhe PD
pritet të fillojnë ta luftojnë atë brenda vetes. Ai duhet të thërrasë dhe të
rimbledhë të gjithë të larguarit dhe të krijojë kushte për një konkurim të
hapur, të pastër, model për postin e kryetarit të PD. Vetëm kështu mund të dilet para shqiptarëve duke thënë:
Ja si i bëjmë ne zgjedhjet brenda Partisë. Kështu duam t’i bëjmë edhe
zgjedhjet e përgjithshme. Këto janë standartet tona. Ne nuk kemi standartet e njeriut të fortë që
dikton gjithçka në parti dhe në shtet. Nuk kemi as standartet e një partie që
drejtohet nga një çift burrë e grua, që ia kalojnë kryesinë e partisë njëri-tjetrit
sikur ta kenë pronë (që në fakt e kanë).
I vetmi shans për Bashën që të largohet i nderuar është nëse ai arrin të lerë pas një PD e cila të ketë hequr dorë nga mendësia
komuniste e luftës së klasave dhe e kapjes pas parrullave boshe që s’i mbushin
më mendjen asnjë nejriu. Pozicionimit të PDsë si një parti ‘e djathtë‘ në
kuptimin që lufton ‘të majtët’ domethënë komunistët, nuk i ka mbetur pikë kuptimi.
Së pari, PS, pavarësisht nga emri, nuk është parti e majtë. PS është sot partia
e oligarkëve, e një grupi të vogël njerëzish super të fuqishëm ekonomikisht, që
ka në krye një njeri që mbështetet mbi supet dhe xhepat e këtyre njerëzve të
fuqishëm dhe që nuk i lënë asnjë hapësirë biznesit të vogël dhe atij të mesëm, le më pastaj fukarait.
Eshtë më se e vërtetë që PS mban rreth vetes disa figura të qelbura të
komunizmit si Gramoz Ruci dhe enveristë të tjerë të vegjël që vazhdojnë t’i
mbajnë erë me nostalgji fustaneve të Nexhmije Hoxhës, por kjo është
thjesht nga ato kockat që ata ia hedhin PDsë për ta hutuar, që të ketë ku të lehë, dhe
që njëkohësisht i ruan PSsë një numër të caktuar votash fanatikësh që edhe pas
tridhjetë vjetësh nuk e kanë marrë vesh që komunizmi ka marrë fund. Nëse mund të përcaktohet në terma
ideologjikë, PS e Ramës nuk është as parti komuniste, as parti socialiste. Më së shumti ajo mund të jetë parti
fashiste. Në këtë kuptim, PD duhet ta kuptojë që fashizmi nuk luftohet duke i
dalë më djathtas, duke u bërë edhe më fashist. As duke i dalë majtas. Fashizmi luftohet me të kundërtën e vet,
me demokracinë. PD duhet thjesht t’i qëndrojë besnike emërtimit të vet dhe të
ndjekë parimet e saj që në krijim – të jetë parti demokratike, e demokratizuar
vetë dhe që kërkon demokratizimin e vendit.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm
se gjendja politike në vend sot është shumë e keqe dhe aspak premtuese për të
ardhmen e vendit. Regjimi i Ramës rrezikon të kthehet në një diktaturë afatgjatë
dhe përpjekja për ta hedhur atë, duke marrë parasysh manipulimet që ai bën,
mgjan e vështirë për t’u realizuar. Por nuk është e pamundur. Të mos harrojmë
se si arriti PD të sigurojë mbështetjen e shqiptarëve në vitin 1992, duke
kthyer përmbys rezultatin e zgjedhjeve të një viti më parë dhe duke hedhur
poshtë një parti që kishte pesëdhjetë vjet që sundonte me metodat më të ndyra të
mundshme. Ajo mrekulli u arrit vetëm në saje të një rruge të re që u propozua,
të një alternative moderne, krejt të ndryshme, të një mendësie shumë më të
përparuar që u përqafua me enthusiazëm nga një shumicë e ndjeshme e popullit, aq
sa ishte e pamundur ta manipuloje. PD dhe shqiptarët i kanë forcat që ta
arrijnë përsëri një gjë të tillë. Por, si forca e vetme politike që iu jep
shpresë shqiptarëve, PD ka nevojë që paraprakisht të ripërtërijë
vetveten.