10 Porosite nga George Carlin
Thursday, February 2, 2012
Cili jeni ju, zoti Faktor Ndërkombëtar?!
Bisedë në Studio 8
Drejtuesi i Emisionit: Më në fund u pranua zyrtarisht. Vetë kryetari i qeverisë, në një intervistë të botuar në gazetën "Sot" ka pranuar atë që prej vitesh qarkullonte në formë hipotezash, teorish, hamendësimesh, përqasjesh, parabolash, nënkuptimesh dhe nëtekstesh. Së pari, le të ndjekim pjesë nga intervista:
Gazetari: - Z. Topi i ka thënë Faktorit Ndërkombëtar se kjo situatë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme?
Kryeministri: - Absolutisht po, dhe Faktori Ndërkombëtar ka dalë nga zyra duke thënë se ai zotëria ka të drejtë...
...
Gazetari: - U shprehët vazhdimisht se keni pasur kontakte me faktorin ndërkombëtar për 21 Janarin. A është dakord faktori ndërkombëtar me analizën që i keni bërë 21 Janarit?
...
Drejtuesi i Emisionit: Pra, siç e shihni, të dashur shikues, bëhet fjalë për një njeri konkret. Emri: Faktor, mbiemri: Ndërkombëtar. Është njeri i prekshëm, jo ide, siç mund të pretendohet. Fill pas këtij deklarimi të gjithë vendin e kanë përfshirë ethet e kurreshtjes për identitetin e Faktorit Ndërkombëtar. Pyetjet janë pa fund: Kush është Faktori Ndërkombëtar? Përse mbahet i fshehtë identiteti i tij? A është shqiptar apo i huaj? Nëse është i huaj, si ka ardhur në Shqipëri dhe ç'funksion kryen? Për t'iu dhënë prëgjigje disa prej këtyre pyetjeve, duke ndjerë përgjegjësinë që kemi zi gazetarë të mirëfilltë hetimorë, kemi ftuar në studion tonë zotin Hyqmet Zagari, specialist në ShISH, zonjën Magdalena Çiftja, zëdhënëse e Ministrisë së Brendëshme dhe zotin Partizan Kerceu, analist politik. Mirëmbrëma të gjithëve.
Të Ftuarit (njëzëri): Mirëmbrëma!
Drejtuesi i Emisionit: Dua ta filloj me një pyetje të thjeshtë - A mendoni që Faktori Ndërkombëtar është shqiptar apo i huaj.
Hyqmet Zagari: Ne si ShISH nuk kemi asnjë të dhënë.
Partizan Kërceu: Natyrisht. Në se shohim me kujdes titujt e shtypit të përditshëm, do të shohim se Faktori Ndërkombëtar shëtit në shumë vende të botës. Po ju jap disa tituj që nxorra sot në mëngjes nga një guglim i shpejtë në Internet: Respektimi i standardeve dhe roli i faktorit ndërkombëtar; Faktori ndërkombëtar apelon për zgjedhje ...; Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi opozitën ...; Faktori ndërkombëtar të bëhet palë konstruktive; Konfrontimi me Faktorin Ndërkombëtar etj. Interesant është fakti që Faktorin Ndërkombëtar e gjejmë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare:; "Forca” apelon te Faktori Ndërkombëtar të monitorojë zgjedhjet në Ulqin; Faktori Ndërkombëtar, i besueshëm në Maqedoni ...; Bashkimi Kombëtar, sipas Faktorit Ndërkombëtar; madje edhe më tej: Faktori Ndërkombëtar, kritika zgjedhjeve në Rusi. Mua më duket më se e çuditshme që zotërinjtë e ShiSH nuk kanë të dhëna për këtë.
Hyqmet Zagari: Nuk kemi.
Drejtuesi i Emisionit: Pra duket si një njeri që vërtitet lirisht në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, pa pasur nevojë për vizë. Sidoqoftë, ka diçka jo bindëse këtu - emri. Ndërsa emri Faktor mund të jetë i huaj, mbiemri Ndërkombëtar tingëllon disi si shqiptar. A mund ta ketë një i huaj mbiemrin "Ndërkombëtar" dhe të jetë i huaj?
Magdalena Çiftja: Mbiemri s'do të thotë gjë. Ndoshta është martuar me ndonjë shqiptar dhe ka marrë emrin e burrit.
Hyqmet Zagari (i skandalizuar): Ju mendoni se Faktori Ndërkombëtar mund të jetë grua?
Magdalena Çiftja: E pse jo? Ose mund të jetë burrë dhe, siç janë të emancipuar burrat e huaj, ka marrë emrin e gruas. Ç'të keqe ka këtu?
Partizan Kërceu: Natyrisht që s'ka asgjë të keqe. Megjithatë, le të flasim me fakte dhe të mos i lëshojmë fre fantazisë. Më shumë të ngjarë ka, sipas të dhënave që disponojmë, që mbiemri Ndërkombëtar të jetë një përshtatje, për arsye utilitare të segmenteve të caktuar në politikën dhe median mbarëshqiptare, e mbiemrit Internacional.
Hyqmet Zagari: Për të mos e ngatërruar me atë kurvën, Internacionalen Komuniste.
Drejtuesi i Emisionit dhe të ftuarit e tjerë i hedhin të habitur vështrime pyetëse. Por Hyqmet Zagarit nuk i lëviz asnjë muskul në fytyrë.
Drejtuesi i Emisionit: Hëm, nejse, vazhdojme me Faktorin Ndërkombëtar. Nëqoftëse bijem në një mendje që mbiemri i këtij personi të jetë ndërruar, qoftë për arsye civile, qoftë për arsye utilitiare, nga Internacional në Ndërkombëtar, atëherë na mbetet vetëm të diskutojmë për emrin, që duket qartë që s'është shqiptar.
Partizan Kërceu: Por më parë se të kalojmë aty unë do të desha t'iu drejtoja një pyetje organeve kopetente që kemi këtu. A ka ndonjë të dhënë të hyrje daljeve të ndonjë njeriu me emrin Faktor (Ndërkombëtar apo Internacional) në pikat tona të kalimit kufitar? Përderisa zotëria a tij Faktori Ndërkombëtar na bridhka në gjithë trevat mbarëshqiptare - Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi (çuditërisht nuk përmendet Çamëria), përderisa njihet nga gazetat në ShBA dhe është parë i pranishëm edhe në Rusi, atëherë ky njeri duhet të hyjë e të dalë shumë shpesh në pikat kufitare.
Hyqmet Zagari: Ne nuk kemi.
Magdalena Çiftja: As unë s'kam dëgjuar gjë në Ministrinë e Brendëshme. Si t'i'u betohem.
Hyqmet Zagari: S'ka nevojë të betohesh. S'ke dëgjuar, s'ke dëgjuar. Pikë.
Partizan Kërceu: Po lëre ore ti tjetrën, ka qef të betohet. Betohu, zonjë, betohu.
Drejtuesi i Emisionit: Le të mos shkëputemi nga tema. Si e komentoni emrin Faktor.
Hyqmet Zagari: Ne nuk kemi.
Drejtuesi i Emisionit: Çfarë nuk keni?
Hyqmet Zagari: Nuk kemi as gjë për të komentuar, asnjë të dhënë për emrin.
Partizan Kërceu: Natyrisht. Sidoqoftë, nëse Faktori Ndërkombëtar është i huaj, emri i tij në origjinal duhet të shkruhet ndryshe. Në bazë të rregullit të drejtshkrimit për emrat që vijnë nga gjuhët e huaja, ato në shqip duhet të shkruhen ashtu siç shqiptohen, apo jo? Pra, në mënyrë që të shqiptohet "faktor", emri në origjinal do të duhet të shkruhet në dy mënyra: ose "Factor" ose "Fucktor". Por, po qe se do të shkruhej "Factor", më shumë mundësi do të kishte që të ishte shqiptuar diçka si "fektër". Meqë në shqip ai shqiptohet ma "a" të hapur, atëherë e vetmja mundësi logjike është që ai në origjinal të shkruhet "Fucktor".
Drejtuesi i Emisionit: Interesante! Ju paskeni njohuri të thella edhe në këtë fushë.
Partizan Kërceu: Linguistika është hobi im.
Drejtuesi i Emisionit: Pra ju thoni se personi që iu hyn dhe iu del nga para krerëve të shtetit dhe të qeverisë nëpër zyra; personi që ua mban të vulosur gojën politikanëve dhe krerëve të gjitha partive; personi që i tund dhe i shkund edhe ata të trevave mbarëshqiptare s'është tjetër veçse...
Partizan Kërceu: Fucktori. Ai këtë punë ka.
Drejtuesi i Emisionit: Ky njeri duhet të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm që të bëjë gjithë këtë punë.
Magdalena Çiftja (paksa e djersitur dhe e skuqur): I fuqishëm?! I tmerrshëm, thuaj. Po ku gjendet ky Fucktori xhanëm, se na bëtë kurreshtarë?
Drejtuesi i Emisionit: As mos i bëni yzmet asaj mendje, zonja Çiftja. Fucktori Ndërkombëtar ngatërrohet vetëm me njerëzit me peshë - presidenta, kryemnistra, kryetarë parlamentesh, prokurorë të përgjithshëm. Nuk merret me të vegjlit. Dhe punon me të gjithë njëlloj, pa dallim moshe, seksi, krahine apo ideje. Me kaq, të dashur shikues, ne po e mbyllim pjesën e parë të emisionit tonë kushtuar Faktorit Ndërkombëtar. Me këtë pjesë themi se kemi arritur diçka në identifikimin e këtij njeriu misterioz. Sido që të jetë, mbetet ende shumë punë për të bërë. Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël. Mirufaktofshim në emisionet e ardhme!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment