Monday, April 16, 2012

Fabrikantët e Mrekullive


Sanal Edamaraku, kryetar i Shoqatës së Racionalistëve të Indisë, shkrimtar, gazetar dhe personalitet i jetës akademike e mediatike në Indi kërkohet këto ditë nga policia e Mumbait për t'u arrestuar. Krimi i Edamarkut? Në Mars të këtij viti ka zbuluar se kryqi magjik i Irlas që po kthehej në pikë pelegrinazhi për mijëra besimtarë të krishterë për shkak "ujit të bekuar" që rridhte nga këmbët e Krishtit të kryqëzuar në të, nuk ishte gjë tjetër veçse një mashtrim i rëndomtë, realizuar me efektin kapilar të një tubi të çarë uji që kalonte pranë statujës. Krerët e Kishës Katolike të Mumbait i kërkuan Edamarakut ta tërhiqte denoncimin dhe, kur ky nuk pranoi, e hodhën në gyq për blasfemi, sharje të Zotit, që në Indi dënohet me ligj.
Dy fjalë për personalitetin e Edamarakut. Sanal Edamaraku është një intelektual racionalist indian, i lindur në shtetin jugor të Kerlas në një familje gjithashtu aktive në lëvizjen racionaliste. Gjatë viteve 80të dhe 90të ai iu kushtua demaskimitë të të ashtuquajturve perëndi të gjalla të Indisë, burra e gra mashtrues që pretendonin se ishin njerëz të shenjtë (Satya Sai Baba, Pilot Baba, Balti Baba, Chandra Suami, Suami Sadachari, Mata Amritanandamayi, Sri Sri Ravi Shankar etj.) duke i hapur sytë publikut për marifetet dhe makinacionet e tyre. Fushata e tij kundër bestytnive shkaktoi një revolucion të heshtur në fshatrat indiane. Në vitet tetëdhjetë me qindra njerëz iu bashkuan vullnetarisht "Shkollës Edamaraku" duke sfiduar pretendimet absurde të dukurive paranormale në të katër anët e Indisë dhe më gjerë. Fushata e tij tërhoqi vëmendjen e rrjeteve televizive serioze si Discovery, BBC, Channel IV dhe CNN, si edhe medias së shkruar, duke përfshirë New York Times, Washington Post, The Independent, The Times, The Guardian, The Telegraph, Time Newsweek, Asia Week.
Programet televizive të Edamarakut kanë qënë tepër të efektshme. Në 1995 ai i bëri sfidë njërit prej astrologëve më të njohur të Indisë që t'i provonte aftësitë e tij magjike në një emision të drejtpërdrejtë televiziv. Astrologu dështoi, duke u bërë gazi i vendit. Në Mars të vitit 2008, një tjetër tantrik pretendonte se ishte në gjendje të vdiste këdo brenda tre minutash me anë të forcës së mantrave të veta. Edamaraku i kërkoi që t'i provonte mantrat mbi atë vetë në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, që u ndoq me gjak të ngrirë nga miliona shikues. Sanal është gjallë edhe sot e kësaj dite.
Në 10 Mars 2012 Sanal Edamarku u ftua nga një rrjet televiziv në Mumbai për të hetuar një "mrekulli" tjetër, që kishte filluar të tërhiqte gjithmonë e më shumë vizitorë. Bashkë me grupin xhirues ai shkoi në Irla, në Vile Parle ku përpara Kishës së Zonjës sonë të Velankannit ngrihej statuja e Krishtit të kryqëzuar. Lajmi se këmba e Krishtit pikonte ngadalë ishte përhapur në të katër anët dhe me qindra njerëz në ditë vinin për të mbledhur nëpër shishe "ujin e bekuar" që rridhte nga trupi i Jezuit. Irla po kthehej në qendër pelegrinazhi.
Por Sanal Edamaraku ia prishi gjithë lezetin muhabetit. Brenda disa minutave ai zbuloi para kamerave se si uji, në sajë të efektit kapilar, kalonte nga një tub i çarë aty pranë drejt këmbës që pikonte. Natyrisht, kjo nuk iu shkoi fare për mide krerëve lokalë të kishës Katolike. Debati mori zjarr disa orë më vonë, kur Sanal Edamaraku doli drejtpërdrejt në një program të TV-9 dhe, pasi shpjegoi se si ishte realizuar mashtrimi, akuzoi kishën katolike për fabrikim mrekullish. Pesë priftërinj katolikë, midis të cilëve Atë Augustine Palett, i Kishës së Zonjës SOnë të Velankannit, dhe disa përfaqësues të Shoqatës së Katolikëve të Shqetësuar protestuan dhe i kërkuan Sanalit të lypte falje. Në debat hyri edhe Monsinjor Agnelo Gracias, ndihmës peshkop i Mumbait, i cili përmes telefonit u përpoq të shpëtojë imazhin e Kishës Katolike duke theksuar se kjo "ka qënë gjithmonë e kujdesshme në përcaktimin e dukurive të mbinatyrshme" dhe se ka kërkuar gjithmonë "që të gjejë shpjegime shkencore." Madje ai i siguroi teleshikuesit se Papa mbetej përherë mik i ngushtë i shkencës. Sanal Edamaraku ndërhyri me kujdes duke sjellë shembullin e Xhordano Brunos. Ai foli edhe për procesin e kanonizimit, i cili kërkon si domosdoshmëri provimin e një "mrekullie" nga një komision i posaçëm i Vatikanit. Dhe, duke qënë se numërohen të paktën 10,000 shenjtorë të shpallur nga Vatikani, ku secili prej tyre duhet të ketë kryer të paktën një mrekulli, Edamaraku arriti në përfundimin logjik se Kisha Katolike është fabrikuese e rregullt mrekullish. Ai gjithashtu shtoi se i ashtuquajturi aleat i shkencës, Papa, lejon praktikimin e eksorcizmit brenda mureve të Vatikanit. Madje, sipas lajmeve të fundit në shtyp, ai ka ndihmuar edhe vetë në përpjekjet për të dëbuar djallin nga trupi i njërit prej Rojeve Zvicerane. Padyshim, Sanal Edamaraku doli fitimtar nga i gjithë ky debat interesant.
Kur e panë se nuk arrintën ta trembnin dhe gjunjëzonin, njerëzit e shenjtë të fesë katolike filluan të kërcënonin hapur në emisionin televiz të drejtpë drejtpërdrejtë me hedhje në gjyq për blasfemi. Sanal iu rikujtoi se vajtja në gjyq do t'i jepte atij një rast të bukur për t'i mbështetur deklaratat e veta me prova të pakundërshtueshme përpara një institucioni ligjor. Kishtarët kërcënuan se do ta mbysnin me akuza në të gjitha stacionet e policisë së Mumbait. Dhe e bënë.
Deri sot janë depozituar të paktën tre akuza të drejtpërdrejta kundër Sanal Edamarakut sipas Nenit 295 të Kodit Penal Indian. Ndërkohë, policia e Mumbait ka shpallur urdhër arrestin. Sanal Edamaraku mund të arrestohet në çdo çast.
Arben Kallamata

No comments: